Themeluesi dhe drejtuesi i Lëvizjes “Zgjidhja” në PS, Koço Kokëdhima bashkëbisedoi të hënën pasdite me socialistët e Elbasanit. Në hyrje të bashkëbisedimit të mbajtur në sallën e teatrit “Skampa”, Kokëdhima, pasi falenderoi të pranishmit, iu rikthye përjashtimit të tij nga Asambeja e PS-së, më 23 dhjetor 2016, duke e krahasuar me një veprim që i shkon një bande dhe jo një forumi aq të lartë partie.
Nga foltorja e teatrit ‘Skampa” Kokëdhima iu drejtua anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të PS-së, me thirrjen që t’i mundësojnë dokumentacionin mbi të cilin është mbështetur shkarkimi i tij, duke premtuar se derisa të mos ketë dokumentacionin që nuk i vihet në dispozicion nga selia rozë, ai do të shkojë në mbledhjet e Asamblesë:
“Ju kërkoj që të ushtroni përgjegjësinë tuaj për të zbardhur e publikuar vendimin e shkarkimit dhe dokumentat mbështetëse. Unë do të vazhdoj të vij rregullisht në mbledhjet e Asamblesë. Po pres mbledhjen e radhës për këtë. Si i zgjedhur rregullisht nga kongresi, e konsideroj veten anëtar të asamblesë me të drejta të plota, për sa kohë nuk zbardhet dhe nuk më jepet vendimi që më keni shkarkuar”.
Ashtu si edhe në takimet e mëparshme në Sarandë, Vlorë, Fier dhe Tiranë, Kokëdhima denoncoi largimet nga puna të përkrahësve dhe simpatizantëve të Lëvizjes “Zgjidhja”, duke dënuar veprimet e Ramës dhe të Gjiknurit.
Kokëdhima e ilustroi këtë me largimin nga puna të Brigels Dervishit, një juristi të diplomuar në Milano dhe që punonte te ALUIZNI në Sarandë dhe të ish-drejtorit Blerti Diamanti, që u larguan nga puna me urdhër të Gjiknurit, për t’i zëvendësuar me njerëz pa shkollë e pa zotësi.
Në emër të socialistëve të thjeshtë ai u bëri thirrje drejtuesve të PS-së që të mos vazhdojnë më të shkatërrojnë jetët dhe karrierat e njerëzve pse nuk u bëjnë “share” postimeve të udhëheqësve në rrjetet sociale dhe të mos vazhdojnë të pushojnë nga puna socialistët për shkak të bindjeve dhe ideve të tyre politike apo për qëllime korruptive!
Kokëdhima fajësoi udhëheqjen e partisë për degradimin e strukturave të saj në bazë dhe të qeverisjes. Ai solli rastin e pak ditëve më parë, kur Rama dhe Ruçi, gjatë takimit me shtabin elektoral të PS-së në Vlorë u ankuan se kryetari i partisë dhe drejtuesit e tjerë, merren me intriga e thashetheme dhe nuk punojnë. “Burimi nga përhapet në parti kultura e intrigave, thashethemeve, shpifjeve, përçarjes dhe thikës pas shpine, është udhëheqja e Partia Socialiste në qendër, është kupola e partisë dhe qeverisë”- u shpreh Kokëdhima.
Sipas tij, lidershipi i PS-së e ndan partinë siç ndan institucionet e shtetit në çifligje ku sundon njëri a tjetri ndërsa socialistët e thjeshtë janë vetëm për të bërë vota, as nuk dëgjohen, as nuk ndihmohen, as nuk pyeten dhe as nuk respektohen.
Kokëdhima u shpreh se qeverisja e punëve në PS nuk bazohet në institucione, kulturë funksionale, parime, standarde, manuale, procedura, në sisteme moderne menaxhimi, në raporte e dokumenta, se ajo qeveriset si një bashkësi bandash!
“Në gjithë Shqipërinë në verën e vitit 2016 u bënë zgjedhjet e organeve vendore të Partisë Socialiste. U zgjodhën edhe kryetarët e partive në nivel bashkie. Në Tiranë nuk u bënë zgjedhjet. Partia Socialiste e Tiranës është më e shpartalluara në krahasim me gjendjen politike dhe organizative të partisë në të gjitha bashkitë e tjera të vendit. Saimir Tahiri është kryetar qysh në vitin 2011. Ai e ka mandatin 2 vjet. Që atëherë ai nuk është zgjedhur më. Saimiri nuk zgjidhet, ai rri kryetar vetvetiu. Është kryetar i përhershëm”.
Sipas Kokëdhimës, po të bëhen zgjedhje në Tiranë nuk menaxhohet dot përplasja dhe rivaliteti mes Erion Veliajt e Saimir Tahirit dhe ata po kacafyten se kush do të marrë kontrollin e Partisë Socialiste të Tiranës dhe kush do e shtrijë më shumë këtë kontroll edhe në segmentet e partisë në territoret e tjera të vendit.
