Që prej orëve të para të ditës së djeshme, para dyerve të Postës Shqiptare në kryeqytet janë shënuar radhë të gjata nga invalidët që prisnin për të marrë paratë që iu takon nga bashkia. Por vonesa në daljen e çekut ka bërë që kjo kategori të ngelë pezull prej më shumë se një javë për të tërhequr pagesën e invaliditetit, çka ka shkaktuar jo pak zemërim në radhët e tyre. Mesditën e djeshme në Zyrën Postare nr. 29, një prej filialeve të Postës Shqiptare në kryeqytet qytetarët e revoltuar kanë hedhur akuza mbi Bashkinë e Tiranës për situatën e krijuar.
“Po presim pagesën e invaliditetit e akoma s’po i ndajnë lekët, data është 30 prill sot, e ne akoma po presim. Nuk na kanë dhënë asnjë lloj shpjegimi se përse po na i vonojnë kaq shumë. Erion Veliaj nuk po e çan kokën fare për ne, as do t’ia dijë fare, ndërkohë që ne rrimë e hapim sytë. Duhet të fillonin t’i ndanin lekët që në datë 20, e kanë kaluar plot 10 ditë që ne presim. Më duhen ilaçet jam i sëmurë, e më duhet të vij të rri në radhë këtu përditë, me orë të tëra për 30 mijë lekë të vjetër. Ky është turp i madh që na mbajnë lekët neve”,-thotë Bujar Xhebafti.
Ndërkohë të tjerë shprehen se kjo kategori gjithmonë përbuzet e paragjykohet nga shteti e pushtetarët. “I kemi marrë gjithmonë në datën 23 të çdo muaji, por s’po i japin kurrë në datën e duhur. Kategoria jonë është shumë e përbuzur dhe e paragjykuar nga shteti e këto lekë s’po na i japin nga xhepi i tyre pushtetarët, por na takojnë në bazë të ligjit. Pagesa është 33 mijë lekë të vjetër në muaj e mezi i presim këto para. Të mëdhenjtë e Bashkisë së Tiranës e kanë fajin. Këtyre nuk iu dhimbset ky popull, pushtetarët tanë nuk janë njerëz, se po të kishin nuk do na linin të vuanim në këtë lloj forme”, – shprehet i revoltuar Sali Suli, një tjetër qytetar që mban statusin e invaliditetit.
“Pensionet e ulëta”
Invalidët, teksa presin në radhë për paratë, tregojnë se pagesa që marrin është qesharake dhe nuk mund t’i ndihmojë për të shlyer as faturën e energjisë elektrike. “Marrim vetëm 32 mijë lekë të vjetra në muaj nga Bashkia, e me këto duhet të paguajmë ilaçet, ushqimet, faturat, ndërkohë që pensioni është 150 mijë lekë të vjetra. Unë jetoj me dy vajzat e mia, por asnjëra prej tyre nuk punon, e për më tepër që e madhja është e sëmurë. Por pushtetarët tanë mesa duket nuk fëlliqen, i ka plasur cipa”,-tregon një tjetër invalide.
Reagimi nga Posta Shqiptare
Ndërkohë përgjegjësja e zyrës pranë Postës Shqiptare bën me dije për “Gazeta Shqiptare” se shkak për situatën e krijuar është vonesa nga Bashkia e Tiranës në daljen e çekut për pagesat e invaliditetit. “Mesa duket ka dalë çeku i invalidëve me vonesë e lekët do të vijnë pas pak. Mund të fillojë shpërndarja në orën 13.30 të ditës së sotme (djeshme). Problemi vjen nga bashkia e qytetarët nuk kanë faj. Posta duhet ta përballojë patjetër situatën, kurdo që të vijnë paratë. Janë rreth 700 vetë që do të marrin pagesën sot, por shumë janë pa qejf, iu bie të fikët e kanë hallet e tyre”,-thotë përgjegjësja për ‘GSH’. Ajo më tej shton se organizimi duhet të bëhet nga bashkia e që në datën 25 të çdo muaji duhet të dalë çeku pasi është një fond që duhet të dalë. “Në rast se do dilte çeku nga Bashkia, normalisht që Posta Shqiptare do e aprovonte e gjithmonë përplaset puna me pensionet. Janë 24 njësi administrative që menaxhohen nga bashkia, e fondi s’mund të dalë në datën 30, por burime nga bashkia na thanë që fondi ka kaluar që të enjten, e kështu që puna çalon te thesari që varet nga “Ministria e Financave”,-shton ajo.
Kreshnik Çollaku: Kërkesë e formalizuar për t’u diskutuar në mbledhjen e këshillit bashkiak
Kreu i këshilltarëve të PD në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Kreshnik Çollaku, i pyetur nga ‘Gazeta Shqiptare’ tregon se do të bëhet një kërkesë e formalizuar në mbledhjen tjetër në mënyrë që ti jepet fund situatave të tilla. “Problemi i invalidëve qëndron në faktin që sot (dje) ishte dita e fundit e marrjes së pagesës së invaliditetit. Pra, nëse nuk i marrin sot (dje) nuk i tërheqin dot për një muaj, e ngelen pa para. Tashmë invalidët shprehën dëshirën që të mblidhen në një grup e të formalizojnë kërkesën e tyre mbi problematikat që hasin e ne si këshilltarë të bëjmë një kërkesë që të shqyrtohet në mbledhjet e Këshillit Bashkiak. Në këtë mënyrë të mund të caktohet një datë për tërheqjen e pagesës së invaliditetit, e jo të presin në këtë mënyrë. Në të gjitha pikat e njëjta situatë ka qënë sot (dje). Nuk ka informacion se pse është vonuar dhënia e parave, por besoj se nuk ka fonde”,-shprehet Çollaku .