“Kursal” është një fjalë nga gjermanishtja dhe ka kuptimin e “dhomë kurash” (Kurhaus”), një ndërtesë rekreative, tipike e arkitekturës së Europës Veriore në shek. XIX, që shërbente kryesisht si qendër shëndetësore. Krejt ndryshe, lokali me famë i Tiranës, ndonëse me emrin e huazuar “Kursal”, i ndërtuar rreth viteve ‘30, ishte një ndërtesë njëkatëshe, me dy kulla në pjesën perëndimore të një arkitekture të stilit japonez.
Ai kishte një sallë të madhe në katin e parë veri-jug, me rreth 20 tavolina, me një kapacitet modest deri në 100 persona, me banak ballor, ku nuk servirej në këmbë, por vetëm ulur. Salla ishte e modeluar në mënyrë moderne për kohën, me perde damasku të butë me ngjyrë vishnje, që e lidhnin në mes dhe dyshemenë me pllaka me mozaikë. Një hyrje e vogël në krah për t’u futur fillimisht në lulishten e madhe të tij, pastaj me pak shkallë gjysmë harku në verandën që mbulohej me disa tenda që në kohë vere frekuentohej gjerësisht.
“Kursalin” e kompletonte lulishtja në formë trekëndëshi, me shtrirje drejt lindjes, e rrethuar me kangjella të ulëta, me një shatërvan të vogël, që kishte në qendër statujën e një djali me një peshk në dorë, si dhe këndin e vendosjes së biçikletave, një hardhi me lule të bukura e aromë, ndërsa jashtë “Kursalit” një cigareshitës. Në Tiranë, në rrugën “Xhemal Pashë Zogu” ekzistonte një tjetër “Kursal”, por shërbente si restorant.
LOKALI MË I PREFERUAR I TIRANËS
“Kursali” ishte kafe publike, serioze, e respektuar dhe universale, ku njerëzit jepnin e merrnin kulturë nga sjelljet, veprimet dhe bisedat që shoqëronin diskutimet e tyre. Në “Kursal” shkonin politikanë, deputetë, zyrtarë të lartë, bankierë, mjekë, intelektualë, pronarë, sportistë, artistë, të huaj të ardhur nga vende të ndryshme, njerëz me preferenca gjermane, italiane që kishin mbaruar e studiuar në këto vende, si dhe tregtarë apo ish-tregtarë shqiptarë e italianë që vinin për punë në Tiranë.
Ai frekuentohej edhe nga punonjësit e Bashkisë, ata të Bankës Shqiptare, kryesisht për marrëveshje pune, përfshirë edhe punonjësit e Radio Tiranës, kur punonin me zyra provizore në Bashki. Përveç faktit që ishte në qendër të kryeqytetit, “Kursalit” i jepte rëndësi, frekuentim e popullim edhe fama si një kafe e stilit europian, me disiplinë e rregull. Ai kishte personel të kulturuar e klientëve u servirej me profesionalizëm.
Kamerierët shërbenin të veshur me kostum të zi, jelekë, këmisha të bardha dhe fjongo o papijon vishnje, si ngjyra e perdeve. Në mjedisin e tij të brendshëm e të jashtëm nuk servirej vetëm kafe, por gjithçka, pasi në “Kursal” gjendeshin të gjitha pijet e Europës, nga shampanja, vera, uzoja, birra, lloje të ndryshme të likereve të eksportuara, por edhe pije shqiptare, kryesisht raki, birrë, si dhe ëmbëlsira, biskotina etj. Pijet nuk kushtonin shumë, pasi kishin çmime me standardin e kohës. “Kursali” shfrytëzohej edhe si pikë takimi ose vendi ku niseshin taksitë apo mjete e vogla të kohës për në qytete të tjera.
