Ekspertët shprehen kundër përqendrimit të lehtësive fiskale në sektorin elitar të turizmit, teksa vendi ka emergjenca të tjera, sidomos në infrastrukturë dhe për më tepër potenciali i zhvillimit turistik të vendit nuk shihet tek hotelet luksoze. Hapësirat që lënë përjashtimet fiskale dhe shtrembërimi i konkurrencës janë një tjetër shqetësim, ndërsa duket qartë se ky është një lobim në favor të vetëm disa sipërmarrjeve
Lobet e bizneseve në Shqipëri kanë arritur shumë shpesh të ndikojnë mbi politiken në këto 20 vitet e fundit. Heqja e tarifave doganore të birrës, një detyrim që vinte nga anëtarësimi i Shqipërisë në Organizatën Botërore të Tregtisë u shty për vite me radhë. Financat e kanë shtyrë disa herë rritjen e akcizës së cigares në linjë me vendet e tjera.
Zbatimi i një ligji që parashikonte rregullimin e kazinove dhe tregut të lojërave të fatit është shtyrë disa herë dhe afati më i fundit është mbarimi i 2018-s. Lëshime janë bërë dhe në sektorin e sigurimeve dhe ligjin e arsimit të lartë. Ka ndodhur shpesh që paketa fiskale e propozuar nga ministritë përkatëse të rrëzohej tërësisht në Kuvend, dhe në vend të tyre të miratoheshin ligje të njëanshme në favor të grupeve të caktuara të interesit, apo dhe koncesione të pastudiuara, pasojat e të cilave po i vuajmë sot.
Këtë vit ka mbizotëruar favorizimi i hapur për investimet në hotelet luksoze. Pjesa më e madhe e ndryshimeve ligjore, me përjashtim të uljes së pragut të TVSH-së nga 5 në 2 milionë lekë, i dedikohej këtij sektori. Hotelet që do të marrin statusin special do të jenë pothuajse të përjashtuar nga taksat. Hotelet me 4 dhe 5 yje do përjashtohen nga tatimi 15% për 10 vitet e para. Për hotelet me 5 yje lehtësitë shtrihen në heqjen e taksës së infrastrukturës (4% e vlerës së projektit), heqjen e taksës së ndërtesës dhe zgjerimin e TVSH-së prej 6% jo vetëm në shërbimin e fjetjes (që e ka gjithë sektori), por edhe për furnizimin e shërbimeve të tjera. Mbi të gjitha, statusi special i lihet në dorë Këshillit të Ministrave, i cili përcakton dhe kriteret dhe dokumentacionin që duhet të dorëzojnë kompanitë për ta përfituar atë.
Të gjithë ekspertët e kontaktuar nga Monitor u shprehën kundër përqendrimit të lehtësive fiskale në sektorin elitar të turizmit, teksa vendi ka emergjenca të tjera, sidomos në infrastrukturë dhe për më tepër potenciali i zhvillimit turistik të vendit nuk shihet tek hotelet luksoze. Hapësirat që lënë përjashtimet fiskale dhe shtrembërimi i konkurrencës janë një tjetër shqetësim, ndërsa ata shprehen se duket qartë se ky është një lobim në favor të vetëm disa sipërmarrjeve.
Zak Topuzi, një nga ekspertët më të mirë në fushën e turizmit në vend thotë se jemi të papërgatitur për një hap të shpejtë të zhvillimit të turizmit elitar. Ai shton se lehtësitë fiskle për hotelet me 5 yje do të sjellin çorientim dhe inflacion të çmimeve të shitjeve e deri te çekuilibrimi i tregut të punës në zona të tejngopura si Tirana. Sot vendi ka potencial për një zhvillim të moderuar të strukturave hoteliere, kryesisht ato me 3-4 yje, ndërtimin e një numri të kufizuar resortesh dhe të zhvillojë turizmin familjar duke vitalizuar fshatrat ekzistues, thotë Topuzi.
