Ora News dhe IPR Marketing sjellin sondazhin e dytë për zgjedhjet e 25 qershorit.
Kur jemi në mes të fushatës elektorale, 59.1% e shqiptarëve kanë deklaruar se do të shkojnë të votojnë të 25 qershor ndërsa 33.7% e tyre kanë deklaruar se nuk do të shkojnë të votojnë dhe 7 % janë të pavendosur.
Nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin këtë javë, Partia Socialiste do të fitonte rreth 45.0 %të votave.
Në vend të dytë, renditet Partia Demokratike, e cila merr 37 për qind, ndërsa në vend të tretë renditet Lëvizja Socialiste për Integrim me 13% të votave.
Në vend të katër sipas sondazhit renditet Partia Libra, me 2%, e pas saj vjen Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, aktualisht partia e katërt në Kuvendin e Shqipërisë.
Krahasuar me sondazhin e javës së shkuar, atë të 31 majit, Partia Socialiste është rritur me 2%, ndërsa Partia Demokratike është rritur me 1 për qind, e po aq edhe Lëvizja Socialiste për Integrim.
Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2013, të gjitha partitë kryesore kanë pësuar rritje, pasi atëherë, Partia Socialiste ka fituar 41.4 për qind, Partia Demokratike, 30.6 për qind dhe Lëvizja Socialiste për Integrim 10.5 për qind.
Rritjen më të madhe e ka pësuar Partia Demokratike, duke marrë rreth 7% më shumë vota. Këto janë rezultatit të sondazhit, të cilat janë një fotografim në terren i mbështetjes ndaj partive.
Drejtori i IPR Marketing, Antonio Notto tha se për të kryer sondazhin, janë intervistuar 1000 persona për çdo qark të ndarë sipas gjinisë, moshës, vendbanimit.
Antonio Noto, drejtor i IPR Marketing: Ka një elektorat që është shumë i vëmendshëm ndaj politikës. Ka një pjesë të elektoratit që është më e vakët. Kjo pjesë nuk beson që vota e vet do të jetë veçanërisht ndikuese.
Kjo pjesë duhet të fitohet në mënyrë paksa emotive. Fushata elektorale në këtë fazë nuk jep këtë entuziazëm të madh. Pjesa e tretë janë ata që janë larg politikës. Nuk mendojnë që politika është një gjë e rëndësishme. Një pjesë e tyre nuk votojnë në asnjë rast. Një pjesë tjetër mund të votojë vetëm nëse ka emocion.
Afrim Krasniqi: Në dallim nga java e shkuar kemi rritje të partive të vogla. Sulmi frontal që i kanë bërë LSI-së nuk është reflektuar në sondazh. Nuk është shmangur vota klienteliste. Janë një numër i madh individësh që lëvizin nga një parti në një tjetër politike. Bashkimi i partisë së dytë me partinë e tretë ka më shumë vota se partia e parë. Kur thuhet PDIU nuk do të thotë se nuk ka mandate.
Artur Zheji: Në qoftë se një qytetar ka një buxhet tmerrësisht të ulët do të kalojë nga një parti në një parti tjetër. Jo më larg se sot je në garë me tre parti që bashkëqeverisin. Dy njerëz që kërcënuan me vdekje politike njëri-tjetrin, u mbyllën aty dhe dilnin dot. Nuk duhet të habitemi nga kjo. Kur këta bëjnë marrëveshje dhe pakte, ai që voton herë PD, herë PS dhe herë LSI, janë mëkatar.
Dritan Hila: PD dhe PS janë shpikëse të sistemit klientelist. Kemi arritur në pikën kur një njeri aderon te PS për vetë faktin që do të futet në punë apo do të japë favore.
Blendi Çeka: Lidhur me Partinë Socialiste është në tavanin e prishtmërisë. Rritja në 2013 ishte vetëm 0.6%. Kjo rritje votash lidhet me partitë e vogla, të cilat votojnë taktikisht për të mos çuar votën dëm. Edhe PD është në limit. Në nivel nacional duket sikur akumulon votën e djathtë dhe nëpër qarte duket se nuk funksionon aq mirë koalicioni.
Rezultatet e sondazhit në tre qarqe
Në qarkun Elbasan sipas orientimit të votës: PS merr 7 mandate, PD 4 mandate, LSI 1-2 mandate. PDIU dhe LIBRA luftojne per 1 mandat.
Në qarkun Durrës sipas orientimit të votës: PS merr 6 mandate, PD 5 mandate, LSI 1-2 mandate. LIBRA e PDIU mund të fitojnë 0- 1. Në Durres janë 18. 5 % elektorati i pavendosur.
Ne qarkun Fier sipas orientimit te votes, PS mund të marrë 9- 10 mandate, PD 4-5 mandate, LSI 1-2 mandate. LIBRA e PDIU mund të fitojnë nje mandat ose asnje. Ne Fier 12. 5 % jane të pavendosurit.
Orientimi i votes ne Qarkun e Elbasanit
Nëse qytetarët e Elbasanit do të votonin sot, Partia Socialiste do të dilte forcë e parë në këtë qark me 49.5% të votave.
