Nga Elvis Zaimi, ekspert i të drejtës bankare dhe financiare
Raporti më i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit, mbi përhapjen e korrupsionit në të gjitha degët e qeverisjes në Shqipëri, si dhe mbi joefektivitetin e sistemit të drejtësisë për ta kontrolluar fenomenin, të nxit dhe të fton për disa reflektime më të thelluara mbi këtë dukuri kriminale, por me pasoja të rrezikshme për fatet demokratike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Në raport flitet për intimidimin politik dhe fizik të gjyqësorit, për emërime politike në gjyqësor, si dhe pafuqishmërinë e gjyqësorit për të luftuar krimin ekonomik ose korrupsionin e nivelit të lartë, në fund të fundit për zbatimin jo të barabartë të ligjit nga gjykatat.
Konkluzioni i përgjithshëm që mund të nxirret nga ky raport është se në shoqërinë shqiptare incentivat për t’u përfshirë në aktivitete serioze kriminale të motivuara nga qëllimi për të nxjerrë përfitime ekonomike, ku padyshim hyn edhe korrupsioni i zyrtarëve të lartë ose Personave të Ekspozuar Politikisht (PEP)- termi që përdor për ta Legjislacioni kundër Pastrimit të Parave-janë kaq të larta, sa që mund të thuhet se politikat e ndjekura deri më sot për t’i luftuar këto fenomene janë joadekuate dhe kanë nevojë për rishqyrtim.
Ndonëse shteti shqiptar ka ratifikuar dy Konventat e Këshillit të Evropës, penale dhe civile, në luftën kundër korrupsionit, implementimi i tyre i brendshëm është ende i pakënaqshëm, duke e reduktuar dhe barazuar korrupsionin me mitëmarrjen dhe duke harruar aspektin e rëndësishëm dhe thelbësor se korrupsioni i niveleve të larta nuk është një krim moral, por një krim ekonomik, pra zyrtari që e kryen synon të gjenerojë përfitime ekonomike personale.
Nëse ka rezultate të prekshme për konfiskimin e pasurive të krimit të organizuar, konfiskimi i fryteve të korrupsionit të zyrtarëve të nivelit të lartë (asset recovery) ende mungon, faktor ky që shpjegon në një masë të konsiderueshme motivet përse fenomeni është kaq i përhapur. Të korruptuarit janë të aftë të blejnë dhe mosndëshkueshmërinë e tyre, me pasurinë e krijuar me korrupsion.
Pra, Shqipërisë i duhen politika ligjore proaktive, të konceptuara për të luftuar incentivat e fenomenit, d.m.th motivet e përfshirjes në korrupsin të një pjese të madhe të shoqërisë, dhe jo politika reaktive, d.m.th ato që konceptohen dhe vihen në zbatim pasi dukuritë kriminale shndërrohen në të pakontrollueshme.
Një funksion të tillë kritik, atë të parandalimit dhe mohimit të përfitimit nga frytet kundër korrupsionit, i përket ta kryejnë institucionet rregullatore dhe ato përgjegjëse për parandalimin e pastrimit të parave (DPPP/FIU).Pastrimi i parave është procesi me anë të të cilit “menaxhohen” paratë/kapitalet e krijuara me mjete dhe mënyra korruptive. Pra pastrimi i parave dhe korrupsioni dëmtojnë njëkohësisht, si integritetin e sistemit ligjor, ashtu edhe të atij financiar.
Shqipëria ende nuk ka adresuar dhe zhvilluar mjaftueshëm kapacitete kombëtare të afta të luftojnë efektivisht fenomenin e pastrimit të parave që kanë në origjinë korrupsionin, si në nivel legjislativ ashtu edhe të praktikës rregullatore dhe të sistemit të drejtësisë.
Autoritetet rregullatore, si Banka e Shqipërisë, ende nuk ka bërë publik ndonjë raport/vlerësim të saj mbi aftësitë dhe nivelin e drejtuesve të institucioneve të mbikëqyrura prej saj, për të vlerësuar dhe kuptuar profesionalisht kategorite e riskut dhe marrë masat parandaluese kundër pastrimit të parave, sic parashikohet në udhëzimin Nr.1 të rregullores Nr. 44 datë 10.06.2009 të Këshillit të saj Mbikëqyrës “Për parandalimin e pastrimit të parave”.
Mungon ekspertiza vendase për hetimin e pastrimit të parave si një nga llojet e krimit financiar, arsimimi dhe njohuritë profesionale mbi teknikat e gjurmimit dhe të konvertimit të “parave të pista”, financës off-shore, dhe së fundmi të konfiskimit dhe kthimit në thesarin publik të pasurive të përfituara nga korrupsioni.
Fenomenit pra, është e nevojshme t’i qasemi me një racionale të re, sipas koncepteve dhe parimeve më të përparuara ndërkombëtare, përfshi edhe Rekomandimet e rishikuara të FATF të Shkurtit 2012 dhe Direktivën IV të BE-së kundër Pastrimit të Parave (Direktiva 2015/849 e 15 majit 2015), të Parimeve/Udhëzuesve të Grupit Wolfsberg (2006 dhe 2018 mbi kriteret e vlerësimit të“country-risk”).
