Në përditshmërinë tonë shpesh dëgjojmë njerëz të thonë “më dhembin kockat, kam reumatizëm.”
Nuk janë vetëm të moshuarit që e vuajnë, por edhe të rinjtë e deri te fëmijët.
Reumatologjia studion sëmundjet reumatizmale ku përfshihen artritet, fibrozitet, bursitet, ethen reumatizmale, gutën si dhe çdo situatë tjetër klinike që shoqërohet me dhimbje dhe ngurtësim të sistemit muskuloskeletik.
Dr. Ergeta Ktona, reumatologe në spitalin Continental, Tiranë, në një intervistë për dritare.net, flet mbi shkaqet, trajtimin dhe mitet e sëmundjeve reumatizmale.
Ktona bën thirrje për më tepër kujdes ndaj këtyre sëmundjeve pasi sipas saj, një në tre gra vuajnë nga osteoporoza, ndërkohë për meshkujt raporti është një në pesë.
Çfarë janë sëmundjet reumatizmale?
Dr. Ergeta Ktona- Sëmundjet reumatizmale përfshijnë të gjitha ato sëmundje të cilat prekin kryesisht sistemin muskuloskeletik, pa lënë mënjanë edhe lëkurën dhe organet e brendëshme. Që në formim njeriu është i konceptuar nga sistemi muskulor dhe ai skeletik të cilet i japin atij formën, suportin, lëvizshmërinë dhe stabilitetin, duke qenë të ndërtuar nga kocka të skeletit, muskuj, kërce, tendinë, ligament dhe ind lidhor. Sëmundje reumatizmale janë të gjitha sëmundjet që përfshijnë njërin ose disa prej elementeve të mësipërme.
Sistemi skeletik luan një rol të jashtëzakonshëm, jo vetëm për faktin se krijon formën trupore dhe mbron organet e brendëshme, por në të prodhohet edhe gjaku i organizmit tonë si dhe depozitohen mineralet. Njeriu lind me rreth 300 kocka, shumë prej tyre nga lindja e deri në rritje ngjiten duke u përmbledhur në 206 kocka. Dhe për rastësi edhe semundjet reumatizmale janë afërsisht në të njëjtin numër.
Cilat janë karakteristikat e përbashkëta të sëmundjeve reumatizmale?
Shumica e sëmundjeve reumatizmale kanë te pranishëm një element i cili shpesh prish edhe cilesine e jetës ”dhimbja”, e cila në varësi të sëmundjes dhe artikulacionit të prekur, ka trajta të ndryshme. Dhimbjet e shtyllës kurrizore jo vetëm që janë të pranishme në zonën e lënduar por në rastet e ngacmimeve nervore dhimbja përhapet edhe në distancë. Në raste të tjera si në artrozat e gjunjëve, capokëve, shpatullave, dhimbja shtohet me lëvizjet dhe zhduket në kushtet e qetësisë. Sigurisht ka edhe diferenca të tjera të manifestimit të dhimbjeve. Sëmundjet e ashtuquajtura autoimune kanë karakteristikë praninë e dhimbjes gjatë natës dhe nuk ndikohen nga lëvizja.
Por është interesant fakti që një prej patologjive reumatizmale më të shpeshta siç është osteoporoza, nuk shoqërohet me dhimbje deri në momentin kur për shkak të saj ndodhin fraktura kockore. Asnjëherë dhimbja nuk duhet të neglizhohet pasi shpesh herë ndodh që sëmundje të cilat nuk lidhen me probleme reumatizmale, ndonjëherë edhe ato malinje, reflektohen me dhimbje kockore dhe muskulore. Në sëmundje të ndryshme, dhimbja mund të mos jetë fare e pranishme dhe të kemi prekje të organeve dhe të lëkurës në mënyrë të ndjeshme. Gjithashtu ënjtja e kyçeve, skuqja, deformimet kockore dhe pamundësia për t’i lëvizur lirshëm kycet janë karakteristikat më të shpeshta të sëmundjeve reumatizmale.
Cilat janë shkaqet dhe si ndikon secili prej tyre?
Duke filluar nga mosha pediatrike ku hidhen themelet e një stature të rregullt, projektohen tendencat për disa prej sëmundjeve reumatizamle. Ulja në bankën e shkolles, pozicioni jo korrekt i shtyllës kurrizore krijon bazat e para të skoliozave të shtyllës kurrizore të cilat në të ardhmen do të favorizojnë probleme edhe më të ndjeshme. Profesione të caktuar, të cilat janë të detyruara të qëndrojnë me orë të tëra ulur në pozicione të detyruara sjell fillimin e spondyloartrozave që në mosha shumë të reja.
