Pas disa tentativave të dështuara gjatë vitit 2016, për të futur në parlament një projektligj të qeverisë Rama për rritjen drastike të çmimit të pullës së sigurisë, që shoqëron paket e barnave mjekësore duket se me hapjen e këtij sesioni parlamentar duke shfrytëzuar edhe fuqinë absolute të kartonëve, brenda 4 javëve të ardhshme ky mbikoncesion i ri do të bëhet realitet.
Rritja e çmimit të pullës së sigurisë për ilaçet tona në 25 herë pa asnjë shpjegim, do të çojë direkt në rritjen drastike edhe të çmimit të tyre për qytetarët pacientë dhe qendrat shëndetësore publike. Por çfarë fshihet pas gjithë këtij koncesioni (nga 200 mijë euro në vit, shkon në 5.3 milion) që Rama në vitin 2014 premtoi se do ta hiqte fare? Si u rrëzua dy herë në Kuvend pas kundërshtive në Komisionin e Shëndetësisë nga përfaqësuesit e PD-së dhe LSI-së, si tentoi Rama ta fuste sërish kur opozita braktisi parlamentin dhe pse i jepen miliona euro një koncesionari një ka dështuar për 5 vite pikërisht me cilësinë e dhe sigurinë e barnave mjekësore? Për më shumë detaje, po ju sjellim një investigim të Exit;
Nga ‘armik’ në mik i koncesinarëve
Qeveria Rama vendosi, në tetor 2016, të rrisë çmimin e pullës së kontrollit të barnave që vendoset me detyrim në çdo paketë barnash mjekësore që tregtohet në vend.
Nga afërsisht 2 lekë (pa TVSH) për çdo paketë barnash (14.43 euro për 1 mijë copë pulla) çmimi për çdo pullë do të bëhet 2,4 për qind e çmimit të barit. Kjo gjë do të rrisë çmimin e pullës për çdo bar më të shtrenjtë se 83 lekë.
Ky vendim i qeverisë Rama është një tjetër braktisje e interesave të njerëzve në favor të oligarkëve dhe një tjetër kthim mbrapa 180 gradë i Kryeministrit Rama.
Në janar 2014, Edi Rama deklaroi se do të anulonte koncesionin e pullave si të papranueshëm:
Koncensioni i pullave fiskale është një problem shumë i madh pasi nuk ka garantuar asnjë lloj ndryshimi cilësor të këtij shërbimi. Nuk ka sjellë asnjë lloj investimi të konsiderueshëm dhe përmirësimi teknologjik të lavdërueshëm të quhet i besueshëm. Pasoja është që i merr arkës së shtetit një sasi parash që është e paarsyeshme duke rënduar edhe biznesin edhe buxhetin e shtetit dhe nuk sjell asnjë përmirësim. Është një situatë e papranueshme. Ministria e Ekonomisë është në fund të studimit dhe shumë shpejt qasja e zgjedhur do jetë publike dhe ne do e çojmë në Kuvend për të shpëtuar biznesin nga ky monopol dhe për të lehtësuar buxhetin.
Dy vjet më vonë, në tetor 2016, Edi Rama bëri të kundërtën—jo vetëm nuk e ndryshoi apo anuloi koncesionin, por miratoi në qeveri dhe dërgoi në Kuvend një projektligj që rriste çmimin e pullës së kontrollit të barnave në kurriz të qytetarëve dhe të buxhetit dhe ofronte lehtësira të tjera për koncesionarin.
Por në mënyrë të paparashikuar për qeverinë, PD e kundërshtoi projektligjin në komisionin e shëndetësisë dhe këtij kundërshtimi ju bashkëngjit edhe LSI. Me votat e tyre projektligji u rrëzua në Komisionin e Shëndetësisë dhe ju rikthye qeverisë për ta rishikuar.
Megjithatë, qeveria duke përfituar nga bojkoti i Kuvendit nga opozita, e rifuti projektligjin për ditën e fundit të legjislaturës së shkuar të kuvendit, por dekonspirimi i këtij fakti në publik dhe mosgadishmëria e LSI-së për të mos e votuar, bënë që qeveria të tërhiqet.
Nga dalin 5 milion euro në vit fitim?!
Tani që Kryeministri Rama ka shumicën absolute në Kuvend, projektligji është rifutur i pandryshuar në kalendarin e katër javëve të ardhshme të Kuvendit dhe miratimi i tij është thjesht një formalitet.
Në mënyrë të paarsyetuar dhe të pajustifikuar, projektligji ndryshon formën e pagesës ndaj koncesionarit për pullën e kontrollit të barnave nga çmim fiks për pullë kontrolli në një çmim si përqindje e çmimit të ilaçit.