EDHE FILMA NË SALLËN E TIJ
Te “Kursali” janë shfaqur edhe filma, kur në tetor të 1945-s salla që merrte deri në 180 shikues, u kthye në “Kinema Kursali”, një kinema e kategorisë së dytë, e cila improvizohej duke hequr tavolinat, dhe karriget rregulloheshin në drejtim të ekranit. Por, duke qenë sallë e ngushtë, aparatet e filmit krijonin vështirësi dhe ishin afër spektatorëve. Me kërkesat e spektatorëve, në vitin 1945, shfaqeshin filmat e njohur të atyre viteve, bashkë me dokumentarë shqiptarë si “Shqipëria”, realizuar me ndihmën e specialistëve sovjetikë me muzikë të Kristo Konos e Dhora Lekës.
Kursal Bashkia
Kinema “Kursali” u mbyll pasi nuk plotësonte kushtet, si dhe i mungonin dhomat e tualetit, aparatet ishin për kinema të mëdha etj., por edhe për faktin se aty do të vendosej “Sportklub Tirana”. Në vitin 1938, në kafe “Kursal” u hap një sallon i veçantë për shkollë dansi nga prof. Stathi dhe në mjediset e tij janë hapur ekspozita pikture të artistëve shqiptarë, si A. Buza, K. Kodheli etj.
“KURSALI” I POKERIT TË FAMSHËM….
Edhe për këtë fakt, “Kursali” ka qenë i njohur e mbetet unik, pasi aty është luajtur edhe bixhoz, si para viteve ‘40 dhe pas ‘45, por me kufizime, deri kur u ndalua me ligj. Në pjesën perëndimore, “Kursali” kishte 6 dhoma, një labirinth i vërtetë që mbylleshin me perde ku luhej. Aty shkonin deputetë, ministra, federalë, tregtarë shqiptarë e të huaj, personel të trupit diplomatik, të konsullatave të akredituara në Tiranë që luanin sistematikisht bixhoz dhe loja e preferuar ishte pokeri, pastaj bilardoja, deri në shah, domino, si lojëra të asaj shtrese që zotëronte kulturë e preferenca europiane.
Kishte raste që njëra nga kullat nuk funksiononte ose mbyllej, pasi përdorej për ato që luanin bixhoz me kohë apo ditë të zgjatura. Përveç dy kullave për poker, në një paradhomë qëndron te një noter si një person-garant për shumat në të holla që personat luanin. Bixhoz aty kanë luajtur të gjithë, por tregtarët ishin ata më aktivët, duke përdorur të gjitha monedhat e kohës, si dhe lekun shqiptar, që ishte i fortë për atë periudhë. Gjatë festave të Pashkëve, Krishtlindjeve ato të Vitit të Ri, hapej publikisht loja e bixhozit si një formë ku frekuentuesit, por edhe popullsia mund të provonin fatin. Në mjediset e “Kursalit” jepeshin dhe vizat, kryesisht për Itali.
BALLOT DHE DASMAT E KUSHTUESHME
Për festat e fundvitit, sidomos për ato fetare, ishte i preferuar, por kulmi i frekuentimit të tij ishte Viti i Ri, që kishte tjetër modelim, duke organizuar mbrëmje, ballo etj. Duke mos qenë restorant, në të tilla evenimente shërbehej me katering dhe kuzhinën e sillte Lluka Papadhopulli nga restorant “Europa”, që ndodhej përballë tij. Në “Kursal” organizoheshin edhe dreka e darka, përvjetorë e dasma shumë të kushtueshme, të cilat zhvilloheshin edhe në oborrin-lulishte të tij, edhe për faktin që dasma të ndiqej nga qytetarët e Tiranës për t’u dhënë famë dhe emër atyre që martoheshin, që kryesisht ishin fëmijë të njerëzve të pasur të familjeve të njohura tiranase, kryesisht si frekuentues të rregullt të “Kursalit” organizonin ceremonitë e fejesave në dhomat e mjediset e rezervuara të tij.
