Emisioni Report i televizionit italian Rai 3 transmetoi të hënën një reportazh-investigim mbi djegien e mbetjeve urbane në Itali.
Italia prodhon rreth 30 milionë ton mbetje urbane në vit. Në vitin 2012, u vendos objektivi i riciklimit të rreth 60 për qind të tyre, por deri më 2017 është arritur të riciklohen vetëm 53 për qind.
Italia eksporton aktualisht 433 mijë ton mbetje urbane në vit, drejt vendeve si Qipro, Lesoto, Vietnami, Gjermania, Portugalia, Austria dhe Spanja.
Në Itali aktualisht funksionojnë 44 inceneratorë—pothuajse të gjithë janë në pronësi të institucioneve shtetërore ose të kompanive bashkiake.
Por vetëm në qytetin Masseria del Re, në Kampanja ndodhen 2 milionë ton mbetje urbane të prodhuara në periudhën 2006-2008 që ruhen në fusha të mëdha nën menaxhimin e një komisioneri qeveritar. Në total, në krahinën e Kampanjës ka 5,6 milionë tonë mbetje urbane të trajtuara dhe të paketuara në dëngje kubike të cilat duhet të ishin djegur në inceneratorët që nuk u ndërtuan kurrë. Në total, kosto e djegjes së këtyre mbetjeve vlerësohet në disa miliardë euro, për një afat kohor prej 15 vitesh.
Inceneratori i Breshia—më i madhi në Itali me kapacitet vjetor 800 mijë ton—djeg 720 mijë ton në vit, nga të cilat vetëm 50 mijë vijnë nga Breshia, pjesa tjetër vjen nga komuna të tjera të Lombardisë, por edhe nga rajone të tjera.
Entet publike më efikase, sidomos ato të veriut të Italisë, kanë ndërtuar impjante të trajtimit të mbetjeve për të mundësuar përzgjedhjen dhe trajtimin parësor të mbetjeve urbane, me qëllim për të ulur sasinë e mbetjeve që shkojnë në landfille apo inceneratorë. Zbatimi i mbledhjes së diferencuar në veri të Italisë ka ulur shumë sasinë e mbetjeve që digjen, çfarë ka bërë që shumë impjante djegieje të importojnë mbetje nga pjesa tjetër e Italisë, për të shfrytëzuar kapacitetin e tyre maksimal.
Por kjo bën të mundur një sërë abuzimesh, që kryesisht vijnë nga një sëri ndëmjetësuesish që shpesh ndryshojnë kodin e indetifikimit të mbetjeve për të bërë të pamundur dërgimin direkt të tyre në landfill, pa i trajtuar më parë, pra duke ulur kështu kostot dhe dëmin në mjedisin pranë.
Sipas direktivës evropiane në fuqi që nga viti 2013, mbetjet e padiferencuara—pra, ashtu sikurse mblidhen nga kazanët, njësoj sikurse ndodh në Tiranë—nuk mund të dërgohen në landfill si të tilla, por duhet të bëhet ndarja e tyre në metale, mbetje të thata dhe të lagëta, duhen prerë, presuar dhe stabilizuar (për të ndaluar fermentimin dhe prodhimin e gazit dhe kullimit) dhe në fund të kthehen në një material solid të djegshëm të cilët digjen në inceneratorë.
Inceneratorët prodhojnë në mënyrë të pashgmanshme dy lloje hiri, ato që mbeten në zgarën ku ndodh djegia të cilat trajtohen dhe dërgohen në landfille si mbetje të veçanta, ndërsa ato më shumë të rrezikshme që prodhohen nga filtrimi i tymrave, dërgohen për t’u trajtuar në impjante të veçanta në Gjermani. Kurse pjesa e lagësht fillimisht stabilizohet dhe më pas dërgohet për kompostim, por impjantet që e kryejnë këtë operacion janë të rrallë.
Panorama që emisioni Report i bën sistemit të mbetjeve tregon se në jug të Italisë mbetjet përfundojnë në landfille edhe pse nuk i nënshtrohen asnjë përpunimi, për mungesë kapaciteti të impjanteve të përpunimit fillestar, ose dërgohen në veri për t’u përpunuar në impjantet e kompanive të mëdha bashkiake të veriut, të cilat sot përdoren nën kapacitet për shkak të mbledhjes së diferencuar dhe rritjes së përqindjes së riciklimit.
E njëjta gjë ndodh edhe në Kopenhagen, ku një impjant modern incenerimi i sapo ndërtuar nuk arrin të gjejë mjaftueshëm lëndë të parë për të funksionuar normalisht, edhe aty për shkak të suksesit të mbledhjes së diferencuar.
Kjo tregon se rruga e vërtet dhe e dobishme është ajo e mbledhjes së diferencuar, ose të përzgjedhjes së mbetjeve në impjante të posaçme, me qëllim riciklimin e pjesës më të madhe të mbetjeve, duke zvogëluar kështu si sasinë e mbetjeve që shkojnë në landfille edhe të atyre që shkojnë në inceneratorë.
Programi Report i Rai 3 ka dëshmuar në këtë mënyrë se strategjia e qeverisë shqiptare për të ndërtuar inceneratorë është jo vetëm e prapambetur kulturalisht, por kapaciteti inceneratorëve të ndërtuar deri më tani, që është shumë herë më i madh se nevojat, me shumë mundësi është paracaktuar për importin e mbetjeve të djegshme me gjasa nga Italia.
Dhe na tregon se inceneratorët e lënë pjesën me ndotëse në tymra, të cilat nëse nuk trajtohen ashtu siç duhen i lëshojnë ndotjet në mjedisin përreth impjantit. Pra të importosh mbetje për t’i djegur në impjante të papërshtatshme do të thotë të importosh ndotje dhe ta shpërndash atë kudo.