Nga Andrea Danglli
Do doja që për një moment të bllokoja veshët, të zija sytë dhe të mbyllja gojën për të mos dëgjuar, shikuar apo folur.
Edhe pse e kam kuptuar qartë se vuajtja jonë është e lidhur ngushtësisht me heshtjen, këtë herë mendova se do ishte më mirë të mos i jepja zë revoltës që ziente nga brenda dhe kërkonte me domosdo të shprehte zemëratën.
U përpoqa por në fund nuk munda ta frenoj dot veten, pasi protesta e mendimeve u përshkallëzua tamam si një psherëtimë që të mbushet në kraharor dhe duhet ta shfrysh me doemos.
Të tilla qenë edhe bombat e fjalëve që hodhi njëra pas tjetrës një politikan, një deputet i zgjedhur, një njeri që nesër pritet të bëjë në parlament ligjet dhe rrjedhimisht fatet tona.
Myslim Murrizi që ende nuk e ka mbushur një muaj i votëbesuar nga populli, kafshoi gjuhën gjatë 24 orëve të fundit duke harruar se mbi sup mbante një pjesë të shqiptarëve dhe u përfshi në një betejë virtuale me disa personazhe të njohur në media.
Nuk dua të hyj në qëllimet apo prapaskenave të debatit dhe as të justifikoj njërën palë apo tjetrën pasi nuk jam as njeriu dhe as institucioni përkatës.
Për pos të gjithave, mua si qytetar i këtij vendi më shqetëson ligjvënësi i zgjedhur dhe normalisht atij do t’i kërkoj llogari deri më një. (me palën tjetër nuk kam punë)
‘’Shpërthimet’’ e njëpasnjëshme ishin të rënda, shokuese apo thënë më ndryshe pjesë e një çmendurie në nerva e sipër.
E gjithë “artileria” e fjalëve fyese, banale dhe rrjedhimisht e padenjë, u lëshuan në rrjetet sociale njësoj sikur një i dehur po i kërkonte llogari shokëve të tij se pse kishte pirë kaq shumë. (Më vjen zor ta përmend atë bllok fjalësh mes rreshtash pasi nuk do mjaftonin veç dy duar për t’i vendosur mbi kokë)
Fill pas kësaj, media në këtë thatësirë lajmesh i pasqyroi siç qenë pasi këto fjalë edhe pse mund të jenë shprehur në gjendje të dehur, i ka thënë një deputet që nesër do paguhet me taksat e shqiptarëve.
Normalisht që askush nuk mund të mirëpresë një “rrëshqitje” të kësaj natyre përpara nënës, motrës apo fëmijës së tij.
Kjo jehonë lajmesh tingëlloi keq në veshët e Z. Murrizi i cili u detyruar të kërkojë një ndjesë që në gjykimin tim qe e shtirur, fëmijërore dhe aspak serioze.
Deputeti i zgjedhur i kërkon të falur demokratëve dhe jo shqiptarëve, kërkon ndjesë dhe njëkohësisht sulmon, falet por nuk pranon gabimin. A ma shpjegon dot dikush këtë trinom të deklaratës së tij?
A mos ndoshta Z. Murrizi do të ishte më e drejtë të zgjidhte rrugën ligjore për të zgjidhur përplasjen e tij dhe të merreshin institucionet?
A mos ndoshta Z. Murrizi duhet të kërkonte një ndjesë të sinqertë dhe të mos përpiqej të fshihte hënën pas gishtit tregues?
Z. Murrizi, tashmë është hera e dytë që dëshmon vullnetarisht përpara shqiptarëve se nuk mund të shërbejë si një shembull për fëmijët dhe nuk mund të jetë modeli i politikanit që mund të negocionte me partnerë ndërkombëtarë, të udhëhiqte ndonjë institucion shtetëror apo të bënte oponenëcë brenda kontureve përkatëse.
Rruga që ka gjetur për të zgjidhur konfliktet nuk mund të pranohet nga unë dhe nga ti lexues i dashur përpos ndonjë militanti që i janë errësuar sytë me shpresën për të përfituar ndonjë vend pune.
Kemi vite tashmë që dëgjojmë të demonstrohet në politikë një fjalor rrugaçëror i kësaj natyre dhe s’mund të lejojmë kurrsesi që kjo praktikë të shndërrohet në modë nga politikanë të tjerë.
Do ishte e shëndetshme për progresin e vendit nëse “Murrizët” e parlamentit, gjatë vapës përvëluese të zgjidhnin hijet për të shkuar në Kuvend pasi unë nuk do doja që disa “klonet” e tij majtas apo djathtas, të vijojnë të na i lenë Shqipërinë në hije.
Dhe për ta mbyllur do doja të sillja në vëmendje një perifrazim në krye të deklaratës së gjoja ndjesës së Z. Murrizi i cili shkruan: “Kur qentë të kafshojnë këmbën, në gjaknxehtësi e i inatosur kthehesh dhe kafshon këmbën e qenit!”
Uroj që koha të dëshmojë se unë jam i gabuar në ato çka shkruaj dhe lideri i PD-së Lulzim Basha të mos ketë gabuar me përzgjedhjen e listës.
Por nëse kjo racë politikanësh do të vazhdojë të ndjekë këtë logjikë, atëherë mua si qytetar i këtij vendi më lind e drejta të bëj një kërkesë: Z. Basha, “lidheni” Murrizin tuaj se po na kafshon.