“Nuk duhet të ekzistojë asnjë dilemë që Meta duhet t’i heq stolin Ramës”. Kështu është shprehur në një intervistë për gazetën “Koha Jonë” gazetari dhe analisti Berat Buzhala.
Ai thotë se Edi Rama duhet të rrëzohet nga pushteti, ndërsa i kërkon kreut të LSI-së që të mos e mbështesë më qeverinë.
Më poshtë intervista e plotë:
KJ: A duhet të jap dorëheqjen Edi Rama për t’i hequr dyshimin opozitës se zgjedhjet do ti vjedhë me paratë e drogës?
Berat Buzhala: Si pikë e pare, në bazë të asaj çfarë shohim dhe çfarë lexojmë, nuk mund të flitet për dyshime. Fuqia financiare e Ramës është aq e madhe, sa është e pamundur që dikush tjetër t’i fitojë zgjedhjet. Po flasim për miliarda euro në dispozicion të klanit të tij. Me miliarda euro në dispozicion, një subjekt politik do të trondiste skenën politike edhe në Gjermani, e jo më në Shqipërinë e varfër. Nuk e besoj që vetëm dorëheqja është e mjaftueshme. Posaçërisht jo një dorëheqje, e cila do të pasohej me zgjedhjet pas disa javësh. Përfundimisht: dorëheqja është minimumi.
Ilir Meta a duhet ti heq stolin kryeministrit ku palët të shkojnë detyrimisht me një qeveri teknike?
Fillimisht duhet të themi këtë gjë: Edi Rama e ka kidnapuar Shqipërinë. Ai sillet me Shqipërinë sikur sillet një fëmijë me lodrën e tij. Njëherë e përqafon, e njëherë tjetër e hedh nga ballkoni. Pra, nuk duhet të ekzistojë asnjë dilemë që Meta duhet t’i heq stolin Ramës. Për më tepër duhet ta denoncojë atë. Rama është/ishte një kryeministër avanturier dhe i papërgjegjshëm. Në planin e brendshëm e shndërroi vendin në plantacion të drogës, kurse në planin e jashtëm ishte edhe më skandaloz. E shpalli mik personal Kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vucic, u bë kumbar i diktatorit në ardhje të Turqisë, Recep Taip Erdogan dhe e fundit, jo për nga rëndësia, per teke personale, i rrezikoi raportet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke dal hapur kundër Presidentit Trump. Rama do të mbahet në mend si Kryeministri më hipokrit në historinë e Shqipërisë. Thoshte në CNN se nuk e duronte Trumpin, për arsye parimore, gjoja që, sipas tij, Trump është nën nivelin e tolerancës së tij, kurse i futet në gji Erdoganit, që tashmë ka arrestuar secilën zë kritik. Kjo nuk do koment. Pra, Meta e ka obligim që të ngritët kundër tij. Meta për më tepër duhet të bëjë të qartë që në asnjë rrethanë nuk do të përkrah më, as pas zgjedhjeve të ardhshme, Ramën për kryeministër të Shqipërisë.
Roli i ambasadorit amerikan Lu dhe ambasadores se BE, Vlahutin mendoni si Berisha qe nuk mund të kthehen në “Guvernator të Shqipërisë”?
Unë nuk e besoj që Lu dhe Vlahutin mbajnë cfarëdo përgjegjësie për gjendjen në Shqipëri. Ata, sigurisht, tash argëtohen me rolet e tyre. Duke qënë njerëz, edhe ata janë joshur nga pushteti. Me ta, në mënyrë dinake, ka manipuluar Rama. Opozita, por edhe mediat, nuk duhet të humbin kohë më përfaqësuesit e huaj në Shqipëri. Problemi është Rama. Problemi është droga. Këtu, duhet të pranojë, opozita nuk ka qënë në nivelin e detyrës. I është dashur kohë e gjatë për të dhënë alarmin. Kanë humbur kohë duke u marrë me detaje, derisa elefanti qëndronte mu në mes të dhomës. Lu dhe Vlahutin nuk mund ta mbajnë peng Shqipërinë. E as nuk do ta mbajnë.
Nëse zgjedhjet shkojnë me qeveri teknike cila parti del e parë? Më konkretisht a mendoni se Rama, Meta apo Basha do jetë kryeministri i paszgjedhjeve?
Për Shqipërinë, e edhe për shqiptarët, është e rëndësishme që Rama mos të jetë më kryeministër.
E fundit, prapë me “nëse”. Edi Rama nuk pranon të jap dorëheqjen, si mendoni se shkon situata politike në Shqipëri?
Nuk duhet të lejohen zgjedhjet. Rama duhet të izolohet prej të gjithëve. Prej shoqërisë civile, prej mediave dhe prej opozitës. Duhet të hiqet frika. Vetëm atëherë mund të paramendohen zgjedhje të lira.
Marrë nga Koha Jonë