Shërbimi Informativ Shtetëror, SHIHSH ka referuar një material voluminoz në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, duke i kërkuar kësaj të fundit që të hetojë serinë e vrasjeve mafize të shkaktuara mes dy grupeve kriminale, atij të Elton Çiças dhe Jani Aliaj.
Informacioni i SHISH jep një tablo të qartë, rreth ekzekutimeve seriale të realizuara mes dy grupeve kriminale, ku për çdo ngjarje e ka shoqëruar me një relacion informativ, lidhur me personat që dyshohet për këto ngjarje kriminale. Sipas SHISH, gjithçka nga ana e tyre është e dokumentuar, por duhen veprime të ligjshme shtesë, për të konkretizuar prova shtesë me qëllim arrestimin e personave të dyshuar për vrasje dhe që janë pjesë e këtij grupi kriminal.
I gjithë materiali i SHISH, është referuar në prokurori për akuzën e “Vrasje me paramendim”,“Grupi i strukturuar kriminal”,”Grabitje me armë”,”Vrasje me paramenim” me tritol e mbetur në tentativë,”Kultivim i lëndëve narkotike” dhe “Trafik të narkotikëve”, në kuadër të grupit kriminal.
Ky material, tashmë është në hetim nga prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila ka urdhëruar që ti vihen në dizpozicion dosjet hetimore të prokurorisë së Vlorës, Gjirokastrës, Durrësit dhe Tiranës, qytete këto ku anëtarët e dy grupeve kanë kryer vrasje dhe veprimtari të tjera kriminale.
Lidhjet me policinë
“Shqiptarja.com” zbulon detaje të raportit të SHISH të mbëritur në prokurori lidhur me veprimtarinë e dy grupeve kriminale,të Elton Çiçës dhe Jani Aliaj, i pari i vrarë në festën e 1 majit 2016 në ish-bllok, ndërsa i dyti është shpallur në kërkim policor.
Dy inspektorë të SHISH në raportin e tyre dërguar në prokurori, evidentojnë se anëtarët e këtij grupi kanë lidhje të ngushta me efektivë policie, kryesisht në zonat ku veprojnë si në Tiranë,Tepelenë, Gjirokastër, Vlorë, Fier, Durrës, Laç, dhe Fushë-Krujë. Në raport evidentohet se Çiça dhe njerëzit e tij mbajnë kontake dhe me ish-efektivë policie.
Çiça ka komunikuar me ish-shefin e komisariatit Haki Hasanbegaj dhe më pas me shefin tjetër të Komisariatit të Tepelenës Gani Abazi. Gjithashtu raporti evidnton se Çiço ka lidhje të ngushta familjare me kryebashkiakun e Tepelenës, Tërmet Peçi.
Anëtarët e këtij grupi mbajnë kontakte të vazhdueshme me disa efektivë të policisë së këtij qyteti. Me Hasanbegaj, Çiço nuk i ka “këputur” marëdhëniet edhe pse ai ishte transferuar në Vlorë.
Njëherësh në raport evidentohet se Çiça ka mbajtur kontakte dhe me efektivë policie në Tiranë, kryesisht me ata të sektorit të antidrogës dhe më konkretisht me policin Alban Trimi. Po kështu efektivë të tjerë që dyshohet se janë të imlikuar me këtë grup kriminal dhe që mendohet se i favorizojnë në aktivitetin e tyre kriminal,janë në drejtorinë e Fierit, Vlorës, Durrësit,Tiranës dhe në komisariatet e Laçit dhe Fushë-Krujës.
Nga plagosja në burg në serial vrasjet
Disa hatërmbetje mes dy tepelenasve Jani Alia dhe Elton Çiço në një burg të Greqisë, janë bërë shkak i konfliktimit të tyre brenda në burg,që më pas ka sjellë plagosjen me thikë të Jani Alia nga Elton Çiça, ky i fundit i vrarë në 1 maj 2016.
Ky konflikt i lindur në Greqi, është transferuar në Shqipëri teksa dy protagonistët e sherit kanë dalë nga qelia, pasi Jani Alia është arratisur nga burgu Grek ku ishte i dënuar për vrasje, ndërsa Elton Çiça,ishte liruar pas përfundimit të dënimit për tregti droge.
