Pas gati 5 vitesh në pushtet, Kryeministri Edi Rama, ndryshe nga sa shumë premtoi për minatorët e “dënuar” ditë pas dite me vdekje në galeritë e minierave të Bulqizës, i ka lënë edhe në një gjendje më të skllavëruar ata punonjës. “Bulqiza do marrë me patjetër atë që sot i mohohet egërsisht
, qyteti dhe minatorët po ashtu”, shkurante ndër të tjera Rama, në një letër të hapur më 20 gusht të vitit 2011, asokohe në krye të Partisë Socialiste në opozitë, sot po në krye të kësaj partie, por në pushtet. Prej 6 vitesh, asgjë ska ndryshuar as për Bulqizën e skllavëruar e as për minatorët, që kërkojnë me ngulm miratimin e statusit të premtuar, jo për të jetuar në luks, por për të mbijetuar në një qytet të pasur, por të pushtuar nga varfëria. Kjo është kërkesa që minatorët i drejtojnë sot Kryeministrit Rama për paisjen e tyre me “Statusin e minatorit”.
Editorial nga Edi Rama: Që Bulqiza të fitojë mbi skllavërinë
Botuar më 20 gusht 2011
Minatorët s’kanë asnjë shans t’ia dalin nëse nuk bëjnë të gjithë qytetin për vete dhe qyteti s’ka asnjë shans t’i mbijetojë humnerës së mjerimit nëse nuk bashkohet me minatorët. Bulqiza është një histori dramatike babëzie, skllavërie, tradhëtie. Dhune dhe frike. E njoh atë qytet, i trembet dhunës së të babëziturve në pushtet, sepse nuk e di se sa i trembet pushteti i të babëziturve revoltës së atij qyteti. Babëzia me minierat i ka rrënjët në Tiranë, në tryezën e qeverisë të Saliut, ndërsa degët në çdo labirinth nëntokë, ku po shkatërrohet një pasuri e tërë kombëtare për të bërë të pasur një grusht barbarësh të veshur me pushtet a të mbrojtur nga pushteti. Kompania e përfshirë në këtë mesele të zymtë s’është veçse një tentakulë e oktapodhit të mafias së minierave, që po i bën Shqipërisë atë që s’do t’ia bënte kurrë asnjë pushtim, që s’ia bënë as fashistët as komunistët jo e jo në periudhat e sundimit të tyre të pamëshirshëm.
Dëgjova një minator të thoshte se kërkesat e tyre s’janë politike, po ekonomike, dhe të kërkonte nga qeveria zgjidhje sepse i kishin dhënë asaj votën, siç tha ai. Nuk e di sa vota ka marrë vërtet Saliu në Bulqizë në vitin 2009, di që me para të nxjerra në të zezën e zgafellave të kromit janë blerë shumë vota në vigjiljen e 8 majit të shkuar, aq sa duheshin për të mbajtur në aktivitet një tentakulë tjetër, pushtetin e atyshëm lokal, klan i lidhur fort me tunelet e kërdisë mbi atë pasuri kombëtare. Por është e sigurt se nëse kërkesat e minatorëve s’janë politike, politik është skllavërimi i tyre dhe reagimi harbut i qeverisë ndaj tyre është i gjithi në mbështetje të politikës së tradhëtisë ndaj interesit publik, pjellë e babëzisë skllavëruese që vret, varfëron, rrënon njerëzit e zakonshëm të Bulqizës.
Ky i koncesionit për kompaninë e përfolur këtë muaj është vetëm një rast ndër plot të tjerë i harbimit të pushtetit të të babëziturve. Por është rasti i vetëm ku koka e oktapodhit, pushteti vetë, ka dalë e gjitha mbi ujin e zi të nëntokës, me firmën e një ministri haptaz ligjshkelës, i cili anashkaloi plotësisht parlamentin dhe askush nuk di ta thotë pse vazhdon të disponojë imunitetin parlamentar. Saliu, që u ka marrë, blerë a vjedhur votën e bulqizakëve, përderisa pretendon gjithsesi se e kanë votuar, duhet të angazhohej i pari, si kryetar i qeverisë së një vendi të varfër që nuk e ka assesi luksin e shpërdorimit të pasurive të veta kombëtare, për të bërë transparencën e plotë të gjithë asaj katrahure atje dhe rivendosur ligjin bashkë me rendin e shfrytëzimit racional të minierave. Firma skandaloze e ministrit të tij duhet të ishte këmbana e alarmit për të. Por Saliu mesa duket e ka bekuar atë firmë, e di ai me çfarë çmimi, ashtu sic duket se e gjithë paligjshmëria dhe ky rend barbarie në nëntokën e Bulqizës ka bekimin e tij të plotë, me fitimin përkatës sigurisht, ndryshe s’ka asnjë shpjegim tjetër. Ndërsa Prokuroria e Republikës, e cila ka marrë qysh vitin e shkuar provat e pakundërshtueshme të shkeljes së ministrit, ka deklaruar madje edhe fillimin e hetimeve për këtë çështje, hesht njësoj si Saliu, duke u bërë vetiu bashkëfajtore në këtë krim të rëndë të qeverisë së tij. Ashtu siç janë tashmë, sa herë i duhet Saliut, bashkëfajtore në ravijëzimin e këtij fashizmi oriental që po i merr frymën Shqipërisë edhe gjykatat, Sashenkat e Tomat e radhës, që nuk munguan as këtë herë, duke nxjerrë jashtë ligjit grevën e skllevërve të nëntokës dhe marrë në mbrojtje, në emër të ligjit, skllavëruesit e bekuar nga Saliu e qeveria e tij.