Sikurse u theksua më sipër, çmimi nga afërsisht 2 lekë për pullë do të bëhet 2,4 për qind të çmimit të barit të tregtuar për pullë. Kjo do të thotë se do të rritet çmimi i pullës i të gjitha barnave me çmim më të lartë se 83, që do të thotë praktikisht çdo paketë barnash që shitet në vend.
Për barnat e shtrenjta rritja e çmimit të pullës do të jetë deri në dhjetëra herë dhe për barnat e rralla që kurojnë sëmundje të rënda rritja do të jetë marramendëse dhe e paprecedentë.
Disafishimi i çmimit të pullës së kontrollit do të çojë patjetër në rritjen e vetë çmimit të barnave të konsumatorëve, pasi kostoja e pullës do t’i kalohet si gjithmonë konsumatorëve.
Madje, nëse gjykohet nga përvojat e shkuara, në raste të tilla, mund të hamendësohet se rritja e çmimit të barnave mjekësore do të jetë më e madhe se rritja e çmimit të pullës.
Kosto e shtuar do të rëndojë direkt mbi pacientët dhe mbi buxhetin publik në rastin e barnave të përdorur në qendrat publike mjekësore.
Nga kjo rritje e kostos së ilaçeve do të preken më shumë të moshuarit, të cilët jo vetëm harxhojnë mesatarisht më shumë barna se qytetarët e grupeve të tjera, por janë gjithashtu shtresa me të ardhura më të pakta.
Qeveria e ka justifikuar ndryshimin e çmimit me ndryshimin e llojit të pullës që do të përdoret, duke pretenduar se pulla e re do të ketë elementë të shtuar sigurie.
Por ky arsyetim nuk mund të justifikojë shkeljet ligjore të vazhdueshme që janë bërë në rastin e këtij koncesioni nga të dy qeveritë prej vitit 2011.
Shërbimi i prodhimit dhe gjurmimit të pullave fiskale dhe të pullave të kontrollit të barnave më parë ofrohej direkt nga Ministria e Financave.
Shumë para për koncesionarin, asnjë efekt te cilësia e ilaçeve
Në vitin 2011, qeveria vendosi ta japë atë me koncesion, pasi mori një oferte të pakërkuar nga kompania zvicerane Sicpa Solutions sa.
Tenderi që u zhvillua pati si kriter kryesor të konkurrimit çmimin e ofruar për çdo pullë fiskale për alkoolin dhe duhanin dhe çdo pullë kontrolli për barnat. Fituese me çmimin më të ulët u shpall kompania zvicerane Sicpa Solutions s.a.
Kontrata u nënshkrua pa marrë mendimin e Autoritetit të Konkurrencës siç e kërkon ligji, nuk u publikua në Fletoren Zyrtare dhe nuk është bërë asnjëherë publike, në shkelje të ligjit.
Autoriteti i Konkurrencës, vetë Kryeministri Rama (i cituar më sipër) kanë pohuar se koncesioni nuk ka sjellë asnjë lloj përmirësimi teknologjik dhe asnjë qasje të re efektive në luftën kundër evazionit dhe kontrabandës, nga niveli kur pullat prodhoheshin dhe monitoroheshin direkt nga Ministria e Financave.
Standardet e përcaktuara dhe të zbatuara nga Sicpa për shërbimin janë larg standardeve dhe praktikave ndërkombëtare për luftimin e tregtisë së paligjshme dhe falsifikimit.
Kjo gjë është vërtetuar në praktikë. Edhe pse qëllimi i përdorimit të pullës është shmangia e evazionit dhe falsifikimit këto dukuri kanë vazhduar njësoj si para koncesionit—rezultatet e të ardhurave nga duhani, alkooli apo barnat nuk u përmirësuan, majde në disa raste u përkeqësuan ndjeshëm.
Edhe pse në vitin 2011 koncesionari e fitoi tenderin, që kishte kriter kryesor çmimin, duke ofruar çmimin më të ulët, në mënyrë të pashpjegueshme, ajo ka rritur çmimin e pullave me nga 2 deri në pothuajse 6 herë.
Çmimi i pullës fiskale për cigaret është rritur nga 3,6 euro për një mijë copë (0.49 lekë/copë) në kontratën fillestare në 20 euro për 1 mijë copë (2,7 lekë për copë), ose rreth 5,6 herë.