Rikthimi i tyre në Shqipëri nuk mbylli hasmërinë, por përkundrazi Çiça në kohë dhe vende të ndryshme ka tentuar të vrasë tre herë Jani Alia. Përplasjet ishin bërë të shpeshta në 4 muajt e parë të vitit 2016.
Seriali i krimeve që nisi me grabitje
Në mars 2015 dy të moshuar do të grabiteshin me dhunë dhe do të lidheshin dhe torturoheshin në mënyrë ç’njerëzore në banesën e tyre.
Pak muaj më pas në korrik 2015 policia do të zbulonte 3 autorët e dyshuar,por tashmë djemtë e dy të moshuarve i kishin vetidentifikuar dhë në këtë periudhë nisi kalvari i hakmarrjeve. Dhëndri i një ndërtuesi pallatesh të njohur në Tiranë, Ervis Imeri e Robert Rama ishin persona të parë që u vendosën në shënjestër të hakmarrjes për krimin e kryer në familjen Çiça në Tepelenë. Robert Rama nga Laçi, do të ekzekutohej në qershor 2015 teksa ndodhej në kërkim nga policia, ndërsa për këtë krim djemtë e familjes Çiça u shoqëruan disa herë në polici por kurrë s’u provua përfshirja e tyre në këtë krim.
Ervis Imeri, pak para vrasjes së Ramës do të gjente në automjetin e tij tip “FIAT” një sasi eksploziv, por ky krim u parandalua nga policia dhe eksplozivi u hoq. Por hakmarrja s’do të ndalej.
Vrasja e Robert Rama
Robert Rama ishte në kërkim nga policia, kur u vra. Ai u ekzekutua 2 muaj pas grabitjes së prindejeve të Çiças.
Në 11 qershor, në zonën e ish-kënetës në Durrës, dy persona me motor, e qëlluan për vdekje dhe u zhdukën pa lënë gjurmë. Policia e pati të vështirë të fokusohet në vetëm një pistë hetimi, për shkak të kaluarës problematike të Ramës.
Në atë kohë u fol se Robert Rama mund të ishte vrarë nga ekzekutorë të paguar. 31-vjeçari nga Kurbini, ishte përfshirë në konflikte të shumta në qytete të ndryshme të vendit, si dhe ka kryer disa grabitje me armë e dhunë. Ai ndërronte vazhdimisht shtëpinë, për shkak se ishte person i shpallur në kërkim dhe gjithashtu kërkohej nga personat me të cilët ishte në hasmëri.
Imerit, i këpusin këmbën
Në pamundësi për të vrarë Ervis Imerin, u godit vëllai i tij, Eltoni. Oficeri i policisë ushtarake në 9 dhjetor 2015 ishte duke shkuar në punë si çdo mëngjes, kur makina e tij shpërtheu nga tritoli në zonën e Kombinatit.
Pamjet e tmerrshme pas atentatit u transmetuan në çdo media mëngjesin e 9 dhjetorit të vitit 2015. Elton Imeri tregoi se kishte dalë me vetëm një këmbë nga makina. “Isha vetëm në makinë, kur ndodhi shpërthimi, kam mundur të dal prej andej dhe kam ecur për disa metra me një këmbë. Pastaj më ndihmoi një shofer furgoni që nuk e njihja fare”-u shpreh ai për mediat.
Unë dyshoj se shkak i ngjarjes mund të jetë një grabitje e bërë në Tepelenë mesnatën e 31 marsit të këtij viti.
Një nga autorët ka qenë shoku i vëllait tim Ervisit. Vëllain tim e kanë kërcënuar dhe më pas ai u arrestua për “moskallëzim krimi”. Kjo që më ndodhi mua s’është hera e parë, në korrik vëllait tim iu vu 600 gr tritol në makinë,dhe që nuk shpërtheu sepse e pa në kohë”-ka deklaruar Imeri në media.
Plagosja e Jani Aliajt
I bindur se personi i tretë që kishte torturuar dhe grabitur prindërit e tij në Tepelenë, ishte dhe Jani Aliaj, Elton Çiça dhe njerëzit e tij kanë organizuar disa herë të eleminojnë fizikisht Aliajn.
