Nga Artur Zheji
Situata e tashme po përparon në favor të Opozitës. Protesta më e fundit, duket sikur e ngjalli atë, e forcoi, e ristrukturoi dhe i dha shtat. Dhe për këtë meritëkryesore ka vetë kryemininistri, me keqmenaxhimin dhe me hapat e tija vetëshkatruese prej një fodulli, që ka humbur lidhjet me realitetin që e rrethon.
Rama dhe qeveria e tij zuri ndryshk me shpejtësi, duke filluar nga viti i dytë dhe sidomos i tretë i qeverisjes së vet. Për faj të askujt, përpos të vetvetes dhe dashurisë së marrë dhe të sëmurë pas të Fortëve dhe Oligarkëve, si edhe nga përbuzja e shfaqur në qindra forma ndaj të pafuqishmëve të shumtë të këtij vendi.
Është e vërtetë që shteti shqiptar është shpesh një karikaturë dhe aspak një gjë serioze në institucionet e tij. Fillimisht Rama u duk sikur donte ti jepte kazmën dhe ti vinte tritolin e ushtrisë kësaj karikature dhe njerëzit u entuziazmuan. Pastroji anëdetin në Vlorë në shumë pika, por harroi Durrësin e Gjushit dhe Bregun e mrekullueshëm, nga Rradhima e poshtë në Sarandë. Njerëzit e falën me shpresën se gjërat bëhen me rradhë dhe sipas frazave ngushëlluese se: “edhe kryeministri njeri është!”, po kërcënohet dhe po i kundërvihen mafiozët e ndërtimeve abuzimeve.
“Shpartalloi” Lazaratin me ushtri e me trupa policore me helmeta, e nënshtroi dhe e rropi së gjalli fshatin kryeneç të hashashit dhe njerëzit thanë: “Bravo! Ky është Shteti!” Mirëpo një vit më pas, lazaratasit e papunë, u punësuan nga segmente të po këtij shteti dhe bashkë me “ekspertë” të tjerë kanabistë, mbollën në ciklin prodhues 2015-2016 gjithë Shqipërinë. Nga Dukagjini e mbi Shkodra, nga Dibra e Tropoja, Shqipëria e Mesme e Tepelena, Vlora e Konispoli, fusha, ara, livadhe, brigje e gërxhe nën ujë, me hashash të cilësisë së parë. Dhe njerëzit thanë: “Mos! Lazarati paska qenë një lojë! Shkretuan e rropën një fshat që voton kundërshtarin politik përpara kamerave televizive, për të mbjellë në errësirë gjithë Shqipërinë e Rilindur kanabiste!”
Paralel këtyre, kryeministri pseudo-Reformator, iu përvesh Shëndetësisë Shqiptare, që të vret! Dhe ia shiti Biznesit Privat me konçesion duke “investuar” 500 milionë euro shërbime të detyrueshme, në duart e Miqve dhe Mikeshave. Njerëzit e panë dhe thanë: “Çfarë bën ky? është në vete ky burrë? Kryeministri i të Pasurve qenka ky?”
Po erdhi edhe Reforma në Arësim. Një rrëmujë pa kuptim, që shkallmon arësimin shtetëror dhe pasuron shitblerësit e diplomave, akoma dhe më shumë. Njerëzit thanë përsëri: “Ore ky do të na përzërë edhe kalamanjtë nga Shqipëria!” Dhe filloi ditë pas dite një irritim i madh dhe i hapur!
Pastaj, plot gëzim se Opozita ishte e përçarë dhe e pabesueshme, e rriti hapin e marrëzisë dhe grabitjes së përgjithshme. U korr kanabisi me sukses në të gjithë Shqipërinë në verën që kaloi, por njerëzit dhe ambasadorët e kishin mendjen te Vettingu! Ndërkohë që aeroplanët dhe aeroportet e drogës, u bënë një e përditshme. Dhe njerëzit filluan ti venë vizën përfundimisht këtij kryeministri, që më kot shpërndan tapi tokash e ca lopë shteti, si xhambaz shëtitës votash.
Ndërkohë skandalet mbulonin me një vrap të çmendur njeri tjetrin!
Përgjimet që Policia bënte mbi persoalitet Vip! Mirëpo Policinë e shpëtoi Vettingu dhe kërcënimi politik i kryeministri që bërtiste!
Por pastaj, Fodulli Kryeministër mendoi se mund të rikthente Bajgën e Importit të Plehrave, që vetë kishte pastruar tre vite më parë. Dhe nxorri në fushë një marnekin dhe klloun të fjalës boshe dhe ca deputetë pa shtyllë kurrizore dhe kundrejt ofertës së Mafias Ndërkombëtare të Plehrave, donte të na mbushte mendjen se duke sjellë miliona tonelata plehra nga Europa, do të mund të pastronim Shqipërinë! Dhe filloi një fushatë hajvane duke dashur të na poshtrojë të gjithëve, sy më sy dhe ditën për diell! Dhe njerëzit thanë: “Po ky qenka sqënka burrë! Po qenke mashtrues o kryeministri ynë!”
Dhe rreshti i zigzageve të turpshme e të paskrupullta ska të sosur.
Armo, qindra miliona euro! Bankers mbi 1 miliard dollarë dështim! Osshe, shpërdorime të llahtarshme! Siguria e jetës Zero!
E më pastaj, qershija mbi tortë e në kulm të Blablablasë për Vettingun, vrasësit me disa dënime të përjetshme, nxirren nga burgu dhe burgjet lirohen nga një amnisti misterioze, në pritje të reformës në Drejtësi!
Dhe në 18 Shkurt u habit edhe vetë Partia Demokratike! Edhe Henri Çili se Avokati zulmëmadh nuk habitet kurrë!
Të gjithë sot presin Ilir Metën! Që është “King maker” ose pushtet bërës në shqip. A do të jetë ai sot një “People maker?!” e pra do të dëgjojë ai, psherëtimën e zhgënjyer dhe të trembur të popullit të vet, pa le të vejë si të vejë?!
Sepse ky Udhëkryq, nuk ka më të bëjë vetëm me Partinë Demokratike, por ka të bëjë me ndaljen e Marrëzisë që po çon Shqipërinë në katastrofë!
Sepse Ay, kryeministri i të pasurve dhe kryeministri i Oligarkëve, kërkon të fitojë përsëri zgjedhjet dhe për këtë ka rreshtuar e organizuar Skuadronet e Dhunës dhe thesaret e parave të grumbulluara si edhe thamë më lart.
Sepse erdhi pra dita, që Ambasadorët që kemi në tribunë, as nuk shohin dhe as nuk dëgjojnë, as nuk flasin dhe as nuk i japin “Dum!” kësaj situate.
Sepse edhe kësaj rradhe: “Gomarin e nxjerr vetëm i Zoti nga balta ku ka rënë!”.
360 grade.al