“Një lojë më e qetë me SHBA-në, nuk do ta na vështirsonte pozicionin në Europë”,- për Dashamir Shehin, një abstenim i Tiranës zyrtare në OKB, në vend që të votonte rezolutën që dënon njohjen e Jeruzalemit, do të ishte më e duhur.
Kreu i LZHK-së, në një intervistë për “Koha Jonë”, thekson se ajo votë kundër SHBA-së, është një lloj bilardo që ne i qëllojmë derës të Uashingtonit që është nxitësi më i madh për integrimin e Shqipërisë. Aksionin opozitar, Shehi e sheh të fortë, ku nuk përjashton as bojkotin e marrëdhënies opozitë-kuvend. Edhe pse pjesë e grupit të PD-së, ai kursen kritikat për Bashën. “Shpesh herë mbron edhe interesa të vogla, partneritete të përkohshme, lidhje të së shkuar dhe nga kjo pikëpamje, uron që z.Basha të dalë dhe të shoh përpara. 2018 do të jetë një vit që do ti tregojmë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve që këtë vend do ta nxjerrë në këtë situatë të krizës vetëm opozita shqiptare, e riorganizuar”.
Politika po zien nga vota e Shqipërisë në OKB. Si e shihni ju qëndrimin zyrtar? Kundër SHBA-së dhe pro BE-së? Si do ishte më e favorshme ajo votë?
Shqipëria kishte një mundësi për të dalë me një lloj oportunizimi politik, pasi në fund të fundit diplomacia për këtë punë është. Unë do kisha abstenuar, dhe ne e kemi bërë shpesh herë. Është e vërtetë që ne ndjekim një linjë të politikës pro Europiane, sepse duam të hyjmë në komunitetin Europian, dhe kjo është normale. Mirëpo, në rrethana specifike që ka Shqipëria, që besoj se na kupton edhe komuniteti Europian, ne na levërdiste një rrugë tërheqje, një rrugë kompromisi dhe nuk ishte e nevojshme që të tregoheshim kaq dinjitoz në rrafshin ndërkombëtar, kur ne kemi akoma shumë rrugë për të bërë. Më e rëndësishmja në këtë dilpomaci shqiptare jo shumë të pjekur, është që shpesh herë edhe nxitësi më i madh për integrimin e Shqipërisë që është Uashingtoni, ajo votë kundër tyre është një lloj bilardo që ne i qëllojmë derës, kur shpesh herë ky vend bën presion mbi Brukselin për proceset integruese. Një lojë më e qetë me SHBA-në, nuk do ta na vështirësonte pozicionin në Europë. Unë do kisha bërë një hap më të matur edhe pse është detyra e vështirë, pasi janë shumë komponentë ndërkombëtarë që janë kundër vendimit të Presidentit Trump, por duhesh të ishte zgjedhur rruga e mosvotimit.
Kur ne jeni në sfidën për ta çuar vendin drejt bllokut të BE-së, kjo votë e Shqipërisë, është thikë prerëse edhe për Kosovën? Sa do të ndikojë në Kosovë rreshtimi i Shqipërisë kundër (me votë) SHBA-së?
Nuk do ti jap të tillë elementë dramatic, që kjo është edhe një thikë kundër Kosovës sepse në Europë ka disa shtete që nuk kanë votuar pro njohjes së Kosovës. Detyra jonë është të bëjmë presion mbi këto shtete që të njihet Kosova, por gjykoj se kjo është në çështje e ndarë në një farë mënyre, pasi ne jo gjithmonë duhet të jemi me situatën e Republikës së Shqipërisë me Shtetin e Kosovës, i cili ka specifikat e veta. Kosova nuk ka nevojë të implikohet në këtë lloj situate që është goxha e komplikuar për Shqipërinë, por duhet ti lëmë Kosovës të gjithë hapësirën e mundshme diplomatike.
Kjo situatë ndaj SHBA-së, erdhi në një kohë kur ambasada Amerikane, specifikisht z.Lu, inkurajoi PS-në për Kryeprokurorin e Përkohshëm. Pse ndërkombëtarët e mbështesin një qëndrim të tillë të PS-së?
Unë gjykoj që nuk është mbështetje ndaj PS-së. Drejtësia nuk është pronë e PS-së, në konceptim kushtetues dhe moral, qoftë edhe në mentalitetin e ndërkombëtarëve. Ata kanë mbështetur rrugën e zbatimit të reformës në drejtësi, përshpejtimin e reformës dhe largimin e prokurorit të vjetër që atyre ju është dukur një pengesë, praktikisht ata kanë ndjekur agjendën e tyre politike. Ata kanë ndjekur në mënyrë të pavaruar agjendën e tyre dhe sigurisht që do të bënin të njëjtën gjë, sikur në qeveri të ishte një maxhorancë krejt e ndryshme. I gjithë problemi është se mbetet e pajustfikueshme për ne, për shtetin Shqiptar dhe për reformën në drejtësi, kjo ngutje për të vënë një Kryeprokuror provizor, ku kjo ngutje të ishte ushtruar prej 8 muajsh për të ngritur Këshillin e Lartë të Drejtësisë, dhe të zgjidhnim një Kryeprokuror definitiv. Kjo cënoi edhe principet e reformës, sepse ka cënuar besueshmërinë te kushtetuta e re. Duhet më bëjmë presion për të ngritur KLD, të zgjidhnin një grup prokurorësh që kalojnë në dorën e Vettingut, të caktojmë një datë ku do të bëhen zgjedhjet për Kryeprokurorin , dhe e gjithë kjo lëkundje e besimit popullor dhe ky dyshim te reforma, të rivendoset. Arta Marku është Kryeprokurore e Përkohshme me votat e gjysmës të kuvendit, pasi një palë e duartrokiti dhe tjera e qëlloi me flakadanë. Në këto kushte, jo personalisht znj.Marku por kushdo që të ishte, e ka të pamundur që të realizojë një drejtësi për shqiptarët.