Më konkretisht, sot prirja e legjislacioneve në botë për hetimin e veprave penale të krimit ekonomik dhe financiar, të zbulimit të “marrëveshjeve të fshehta”(conspiracy) për pastrimin e parave, është ta zhvendosin barrën e provës tek institucionet financiare (bankat, agjentët e pagesave, broker-dealr, shoqëritë e sigurimeve, kujdestarët dhe rregjistrarët e titujve etj), si dhe tek këshilltarët profesionalë (si avokatët, noterët, agjentët e real estate etj).
Kjo për arsye se të dy këto kategori subjetesh menaxhojnë shuma dhe fonde të konsiderueshme për llogari të klientëve të tyre. Në këtë kuptim, në gjenezë të hetimit të një krimi financiar, sic është edhe pastrimi i parave, është aftësia e këtyre institucioneve financiare dhe këshilltarëve profesionalë, për të kuptuar dhe gjurmuar transaksionet jonormale dhe të dyshimta të klientëve të tyre.
Pra, personeli front-line i institucioneve financiare duhet të ketë trajnim të mjaftueshëm për të gjurmuar këto transaksione financiare, ndërkohë që zyra back-office duhet të ketë kualifikimet për t’i filtruar ato më tej, dhe Departamenti I Përputhshmërisë (Compliance) duhet të ketë aftësinë të bëjë gjykime profesionale, se cilat nga transaksionet e paraqitura prej saj duhet të hartohen në formën e një Raporti për Veprimtari të Dyshimtë, që i dërgohet/raportohet Njësisë së Inteligjencës Financiare(FIU).
Një metodologji e tillë, e bazuar mbi “Vlerësimin e riskut”, gjen shprehje në Udhëzuesin e FATF të Shkurtit 2013, ku i kërkohet vendeve të identifikojnë, kuptojnë dhe vlerësojnë rreziqet specifike të pastrimit të parave me të cilat ata duhet të përballen, duke vendosur prioritetet e duhura kur ndërtojnë regjimin e tyre kombëtar kundër fenomenit të pastrimit të parave. Jam i mendimit se disa nga prioritetet e domodoshme për Shqipërinë, në luftën ndaj fenomenit të korrupsionit dhe pastrimit të parave janë:
1-qeverisja e dobët, kapacitete të ulëta administrative, dhe keqadministrim i drejtësisë e manifestuar kryesisht në jonjëtrajtshmërinë e zbatimit të ligjit.
2-korrupsioni dhe pastrimi i parave janë fenomene transnacionale, ndaj duhet pasur parasysh se Shqipëria i përket një zone gjeografike me rrezik të lartë (hot spot), sic është ajo e Evropës Juglindore dhe Italisë Jugore, me të cilat ka lidhje të ngushta gjeografike dhe kulturore.
Vetë Shqipëria, sipas raporteve ndërkombëtare dhe kritereve të publikuara në 18 Mars 2018 nga Grupi Ëolfsberg, është një vend “me rrezik të shtuar” në lidhje me aktivitetin kredidhënës për bizneset që e kanë qendrën e aktivitetit të tyre në Shqipëri.
Kjo për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit dhe evazionit fiskal, sektorit informal të ekonomisë, si dhe problemeve me stabilitetin politik.Shqipëria vazhdon të mbetet një kultivues i kanabisit, dhe shërben si korridor i trafikut të drogave për në Italinë Jugore.
Në këtë drejtim, performanca e dobët institucionale e bën Shqipërinë një vend akoma më vulnerabël ndaj rreziqeve mbikombëtare përtej mundësive të saj institucionale për t’i kontrolluar ato, të tilla si depërtimi i kapitaleve të investitorëve të huaj të paskrupullt, nëpërmjet krijimit të aleancave duke formalizuar “paratë e pista” kriminale nëpërmjet investimeve në ekonominë shqiptare.
Për rrjedhojë është i domosdoshëm koordimi ndërkombëtar i luftës ndaj fenomenit të korrupsionit dhe pastrimit të parave, dhe mbështetja tek partnerët strategjikë.
3-Në fushën e politikave ekonomike, ka një lidhje të ngushtë ndërmjet korrupsionit dhe pastrimit të parave nga njëra anë, dhe fenomeneve të tilla si konkurrenca e pandershme, qeverisja e dobët e shoqërive tregtare, evazioni fiskal, praktikat e këqija në sistemin financiar (si p.sh fenomeni i kredidhënies pa kryer analizën rigoroze të kreditit por për “klientelizëm politik”), mashtrimet etj.
4-Së fundmi legjislacioni penal shqiptar duhet ridimensionuar tërësisht, duke ndërtuar një set koherent figurash të veprave penale të krimit ekonomik dhe financiar, të korrupsionit në sektorin publik edhe privat, të mashtrimeve financiare dhe gjykimeve për mashtrimet kontabile etj.
Vepra penale e shpërdorimit të detyrës, ashtu sic ajo është e formuluar në nenin 248 të Kodit Penal shqiptar, është e tejkaluar në kohë dhe nuk i shërben më luftës kundër fenomenit të korrupsionit.
Shpërdorimi i detyrës për qëllime korruptive tipikisht nuk ndodh më si shkelje ose moszbatim i ligjit nga zyrtari, por si keqpërdorim i pozitës zyrtare duke e zbatuar ligjin jo për qëllime të interesit publik, por të atij personal, d.m.th për nxjerrjen e përfitimeve personale materiale, direkte dhe indirekte.