Pikëpyetjeve të shumta që ngriti lajmi i pak kohëve më parë, se kryeministri Rama me firmën e tij i ka dhënë për mbrojtje ambasadores së Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, një tabor me gardistë, u ka dhënë përgjigje vetë ajo.
Gjatë një interviste, që Vlahutin ka dhënë për një gazetë në vendlindjen e saj, Kroaci, ajo flet edhe për mundësinë e “kërcënimeve” ndaj jetës së saj që si pasojë kanë sjell, edhe këtë mbrojtje ekstreme që qeveria shqiptare i ka vënë në dispozicion.
“Titujt e gazetave që shkruajnë se më kërcënojnë me vdekje janë ekzagjerim. Megjithatë, duke pasur parasysh qëllimin e qartë të grupeve të caktuara të interesit që përpiqen të na trembin, është dashur të merren disa masa paraprake. Kolegu im ambasador amerikan i ka truprojat që nga fillimi i mandatit. Ne nga BE-ja dhe shtetet anëtare jemi shumë më të relaksuar, por në këtë moment megjithatë duhet të jemi pak më të kujdesshëm!…”, deklaron ambasadorja në këtë intervistë.
Pra ajo vetë pranon, se lajmet se ajo është kërcënuar me vdekje janë “të ekzagjeruara”. Faktikisht në Shqipëri nuk ka pasur asnjë informacion dhe titull në media, ku të njoftohej se ambasadorja e rëndësishme është kërcënuar ndonjëherë me jetë. Vetëm pas zbulimit të vendimit të Këshillit të Ministrave për marrjen e saj nën mbrojtje me një trupë gardistësh, më e madhe në numër se ajo që mbron çdo personalitet në Tiranë, përfshi edhe numrin një të shtetit presidentin, në media nisën pyetjet.
Përse kjo supermbrojtje? Çfarë, kush e ka kërcënon ambasadoren e Bashkimit Europian me jetë?!
Pra lajmi retorik për një kërcënim të mundshëm me vdekje ndaj Vlahutin, e ka burimin te vendimi i Edi Ramës për mbrojtjen e saj, pa dhënë asnjë motiv zyrtar për medien dhe publikun, se përse po e bën këtë veprim.
Përveç kësaj nëse shihet me kujdes prononcimi ( Vini re! I dhënë jo në Shqipëri ku zhvillohet problemi dhe ku ajo jeton e punon, por larg në Kroaci), ajo edhe e përgënjeshtron “kërcënimin me vdekje”, edhe e amplifikon dhe i mëshon këtij lajmi.
“Ne nga BE-ja dhe shtetet anëtare jemi shumë më të relaksuar, por në këtë moment megjithatë duhet të jemi pak më të kujdesshëm!…”, deklaron ambasadorja duke hedhur edhe më shumë mjegull për motivin e vërtetë, se përse ajo ruhet me aq shumë oficerë e ushtarë të Gardës së Republikës .
As kryeministri Rama, as vetë ambasadorja nuk e ndajnë, nëse ka kërcënim real, apo jo. Duket qartë që më shumë se e vërteta, atyre ju intereson që opinion publik në Shqipëri dhe pse jo edhe shefat e saj në Bruksel, të kenë perceptimin se ajo po punon në kushte shumë të vështira dhe nën kërcënim. Po nga kush i vijnë gjithë këto probleme zonjës Vlahutin, që ka pranuar të jetojë në “shtetrrethim”? Përse Edi Rama vendosi ta blindojë me njerëz të armatosur, pikërisht në ditët që u paralajmërua dhe nisi protesta e madhe e opozitës dhe qytetarëve?
As në vitin më të errët të vendit, 1997, ambasadorët dhe të politikanët e huaj në Shqipëri nuk kanë qenë asnjëherë objekt kërcënimi dhe aq më pak sulmi. Zonja Vlahutin, nga një anë pranon se kërcënimi me jetë është i ekzagjeruar, (Ajo e di mirë që në Bruksel e dinë mirë që s`ka asnjëfarë kërcënimi) nga ana tjetër thotë se “duhet të jemi të kujdesshëm”, prandaj edhe pranon të punojë e jetojë, sikur të jetë ambasadore në Siri dhe jo në kryeqytetin e një vendi anëtar të NATO-s dhe ku opozita po bën një protestë paqësore, model edhe për shumë vende të Europës.
Pra duket qartë, që arsyeja e vërtetë, pse Rama i ka vënë në dispozicion ambasadores dyfishin e rojeve që mbrojnë presidentin e Republikës, nuk ka të bëjë fare me ndonjë kërcënim, por krijimin e një situate artificial, për ta viktimizuar “bukuroshen e pafajshme” të BE-së.
Ku e kanë hallin më konkretisht?
Gjithçka ka nisur pas nisjes së një hetimi për korrupsion në Bruksel, për blerjen e një vile nga ambasadorja në Tiranë me çmim skandaloz.
Duket se krijimi i një situate rreziku rreth ambasadores Vlahutim, ndërkohë që fillimisht në Shqipëri dhe pastaj në media ndërkombëtare përfshi edhe atë të BE-së, “New Europe” kanë dalë fakte dhe dokumente për abuzimin me çmimin e blerjes së vilës së misionit, bëhet si përpjekje e saj në bashkëpunim me Edi Ramën, për të sfumuar skandalin.
Ngritja e një alibie “kërcënimi”, e përforcuar me një vendim qeverie për mbrojtjen e jetës së ambasadores duket hapur se është planifikuar për të hedhur mjegull mbi dhe devijuar hetimin për korrupsion, por edhe për mënyrën sesi janë kryer punësimet në selinë e misionit të BE-së në Tiranë.
Nga kush ka frikë zonja Vlahutin, po e kërcënojnë si “partizane” të Reformës në Drejtësi? Po përse dhe për kë po bëhet kjo reformë, për marsianët, apo për ata që jetojnë në këtë vend ku blihet një vilë, qoftë edhe me paratë e taksapaguesve europianë, me katërfishin e çmimit real?
Alibia e kërcënimit shqiptar bie dhe është pak ta quash përpëlitje qesharake, për të mbuluar kërcënimin e vërtetë që i “kanoset” ambasadores; hetimi që ka nisur në Bruksel, nga i cili as rojet e gardës dhe as gjithë ministrat e Ramës sikur të ti bëhen bodyguarde, nuk e shpëtojnë dot.
SYRI.net