1 Maji është një ditë simbolike për mbrojtjen e të drejtave të punonjësve në mbarë botën. Në Shqipëri, prej vitesh e ka humbur simbolikën dhe është kthyer në një ditë pushimi, kryesisht për punonjësit e administratës shtetërore, ndërsa në sektorin privat jo të gjithë e bëjnë pushim, teksa mbrojtja ligjore për punët jashtë orarit dhe ditëve të pushimit në Shqipëri është e ulët.
Jo më kot vendi ynë rezulton që ka orë shumë më të gjata pune sesa mesatarja e vendeve të zhvilluara. Sipas INSTAT, që i referohet vitit 2017, në Shqipëri punohet mesatarisht 2,173 orë në vit, ose rreth 42 orë pune në javë. Ndërsa mesatarja e vendeve të zhvilluara të OECD është 1764 orë. Në krahasim me mesataren, të punësuarit me pagë në Shqipëri punojnë rreth 409 orë më shumë.
Vendet me numrin e orëve mesatare më të ulët se mesatarja e OECD janë ato të Europës Perëndimore, si Holanda me 1435 orë pune në vit, Franca me 1472 orë në vit, Zvicra me 1589 orë.
Edhe në krahasim me rajonin, ne punojmë më gjatë. Në Maqedoni, sipas të dhënave zyrtare, orët e punës vjetore janë më pak se 1900.
Por, pavarësisht se punojmë me orë të zgjatura, ditët zyrtare të pushimit nuk i kemi të pakta, madje kryesojmë në rajon. Nga festat e Vitit të Ri deri tek Dita e Flamurit dhe lejet vjetore shqiptarët kanë 34 ditë pushimi të paguara.
Sipas Kodit të Punës, në Shqipëri janë 20 ditë pune leje vjetore, apo 28 ditë kalendarike. Ndërsa festa zyrtare numërohen 14, (shiko tabelën). Ditët kur festat zyrtare përkojnë të dielën, e hëna është ditë pushimi (kjo është llogaritur vetëm si një ditë pushimi).
Me 34 ditë pushimi në vit, shqiptarët renditen në mesataren e vendeve të Europës.
Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria ka numrin më të lartë të ditëve zyrtare të pushimit. Në Malin e Zi, sipas të dhënave janë 8 ditë pushimi zyrtar. Në shtetin më të ri të Europës, Kosovë, duke iu referuar të dhënave zyrtare ka rreth 9 ditë pushimi, përveç të shtunave dhe të dielave, dhe ditëve kur pushimet i bien gjatë fundjavës. Në Serbi, Maqedoni dhe Bosnje, janë rreth 11 ditë zyrtare pushimi.
Për sa i përket ditëve totale të paguara, Shqipëria numëron rreth 34 ditë, numri më i lartë në rajon. Më pas renditet Mali i Zi me 32 ditë pushimi të paguara, Bosnja me 31, Serbia me 31, dhe Kosova me 29.
Në Europë, sipas një harte të publikuar nga Wikipedia, në krye të klasifikimit si vend me më shumë ditë pushimi të paguara është Malta me 40 ditë, e ndjekur nga Austria, Danimarka, Franca dhe Spanja me 36 ditë pushimi.
Në vend të tretë është Italia së bashku me Gjermaninë, Zvicrën dhe Mbretërinë e Bashkuar me 32 ditë pushimi. Ndërsa Holanda ka vetëm 20 ditë pushimi të paguara.
Vendet që kanë numrin më të ulët të pushimeve, me 21 ditë, është Izraeli, Greqia me 24 ditë, Turqia me 26 ditë, dhe Zvicra me 27 ditë.