Maks Velo është një ndër intelektualët e dënuar nga diktatura komuniste, pas vitit 1973. Si piktor, apo si arkitekt, Maks Velo, falë edhe “ndihmës” së “shokëve” dhe njerëzve të tij “të afërt” e pa veten pas hekurave, për agjitacion e propagandë. Orteku e mori me vete dhe Maksin dhe nuk pyeti për arritjet dhe kontributin e tij, sikurse edhe të shumë intelektualëve të tjerë, në ato vite. Herë pas here Velo, krahas pikturës dhe pasioneve të tjera, e ka analizuar më së miri atë periudhë në librat e tij të shumtë. Si shkrimtar dhe si publicist, Velo ka bërë jehonë edhe jashtë dhe mendimet e tij janë pritur me mjaft interes në botën akademike e më gjerë, sidomos në Paris, në Francë, aty ku edhe është lindur. Debati i hapur së fundi, mbi rolin e LSHA në diktaturë, e ka përfshirë më herët Velon. Por, sot është i indinjuar me mjaft servilë e pseudointelektualë që nuk dinë, ose nuk duan të bëjnë dallim e t’i japin Cezarit atë që është e Cezarit. Këta njerëz ecin sipas një stampe të përcaktuar që mbron falsifikimin. “Për Dritero Agollin kam folur që kur ishte gjallë ai. Madje kemi pasur disa raste, ku jemi gjendur përballë, si në Paris në 1998, apo edhe në aktivitete të tjera dhe nuk kam pranuar kompromise.
Driteroi ishte interesaxhi i madh dhe i veçantë, me ato të ngrënat e të pirat si dhe favoret që bënte. Sigurisht që ndihmonte edhe ndonjë, për ndonjë bursë, apo për punë, por të gjitha ata ishin të nivelit mesatar, po nuk është kjo që duhet vlerësuar. Unë kam thënë këtë gjë: Në tërë historinë e shoqatave artistike që janë krijuar, që nga Antikiteti deri më sot, duke përfshinë edhe Rusinë, edhe vende të tjera të Lindjes, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve është organizata më kriminale. Edhe për këtë unë e akuzoj. Atë dhe Kujtim Buzën. Pse u hoqën Dhimitër Shuteriqi, Vilson Kilica, Hamide Stringa, Ksenofon Dilo? Të katër u hoqën dhe u vunë këta. Dhe këta bënë gjithçka. Ekspertizën time e bënë tre vetë Kujtim Buza, Foto Stamo, Skënder Milori? Tre funksionarë të Lidhjes. Ata bënë ekspertizën, ata thanë “ky është krimineli” dhe si thua ti se nuk kam bërë gjë?! Nuk mund të dalësh sot i pafajshëm, kur sekretari dhe të tjerët ishin direkt pjesëmarrës në shumë krime të tilla.
E para kjo dhe e dyta, është ajo që kam thënë edhe më herët: Asnjëherë Dritero Agolli nuk kërkoi fjale, në emër të institucionit që drejtoi. Duhej të kërkonte falje: “Ne si Lidhje kemi gabuar”. Nuk ka kërkuar falje! Jo vetëm kaq, por edhe më shumë. Kur në Rusi, Fadejevi, kryetari i Lidhjes, kur lexoi raportin e Hrushovit për Stalinin, vrau veten. Edhe Dritero duhet ta bënte, po të ishte burrë… A je ti që ke thënë për Enverin këto gjëra? Ç’është kjo hipokrizi e madhe tani? Këtej e lavdëron dhe në 1991 e shan?! Ky është kulmi! Ti ishte numri një i Lidhjes dhe vjen në Kongresin e Partisë dhe shan Enverin?! Të paktën rri e hesht, “kam gabuar” e rri aty. Si e shan tani? D.m.th. ti je fare i poshtër, një herë e lavdëron e një herë e shan! Këtu nuk bëhet fjalë për një punëtor që nuk dinte e nuk merrte vesh, që e lavdëronte kot, por ti i dije të tëra. Nga ta kapim?! E vetmja fjalë e krijuar prej tij është “shkërdhatokraci”. Po se nuk dërgoi Fatos Nano një telegram, a të shprehej diku për Agollin? Asnjë rresht! Sepse Agolli “shkërdhatokraci” e tha si presion për të marrë e bija licensën e panaireve ndërkombëtare për të fituar miliona, që ishte pronë e shtetit e që paratë t’i merrte populli, por i mori Driteroi. Prandaj e mbron Elona sot. Pse të mos e mbrojë?! Antikomunistët e vërtetë të Shqipërisë, krenaria e kombit janë ata politikanë, intelektualë, artistë e shkencëtarë që u pushkatuan, u burgosën. Ata janë heronjtë e vërtetë dhe të mëdhenj që e parashikuan dhe e kundërshtuan atë sistem gjakatar.”
Maks Velo u lind në Paris, më 31 gusht të vitit 1935. Pas lindjes së tij, familja Velo u kthye përsëri në Shqipëri, në qytetin e Korçës, ku Maksi ka kaluar edhe fëmijërinë. Vendi i origjinës së prindërve ishte Dardha. Pasi mbaron gjimnazin, ai vazhdon studimet pranë Institutit Politeknik, në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit. Më pas specializohet për arkitekturë dhe në vitin 1960 merr pjesë në projektimin e parë që u bë në Tiranë. Ka punuar më tej pranë byrosë së projektimit të Tiranës. Pastaj, vitet ’78-’79 përkojnë edhe me periudhën më të vështirë të jetës së tij, pasi gjatë kësaj kohe, ai arrestohet dhe dënohet me dhjetë vjet burg. Maks Velo është autor i një sërë botimesh si: “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Jeta ime në figura “, “Hetuesia”, “Spaçi”, “Klubi Karavasta” etj. Si artist, ai krijon në disa gjini të artit: pikturë, prozë, poezi, publicistikë sikundër është i angazhuar në çështje të aktualitetit shqiptar.“360grade.al”.