Interesi për Shqipërinë nga turistët e huaj është në rritje dhe këtë e mbështesin shifrat, por turizmi po bie në kurthin e infrastrukturës problematike, mbetjeve të hedhura vend e pavend dhe vegjetimit të institucioneve nga Task-Forca në Task-Forcë. Shoqata e Turoperatorëve nënvizon se, në raport me një vit më parë, nuk ka përmirësim dhe rritja e numrit të turistëve nuk është meritë e jona. Lidhur me strukturat akomoduese, palët bien dakord se ato mbeten të pakontrolluara, në një kaos total dhe garë të pandershme me ata që veprojnë informalisht përmes apartamenteve.
“Shqipëria është fantastike. Ka një natyrë mbresëlënëse por….” Ka gjithmonë një “por” tek përshtypjet e të huajve kur i pyet sesi ju duket vendi ynë. Kështu ndodhi edhe me Juan Cruz Saldano nga Argjentina dhe Sanne Haenen nga Holanda, të cilët i takuam rastësisht në Vuno. “Jemi duke punuar si vullnetarë tek Himara Hostel prej dy muajsh. Angazhohemi me punë të ndryshme që lidhen me pastrimin, rregullimin e dhomave, çarçafët. Na ka pëlqyer shumë Shqipëria, ndërthurja që keni në natyrë është shumë e veçantë. Nuk e kemi shëtitur të gjithën, por duam që këtë muaj që na ka mbetur të vizitojmë pak edhe Veriun, si dhe Kanionet (për të cilat nuk po i kujtohej emri, por mesa kuptuam bëhej fjalë për Osumin)”, tha Juan, duke shtuar se ka vend për përmirësim në disa gjëra.
Nga ana tjetër, Sanne, e cila është mësuar me Holandën, u shpreh se në Shqipëri i bënin përshtypje dy gjëra. Parcelat e vogla të tokës, ku secili prodhon për vete, diçka që në vendin e saj nuk ekziston dhe pagat e ulëta që kanë shqiptarët. “Kam vënë re që këtu nuk paguhesh sipas orëve që punon dhe pagat janë relativisht të ulëta. Lidhur me turizmin, ndoshta duhet të bëni më mirë pjesën që lidhet me shërbimin”, shprehet ajo. Gjithsesi, përshtypja e tyre në tërësi është pozitive. Pas tre muajsh aventure, ata do të shëtisin në një tjetër vend, duke punuar si vullnetarë dhe duke krijuar kujtime ashtu sikurse kanë bërë këto vitet e fundit.
Pia Darmstad, ndihmëskonsulente dhe Philip Meier inxhinier, të dy nga Gjermania, ndodhen në Himarë prej dy muajsh si pjesë e një projekti që po zbatohet lidhur me impiantin e ujërave të zeza. Edhe në këtë rast, fraza që dëgjon është e njëjtë.
“Shqipëria është shumë e bukur dhe aseti i vërtetë i saj është natyra, por infrastruktura ka nevojë për përmirësim. Mesa kemi kuptuar, ju e keni turizmin prioritet dhe si i tillë duhet që t’i përgjigjet një tjetër lloj infrastrukture. Ka nevojë për investime, por edhe për më shumë alternativa transporti. Duke bërë këtë, mund të krijoni një përfitim më të madh për ekonomitë lokale, rritje të qëndrueshme për sektorin dhe kjo ndikon pastaj edhe tek ekonomia në tërësi”, – tha Meier.
Përshtypjet i mblodhëm gjatë një vizite në Jug të vendit, ku na u desh që të rezervonim një hotel për të paktën dy net. Oborri gumëzhin nga turistë shqiptarë dhe të huaj, kryesisht italianë, që shfrytëzojnë çmimet e lira që ofrojnë ato pak hotele që janë hapur në fund të prillit dhe fillim të majit.
Dalim nga hoteli (në Dhërmi) për t’ju drejtuar një plazhi dhe shohim një çift të rinjsh që, nuk mund ta themi saktë nga janë, për aq kohë sa gjuhën e tyre nuk e kuptojmë, por ama nga veprimet kuptojmë që janë të mahnitur nga deti, pasi aparati i tyre fotografik profesional nuk pushon së shkrepuri, por paralelisht me panoramën, objektivi drejtohet edhe në disa grumbuj inertesh të vendosura përgjatë gjithë rrugës. Në fakt, kishim dy ditë që bënim atë rrugë dhe inertet nuk është se na kishin bërë dhe aq përshtypje, por u desh objektivi i një të huaji që të na kujtonte se diçka nuk shkon edhe me këtë pamje.
