Qeveria miratoi draftligjin për faljen fiskale e cila po sot do të depozitohet në Kuvend për të nisur diskutimin. Ministri i Financave Arben Ahmeti, në një deklaratë për median tha se në total janë 91 miliardë lekë që do të falen nga shteti për detyrime të papaguara që kanë lindur në gjashtë vitet e fundit.
Ministri i Financave tha se kjo falje krijon balancën e duhur në atë betejë kundër informalitetit që tashmë është në fazën e tretë dhe aktualisht po krijohen të gjitha kushtet për një marrëdhënie të re me sipërmarrjen.
“Ky ligj është një premtim i mbajtur, por mbi të gjitha është tejet i qartë, lehtësi të ndjeshme në terrenin fiskal dhe ekonomik të vendit”, tha ministri Ahmetaj.
Ahmetaj gjatë fjalës së tij bëri edhe një bilanc të fazës së dytë të reformës kundër informalitetit, duke thënë se gjatë saj qasja u fokusua te edukimi, komunikimi intensiv, me qëllim përmbushjen e korrigjimeve dhe thjeshtimin e procedurave. Në total, tha Ahmetaj janë 42 procedura të prekura.
“Përgjatë dy viteve të fundit, kemi ndërmarrë një betejë të gjerë dhe me rezultate konkrete kundër informalitetit në ekonomi, për të rikthyer ligjshmërinë dhe ndërtuar “një stil të ri jetese për qytetarët”, i cili në kuadër të fazës se dyte u konceptua me një qasje krejt tjetër të orientuar drejt edukimit, ndërgjegjësimit, komunikimit intensiv me sipërmarrjen, me qëllim përmbushjen e parimit të vetëkorrigjimit.
Së dyti, e gjithë kjo u shoqërua me një paketë të thjeshtimit të procedurave për sipërmarrjen, një revolucion për herë të parë në 25 vite në klimën e biznesit në vend. 42 procedura të prekura, lehtësi dhe mbështetje e drejtpërdrejtë për sipërmarrjen.
Ndër vite janë ndërmarrë iniciativa ligjore për faljen e detyrimeve tatimore e doganore, por ato asnjëherë nuk janë ndërmarrë paralelisht me thjeshtimin e procedurave, fushata sensibilizuese për rritjen e ndërgjegjësimit si dhe luftën kundër informalitetit, duke çuar kështu në mospërmbushjen e plotë të objektit kryesor të faljes së detyrimeve fiskale. Kjo është arsyeja pse një masë e madhe detyrimesh tatimore dhe doganore edhe pse kanë qenë objekt i ligjeve të faljeve ndër vite, kanë mbetur në llogarinë e tatimpaguesve dhe nuk janë shuar.
Detyrimet që fshihen me këtë ligj i përkasin periudhave tatimore përpara 6 vjetëve, dhe përveç faktit se një pjesë e tyre duhej të fshiheshin si rezultat i ligjeve të mëparshme të faljeve, për këto detyrime, në zbatim të nenit 100 të Ligjit 9920/2008 “Për procedurat tatimore në RSH”, të ndryshuar, e drejta për fillimin e procedurave për zbatimin e masave shtrënguese parashkruhet brenda 5 viteve nga data kur detyrimi tatimor i papaguar duhej të paguhej. Pra, këto detyrime rezultojnë si të pambledhshme, duke qenë se është tejkaluar afati ligjor i mësipërm.
Projektligji “Për pagesën dhe fshirjen e pjesshme të detyrimeve tatimore dhe detyrimeve të pagueshme në Doganë, si dhe procedura e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes se detyrimeve tatimore”, propozohet në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1, dhe 155, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe institucioni propozues është Ministria e Financave”, tha ministri Ahmetaj.
Me anë të këtij projektligji synohet:
• Të fshihen detyrimet fiskale përfshirë principalin, kamatëvonesën dhe gjobën, për periudhat përpara Dhjetor 2010, për të gjithë individët, personat fizikë dhe juridikë që kanë detyrime të papaguara sipas kushteve të përcaktuara në këtë ligj;
- Fshihen gjobat dhe kamatëvonesat për periudhën 2011-2014 me kushtin që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit të paguhet e plotë tatimi/taksa/tarifa/kontributi.
- Fshirja me të njëjtat kushte e detyrimeve tatimore qendrore dhe vendore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë.
- Fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave të kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore me kushtin e pagesës së kontributit, nisur nga fakti se ky është një kontribut që I është mbajtur të punësuarit nga punëdhënësi dhe si i tillë duhet paguar në buxhet për qëllime të sigurimit të detyrueshëm dhe përfitimit të pensionit.