Për profesor Arben Malaj, ish ministër i financave, çdo Paketë Fiskale duhet të jetë neutrale dhe sa më pak përjashtuese, pasi çdo përjashtim krijon premisa për evazion, konkurrencë jo të drejtë në treg dhe vështirësi në administrimin fiskal. Ai ankohet dhe për mungesën e transparencës që ka shoqëruar hartimin e pakave fiskale vitet e fundit. Malaj propozon të hartohet një moratorium trevjeçar që të “ngrijnë” ndryshimet ligjore në fushën e taksave dhe të reflektohet thellë në lidhje me nevojat për ndryshime dhe potencialet që ka vendi në këtë drejtim. Prof. Malaj rekomandon që në turizëm t’i jepet prioritet shpenzimeve në infrastrukturën e rrugëve, ujit dhe në përmirësimin e kushteve të zonës në tërësi dhe jo drejt yjeve.
Më i ashpër është Sherefedin Shehu, profesor dhe konsulent i lirë. Ai thotë se ulja e normës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSh) për hotelet me 5 yje është politikë selektive dhe me rreziqe për të ardhurat buxhetore. E njëjta gjë vlen dhe për heqjen e tatim fitimit, që Shehu thotë se nxit evazionin fiskal dhe në kushtet e një kulture të dobët administrative dhe sidomos të administrimit të dobët tatimor do të rritet artificialisht numri i hoteleve subjekt i përjashtimit.
Selami Xhepa, President i Institutit Europian Pashko shton se mënyra se si është konceptuar paketa e këtij viti për turizmin lë shteg për të besuar se këto janë nisma të lobuar fort nga një grup interesi influencues, me efekte përfituese për një grup të vogël, por jo për një popullatë të gjerë siç është industria e shërbimit turistik. Ai sjell në kujtesë faktin se metodat e përjashtimeve ishin një politikë që përdorej në fillimet e viteve ’90 dhe ato tashmë janë gjetur se janë joefektive, kundërproduktive dhe nuk prodhojnë asnjë përfitim ekonomik për vendin që i zbaton.
Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike me keqardhje konstaton se qeveria shqiptare, për shkaqe politike, të mungesës së ekspertizës në radhët e saj, por edhe të klimës së përkeqësuar të investimeve në vend, po nxiton me vendimmarrje të tilla gati-gati komprometuese për një qeveri të votuar të një vendi demokratik. Sipas tij, origjina e kapitalit apo përdorimi i fjalës “brand name” nuk josh më askënd dhe shërben thjesht si mbulesë për të justifikuar në publik klientelizmin e elitës politike drejtuese të vendit.
Oltion Rrumbullaku, profesor i çështjeve fiskale në Fakultetin e Ekonomisë thotë se në Shqipëri mungojnë strukturat hoteliere masive që mund të akomodojnë grupe të mëdha të organizuara turistike dhe Ligji për Investimet Strategjike duhet të përdorej në mënyrë më të drejtpërdrejtë për këtë qëllim. Ai sheh si pengesë edhe qasjen e biznesmenëve vendas për të përdorur bregdetin për investime rezidenciale, që nuk mund të jenë të panumërta.
Profesor Adrian Civici, është i vetmi që shprehet pozitiv për këto lehtësi fiskale. Ai është i mendimit që Shqipëria ka nevoja urgjente ta modernizojë sektorin dhe ofertën e saj turistike edhe me këtë segment që konsiderohet si “ofertë turistike luksi”. Nuk është e vërtetë që kërkesa turistike në Shqipëri nuk i përket kësaj kategorie, pohon ai.
Më herët, edhe përfaqësuesi i përhershëm i FMN-së në Shqipëri, Jens Reinke është shprehur në një intervistë për Monitor kundër këtyre lehtësive pasi “Paketa Fiskale i jep fuqi të madhe për të vepruar lirisht Këshillit të Ministrave, duke reduktuar në këtë mënyrë transparencën e ligjeve të taksave. Ne e shikojmë si veçanërisht problematik faktin që përjashtimet mund të përfshijnë shërbime të tjera përveç akomodimit të ofruar nga hotelet dhe barazinë e tyre (p.sh., “status special”) nuk rregullohen në mënyrë të qartë. Përjashtimet e propozuara mund të jenë shkak që të rriten më tej mundësitë për evazion fiscal”.