Infrastruktura dhe mbetjet si refren, por pa zgjidhje
Ka një “traditë” tipike shqiptare që, punimet më të rëndësishme infrastrukturore bëhen në kulmin e sezonit turistik. Në njërën anë ke turistët në shëtitje dhe, në anën tjetër, betoniere, kamionë dhe gjithfarëlloj mjetesh që hapin kanale, hedhin beton apo shtrojnë asfalte, e shoqëruar kjo me ndotje akustike dhe pluhur. Kantieret mbeten hapur çdo vit, në projekte të reja apo ekzistuese që zvarriten vit pas viti.
Aktualisht punime po kryhen në Vlorë, ku i gjithë bulevardi “Ismail Qemali” është bllokuar. Nëse kjo do të ketë ndonjë ndikim në trafikun që pushton këtë qytet në periudhën e verës, mbetet për t’u parë. Sakaq në Dhërmi është duke u investuar për një shëtitore në krah të plazhit. Duket që punimet po ecin shpejt, sepse shihen punonjës dhe mjete edhe në fundjavë, por gjasat janë që maji të jetë me këtë pamje.
Nga ana tjetër, Bypass-et e Fierit dhe të Vlorës mbeten në vend numëro. Një tender për të përzgjedhur kompanitë e reja, që do çojnë në fund këto projekte, ka mbetur pezull dhe ende nuk është dhënë ndonjë informacion se kur do të kemi nisjen e zbatimit. Qershia mbi tortë është autostrada Tiranë-Durrës, ku gropat tashmë janë bërë diçka e zakonshme edhe në korsinë e shpejtësisë, duke u kthyer në një rrezik potencial për jetën e qytetarëve.
E ndërkohë që infrastruktura mbetet problemi kryesor që ngrihet në tryezat e turizmit dhe pas saj menaxhimi i mbetjeve, reflektimi për këtë pjesë është gjithmonë minimal. Nisma më e rëndësishme e këtij viti, para nisjes së sezonit, është ajo e javës së pastërtisë ku qeverinë e sheh të angazhuar nëpër bregdet, duke mbledhur mbeturinat dhe duke bërë thirrje për ndërgjegjësim. Por për turoperatorët shqiptarë, situata në raport me një vit më parë, ka pak ndryshim. Shumica e problemeve janë aty ku ishin.
Kasa: Turistët vijnë në maj, rikthimet nga polakët dhe çekët me kokrra
Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar dhe menaxher i Happy Tours, tha për “Monitor” se turistët e parë vijnë në javën e dytë të majit, por se edhe ky sezon turistik ka problemet e tij që nuk ndryshojnë shumë nga viti i kaluar.
“Në datë 11 maj erdhi charteri i parë nga Finlanda dhe në datë 12, dy të tjerë nga Suedia. Pastaj gradualisht, çdo javë kemi nga dy charter-a. Problemi më i madh që mund të na kthejë këto shifra në bumerang është infrastruktura dhe ne e kemi ngritur si problem. Na është thënë që janë turistë të aventurës dhe nuk përbën problem, por ne ofrojmë turizëm masiv dhe në plazh. Turistët tanë kanë moshë të thyer, të cilët vijnë të organizuar dhe duan relaks.
Autostrada Tiranë-Durrës është në gjendje të keqe. Nga ana tjetër, Vlora, bregdeti më i bukur i Shqipërisë, është e penalizuar me vetëm dy muaj sezon për hir të infrastrukturës. Turistët duhet të humbin minimalisht katër orë transfertë nga Tirana në Vlorë, ndaj nuk e marrin mundimin. Dhe turisti, nëse nuk mbetet i kënaqur, nuk e merr mundimin të vijë më këtu dhe këtë ia referon edhe agjencisë së vet”, shprehet Kasa. Sipas tij, ambicia e Shqipërisë për t’u kthyer në një destinacion, sikurse kemi ne shqiptarët Turqinë, mund të bëhet e vështirë nëse dështojmë të krijojnë përshtypje pozitive.
“Polakët dhe çekët kanë ardhur dhe po vijnë, por ata që kthehen sërish janë me kokrra. Ne duhet të krijojmë ndjesinë që këta turistë të duan të kthehen sërish dhe të na shohin si destinacion. Pra turisti të ndryshojë hotel, por ne të na ketë në hartë si destinacion pushimesh për t’u rikthyer. Nëse kompania që po sjell këto grupe merr përshtypje jo të kënaqshme, ajo mund ta heqë Shqipërinë si destinacion nga ofertat e veta dhe largimi i njërës prej tyre do të ishte një referencë e keqe për të gjithë.