- Gjobat e gjeneruara nga sistemi në mënyrë automatike për deklarimin e kontributeve, pavarësisht periudhës së cilës i përkasin (ato gjoba që qytetarët e mbajnë mend, në qershor 2016 kur u kalua në sistemin informatik të plotë dhe automatik online. Fshirja e gjobave për deklarimin e kontributeve ishte një premtim i drejtpërdrejtë që Kryeministri dhe qeveri ia kaloi drejtpërsëdrejti dhe në transparencë të plotë qytetarëve, që atë ditë që shqetësimi u bë i ditur.
- Përfshihen këtu edhe rastet e gjobave referuar neneve të shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese.
- Heqja nga qarkullimi dhe çregjistrimi i mjeteve të transportit për të cilat nuk është kryer asnjë veprim deri më dhjetor 2011, si dhe shuarjen e çdo lloj detyrimi për këto mjete. Gjithashtu për mjetet e transportit të cilat nuk hiqen nga qarkullimi parashikohet shuarja e detyrimeve tatimore për periudhat para 2010 dhe fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave për periudhat 2011-2014, me kusht pagesën e detyrimeve 2011 e në vijim. Pra është parimi i pagesës së principalit për fshirjen e gjobave dhe kamatëvonesave.
- Nisur nga situata e detyrimeve të akumuluara ndërmjet operatoreve të sektorit elektroenergjetik me kapital 100 % shtetëror dhe sektorit të ujësjellës-kanalizime, si sektorë strategjikë të ekonomisë dhe në reformë të thellë, kemi parashikuar që për këta operatorë, të fshihen edhe detyrimet tatimore të papaguara, përjashtuar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore si dhe detyrimet e vetëdeklaruara nga këta operatorë, dhe që u përkasin periudhave Janar 2011 deri Dhjetor 2013. Ndërkohë, për këta operatorë, për periudhën janar 2014-dhjetor 2014 do të aplikohet fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave me kusht pagesën, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, e tatimit/taksës/tarifës/kontributit. Pra ndryshimi i vetëm për këta sektorë krahasuar me kategoritë e tjera, është periudha 2011-2013 kur fshihen në total detyrimet dhe jo në mënyrë të kushtëzuar, si kompani me kapital 100% shtetëror!
- Fshihen nga regjistrat detyrimet e pagueshme në doganë sipas kuptimit të pikës 2 të nenit 2 të këtij ligji, të evidentuara në administratën doganore, për TVSH-në e shtyrë dhe të papaguar për makineritë dhe pajisjet, importimi i të cilave është përjashtuar nga tatimi mbi vlerën e shtuar, sipas listës përkatëse në fuqi deri në datë 31.12.2016.
- Nuk përfitojnë nga fshirja sipas këtij ligji subjektet që kanë detyrime tatimore/doganore, që kanë një vendim gjyqësor të formës së prerë si të dënuar penalisht për evazion fiskal dhe kontrabandë.
Në termat e efekteve financiare,
Detyrime potencialisht për t’u fshirë janë 90.97 miliard lekë
Nga këto:
ü Fshirje detyrimesh pa kusht: 29.52 miliardë lekë (Principal + Gjoba+ Kamatëvonesa)
ü Fshirje detyrimesh me kusht: 61.45 miliardë lekë (Gjoba + Kamatëvonesa)
ü Për t’u paguar si kusht 34.96 miliardë lekë (Principal)
DRAFTI
Detyrimet që fshihen tërësisht
-Fshihen detyrimet tatimore të papaguara sipas përcaktimit në pikën 1 të nenit 2 të këtij ligji, që u përkasin periudhave tatimore dhjetor 2010 e më parë, dhe, që rezultojnë të regjistruara në llogarinë e subjektit, përveç kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë ligj.
-Përfitojnë nga fshirja sipas kësaj dispozite, detyrimet e papaguara të përcaktuara sipas ligjit nr.9632, datë….2006 “Për Taksat Vendore” të ndryshuar, që u përkasin periudhave tatimore dhjetor 2010 e më parë.
-Fshihen dënimet administrative (gjobat) dhe kamatëvonesat për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, që i përkasin periudhave tatimore dhjetor 2010 e më parë, që rezultojnë të regjistruara në llogarinë e subjektit.