Duhet të kosnumohet një dietë e mirëbalancuar me minerale, kryesisht me kalcium dhe magnesium, nga të gjithë grupmoshat e në veçanti nga fëmijët, gratë shtatzëna dhe ato në periudhën e menopauzës. Përdorimi i këtyre mikroelementeve në sasi të mjaftueshme do të parandalojë, por jo domosdoshmërisht do të shmangë osteoporozën në të ardhmen. Një në tre gra vuajnë nga osteoporoza dhe një në pesë burra. Tendencat e ushqyerjes kanë favorizuar obezitetin, i cili mbetet ndër shkaqet kryesore të problemeve të disa prej artikulacioneve, sidomos të gjunjëve dhe çapokëve.
Një grua me barrë duhet të ketë një trajtim mjekësor shumë të kujdesshëm, jo vetem gjate periudhës së shtatzënisë por edhe gjatë laktacionit, me multiminerale të cilët jo vetëm do të mirëmbajnë sistemin kockor të nënës, por do jenë edhe një ushqyes shumë i mire i sistemit kockor të fëmijës. Përveç kësaj periudhe të jetës edhe në momentin e fillimit të menopauzës ku ulen nivelet hormonale femërore kemi varfërim të kockës nga kalciumi, si dhe ulja e vlerave të testosteronit tek meshkujt sjell të njëjtat efekte osteoporotike.
Një kontigjent tjetër sëmundjesh janë ato autoimune të cilat për fat të mirë me evoluimin e teknologjisë farmaceutike janë të mirëtrajtuara. Përmenden artriti rheumatoid, spondiliti ankilozant, lupusi eritematoz i diseminuar, sklerodermia sistemike etj, kanë si shkaktarë kryesor komponentin autoimun, i cili favorizohet nga baza gjenetike dhe nga elementët mjedisor.
Çfarë ndodh nëse sëmundja nuk kapet në kohë dhe nuk trajtohet?
Diagnostikimi sa më i hershëm i sëmundjeve reumatizmale dhe kryesisht grupit të sëmundjeve autoimune jo vetëm që përmirëson ndjeshëm cilësinë e jetës së pacientit por ul edhe kostot ekonomike. Diagnostikimi i hershëm i një pacienti me artrit rheumatoid do mundësojë fillimin e terapive të cilat do të frenojnë sëmundjen dhe nuk do të lejojnë ngjitjen (ankilozat) dhe deformimet kockore, shpesh edhe invaliditetin e pacientit. Fillimi i terapisë për osteoporozën që në momentet e para ku ajo nuk është ende e instaluar, do të parandalonte frakturat dhe shpesh edhe invaliditetin e të sëmurëve. Diagnostikimi sa me i shpejtë i një pacienti me lupus eritematoz apo me skledodermine Sistemike, do t’i shpëtonte prekjen e organeve të brendshme pacientëve deri në shpëtimin e jetës. Sëmundjet reumatizmale kanë karakteristiken e të qënit kronike, ndaj sa me shpejt të diagnostikohen aq më e lehtë do të jetë trajtimi i tyre dhe mbajtja nën kontroll.
Kanë kurim sëmundjet reumatizmale apo një person duhet të trajtohet gjatë gjithë jetës?
Gjerësisht qarkullon mendimi që sëmundjet reumatizmale nuk shërohen. Dhe në fakt çdo njeri do të provojë qoftë edhe një herë të vetme në jetë një dhimbje disaditore të qafës, të belit apo të gjunjëve, ndaj asnjë prej nesh nuk i shpëton dot të qënit pacient i reumatologjisë. Me kalimin e viteve proceset e ndryshimeve qelizore kockore, nuk rezulton të jetë perfekt si në periudhën e kockëformimit. Gjithashtu, gjatë gjithë jetës tonë ne i nënshtrohemi ndryshimeve qelizore jo vetëm në pamjen e jashtme por edhe në indin skeletor dhe muskulor. Dhe një pjesë e mirë e ndryshimeve kockore të cilat me kalimin e viteve përkthehen në semundje reumatizmale janë të pandryshueshme si structure, por dëmet që ato shkaktojnë në indet përreth sigurisht që janë të trajtueshme dhe pse jo edhe të shërueshme. Një pjesë e sëmundjeve reumatizmale dhe kryesisht ato autoimune janë të destinuara të bëhen kronike dhe shërimi i tyre nënkupton mbajtjen e plotë nën kontroll për një kohë sa më të gjatë.
Cilat janë rastet më të shpeshta për shoqërinë shqiptare dhe a është Shqipëria në vijën e kuqe?
Për fatin tonë jo të mirë ne renditemi në vendet të cilat kanë një incidencë të lartë të sëmundjeve reumatizmale. Edhe pse nuk kemi një tablo të plotë epidemiologjike të sëmundjeve reumatizmale në vendin tonë krahasuar me vendet e rajonit edhe më gjerë. Ushqyerja jonë përgjithësisht i përket asaj mesdhetare me një dietë deri diku të pabalancuar, e mbingarkuar në proteina, yndyrna dhe sheqerna. Në të njëjtën kohë kultura shëndetësore lë shumë për të dëshiruar. Përveç dietës së rekomanduar me kujdes, kërkohet përdorimi i suplementeve si vitamina D, vaji i peshkut, kalciumi, sipas nevojave individuale të njeriut.
