Banka Botërore i është bashkuar Fondit Monetar Ndërkombëtar në dy shqetësimet kryesore për ekonominë shqiptare, adresuar fuqishëm edhe qeverisë: projektet e Partneritetit Publik Privat dhe përfshirja e biznesit të vogël në TVSH.
Ndërsa ka mbështetur pagesën për rrugën e Kombit, në kuadër të marrëveshjes koncensionare për mirëmbajtjen e saj. Deklaratat u bënë gjatë prezantimit të Raporti i rregullt ekonomik për Ballkanin Perendimor.
Vlerësimet për PPP-të
“Ta fillojmë me PPP-të që janë një pjesë e rëndësishme e planeve, Megjithatë është e rëndësishme që të sigurohemi që të fuqizojmë trasparencën për menaxhimin e PPP-ve. Duhet shfuqizuar menyra si merren PPP-të. Duhet siguruar që Ministria e Financave të luajë një rol të rëndësishëm”, ka deklaruar drejtoresha e Bankës Botërore.
Ndërsa ekonomistja e BB-së, Hilda Shijaku evidenton si pika të dobta seleksionimin e projekteve dhe monitorimin e tyre.
“Rreziqet që vijne nga PPP-të duhen parë, nëse ofrimi i shërbimeve është i duhur dhe ndarja e rreziqeve është e duhura. Jo të gjitha PPP-të kanë rezultuar të sukseshme. Duhet përmiresuar kuadri seleksionues dhe monitorues”, shprehet Shijaku.
Pak javë më parë, edhe FMN u tregua shumë e qartë dhe e prerë në qëndrimin e projekteve të Partneritetit Publik Privat, duke i kërkuar qeverisë ndërprerjen e tyre dhe analizimin e kostove në buxhet dhe ndikimit në ekonomi.
Përfshirja e biznesit të vogël në TVSH
Banka Botërore shprehet kundër përfshirjes së biznesit të vogël në TVSH, një nismë që ka hyrë në fuqi që prej 1 prillit dhe që është shoqëruar me protesta .
“TVSH ka qenë një pikë diskutimi që jemi shprehur. Mendojmë që efekti në buxhet do të jetë i vogël dhe barra administrative për organet e taksave e lartë. Rritja e barrës administrative për organet e taksave për ne nënkupton më pak kohë dhe mundësi për t’u marrë me taksapaguesit më të mëdhenj”, shprehet Hilda Shijaku, ekonomiste e Bankës Botërore.
Ajo shton se duhen monitoruar efeket sociale që përfshirja e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së do të ketë në punësim. Të njëjtin qëndrim për këtë cështje ka mbajtur edhe FMN.
Pagesa për rrugën e Kombit
Përfaqësueset e Bankës Botërore u pyetën edhe për pagesën e rrugës së Kombit, një tjetër cështje që është shndërruar në debatin kryesor të ditës.
“Sic mund të jeni në dijeni, IFC me kërkesë të qeverisë shqiptare ka qenë një nga krye këshilluesit. Është analizuar me kujdes dhe niveli i taksës. Kjo është në përputhje me ato të rajonit.
Si në cdo vend, pagesat janë të nevojshme për të ndërtuar rrugë. Por duhet pasur parasysh se cfarë masash merren për popullsinë lokale”, ka deklaruar drejtoresha e Bankës Botërore.