Analisti britanik, Marko Galeotti, nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie Ndërkombëtare, tha se dështimet e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimorë kanë krijuar hapësirë për ndërhyrjen ruse dhe perëndimi nuk është i përgatitur për t’u përballur me te.
Ai është autor i një raporti me temën “A po përballet Ballkani me një stuhi ruse”, në të cilin ka theksuar se viti 2018 mund të jetë periudhë e një fushate të qëllimshme, më serioze dhe mbi të gjitha më të bashkërenduar të Rusisë në Ballkan.
Duke folur për Zërin e Amerikës ai tha se Serbia do të jetë zona qendrore e veprimtarisë ruse.
“Ata po kërkojnë forcimin e pozitës ndikuese brenda Serbisë në shumë mënyra, ironike, por duke shpresuar se ajo do t’i bashkohet Bashkimit Evropian dhe kësisoj do të marrë kalin e Trojës me vete. Më tej, Bosnja e Hercegovina është zonë ku qartazi ata po forcojnë pozitat e tyre në rajonin e Republikës Serbska. Nëse e shihni çfarë po ndodhë në Maqedoni dhe gjetiu është e qartë se ata janë të gatshëm të shfrytëzojnë çdo mundësi që u del përpara”.
Ai thotë se nga pikëpamja ruse, Ballkani Perëndimor është një rrugë nëpërmjet së cilës ata mund të ushtrojnë trysni mbi Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Gjatë vitit 2017, thekson ai, rusët po punonin ende në një formë të strategjisë që do të jetësohet në vitin 2018.
Ai thotë se Rusia përdor çdo mjet që i vije ndoresh në lojën e saj në Ballkan, por janë tri drejtime ku është më e përqendruar.
“Njëri drejtim është qartazi ai diplomatik. Ata po luajnë me Serbinë në veçanti, por në përgjithësi, ata po provojnë çdo hapësirë manovruese duke e prezantuar Rusinë si fuqi alternative pragmatike. Drejtimi tjetër është ai ekonomik. Rusia është vend relativisht i varfër, nuk është më superfuqi e madhe. Megjithatë në Ballkanin Perëndimor me vende relativisht të varfra, një shumë e vogël parash që vë ne shënjestër fusha të caktuara, qoftë prona siç kemi parë në Bosnjë apo gjetiu, mund t’u sigurojë rusëve ngritjen e shtyllave strategjike”.
Elementi i tretë, thotë ai, është beteja dezinformative dhe informative dhe tashmë është e qartë një përpjekje masive për shpërndarjen e mesazheve përçarëse.
“U është dhënë mundësi propaganduese nga Bashkimi Evropian me dështimet e tij që të përmbushë shumë nga zotimet dhe pretendimet e tij. Dhe rusët vazhdojnë të thonë: e shihni, evropianët janë hipokritë”.
Zoti Galeotti thekson se perëndimi nuk është fare i përgatitur për t’iu kundërvënë fushatës ruse në Ballkan.
“Arsyeja për këtë është sinqerisht fakti se perëndimi nuk e ka çarë kokën sa duhet. Kemi dëgjuar ‘gjuhë të bukur’ nga Brukseli dhe kryeqytetet e vendeve tjera. Megjithatë, është e qartë po ashtu se për një kohë të gjatë rajoni është lënë anash. E vërteta dëshpëruese është se duket që duhet të kesh një luftë që Evropa të jetë e interesuar dhe e angazhuar në rajon. Ajo që kanë bërë është se e kanë lejuar veten të bëjnë premtime apo të paktën i kanë bërë vendet e rajonit të besojnë se u janë dhënë premtime të caktuara, pa qenë serioz që t’i përmbushin ato”, thotë ai, duke theksuar se Bashkimi Evropian duhet të bëhet serioz me rajonin dhe në të njëjtën kohë “duhet të kërkojë llogari nga rajoni, sepse në shumë mënyra Evropa ka shfaqur gatishmëri për të ruajtur regjimet autoritare për aq sa ato e mbajnë rajonin të qëndrueshëm. Si rezultat, korrupsioni, paligjshmëria dhe shumë probleme të tjera janë shtuar dhe kjo është pikërisht ajo që rusët e shfrytëzojnë”, thotë ai.
Rusia mban anën e Serbisë në marrëdhëniet e saj me Kosovën pavarësinë e së cilës vazhdon ta kundërshtojë, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve si kusht për integrimet evropiane. Zoti Galeotti thotë se nga pikëpamja e Serbisë, anëtarësimi në Bashkimin Evropian është bërë synim strategjik dhe mbi të gjitha ekonomik.
“Qeveria aktuale nuk është shumë e interesuar për vlerat e Bashkimit Evropian, por është absolutisht e interesuar për mundësitë ekonomike dhe praktike të të qenit anëtare. Kemi këtë tendencën ende të pashpjegueshme. Në njërën anë kemi qeverinë serbe që vërtetë dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, që duhet vlerësuar në një masë, të paktën po provon të duket si ‘djalë i mirë’ dhe në të njëjtën kohë ka vullnet të vazhdojë të ngritë tensionet duke përdorur ‘kërcënimet mitike’ që vijnë nga Kosova si rrugë për të mobilizuar opinionin nacionalist brenda dhe po ashtu tek serbët jashtë Serbisë”. Kjo thotë ai, nuk mund të vazhdojë përgjithmonë.
“Ose Serbia duhet të vendosë se është në thelb fuqi hakmarrëse, që nuk do të pranojë vijat kufitare, me ç’rast do të humbiste çdo mundësi për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Ose të pranojë se duhet të ketë një zgjidhje. Tash për tash duket se mund të mbajë të dyja qëndrimet. Kjo është pjesërisht për shkak të dëshirave të Beogradit, por pjesërisht edhe për shkak të qëndrimit të qulltë të Brukselit që nuk ia ka bërë të qartë Serbisë së ku janë vijat saktësisht”.
Zoti Galeotti thekson se tensionet, politikanët nxitës, përfshirja me gjysmë zemre e Bashkimit Evropian, ndërhyrjet keqdashëse nga Rusia dhe synimet neo otomane e gjysmë imperialiste të Turqisë, krijojnë hapësirë që mund të çojë edhe në përshkallëzim situate. NATO-ja dhe Bashkimi Evropian, thotë ai, duhet të angazhohen te veprojnë, në vend që sikurse në të kaluarën “të presin shpërthimin e pastaj të provojnë të mbledhin copëzat”.
Ai thotë se mungesa e alternativave ka bërë që vendet si Kosova të shikojnë nga Ankaraja e cila thotë ai, ironikisht sikurse edhe rusët, përfiton nga dështimet e Evropës dhe Kosova sikurse edhe Bosnja në një shkallë, është shtyrë drejt Turqisë. Ai nuk beson që Kosova e ka bërë këtë me entuziazëm por më shumë për shkak të mjedisit armiqësor në rritje
“Ka pak dëshmi që Ankaraja mërzitet për Kosovën si Kosovë, por ajo shihet si pjesë e fushatës së gjerë të shtrirjes së ndikimit në rajon”. /VOA/