Qeveria miratoi në mbledhjen e sotme një sërë kushtesh dhe pengesash të reja ndaj qytetarëve për pagesën e të ardhurës nga papunësia. Sipas vendimit,
Nuk përfitojnë të ardhura nga papunësia personat, të cilët:
a) ndërpresin aktivitetin si punëdhënës dhe të vetëpunësuar;
b) largohen nga puna me dëshirën e tyre;
c) plotësojnë kriteret për pension pleqërie, invaliditeti apo familjar, paaftësi të përkohshme në punë apo sëmundje profesionale.
Personave, të cilët plotësojnë kushtet e përcaktuara u paguhet e ardhura e pagesës së papunësisë në varësi të periudhës së kontributit në sigurimet shoqërore, derdhur nga punëdhënësi, si më poshtë vijon:
a) 3 (tre) muaj, për personat me një periudhë kontributi, të paktën, 1 (një) vit;
b) 6 (gjashtë) muaj, për personat me një periudhë kontributi, të paktën, 3 (tre) vjet;
c) 9 (nëntë) muaj, për personat me një periudhë kontributi, të paktën, 5 (pesë) vjet;
ç) 12 (dymbëdhjetë) muaj, për personat me një periudhë kontributi mbi 10 (dhjetë) vjet;
d) Personat gra mbi 55 (pesëdhjetë e pesë) vjeç dhe burra mbi 60 (gjashtëdhjetë)
vjeç përfitojnë pagesë papunësie 12 (dymbëdhjetë) muaj, me kusht që të kenë kontribuar 1 (një) vit në sigurimet shoqërore, për çdo rast përfitimi.
Për rastet e paraqitjes së kërkesave të përsëritura për përfitim, llogaritja e periudhës së kontributeve fillon me përfitimin e fundit të pagesës të të ardhurave nga papunësia.
Personat, të cilët aplikojnë për të përfituar të ardhura nga papunësia, duhet të paraqesin dokumentacionin, si më poshtë vijon:
a) Kërkesë për aplikim;
b) Librezë pune;
c) Dokument identiteti (fotokopje);
ç) Vërtetim për ndjekjen e arsimit të mesëm, për fëmijët në ngarkim deri në moshën 18 vjeç, dhe për personat që ndjekin arsimin e lartë apo janë të paaftë (KMCAP), deri në moshën 25 vjeç.
Zyrat e punësimit kanë përgjegjësinë të sigurojnë, për secilin aplikues, dokumentacionin, si më poshtë vijon:
a) Certifikatë të gjendjes familjare;
b) Vërtetim nga dega e tatim-taksave se personi nuk është subjekt i regjistruar pranë këtyre organeve;
c) Vërtetim nga dega e tatim-taksave ose e sigurimeve shoqërore se personi ka derdhur kontribute për periudhën e kërkuar, përkatësisht sipas shkronjave “a, “b”, “c” dhe “ç”, të pikës 4.
Personave përfitues të pagesës të së ardhurës nga papunësia u ndërpritet përfitimi kur:
a) refuzojnë të punësohen ose të ndjekin një program punësimi të përshtatshëm, të ofruar nga zyra e punësimit;
b) refuzojnë të marrin pjesë në kurse trajnimi dhe kualifikimi, të ofruara nga zyra e punësimit;
c) nuk paraqiten një herë në muaj;
ç) plotësojnë kriteret për pension pleqërie, invaliditeti apo familjar.
Personat duhet të njoftojnë brenda 5 (pesë) ditëve zyrën përkatëse të punësimit nëse gjatë periudhës së përfitimit të pagesës të së ardhurës nga papunësia:
a) punësohen ose vetëpunësohen;
b) kanë ndryshime në gjendjen familjare (lindje apo vdekje);
c) personat që ka në ngarkim të tij kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe ata që studiojnë apo janë të paaftë (KMCAP) kanë mbushur moshën 25 vjeç.
Në të kundërt, ata duhet të kthejnë shumën e të ardhurave që kanë përfituar gjatë kësaj periudhe në mënyrë të padrejtë, në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore.