ORKESTRA, DËFRIM MODERN
Kryesisht para 45-s, në “Kursal” praktikohej muzikë argëtuese e kohës. Në librin e tij, “Tirana 1920-1944”, shkrimtari Spiro Mhilli tregon: “Kafe-Kursal, çdo ditë, pas orës 10:00 të mbrëmjes, organizonte baletin e famshëm dhe artistik me pesë “Caprice Girls” dhe me pjesë- marrjen orkestrës cigane hungareze, drejtuar nga maestro Mago Kololy nga Budapesti. Baleti e vallet e pesë bukurosheve hungareze zëvendësoheshin shpesh me programe të reja. Në atë lokal interpretonte violinist i talentuar De Mucci Riccardo. Koncertet fillonin në orën 6 pasdite dhe pas një pushimi rifillonin pas orës 10 të mbrëmjes dhe bileta kushtonte 5 lekë.
Drejtori Fuat Alim dhe pronari Shefik Kondi shpeshherë e pasuronin programin me Trio Rianda, me danse spanjolle, tango argjentinase, këngë të ndryshme, muzikë klasike moderne që interpretoheshin nga kërcimtare si Anete Danau, Mimi Mihaillovna, Parru Grseden, dhe këngëtarë të ardhur nga Italia. Ditëve të diela dhe festave, programi fillonte në orën 5 e gjysmë. Pak vite më vonë, kitarist shkoi Pjetër Gjini dhe Ali Begeja. Pronari i tij solli kameriere një vajzë italiane që quhej Rozana, për të cilën u kompozua edhe një këngë që preferohej nga të pranishmit, që mbushnin lokalin dhe nuk kishte asnjë vend të lirë”.
MUZIKË EDHE PASION PA LIMIT
I njëjti ritual vazhdoi në vitet që vijuan, kur muzika me orkestër ishte çdo mbrëmje, pas orës 18:00, nga e marta deri të dielën, me të hënën pushim, ndërkohë që lokali nuk mbyllej asnjë ditë. Gjatë kohës që funksiononte orkestra, duke ruajtur një traditë të hershme, çdo pije kushtonte 2 lekë më shumë dhe gota e fërnetit si pije e preferuar, vishej me sheqer.
Në dimër orkestra dhe këngëtari qëndronin në një podium ngjitur me banakun, ndërsa në verë ajo vendosej në këndin majtas, në verandë. Këngë- tarët këndonin këngë moderne shqiptare e të huaja, dhe ndër emrat e paharruar kujtohet Brixhilda, këngëtarja e bukur bionde, bashkë me Lin Ndokën, shkodranin me zërin e veçantë kur ekzekutonte këngë italiane të kohës, Kasem Alluni, Toni Prosi, Keli, orkestrantë nga vëllezërit Skoza, Alfons Balliçi, Bahiri me saks, secili me mundësitë dhe ofertat, kanë qenë protagonistë të tij. Të gjithë orkestrantët e njohur të kohës u kanë rënë veglave dhe kanë pasur dëshirën të performonin në “Kursal”.
“KURSALI” I BRILANTINËS
Vështirë të futej, apo gjeje aty, të paktën deri në vitet ’60, burra me flokë pa brilantinë e cila, e trashëguar nga “koha e Italisë”, tregtohej me shishe të vogla në formë vaji dhe kishte përdorim të madh për djemtë e burrat e atyre viteve. Edhe për një kafe paradite, ose mbrëmjeve në “Kursal”, detyrimisht duhet t’i shkëlqenin flokët me brilantinë, si një tregues modern i kohës, madje në marrëdhëniet me femrat, ata ishin më të preferuar. Po kështu, edhe orkestrantët, këngëtarët… të gjithë me brilantinë.
Ndërkohë “Kursali” nuk ka qenë shumë i frekuentuar nga vajzat e gratë, që të vetmuara nuk mund të frekuentonin “Kursalin”. Por të veçantë kanë qenë edhe ata që kanë shërbyer, nga Mira, Llambi, Besimi, Kamberi, gruaja veterane Vasilika Kareco, që sot ndodhet në Greqi, e shumë të tjerë, por mbi të gjithë Kadri Morava, kryekamerieri, njeriu legjendë i “Kursalit”, me disa dekada shërbim aty.