“Për ne, nuk është e qartë se si përfitimet nga taksat për hotelet do të kthehen në përfitime për Shqipërinë. Turizmi është një sektor me potencial domethënës të mëtejshëm, rritja e të cilit duket se aktualisht kufizohet nga problemet në infrastrukturë dhe dobësia në të drejtat e pronësisë. Nuk është e qartë se si përjashtimet nga taksat do të ndihmojnë për t’i lehtësuar këto kufizime”, ka deklaruar FMN.
Xhepa: Incentivat për turizëm favorizojnë vetëm pak biznese, duhej përfshirë i gjithë sektori
Në nismat sektoriale, dukshëm sektori i turizmit dhe industritë e teknologjive të komunikimit dhe informacionit (ICT) janë të favorizuara, thotë Selami Xhepa, President i Institutit Europian Pashko.
“Por turizmi është padyshim më i përkëdheluri, pasi përjashtimet tatimore janë të shumta. Megjithatë, duket se këto ndryshime, përjashtuar zbritjen e normës unike të TVSH-së, janë planifikuar të prekin vetëm një kategori të caktuar biznesi: hotelet me 4-5 yje, të cilat në Shqipëri përfshijnë një numër shumë të kufizuar biznesesh.
Për më tepër, ato që përfitojnë pritet të jenë firmat e mëdha që mund të vijnë në Shqipëri, si Hilton apo ndonjë markë tjetër. Mendoj se përjashtimet që janë dhënë, duke mos ndikuar pjesën më të madhe të operatorëve turistikë, do të kenë efekte modeste. Po kështu, pjesa më e madhe e turizmit në Shqipëri nuk është ajo elitare, por turizmi masiv. Mënyra se si është konceptuar lë shteg për të besuar se këto janë nisma të lobuar fort nga një grup interesi influencues, me efekte përfituese për një grup të vogël, por jo për një popullatë të gjerë siç është industria e shërbimit turistik.
Pra, nëse reduktimi normës së TVSH është pozitive dhe mund të ndikojë në konkurrueshmërinë e sektorit, përjashtimet e tjera janë diskriminuese në raport me segmentet dhe operatorët e tjerë ekzistues. Për shembull, një hotel me 5 yje që sapo është ndërtuar dhe ka filluar të operojë do të jetë subjekt i tatimit mbi fitimin, si dhe ka paguar taksat e ndikimit në infrastrukturë, ndërsa ato që mund të fillojnë vitin e ardhshëm do të jenë të përjashtuar nga këto detyrime. Metodat e përjashtimeve ishin një politikë që përdorej në fillimet e viteve ’90 dhe ato tashmë janë gjetur se janë joefektive, kundërproduktive dhe nuk prodhojnë asnjë përfitim ekonomik për vendin që i zbaton”, thotë Xhepa.
Civici: Çdo politikë që përmirëson ofertën në turizëm është e drejtë
E parë thjesht si favorizim fiskal apo incentiva për stimulimin e investimeve për ndërtimin e resorteve turistike moderne apo hotele me 5 yje, përjashtimi nga disa taksa apo përqindja më e ulët fiskale për disa taksa të tjera, më duket pozitive.
Shqipëria ka nevoja urgjente ta modernizojë sektorin dhe ofertën e saj turistike edhe me këtë segment që konsiderohet si “ofertë turistike luksi”. Nuk është e vërtetë që kërkesa turistike në Shqipëri nuk i përket kësaj kategorie.
Përvoja në 2 – 3 vitet e fundit ka treguar se hotelet me 4 apo 5 yje që ekzistojnë kryesisht në bregdet kanë qenë 100% të frekuentuar për periudha 3–4-mujore. Në thelb, përmirësimi i cilësisë së ofertës do të sjellë shpejt dhe afrimin e një kërkese më cilësore. Nuk besoj se strategjitë tona të zhvillimit të turizmit na kufizojnë vetëm në këtë lloj turizmi aktual, kryesisht “popullor e me kosto të ulët”. Plus kësaj, afrimi i operatorëve turistikë cilësorë me reputacion ndërkombëtar do ndikojë pozitivisht edhe në përmirësimin e standardeve dhe cilësisë së shërbimit në gjithë sektorin e turizmit shqiptar. Nuk shoh ndonjë element negativ në këto incentiva fiskale që po i bëhen një prej segmenteve të ofertës turistike në Shqipëri.