Nëse krijon precedent, është e vështirë ta zhbësh këtë”, – shprehet Kasa. Ai tregon se grupet e inspektimit të agjencive të huaja kanë intensifikuar vizitat e tyre në vendin tonë, duke parë nga afër strukturat akomoduese, ecurinë me arredimin e atyre të reja, kushtet higjieno-sanitare, ato të sigurisë apo çdo lloj parametri tjetër që edhe kur ka munguar është kërkuar të plotësohet sipas atyre europiane. Problemi i mungesës së klasifikimit në yje mbetet ende evident, por për ata që kanë ardhur me kontrata të nënshkruara në avancë, është bërë një lloj rakordimi mes yjeve të deklaruar dhe situatës reale duke përshtatur edhe elementet e tjera.
Hoxha: Të zgjidhet ngërçi me radhët në kufi, pritja shkon nga 3-4 orë
Për Sokol Hoxhën, drejtues i agjencisë turistike “Shkodra Travel”, edhe pse ka disa përmirësime që lidhen me shërbimin, problematikat në këtë fillim sezoni nuk janë të pakta. Sipas tij, ende ka mungesë koordinimi me vendet fqinje për të lehtësuar kontrollin në Dogana, çka në shumë raste u merr pushuesve nga tre orë në kufi. Plehrat e hedhura vend e pavend si detyrim i pushtetit vendor duhet të shihen më me kujdes gjithashtu.
“Këto kohë, ende pa filluar mirë sezoni, kemi turistë gjermanë dhe francezë, kryesisht të orientuar tek kultura. Ka pasur edhe grupe nga Polonia dhe Ukraina që, tipikisht vijnë në prill dhe maj. Dy grupet e para vijnë me avion, ndërsa të dytët zgjedhin autobusin pasi zhvillojnë ture në Ballkan dhe mes vendeve të tjera zgjedhin të vijnë 3-4 ditë në Shqipëri. Infrastruktura lë shumë për të dëshiruar dhe nuk flasim këtu vetëm për gjendjen fizike të rrugëve, por për orët që bllokohesh në trafik”, – shprehet Hoxha, i cili prej 19 vitesh operon në këtë sektor.
Sipas tij, përsëritja e problemeve bëhet çdo vit, ata pyeten paraprakisht, por situata mbetet e njëjtë. “Ka probleme, por pritja në kufi ndodh shpesh dhe duhet të zgjidhet pasi na penalizon. Ne pretendojmë se kemi pikë të përbashkët doganore me Malin e Zi, por turistët presin me orë të tëra në radhë. Duhet të bëhet siç veprojmë sot me Kosovën, që bëhet kontroll vetëm nga njëra palë”, – shprehet ai. Nga ana tjetër, gjatë sezonit propozohet që të rritet vigjilenca për cilësinë dhe çmimet, të mos lejohen abuzime. Të mos ketë probleme me rezervimet apo me higjienën. Përpos këtyre, Hoxha nënvizon se problemi i strukturave të pakta akomoduese mbetet ende i pazgjidhur. Pas gjithë atyre lejeve që janë dhënë për hotele e fshatra turistikë, shumica e tyre planifikojnë vetëm 5-6 dhoma si struktura në funksion të turizmit dhe pjesën tjetër e shesin.
Golemi, “epiqendra” e rezervimeve, por edhe e problemeve
Golemi, prej dy vitesh, po përjeton ditët e tij të arta me rezervim rekord të strukturave akomoduese me kontrata në avancë. Fillimisht do të ishin polakët dhe çekët dhe tashmë mbizotërues janë nordikët, të cilët në një pjesë të mirë kanë mbyllur rezervimet edhe për vitin tjetër. Suksesi i Golemit duket se lidhet më së shumti me kapacitetet akomoduese që ofron, si dhe afërsinë me aeroportin e Rinasit. Por transfertat me autobusë nga aeroporti apo kufiri për në hotelet e Golemit duket se nuk do të jenë të thjeshta edhe këtë vit. Bashkia e Durrësit ka vendosur tabelën ku ndalohet qarkullimi i autobusëve dhe furgonëve në rrugën e plazhit. Një situatë e ngjashme me autobusët e Kosovës një vit më parë krijoi amulli të vërtetë në qytet, me trafikun e bllokuar dhe turistët e revoltuar.