SHKEL E SHKO NËPËR TIRANË
Me orkestër Në Kursal. Ora 17:58. Pas dy minutash pikërisht fillon orkestra dhe tingujt e saj të parë dekretojnë ipso-fackto, tarifën e dyfishuar të çmimeve. I tretur nga vapa e korrikut, myshteriu i kopshtit zbraz deri në fund gotën e aranxhatës dhe thërret kamerierin. Don të paguajë sa pa u dekretuar tarifa “me muzikë”. Por Dionisi është tepër i zënë; kënaqet të përgjigjet me një “po vjeeen” të zgjatur, pa pasur aspak ndër mend që të vijë. Ora kalon. Muzikantët kanë zaptuar tashmë vendet e tyre dhe po kurdisin veglat. E kurdisura nuk është ende dekretim, por paralajmërim dekretimi. Myshteriu i bie tavolinës vazhdimisht, me këmbëngulje.
Dionisi nuk dëgjon, ose ka tjetër punë dhe bën sikur nuk dëgjon. Ora kalon. Violinisti u ngrit në këmbë, shpërndau pjesët e notave dhe është gati të japë shenjën e fillimit. Myshterinë fillon ta përshkojë djersë e ftohtë. Kërcen nga vendi i tij dhe sulet e i kap dorën violinistit: Scusate maestro! Voglio prima pagare io! (Më falni maestro! Dua në fillim të paguaj unë!). Nganjëherë kopshti i Kursalit mbushet plot. Burra të çdo grade e çdo kategorie, politikanë të mëdhenj dhe nëpunës të vegjël, venë të prehen e vazhdojnë muhabetin e prerë rreth tryezave prej kashte, duke u freskuar me nga një gotë “Sinalko”. Por… vetëm burra. Karavidhe të bëhet syri të shohësh një fytyrë femre. Në këto rrethana çdokush mund ta marrë me mend sesa të madh rol lot garsoneta, me sy shëndritës dhe buzëqeshje të vazhdueshme, e Kursalit…
Marçela është një gocë italiane, me shtat të bukur, sy shëndritës dhe lëvizje ritmike trupi, garsonetë e përkëdhelur e Kursalit. Një koleg tiranas, z. Nebil Çika, i dedikoi një artikull adhurimi. Dhe me hak. Se Marçela lot në Tiranë një rol qytetërues. “Sikur të mos ish Marçela, -më thotë një ditë kolegu z. Milto Gura, – Kursali do të më dukej një klub pederastësh. Dhe me të drejtë”. Gjergj Bubani, publicist (Vepra e Zgjedhur 1 dhe 2) …edhe Zyrë Adresash Një dhomë në një korridor të vogël, në të cilën ngjiteshe me pak shkallë, në pjesën jugore midis dy kullave, për shumë vite deri kur u prish, ka shërbyer dhe ka qenë Zyra e Adresave e Tiranës, ku gjeje një punonjës që pasi kontrollonte nëpër defterët e tij, të tregonte me saktësi rrugën, numrin e pallatit apo shtëpinë, gjithçka të detajuar për personin.
Kursal foto e vjeter
Ajo qëndronte hapur thuajse gjithë ditën, deri në mesnatë. Ka qenë unikale dhe shumë e rëndësishme për kohën. Të ndihmonte të gjeje njerëzit, familjarët, kur lëvizja e tyre në atë kohë ishte kaotike dhe jo e sistemuar. Përreth “Kursalit”, majtas, djathtas e mbrapa tij kanë qenë dhe stacionet e autobusëve urbanë që kryenin transportin e qytetarëve nga qendra për në Kombinat, Laprakë e Kinostudio dhe një zyrë dispeçeri për linjat urbane të kryeqytetit.