Fshirja pjesore e detyrimeve tatimore me kusht pagimin e tatimit/taksës/kontributit
Fshihen gjobat dhe kamatëvonesat që rezultojnë të papaguara në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të regjistruara në llogarinë e subjektit, me kushtin që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të paguhet i plotë tatimi/taksa/kontributi, për:
- detyrimet tatimore, që i përkasin periudhave tatimore janar 2011 deri dhjetor 2014;
- kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore që i përkasin periudhave tatimore janar 2011 deri dhjetor 2014;
- taksat vendore të papaguara, që u përkasin periudhave tatimore janar 2011 deri dhjetor 2014;
Falja e gjobave për deklarim të vonuar të sigurimeve dhe destinim të fitimit
Janë gjithashtu objekt i fshirjes sipas këtij ligji, detyrimet tatimore të mëposhtme, pavarësisht periudhës tatimore që i përkasin:
-detyrimet tatimore përfshirë tatimin/kontributin/taksën, kamatëvonesën dhe dënimet administrative për subjektet persona fizikë ose juridike, të cilët rezultojnë të çregjistruar në QKB, me vendim gjykate, ose që janë të çregjistruar në administratën tatimore deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji;
-dënimet administrative (gjobat) tatimore të llogaritura automatikisht nga sistemi për deklarim të vonuar sipas nenit 113 të Ligjit Nr. 9920, datë 19.08.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, deri më 31.12.2016, përfshirë edhe dënimet që lidhen me afatin e deklarimit të të punësuarve.
-dënimet administrative (gjobat) për dorëzim të vonuar të vendimit për destinimin e rezultatit dhe dorëzim me vonesë të pasqyrave financiare të aplikuara sipas Ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, të llogaritura deri në datën 31.12.2016 .
-dënimet administrative (gjobat) për mosdeklarim në afat, për deklarata të padorëzuara, me kusht që çdo deklaratë e padorëzuar të dorëzohet deri në datën 30.06.2017.
-dënimet administrative (gjobat) për shoqëritë e autorizuara, të parashikuara në nenin 123 të Ligjit Nr. 9920, datë 19.08.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, të evidentuara në llogarinë e subjektit nëpërmjet akt konstatimit deri më datën 31.12.2016
-dënimet administrative (gjobat) si rezultat i aplikimit të dispozitave të ligjit nr.99/2015 “Për disa shtesa dhe ndryshime ne ligjin për procedurat tatimore në RSh”, të shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese.
Kompensimi i detyrimeve debitore me gjendjen kreditore dhe tepricën kreditore të TVSH-së
1.Subjektet që kanë tepricë kreditore të TVSH-së ose të një tatimi tjetër, përfitojnë nga fshirja e detyrimeve tatimore, sipas neneve 5, 6, 7 dhe 11 të këtij ligji, pas kompensimit (zvogëlimit) të tepricës deri në masën e tatimit të papaguar.
Në rastet kur, teprica nuk mbulon vlerën e plotë të tatimit dhe kamatëvonesës së papaguar atëherë duhet të kryhet pagesa për pjesën e mbetur sipas nenit 6 dhe më pas bëhet fshirja dënimeve administrative.
2.Përcaktimet e këtij neni për kompensimin zbatohen automatikisht pa kontroll, përveç rasteve të parashikuara në pikën 1 të nenit 11 të këtij ligji, për të cilat ky nen zbatohet kur subjekti heq dorë nga ankimi administrativ ose nga e drejta e padisë/ankimit/rekursit në çdo fazë dhe shkallë të gjykimit pranë gjykatës kompetente.
3.Sipas këtij neni, kompensimit nuk i nënshtrohen detyrimet për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Fshirja e detyrimeve të pagueshme në doganë
1.Fshihen nga regjistrat detyrimet e pagueshme në doganë sipas kuptimit të pikës 2 të nenit 2 të këtij ligji, të papaguara ndaj administratës doganore dhe të evidentuara nëpërmjet vendimeve të kësaj administrate deri në datën 31 dhjetor 2010.
2.Fshihen nga regjistrat detyrimet e pagueshme në doganë sipas kuptimit të pikës 2 të nenit 2 të këtij ligji, të papaguara ndaj administratës doganore dhe të evidentuara për individët lidhur me produktet e duhanit, nëpërmjet vendimeve të kësaj administrate deri në datën 31 dhjetor 2016.
Pagesa e detyrimit dhe fshirja me kusht e detyrimeve të pagueshme në doganë
1.Detyrimet e pagueshme në doganë, të evidentuara nëpërmjet vendimeve të kësaj administrate nga 1 janari 2011 deri 31 dhjetor 2014, fshihen, me kusht që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji të paguhet i plotë detyrimi i pagueshëm në doganë, pa përfshirë gjobat, kamatëvonesat dhe interesat kompensuese.
2.Detyrimet e pagueshme në doganë, të evidentuara për shkelje të regjimit të lejimit të përkohshëm për automjetet, nëpërmjet vendimeve të kësaj administrate nga 1 janari 2011 deri 31 dhjetor 2016, fshihen, me kusht që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji të paguhet i plotë detyrimi i pagueshëm në doganë, pa përfshirë gjobat, kamatëvonesat.
/Monitor.al