Çmimi i pullës fiskale është rritur nga 8,6 euro për një mijë copë (1,2 lekë për/copë) në kontratën fillestare për të gjitha produktet e alkolit në 22 euro për 1 mijë copë (3 lekë për copë) për birrën dhe në 32 euro për 1 mijë copë (4,4 lekë për copë) për alkoolet e tjera, pra, 2,2 herë dhe 3,7 herë më shumë se sa çmimi që koncesionari paraqiti në konkurrim.
Këto çmime janë në vetvete 2-3 herë më të larta se çmimet që aplikohen në vende të tjera për të njëjtin shërbim dhe ku niveli i çmimeve ngre pikëpyetje serioze mbi koncesionin.
Përtej rritjes së jashtëzakonshme të çmimit, skandali i qartë në këtë drejtim është ndryshimi i çmimeve pas tenderit dhe mbylljes së kontratës. Kjo është shkelje e parimit të ndershmërisë dhe barazisë në konkurrim, pasi koncesionari ka fituar mbi konkurrentët duke ofruar një çmim më të ulët se ta, por në realisht e ofron shërbimin me një çmim disa herë më të lartë.
Ndërkohë, koncesionari SICPA ka siguruar fitime marramendëse, duke e rritur koston totale të shërbimit të pullave fiskale nga disa dhjetëra mijëra euro, sa kushtonte kur këtë shërbim e ofronte vetë Ministria e Financave, në disa milionë euro në vit.
Kjo kosto rëndon e gjitha mbi bizneset, konsumatorët dhe taksapaguesit, për një shërbim që nuk ndryshon fare nga ai që ofronte me kosto minimale vetë qeveria.
Një monopol i fuqishëm, që ka në dorë gjithçka
Tani qeveria ka vendosur të rrisë edhe çmimin e pullës së kontrollit të barnave, cila deri tani ishte ruajtur në nivelin e ofruar në tender.
Për këtë rritje qeveria ka gjetur një justifikim të ri: do të ndryshojë llojin e pullës duke rritur koston e prodhimit të saj, pa bërë asnjë vlerësim kostoje për këtë ndryshim.
Por edhe sikur të jetë kjo arsyeja e vërtetë, qeveria duhet të përsërisë tenderin për koncesionin me kushtet e reja të pullës dhe jo të ndryshojë kontratën ekzistuese.
Sidoqoftë, skandali më i madh i formulës së re të pagesës së pullës është se tani çmimi nuk do të jetë më fiks për pullë por do të jetë përqindje e çmimit të barit që tregtohet. Pra, edhe pse kostoja e pullës dhe e shërbimit të monitorimit të saj është fikse, çmimi i pullës do të ndryshojë në varësi të çmimit të barit. Ky fakt edhe poshtë edhe justifikimin e rritjes së çmimit për shkak të rritjes së kostos.
Sikurse theksuam më sipër, çmimi i ri i pullës do të jetë më i lartë se ai aktuali për pothuajse të gjitha barnat. Kjo rritje do të rrisë të ardhurat e koncesionarit afërsisht 25 herë: aktualisht të ardhurat nga pulla fiskale për barnat janë rreth 200 mijë euro në vit, ndërsa me formulën e re koncesionari do të marrë rreth 5,3 milionë euro—tregu farmaceutik në Shqipëri është rreth 128 milionë euro në vit.
Kjo është një rritje jashtëzakonshme, e cila shkon në favor vetëm të koncesionarit monopolist.
Madje tashmë fitimi është i garantuar në kohë: ndryshe nga më parë, kur pagesën e pullës fiskale e bënin vetë importuesit apo prodhuesit e barnave, kontrata e re e propozuar nga qeveria parashikon që pagesa koncesionarit do t’i bëhet nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Kontrollit të Pajisjeve.
Kontrata e re i jep të drejtë koncesionarit të ndërpresë furnizimin me pulla për barnat, pra praktikisht të bllokojë plotësisht furnizimin e tregut me barna të reja, nëse Agjencia Kombëtare e Barnave nuk i paguan atij të gjitha faturat e lëshuara për të gjitha barnat e importuara, pavarësisht se kush i importon. Koncesionari nuk mban asnjë përgjegjësi për pasojat e këtij bllokimi.
Kontrata madje nuk i njeh koncesionarit asnjë përgjegjësi për vonesa apo probleme të shkaktuara prej vetë tij në përmbushjen e detyrimeve të kontratës që në fakt ndikojnë në ecurinë e tregut të barnave në vend.
Çfarëdo që të ndodhë, sido që të punojë, koncesionari ka të garantuar pagesën e tij dhe nuk ka asnjë detyrim tjetër.
Në të vërtetë, të gjitha të dhënat të bëjnë të besosh se ndryshimi i kontratës është bërë për përfitime klienteliste dhe korruptive./Syri.net