Shqipëria krijon parajsën fiskale për hotelet me status special
Hotelet që do të marrin statusin special do të jenë pothuajse të përjashtuar nga taksat. Hotelet me 4 dhe 5 yje do përjashtohen nga tatimi 15% për 10 vitet e para. Për hotelet me 5 yje lehtësitë shtrihen në heqjen e taksës së infrastrukturës (4% e vlerës së projektit), heqjen e taksës së ndërtesës dhe zgjerimin e TVSH-së prej 6% jo vetëm në shërbimin e fjetjes (që e ka gjithë sektori), por edhe për furnizimin e shërbimeve të tjera.
Konkretisht:
Përjashtimi nga tatimi mbi fitimin, nga 15% që është aktualisht, do të aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura me 4 dhe 5 yje, të cilat përfitojnë statusin special deri në dhjetor 2024. Efektet e përjashtimit nisin në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special.
Sipas relacionit shpjegues të qeverisë, parashikimi është bërë me qëllim dhënien e incentivës në momentin e fillimit të aktivitetit ekonomik, atëherë kur ky aktivitet realizon fitim, – sqarohet në relacion. E njëjta kategori hotelesh me 5 yje, përfitojnë edhe heqje të taksës së infrastrukturës. Sipas legjislacionit në fuqi, çdo biznes që ka një projekt ndërtimi, kur ky i fundit është me orientim aktivitet ekonomik, duhet të paguajë 4% të vlerës së projektit si taksë infrastrukture. Kjo nëse projekti zbatohet në Bashkinë e Tiranës, për pjesën tjetër të vendit kjo taksë varion nga 1-3% të vlerës së projektit. Pra, një resort me vlerë 100 milionë euro në zonën e Jugut do të duhet të paguajë 3 milionë euro që në fillim. Kjo taksë tashmë zerohet për hotelet me status special.
Por oferta e parajsës pa taksat nuk mbaron këtu. Të gjithë hotelet me status special dhe që janë me 5 yje do të përfitojnë trajtim të veçantë edhe te TVSH-ja. Aktualisht për gjithë sektorin ofrohet me një shkallë 6% furnizimi i shërbimit të fjetjes. Për hotelet me status special me 6% do të ofrohet edhe furnizimi i shërbimeve të tjera që përfshin nga bar-restorant te sauna, pishinë, masazhe, sallë konferencash, shezlonge. Në një rishikim të dytë të projektit të parë të Paketës Fiskale qeveria shtoi edhe më tej listën e lehtësive, duke përjashtuar hotelet me 5 yje me status special edhe nga pagesa e taksës për ndërtesat e cila në vitin 2018 do të llogaritet sipas një formule të re.
Statusi special jepet nga Kryeministri
Vulën përfundimtare nëse një hotel e përfiton ose jo statusin special e jep Këshilli i Ministrave. Projektligji për disa shtesa në ligjin për turizmin përcakton që Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për turizmin, jep statusin e veçantë “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” për subjektin që plotëson të gjitha kushtet e mëposhtme:
a) Është investitor në një strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, në Republikën e Shqipërisë, të certifikuar si e tillë nga struktura përgjegjëse sipas këtij ligji.
b) Vlera e investimit është të paktën 8 (tetë) milionë euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 4 yje dhe të paktën 15 (pesëmbëdhjetë) milionë euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 5 yje.
Drafti përcakton që kriteret e tjera, procedurat dhe dokumentacioni që duhet të plotësojnë subjektet që duan të aplikojnë për statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për turizmin.
Subjektet, që përfitojnë statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”, nënshkruajnë marrëveshje zhvillimi me ministrinë përgjegjëse për turizmin, në të cilën parashikohen detyrimet e ndërsjella, afatet e realizimit të projektit, vlera e projektit, ndalimet për tjetërsimin e pronësisë së strukturave të ndërtuara apo pjesëve të tyre, si dhe pasojat nga mosrespektimi i detyrimeve të ndërsjella.”/ Monitor