Nga Ben Andoni
Shqipëria është një shtet 100 vjeçar, që po t’i heqësh nuancat patetike që i veshin artikullshkrues të ndryshëm, duhet quajtur vend i maturuar. Ka institucionet e veta, por më shumë se kaq brenda historisë së saj ka hartuar politikën e vet në interes të ekzistencës por edhe klasave që e kanë qeverisur. Shpesh me një lloj padrejtësie dhe si revansh ndaj të tjerëve të llojit. Rezultati mijëra e mijëra të vdekur më kot. Miliona e miliona të zhdukura dhe të qeverisura kot. Nuk duhet të harrojmë se ky shtet ka kaluar në tre regjime politiko social-ekonomike të ndryshme. Ka qenë Monarki, ka qenë Republikë Socialiste dhe tashti është një lloj formacioni Demokratik.
Nëse këtyre do t’u shtonim dhe një periudhë Kolaboracionizmi 1939-1944 dhe një tjetër me një regjim miks pas viteve ’20, por si Republikë Parlamentare, Shqipëria mund të quhet një vend i vërtetë eksperimental ballkanik.
“Nëqoftëse Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj do të duhej të shkruhej: Shqipëria lindi nga zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët”. Kjo thënie Faik Konicës mund të thuhet se është nga më të goditurat sa i përket qartësisë së shprehjes por edhe realitetit të krijuar nga bashkatdhetarët e tij. Ai, vetë, ka kontribuar jo pak në kaosin shqiptar, kurse me ulje-ngritjet personale ka treguar hiç më shumë se ishte pjesë e këtij realiteti.
Shqipëria është konsideruar si një nga vendet më të begata dhe me resurset e mjaftueshme për ekzistencën e saj, porse menaxhimi ynë dhe mënyrat që kemi ndjekur përgjatë 10 dekadave jo thjesht kanë lënë shumë për të dëshiruar por ato na kanë treguar sesa i mungon individit shqiptar gjetja e mënyrës së duhur për të mbijetuar dhe për t’i shërbyer jetës më të mirë.
Më në fund, ja ku jemi në Pranverën e vitit 2018, kur Shqipëria ka marrë rekomandimet më të mirat ndonjëherë për anëtarësim, por tashmë do t’i duhet mbështetja njëzëri në qershor e të gjitha vendeve anëtare të BE-së në takimin e Këshillit Evropian. Për fat të keq, shtetet anëtare s’e kanë atë vrull që po na tregojnë politikanët shqiptarë, e këtë e ndjen nga predispozita që mbizotëron tek të dy vendet kryesore, Gjermania dhe Franca.
Presidenti francez Macron u shpreh hapur dhe tejet skeptik para disa orësh lidhur me të ardhmen e Zgjerimit, kurse Gjermania është duke kërkuar shumë për vendet që e marrin vetëm një herë statusin e kandidatit, por që duhet ta tregojnë shumë. Në radhë, Vuçiç sapo e ka marrë dozën e kritikës dhe prej ditësh nuk ndihet në shtyp prej kërkesës që i është bërë për Kosovën, kurse Rama do të njihet me të njëjtën masë por për realitete të tjera në Berlin, pak ditë më vonë. Kuptohet se nga vendi i shpresuar kandidat deri në anëtarësim do shumë kohë dhe me gjithë ekspozetë e shqiptarëve, duhet të provojmë se kemi bërë realisht shumë.
A mundesh Shqipëria, përgjatë 30 viteve demokraci, të bënte më shumë për të pasur udhë dhe axhendë tjetër?! Të gjithë bien dakord, por sot e kësaj dite problemi i pronës, nga më akutët në kapitalizëm, është i pazgjidhur, kurse ende Shqipëria vuan problemet e Kujtesës e shumë të tjera.
Që para luftës së Dytë Botërore Shqipëria u orientua gabim dhe kreditë e frikshme që mori nga Italia i ndërruan fatin vendit, që u pushtua prej saj, e nga ana tjetër iu dorëzua për inerci Komunizmit një ideologji, që sot e kësaj ditë nuk është çrrënjosur.