“Saimiri dhe Erioni janë dy “princat” e Rilindjes që e kanë marrë peng Partinë Socialiste të Tiranës! Ata ëndërojnë që të bëhen pasardhës të kryetarit të madh. Dhe kryetari i madh ua ka legjitimuar këtë ëndërr dhe ua ka dorëzuar të drejtat e socialistëve të Tiranës, nevojave karrieriste të këtyre dy “princave” rivalë! Kjo është e paprecedentë në historinë politike. Kjo është kultura e klaneve, e regjimeve dhe diktatorëve që i lënë e i caktojnë vetë trashëgimtarët dhe pasardhësit e pushtetit! Këto sjellje e veprime nuk kanë lidhje me kulturën e një partie politike”-u shpreh Kokëdhima.
Ai akuzoi drejtuesit e PS-së se kanë shkatërruar çdo vlerë e institucion brenda saj dhe ka krijuar një hendek shumë të thellë mes udhëheqjes dhe bazës së partisë, mes qeverisë dhe qytetarëve dhe nëse vijon kështu ky lidership do t’i rezervojë të ardhmes së afërt të PS-së një fat më të keq se fati që ndoqi PASOK-un në Greqi.
Duke prezantuar Lëvizjen “Zgjidhja” Kokëdhima tha se ajo do ta shembë rregjimin famëkeq të partitokracisë dhe sundimin e neveritshëm të kryetarëve. “Ne jemi të vendosur që të luftojmë deri në fund. Hapi i parë i pastrimit të zgjedhjeve është votimi elektronik në qendrat e votimit, numërimi elektronik dhe departizimi i administratës zgjedhore. Në se duhet të sakrifikojmë për lirinë e vendit, do ta bëjmë me çdo çmim. Popujt që nuk luftojnë për lirinë e tyre, janë të destinuar të shuhen. Populli ynë do të marrë në duar e tij fatet e veta. Të gjithë e pamë se ç’ndodhi në këtë vend kur fatet e popullit ishin në duart e kryetarëve të partive”.
Kokëdhima siguroi se “Zgjidhja” do të mbetet një lëvizje politike brenda Partisë Socialiste. “Lidershipi u përpoq ta nxirrte jashtë PS-së, por ajo nuk mund të dalë jashtë, sepse nuk dëshiron ta përçajë e dobësojë PS-në, nuk dëshiron t’i braktisë idealet e majta dhe socialistët e bazës që kanë nevojë të fitojnë të drejtat e tyre të shkelura dhe të nëpërkëmbura. Ajo është lëvizje e ushtrisë së madhe të socialistëve të heshtur, të socialistëve të mirë e të përgjegjshëm të bazës”-deklaroi ish-deputeti socialist.
Më tej ai shpjegoi strukturën organizative të lëvizjes. Anëtarët dhe mbështetësit e “Zgjidhjes” janë njëkohësisht anëtarë të PS-së, ndërsa mbështetësit nuk është e nevojshme të jenë anëtarë të saj.
Në bazë do të ngrihen grupet lokale të “Zgjidhjes”, me anëtarë dhe mbështetës mbi bazë qëndre votimi, mbi bazë territori, lagjeje, qyteti apo fshati, mbi bazën e grupeve të interesit, mbi qendra prodhimi e edukimi dhe lirisht mbi bazë njohjesh. Në nivel bashkie do të funksionojë këshilli i anëtarëve.
Në këtë këshill përfshihen të zgjedhurit me short me mandat një vjeçar dhe të zgjedhurit në krye të grupeve të interesit e në kryesitë e tyre me mandate aq sa përcaktohet në statutin e Partisë Socialiste për të zgjedhurit vendor të partisë.
Në çdo bashki do të ketë të paktën 5 grupe interesi: rininë, gruan, pensionistët, botën e punës dhe sipërmarrjes dhe bujqësinë. Të zgjedhurit në krye të grupeve të interesit bëhet me zgjedhje paraprake, me mandat dy vjeçar. Raporti midis anëtarëve dhe mbështetësve është në përpjestim më numrin e këtyre kategorive në regjistër 10 ditë përpara zgjedhjeve.
Zgjidhja do të organizohet mbi bazën e 4 rajoneve të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë. Forumi më i lartë i lëvizjes do të jetë Konferenca Kombëtare në të cilin marrin pjesë të gjitha konferencat rajonale të “Zgjidhjes”, me 4500 anëtarë dhe mblidhet një herë në vit.
Kokëdhima deklaroi se në fund të marsit do të bëhet konferenca provizore kombëtare të “Zgjidhjes” ku do të miratohen kushtetuta, kodet e etikës, programi dhe struktura e “Lëvizjes” dhe kur të jenë rregjistruar mbi 50 mijë anëtarë dhe mbështetës do të bëhen zgjedhjet permanente të strukturave.