Protesta e së hënës, u shoqërua me një notë vërejtje nga amabsadorët. A ka opozita dhe më së shumti PD-ja një marrëdhënie të ngrirë me ambasadorët? Z.Lu ka pohuar që në muaj janar do kapen peshq të mëdhenj në Shqipëri. Mendoni se do ndodh kjo gjë?
Opozita në përgjithësi dhe PD-ja në veçanti, shpesh herë kanë gabuar në marrëdhëniet me të huajt. Duke interpretuar marrëdhënien që janë pasur të huajt me reformën në drejtësi, si një mbështetje ndaj qeverisë Rama, nuk ka të bëjë fare. Ata kanë një agjendë të tyren, kanë ardhur me këtë qëllim, sepse shteti shqiptar ka humbur kapacitetet për të kontrolluar drejtësinë dhe në këtë mes, krimi dhe korrupsioni ka lulëzuar, sidomos këto katër vitet e fundit dhe e vetmja mënyrë është që u duhesh një ndërhyrje cezariane dhe në këtë mes mund të kenë prekur edhe “bebin”, por rrugë tjetër për komunitetin ndërkombëtar nuk ka. Edhe ata e kanë komentuat ndonjëherë gabim se kjo agjendë po i bie ndesh PD-ja, fakt që nuk është i vërtetë, edhe në këtë mes ka përfituar PS-ja. Kjo është një situatë e përkohshme, edhe do ti thoja kolegëve të mijë opozitarët që të jemi të qetë dhe të vendosur në këtë mbrojtje të kushtetutës, sepse sapo të fillojë reforma në drejtësi, do të japë një produkt që është i gjithi në favor të opozitës. Hajdutët dhe më të korruptuarit më të mëdhenj të këtij shteti, në 27 vjet është kjo bandë që po qeveris sot Shqipërinë. Nuk ka bërë vaki që policia të mbjerë vetë drogë. Që një ministër i Brendshëm, që në mendjen dhe konceptin e shqiptarëve është personi numër dy i shtetit, të jetë i implikuar direkt. Opozita ka përpara kaq shumë faktorë pozitivë. Ambasadorët do të jenë të detyruar, të paktën për kapur ca peshq, pasi do të ishte një turp i madh për to. Opozita ka në dorë që të mbrojë kushtetutën, të jetë dinamike në raport me të huajt, të jetë e vendosur që nëse nuk ka një Prokuror të vendosur me Vetting. Duhet të mobilizojnë qëndrimin tonë.
Mendoni se lëvizja e opozitës do të shkaktojë një krizë të thellë në politikë. Duke nisur nga linja e z.Berisha për djegien e mandatave apo dhe bojkotim të përkohshëm të parlamentit nga opozita? Si do të veprohet?
Unë jam për bojkot të përkohshëm, që pa kondicenojmë me zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm ose me një kalendarë në të cilin do të kalojë Prokurori i ri, ose shvlerësohet reforma, humb besimi dhe e gjitha kjo bie poshtë, dhe në një parlament që nuk njeh kushtetutë, është e qartë që ne jemi të panevojshëm atje.
Një parashikim të fundit, mandati i z.Rama do të jetë i plotë? Po rruga e z.Basha?
Unë uroj që të mos e çojë deri në fund. Është një dëm i madh për Shqipërinë, një dhimbje e madhe për të gjithë popullin shqiptar. Përditë shohim nga një ligj, përditë shohim nga një vjedhje gjigande, dhe po shohim një shtet që ka një shoqëri që nuk është në gjendje për tu modilizuar kundër së keqes, kjo edhe për fajin e opozitës, që shpeshherë rrotullohet brenda vetes, dhe nuk është në gjendje të dalë jashtë sistemit. Shpesh herë mbron edhe interesa të vogla, partneritete të përkohshme, lidhje të së shkuar dhe nga kjo pikëpamje, uron që z.Basha të dalë dhe të shoh përpara, edhe them se kjo është e ardhmja e Shqipërisë. Nëqoftëse do ti rikthehemi, do të rihyjmë në sistemin e vjetër, në këtë lojë që z.Rama do të jetë më i priviligjuari. 2018 do të jetë një vit që do ti tregojmë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve që këtë vend do ta nxjerrë në këtë situatë të krizës vetëm opozita shqiptare, e riorganizuar.
Do të ketë protesta të fuqishme në janar?
Unë uroj dhe besoj se po, pasi këto që po ndodhin janë shumë të dukshme dhe kaq të bujshme, që atëherë i bie që të mos kemi popull fare, por shpresoj që siç e tregoi edhe ajo ditë aty, shqiptarët janë në këmbë përtej presionit të qeverisë, përtej ngushtimit të lirisë mediatike dhe dhunës në administrate, janë në këmbë për të mbrojtur një minimum të drejtash personale. Një minimum po e kuptojnë që këta njerëzit jo vetëm që kanë futur duart në xhepa por do vijë dita që do ti fusin duart në fyt.