Ajo që ndodhi pas Luftës së Dytë është e dhimbshme edhe pse do të ketë deridiku rezultate pozitive. Shqipëria mbart pesëmbëdhjetë vjet të mrekullueshme miqësi me Bashkimin Sovjetik atëherë liderin e jashtëzakonshëm të Lindjes, kredibiliteti i të cilit ishte ngritur sidomos pas fitores mbi Nazizmin. Pati gati po kaq kohë me Kinën, për t’iu dorëzuar pa kushte dhe duke arritur deri në nivel absurd marrëdhënie, duke e imituar deri në budallallëk. Dhe, shkoi më tej në vitet ’80, kur filluan bisedimet e reparacioneve të luftës me Gjermaninë, kur u paraqit për herë të fundit momenti i artë për të bërë largimin e butë nga absurdi e për të kaluar në një kamp, që do t’i jepte mundësisë që tranzicionin demokratik ta bënte që në kohën e Perdes së Hekurt.
***
Megjithë gjërat që i mveshin, Shqipëria nuk mundi, sepse njerëzit e saj kur nuk e kanë parë Evropën si shtëpinë e tyre zyrtare. Është e vërtetë se në anketime janë mbi 80% të shqiptarëve që e duan përkatësinë evropiane, ashtu si të gjithë ballkanasit, porse në praktikë neve e kemi të përcaktuar dhe e ndjekim shembullin lindor. Osmanizmi është ende i pa avulluar nga poret tona ballkanike.
Sot konjuktura e kërkon Ballkanin dhe Shqipërinë të jetë pjesë e BE-së, kur të plotësojë kushtet, por edhe në Bruksel janë të bindur se vendasit e kanë të pamundur. Krimi i organizuar dhe droga janë të papërballueshëm nga strukturat vendase kurse Shqipëria s’ka as kapacitete ta luftojë, përpos që informaliteti e ndih të bëjë këtë zhvillim kaotik, të cilit i leverdis.
Mbi të gjitha, klasa politike është e kapur kaq shumë saqë rruga evropiane do të zgjatet pafund. Vetëm se Evropa me hapjen e negociatave, i ka dhënë një sinjal vendit se Shqipëria nuk do jetë e vetme, porse do asistohet që sensi i saj pozitiv sa i përket Evropës, do të shpërblehet. A do mundet Shqipëria të orientohet këtë herë si duhet drejt Evropës? Me sa duket trendi ballkanik e ka këtë vështrim, porse vetë Evropa duket se po shpërbëhet. Rasti i Brexit mund të pasojë në të ardhmen në një frymë më të ngritur të skepticizmit evropian. Dhe, në këtë rast Shqipëria me vendet e tjera do ta ndjenin veten si në shkuarje të askundit, ashtu si u tall pak kohë më parë dikush nga zyrtarët evropianë kur thoshte se hyrja e Shqipërisë është fundi i BE-së. Në fakt ka një të vërtetë, sepse njerëzit më të interesuar që të zgjatet ky realitet në Shqipëri dhe Ballkan janë grupet politike dhe financiare që do kenë më shumë mundësi për të na i kufizuar liritë dhe të drejtat tona civile (siç e bëjnë rëndom), për të na marrë pronat me lloj-lloj marifetesh, apo për të na marrë nëpërkëmbur ashtu edhe si po ndodh.
Me pak fjalë, Shqipëria ka ditur të ecë gjithnjë në rrugë të gabuar sepse pas atyre bëmave që i dedikojmë vetes, u jemi dorëzuar osmanëve, italianëve, gjermanëve, sllavëve, kinezëve dhe në të gjitha rastet, Shqipërinë e kanë sunduar të fortët. Ata, që ne i identifikojmë më së shumti me politikanët në fuqi, që i imitojmë dhe që na marrin jetën nga pak për çdo ditë. Të paktën, në këto pak ditë, na duhet të gëzohemi me Rekomandimin. Sepse vërtetë si në Himnin Kombëtar: Zoti lidhet me Shqipërinë, por deri më sot na ka ruajtur rastësia, pasi vendin tonë po e vdesin për çdo ditë e nga pak politikanët. (Homo Albanicus)