Ndërkohë Partia Demokratike pozicionohet e dyta me 29.5% të votave nga 27% që kishte marrë në 2013, duke rrëmbyer katër mandate deputetësh.
LSI shënon rënie në Elbasan. Ka marrë 10% të votave nga 10.6% në 2013. Merr 1-2 mandate deputetësh. Rënie ka dhe PDIU që ka marrë 5.5% të votave nga 7.0 në 2013. Lufton për një mandat deputeti.
Edhe LIBRA e Blushit ka pritshmëri në këtë qark, ka marrë 3% të votave dhe lufton për një mandat.
Rënie ka Partia Republikane, nga 3.6% të votave që ka marrë në 2013 në këtë sondazh merr vetëm 1% të votave, duke mos kaluar pragun elektoral.
Orientimi i votes ne Qarkun e Durresit
Nëse qytetarët e Durrësit do të votonin sot, PS do të merrte 42.2% të votave ose 6 mandate deputetësh nga 14 deputetë në total që ka qarku.
Nga rezultatet e sondazhit të Ora News dhe IPR Marketing të publikuar në Tonight Ilva Tare vihet re një rritje e PS krahasuar me 2013 ku ka marrë vetëm 39.2% të votave.
E dyta renditet PD me një mandat më pak, ku ka marrë 35.5% të votave ose 5 mandate. në 2013, PD ka marrë 34% të votave.
Ndërkohë LSI ka marrë 12% të votave, ku lufton për 1-2 mandate. Në 2013 ka marrë 7.5% të votave.
LIBRA e Blushit lufton edhe në këtë qark për një mandat deputeti. Ka marrë 3.1% të votave. Për një mandat lufton edhe PDIU me 3% të votave nga 2.4% që ka marrë në 2013.
Rënie të madhe ka PR që ka marrë vetëm 1% të votave nga 6.8% në 2013. Nuk merr asnjë mandat.
Poshtë pragut elektoral pozicionohen të gjitha partitë e tjera të vogla.
Qarku i Fierit konfirmon bindjet e majta
Ky është rezultati i sondazhit të Ora News dhe IPR Marketing sipas të cilët nëse qytetarët fierakë do të votonin sot, PS do të merrte 54.7% të votave ose 9-10 mandate deputetësh nga 16 në total që ka ky qark.
Krahasuar me 2013, PS ka një rritje në përqindje. Në 2013 kishte marrë vetëm 44.2%.
Partia Demokratike do të merrte vetëm 24.7% ose 4-5 mandate. Në 2013 demokratët kishin marrë 22.9%.
LSI ka marrë vetëm 9.6% të votave ose 1-2 mandate. Në 2013 mori 9.7% të votave.
LIBRA e Blushit ka marrë 3.6% të votave ose 0-1 mandate.
PDIU 3% të votave ose 0-1 mandate. Kjo parti ka një rënie krahasuar me 2013 ku kishte marrë 4.5% të votave.
Zheji: Ky më duket rezultat më i tmerrshëm
Artur Zheji: Me të thënë të drejtën ky më duket rezultat edhe më i tmerrshëm se sa ai i javës që kaloi. Një parti si Partia Socialiste që ka një konsum 4 vjeçar e përballur me dështime të plota. Fieri është një qendër e rrethuar nga fusha. Ky qytet tani i majtë tradicionalist e vlerëson qeverisjen Rama me 10%. Ndoshta Shqipëria është e pabesë, rrëshqitëse.
Krasniqi: Në Fier ka pasur investime të mëdha për kalkulim mandatesh
Krasniqi: marrëveshja midis dy palëve do të thotë se ka penalizuar partitë e vogla. Fakti që tre partitë e mëdha rriten, do të thotë se ua marrin partive të vogla. Fieri është rekord i investimeve nga qeveria e majtë.
Vetëm një nga ato bashkitë e vogla kanë marrë më shumë buxhet se Shkodra. Kanë pasur kalkulime mandatesh dhe kjo është kthimin deri diku i votës.
Hila: Më duket pak i çuditshëm ky rezultat për PS-snë
Hila: Kam frikë se mos ka një lloj intimidimi i të pyeturve. E dyta, mendoj që pas sulmeve të fundit që kanë realizuar qoftë PD, qoftë PS ndaj LSI-së dhe qëndrimit të tërhequr mendoj se një pjesë e elektoratit të tyre janë trembur. Dalja e Metës besoj se u ka dhënë zemër dhe në të ardhmen do të kemi shifra ndryshe. Kjo është një parti që specialitetin e vet punën në terren. Libra është një parti e paprovuar dhe në Fier ka një lloj mbështetje tek elektorati i së majtës. Me gjithë këto bjerrje, ky rezultat për PS më duket pak i çuditshëm.
Noto: Kemi futur sigurisht zonat rurale, jorurale janë zhvilluar nga telefonat fikse dhe celularët. Për të marrë përgjigjet është përdorur një Call Center nga e cila mund të telefonojnë telefonat celularë dhe fiks. Për të zbuluar se në cilën zonë janë zgjedhësit, janë pyetur se ku banojnë.