Sëmundjet reumatizmale prekin vetëm moshën e tretë apo edhe të rinjtë rrezikojnë të preken? Për sa i përket gjinisë, kush ka më shumë predispozitë të preket?
Mosha e tretë është e predispozuar për të vuajtur nga osteoartrozat të cilat janë sëmundje reumatizmale degjenerative, mekanike dhe vijnë si rrjedhojë e shkatërrimit kockor dhe kërcor që çon edhe në pakësimin e lëngut intraartikular. Osteoporoza e shoqëruar edhe me fraktura invalidizuese ndeshet ndjeshëm në këtë grup moshe.
Ndërsa përsa i përket grupit të sëmundjeve autoimune të përmendura më sipër me rritjen e moshës ulet agresiviteti i tyre. Përsa i përket gjinisë fatkeqësisht më duhet të theksoj që gjinia femërore është më e prirur për të pasur sëmundje reumatizmale me disa përjashtime, përshembull tek meshkujt ndeshet shumë më shpesh Gouta (Podagra), e cila vjen si rezultat i depozitimit të acidit urik në artikulacione dhe në veshka e në lëkurë. Meshkujt janë më të predispozuar pasi konsumojnë sasi më të mëdha të alkolit, mishit të kuq dhe përgjithësisht të ushqimeve që përmbajnë proteina. Në kategorinë e sëmundjeve autoimune gjinia femërore preket më shpesh. Prekja e gjinisë mashkullore është më e pakët por me agresive kur ndodh.
Si t’i njohim dhe shmangim faktorët e riskut? Sa ndikon mënyra e të ushqyerit ?
Të gjitha situatat e përditëshme të cilat provokojnë dhimbje, e cila nëse zgjat prish cilësinë e jetës ose prania e simptomave të menjëhershme të cilat manifestohen me dhimbje muskulare dhe kockore duhet të na drejtojë drejt mjekut. Të pasurit të një jete aktive fizike, shmangia në maksimum të jetës sedentare të cilën edhe kur jemi të detyruar ta kemi të tillë duhet ta kombinojme me aktivitet fizik. Shmangia maksimale e mbipeshës, dieta e mirëbalancuar me një kontroll korrekt dhe të ekuilibruar të tre elementëve kryesor të një diete siç janë proteinat, yndyrnat e sheqernat, si dhe konsumimi i produkteve ushqimore që përmbajnë minerale si kalcium, fosfor, magnesium. Këto janë elemente të domosdoshëm për një kockë të mirëushqyer.
Janë të trashëgueshme sëmundjet reumatizmale?
Përgjithësisht sëmundjet reumatizmale kanë bazë gjenetike, pasi njeriu që në momentin e konceptimit trashëgon genet e të dy prindërve të cilët do të mbartin në vetvete edhe ndërtimin e sistemit muskuloskeletik. Sigurisht baza gjenetike e ndihmuar edhe nga faktorët mjedisor, cilësia e jetesës, faktorët infektive, kushtet e punës ndikojnë në evidentimin e sëmundjeve. Padyshim që një person që ka një komponent gjenetik është më i predispozuar, por sigurisht genet kane mozaicizmin dhe larminë e tyre dhe jo domosdoshmërisht çdo person që ka në familje një pacient do të jetë nesër me të njëjtën patologji.
Personat që vuajnë prej këtyre sëmundjeve duhet të kryejnë ushtrime fizike? Cilat janë disa mite mbi sëmundjet reumatizmale?
Aktiviteti fizik është shëndet. Sporti ushqen me energji pozitive objektive dhe subjektive çdo qelizë të organizmit tonë. Ai është krejtësisht i sygjeruar, madje në disa sëmundje ai është terapia e parë që i rekomandohet pacientit.
Ne fakt duhet të bien disa mite në lidhje me sëmundjet reumatizmale. Përgjithësisht njerëzit mendojnë që sëmundjet reumatizmale janë spondyloartrozat e shtyllës kurrizore ose dhimbjet e gjunjëve. Por shtrirja dhe gama e përfshirjes së organeve nga sëmundjet reumatizmale është shumë e madhe. Teoria që këto lloj sëmundjesh prekin vetëm moshën e tretë në fakt nuk qëndron, pasi që tek të porsalindurit, tek mosha pediatrike dhe tek të rinjtë gjejmë padiskutim një numër të ndjeshëm të sëmundjeve. Trajtimi i sëmundjeve reumatizmale nga çdo mjek është përsëri një gabim i shpeshtë. Çdo specialitet ka specifikat dhe veçoritë e tij ndaj për t’i dhënë pacientit atë çfare i takon, sëmundjet reumatizmale duhen trajtuar nga specialisti reumatolog.