Më datën 10 janar 2016 në një lokal në rrugën e “Kavajës”, është tentuar të vritet me armë zjarri pistoletë, Jani Alia. Autori qëlloi 6 herë nga makina në lëvizje. Për pasojë mbeti i plagosur lehtë nga ciflat e xhamit një 27-vjeçar dhe sipas policisë autor i dyshuar mendohet të ketë qenë Elton Çiça.
Më 25 prill në Gjirokastër në afërsi të vendit të quajtur “Ura e Lumit”, pas një atentati me armë zjarri Jani Alia mbeti i plagosur në dorë.
Edhe për këtë ngjarje policia pati si të dyshuar Elton Çiçan, por nuk arriti t’ia provonte përfshirjen në ngjarje. Alia i ka shpëtuar dhe një atentati tjetër,të organizuar nga Elton Çiça. Çiça është marrë edhe në pyetje për këto ngjarje, por është lënë i lire, për shkak të mungesës së provave.
Vrasja e Elton Çiçës
Gjashtë ditë më vonë nga antetati i tretë që i kishin organizuar, 39-vjeçari Alia ka ekzekutuar me pistoletë me mulli, Elton Çiçan, duke pasur informacion të hollësishëm për vendqëndrimin e tij.
Çiça njihej nga policia dhe SHISH si person problematik, dhe financues i kultivimit të parcelave të hashashit në Tepelenë. Çiça, kishte zgjedhur ditën e 1 majit, të pushonte në lokal “De Niro” në ish-bllok në shoqërinë e një oficeri antidroge Alban Trimi, mjekut Redjan Rahja dhe një gazetari.
Me vete,Çiça kishte dhe një pistoletë të cilën nuk mundi ta verë në asnjë moment në punë, për tu vetëmbrojtur. Kjo pasi autori i krimit ka hyrë “blic” në lokal. Në kokë kishte vendosur një paruke, dhe mbi të një kapele. Ai është afruar shumë afër Çiças dhe e ka qëlluar këtë të fundit me dy plumba nga shumë pranë,duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Arrestimi i oficerit Trimi
Menjëherë Jani Aliaj është larguar ndërsa oficeri i policisë Alban Trimi dhe mjeku Redjan Rahja që ndodheshin në Tavolinë, janë përpjekur të mbajnë në jetë Elton Çiçan, por ishte shumë vonë. Ndërkohë më pas Trimi dhe Rahja, kanë fshehur pistoletën pa lejë që Çiça mbante me vete dhe disa sende personale. Pas këtyre veprimeve ata janë arrestuar nga policia për fshehjen e provave. Ndërkohë që kjo faktoi edhe një herë tjetër lidhjen e ngushtë të efektivëve të policisë me këtë eksponent kriminal.
Jani Aliaj dhe Renato Milloshi
Ndërkohë disa muaj pas këtij krimi të rëndë, policia e Tiranës njoftoi se kishte indetifikuar autorët e vrasjes dhe kishte shpallur në kërkim ata. Policia tha se vrasësi ishte Jani Alia, ndërsa njeriu që e kishte ndihmuar quhej Renato Milloshi, djali i Hysni Mylloshit, ish-kryetarit të Partisë Komuniste Shqiptare. Milloshi ka qënë personi që me makinën “Ford Fokus” e ka ndihmuar Jani Alia të largoheshin me shpejtësi nga lokal “De Niro” ku dhe ndodhi krimi.
Sipas burimeve të policisë së Tiranës, Jani Alia ishte maskuar duke vendosur në kokë një paruke dhe më tej ka vendosur një kapele. Burimet shtojnë se Alia e kishte menduar vrasjen në detaje konkrete, pasi kishte veshur rroba të vjetra, dhe nën to rroba të tjera.
“Rrobat me të çilat ai është shfaqur në vrasje, i ka hequr në ikje e sipër dhe janë hedhur në një vend ende të papërcaktuar”-thonë burimet policore. Por kjo e ka ndihmuar për të mos u dalluar nga policia.
Për largimin e tij ka menduar Renato Milloshi, i cili ka pritur jo shumë larg vendit të ngjarjes.Të dy personat janë larguar me shpejtësi duke mos u arrestuar nga askush, ndërkohë 24 ditë pas vrasjes së Elton Çiço Milloshi dhe Alia janë shpallur në kërkim nga policia si personat kryesorë që kanë bërë vrasjen në 1 maj 2016 në lokalin “De Niro”.