Forcat speciale kanë shumë më tepër fuqi fizike sesa skllevërit e vobektë të minierave të Bulqizës dhe familjarët e tyre të pangrënë, po e gjitha fuqia represive e pushtetit e mbledhur bashkë s’ka asnjë shans të përballojë forcën e të drejtës që ai qytet ka me vete, nëse e kupton se greva e minatorëve s’është në fakt ekonomike, s’është as çështja private e atyre që hyjnë përditë nëntokë pa ditur nëse do dalin të gjallë në fund të ditës rraskapitëse të punës pa kushte minimale sigurie, po çështja e të gjithë qytetit të marrë peng nga tradhtarët e interesit publik dhe shfrytëzuesit e paskrupullt të pasurisë kombëtare.
Unë s’kam mësime e as këshilla për t’u dhënë bulqizakëve, minatorët grevistë dhe familjarët e tyre e kanë gjetur rrugën për ta luftuar të keqen që u ka hyrë në trup e në shtëpi, i mbështes megjithë shpirt në revoltën e tyre, por që ajo rrugë ta nxjerrë të keqen jashtë minierave dhe Bulqizën jashtë rrezes mjeruese të sundimit të së keqes, qyteti dhe minatorët duhet të bëhen një. Përndryshe asgjë s’e shpëton atë qytet, që të gjithin, as njerëzit e tij të nëntokës e as ata që mbijetojnë mes varfërisë mbi tokë, nga rrënimi mbytës që do t’i sjellë babëzia skllavëruese.
Ndërsa atyre që duan nga opozita të bëjë më shumë për të mbështetur grevistët, u them shumë sinqerisht se nuk kemi harruar të shkruajmë e lexojmë para kamerave deklarata solidariteti, po është koha për ta harruar që ky regjim mund të luftohet me sukses duke bërë përditë deklarata dhe e keqja, që po e gërryen Shqipërinë njësoj si dallkaukët e pushtetit minierat e Bulqizës, mund të dalë duke dalë opozita përditë në konferenca shtypi. Beteja opozitare sot është beteja e çdo shqiptari, që si ata minatorë, po e vuan babëzinë skllavëruese në trup e në shpirt, po vuan varfërinë, padrejtësinë, rënien e lirisë, të ligjit e të gjykatave, batakçillëkun e paturpësinë shtetërore, cenimin e skajshëm të dinjitetit qytetar e njerëzor dhe mungesën marramendëse të llogaridhënies së qeverisë që vetëm gënjen, vjedh, tallet me popullin.
Opozita e ka bërë dhe do ta bëjë edhe më mirë padyshim betejën e saj, duke i treguar popullit, me të gjitha mënyrat, një rrugë të re për të trajtuar hallet e mëdha e zgjidhur problemet e rënda. Dhe nëse populli do të na ribesojë dhe ne, të gjithë së bashku, nuk do të lejojmë më, me një ligj më të mirë zgjedhor e një organizim të fuqishme në zbatim të ligjit, që fitorja jonë të grabitet nga zullumqarët e sotëm në pushtet, shqiptarët do të kenë më në fund një qeveri që do t’u thotë të vërtetën e do bëjë atë që thotë për Shqipërinë. Kurse Bulqiza do marrë me patjetër atë që sot i mohohet egërsisht, qyteti dhe minatorët po ashtu. Sepse i përbashkët është problemi i tyre i vjetër dhe vetëm bashkarisht mund ta zgjidhin siç duan atë.