Masa e nivelit bazë të së ardhurës nga papunësia për çdo përfitues është 50% e pagës minimale në shkallë vendi.
Personat, të cilët plotësojnë kushtet për përfitimin e së ardhurës nga papunësia, kanë të drejtë të marrin të ardhura shtesë familjare mbi masën e nivelit bazë, në masën 5% të të ardhurave nga papunësia, për çdo fëmijë në ngarkim, deri në moshën 18 vjeç, si dhe për personat që janë duke vazhduar studimet ose janë të paaftë (KMCAP), deri në moshën 25 vjeç. Shtesa familjare për çdo fëmijë, në masën 5% të nivelit bazë, nuk duhet të jetë më shumë se 30%.
Fëmijët mbi moshën 15 vjeç (mosha minimale sipas Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë), të cilët janë në ngarkim të personit përfitues të së ardhurës nga papunësia dhe që nuk janë të përfshirë në sistemin arsimor, nuk do të përfitojnë shtesën familjare prej 5%.
Kur prindërit janë të divorcuar me vendim gjykate, shtesën familjare e merr prindi që ka fëmijën në ngarkim.
Në rastet e punësimit të përkohshëm gjatë periudhës së përfitimit të pagesës të së ardhurës nga papunësia, e ardhura e papunësisë merret me ndërprerje, si më poshtë vijon:
a) Brenda 6 (gjashtë) muajve, për personat që e përfitojnë pagesën për 3 (tre) muaj;
b) Brenda 12 (dymbëdhjetë) muajve, për personat që e përfitojnë pagesën për 6 (gjashtë) muaj;
c) Brenda 18 (tetëmbëdhjetë) muajve, për personat që e përfitojnë pagesën për 9 (nëntë) muaj;
ç) Brenda 24 (njëzet e katër) muajve, për personat që e përfitojnë pagesën për 12 dymbëdhjetë) muaj.
Përfituesi i pagesës të së ardhurës nga papunësia është i detyruar të paraqitet në zyrën e punësimit një herë në muaj për të konfirmuar prezencën e tij ose sa herë thirret nga kjo zyrë, me qëllim punësimin e tij.
Rastet e përligjura, kur përfituesi është i justifikuar për mosparaqitje, janë:
a) sëmundje, e vërtetuar me dokumente (fletë-shtrimi në spital);
b) vdekja e një pjesëtari të familjes, e vërtetuar me certifikatë vdekjeje;
c) ndalimi nga organet e drejtësisë.
Pagesa e së ardhurës nga papunësia është mujore dhe paguhet përpjesëtimisht me numrin e ditëve kalendarike, për kohën që përfituesi ka të drejtë ta marrë këtë të ardhur. Pagesa merret një herë në muaj, pranë bankës përkatëse.
Periudha, gjatë së cilës përfituesi merr pagesën e së ardhurës nga papunësia, njihet si vjetërsi pune, e siguruar për efekt pensioni pleqërie, familjar dhe invaliditeti.
Në rast se gjatë kohës së përfitimit të së ardhurës nga papunësia përfituesi largohet me banim (leje banimi) në një vend tjetër, zyra e punësimit dërgon zyrtarisht dosjen me dokumentacionin përkatës në zyrën e punësimit të rrethit ku ai është transferuar.
Punëkërkuesi i papunë, i cili qendrën e fundit të punës e ka në juridiksionin e një zyre tjetër punësimi nga vendbanimi aktual, pasi të ketë konfirmuar formularin e dyfishtë në organet e sigurimeve shoqërore, ku ka qenë qendra e fundit e punës së tij, fillon procedurën e aplikimit. Caktimi i përfitimit bëhet në zyrën e punësimit ku ka vendbanimin aktual.
Financimi i programit të pagesës të së ardhurës nga papunësia mbulohet nga fondet vjetore të buxhetit të shtetit, në zërin 606, “Pagesa e së ardhurës nga papunësia”, miratuar për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.