“Një nga problemet që ne hasim është vendqëndrimi i autobusëve të huaj. Shumë qytete të mëdha nuk kanë një vend të dedikuar as me pagesë dhe as pa pagesë dhe, në shumicën e rasteve, gjobat nuk mungojnë. Çdo qytet duhet ta ketë një vend të dedikuar. Ndërkohë që tani është vendosur tabela tek Ura e Dajlanit që në rrugën e plazhit nuk lejohet qarkullimi, ata që do vijnë nga Hungaria, Austria, Sllovenia, Bosnja si do t’i çojnë turistët në hotel? Bashkia e Durrësit thotë na sillni targën dhe të kalojë, por një agjenci që ka 400 mjete, nuk mund të merret edhe me detaje të tjera”, – shprehet Hoxha. Nga ana tjetër, një pjesë e Golemit ka qenë me punime për shtrimin e një pjese të rrugës që nis nga pishat e buta tek ish-MAK Albania.
Rruga pritej që të ishte mbyllur në 1-2 maj, por edhe pse një pjesë e mirë e punimeve janë kryer, mungojnë trotuaret dhe ndriçimi. Kjo sigurisht nuk është se do na shërbejë për të na dhënë pikë plus. Turoperatorët nënvizojnë se pushteti vendor duhet të jetë më vigjilent për pastrimin e plazheve dhe rrugëve nga plehrat. Duhet të sistemohet kjo pjesë dhe njerëzit të mos lejohen të hyjnë në zonat e plazhit me kafshë (tregtarët ambulantë që shesin).
INTERVISTA
Flet Ingrid Postoli, specialiste pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit
Sezoni, gati një tjetër Task-Forcë, kontroll nga zhurmat tek ushqimet
Sezoni turistik veror do ta gjejë Shqipërinë me komitete rajonale për turizmin, Task Forcë rajonale të dedikuar për disiplinimin e zhurmave dhe kontrollin e ushqimeve me një plan masash të urdhëruar nga Kryeministri, si dhe gatishmërinë për parandalimin e zjarreve. Ingrid Postoli, specialiste pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, shprehet se tashmë pjesa më e madhe e strukturave janë ngritur, ndërkohë që ka një dakordësi me Policinë e Shtetit për të shtuar patrullat në zonat bregdetare dhe malore, numrin e mjeteve të urgjencës nga Shëndetësia si dhe një koordinim me të gjitha ministritë e tjera për përgjegjësitë që kanë.
Maji është muaji kur vijnë turistët e parë të organizuar. Çfarë masash po merren nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për mbarëvajtjen e këtij sezoni?
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në bashkëpunim me institucionet qendrore dhe vendore, kanë hartuar një plan masash për mbarëvajtjen e sezonit turistik, i cili është miratuar me Urdhër të Kryeministrit, nr. 39, 28.02.2018.
Është ngritur Task-Forca me përfaqësues nga institucionet qendrore dhe vendore, për të koordinuar dhe për të zbatuar planin e masave, me qëllim mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Janë ngritur Komitetet Rajonale të Turizmit, të cilat drejtohen nga prefektët. Mendimet dhe sugjerimet e dhëna nga operatorët turistikë, të huaj dhe vendas, përfaqësues të hotelerisë dhe udhërrëfyesit janë bërë pjesë e planit të punës për çdo institucion vendor. Në kuadër të aksionit kombëtar të pastrimit, një nismë e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, së cilës iu bashkuan institucionet qendrore dhe vendore, shoqatat mjedisore dhe turistike, qytetarë dhe të rinj, janë kryer pastrime në plazhin e Divjakës, Velipojës, Kepin e Rodonit.
Në qendër të aksionit kombëtar të pastrimit janë dhe shtretërit lumorë ku, në bashkëpunim me Prefekturën e Elbasanit dhe bashkitë ku kalon lumi Shkumbin, janë bërë pastrime nga mbetjet e ndryshme të cilat ndodheshin në brigjet e lumenjve. Bashkëpunimi me institucionet qendrore dhe vendore është në vazhdimësi, për të menaxhuar dhe për të monitoruar sezonin.
Cilat janë sfidat që hasen këtë vit, a keni ndonjë feedback nga operatorët, qoftë hotele, restorante, agjenci?
Është përmendur dhe më lart që pjesë e planeve të punës janë mendimet, sugjerimet e operatorëve turistikë, përfaqësuesit e hoteleve, Shoqata e Kulinarisë dhe është forcuar bashkëpunimi me ta edhe në nivel rajonal. Shqetësimet më të mëdha nga operatorët kanë të bëjnë me problemin e zhurmave, tërheqja e mbetjeve të krijuara, rojet bregdetare, sinjalistka informuese, vendosja e sinjalistikës bregdetare dhe monitorimi i saj.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit është duke informuar të gjitha bashkitë për zbatimin e akteve ligjore për zhurmat, si një nga shqetësimet e ngritura nga operatorët turistikë. Brenda muajit në vazhdim do të ngrihet dhe Task-Forca rajonale, e cila do të ketë objektiv të punës së saj shqetësimet e përmendura më lart.
Task-Forca rajonale do të përbëhet nga Inspektorati i Mjedisit, Policia Bashkiake, Policia e Shtetit Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe aktorë të tjerë rajonalë. Në vijim të takimeve me njësitë pushtetit vendor është dhe problemi i mbetjeve, vendosja e sinjalistikës informuese turistike dhe stacionet e plazheve private dhe ato publike.
A ka një koordinim ndërinstitucional me ministri të tjera të linjës si ajo e Brendshme, e Shëndetësisë apo e Infrastrukturës dhe Energjisë?
Në urdhrin e Kryeministrit, nr. 39, datë 28.02.2018 për ngritjen e Task-Forcës, dhe miratimin e planit të masave që përcakton detyrat për çdo institucion qendror dhe vendor, përcaktohen dhe detyrat për Ministrinë Shëndetësisë, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Bujqësisë, Ministria e Financës dhe Ekonomisë, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Kulturës, si dhe një sërë
përfaqësuesish të institucioneve të tjera dhe ato të qeverisjes vendore.
Janë bërë gati planet e punës nga të gjitha institucionet e lartpërmendur, si dhe një pjesë e tyre kanë miratuar shtimin e personelit në fushat që mbulojnë dhe pajisen me infrastrukturën e nevojshme.
Konkretisht, Policia e Shtetit do të shtojë shërbimin e saj në plazhin e Talës të Prefekturës së Lezhës, duke hapur poste policie me shërbime 24-orësh.
Po merren masa të forta monitoruese dhe për anijet shëtitëse me turistë si dhe mjetet e tjera lundruese. Është parashikuar shtimi i patrullave policore në të gjithë vijën bregdetare dhe në zonat malore, të cilat janë më të frekuentuara nga turistët. Do të shtohen sportelet e përpunimit të pasaportave nëpër pikat kufitare për të lehtësuar lëvizjen e lirë të turistëve.
Edhe Ministria e Shëndetësisë e ka miratuar shtimin e numrit të personelit mjekësor, të cilët do të ofrojnë shërbimin parësor gjatë sezonit turistik. Do të hapen qendrat e shërbimit parësor dhe do të pajisen me staf të kualifikuar, i cili do të shërbejë me 2 turne. Është hartuar dhe plani i shërbimit të urgjencës, duke rritur numrin e makinave për transportin e të sëmurëve në raste urgjencash.
Së bashku dhe me ministri të tjera, jemi duke organizuar planet sipas fushës së tyre të përgjegjësisë, duke angazhuar dhe institucionet e varësisë.
Kujdes të veçantë do t’i kushtohet dhe mbrojtjes nga zjarret. Në bashkëpunim me emergjencat civile dhe strukturat e shërbimit pyjor të bashkive po punohet në hartimin e planeve të përbashkëta për të rritur sigurinë nga zjarret. Ministria e Kulturës ka marrë vendim shtyrjen e orareve për të vizituar qendrat e kulturore dhe muzeore, të cilat janë në juridiksionin e saj të administrimit. Gjithashtu do t’u jepet mundësia turistëve për të vizituar qendrat muzeore e kulturore dhe ditën e shtunë dhe të diel.
Po pushteti vendor në zonat bregdetare, Shkodër, Durrës, Vlorë etj., si paraqitett në masa?
Përqendrimi më i madh i pushueseve dhe për këtë vit do të jetë në bashkitë me vijë bregdetare, pasi i referohemi dhe numrit të kontratave të vendosura nga operatorët dhe hotelet. Për një mbarëvajtje sa më të mirë të sezonit turistik janë ngritur Komitetet Rajonale të Turizmit, të cilat do të luajnë rol koordinues midis institucioneve qendrore dhe vendore. Pjesë e këtyre komiteteve janë përfaqësuesit e Ministrisë së Turizmit dhe të Mjedisit.
Kjo ministri po zhvillon takime në të gjitha bashkitë që shtrihen në vijën bregdetare, me qëllim zgjidhjen e problemeve, nga ndotja akustike, ndotjet nga mbetjet, rojet bregdetare, caktimi i plazheve publike, sinjalistika turistike, përcaktimi i vendparkimit për autobusët e turistëve si dhe problemeve të tjera. Rëndësi e veçantë do t’i vihet dhe abuzimit me çmimet nga subjekte të ndryshme, të cilat do të jenë objekt kontrolli nga Task Forca rajonale.
/Monitor.al/