NGA MARK MARKU
Deklaratat e bëra kohët e fundit nga eksponentët më të lartë politikë të dy partive më të mëdha të koalicionit qeverisës PS¬LSI janë ashpërsuar së tepërmi dhe u ngjajnë më shumë deklaratave të dy formacioneve politike që janë në opozitë njëra me tjetrën, sesa dy formacioneve politike që kanë të njëjtin vizion dhe platformë qeverisjeje për vendin dhe një perspektivë afatgjatë bashkëpunimi politik.
Ministrat e LSI¬së e kanë akuzuar rëndë Kryeministrin Rama për implementimin e një sistemi qeverisjeje të mbështetur mbi narkotrafikun dhe po e akuzojnë vazhdimisht Policinë e Shtetit si të lidhur me këtë sistem. Deklaratat e fundit kanë hedhur gjithashtu akuza të rënda mbi Policinë e Shtetit se ajo po përpiqet të manipulojë zgjedhjet e ardhshme elektorale.
Akuza të tilla kanë marrë reagime të ashpra dhe fyese qoftë nga ministrat e Ramës, qoftë nga vetë Rama, i cili, përmes shprehjes popullore “qentë le të lehin, karvani le të shkojë përpara” i trajtoi ministrat e kabinetit të tij të ardhur nga LSI¬ja në mënyrë arrogante dhe fyese.
Një komunikim i tillë i kapërcen dukshëm kufijtë e një negocimi paraelektoral përmes demonstrimit të forcës dhe, në mos ndodhtë një tërheqje e njëanshme apo një kompromis i momentit të fundit, ka shumë gjasa që martesës PS¬LSI t’i ketë ardhur fundi dhe të dyja palët të konkurrojnë të vetme në zgjedhjet e ardhshme. Kjo krijon një dinamikë të re politike në vend dhe skenarët e qeverisjes së ardhshme bëhen gjithnjë e më të paparashikueshëm, por cilido qoftë skenari, ai bën të mundur një situatë elektorale më konkurrenciale. Një acarim i tillë i menjëhershëm nuk parashikohej, edhe pse historia e marrëdhënies mes tyre në këtë mandat qeverisës të çon logjikisht te një fund i tillë.
Ky acarim shpreh gjithë tensionin e akumuluar në këto katër vjet mes aleatëve¬armiq, Rama dhe Meta. Rama nuk e ka duruar asnjëherë faktin që qeverisja kushtëzohej pareshtur nga një aleat që ia ka vendosur qartë kufijtë dhe që e ka detyruar të tërhiqet sa herë ai ka tentuar t’i shkelë këto kufij. Ka menduar me arrogancën që e karakterizon se do ta rrudhë LSI¬në dhe do ta dobësojë pushtetin e Metës përmes koalicionit me të. Në të vërtetë ka dështuar në përpjekjen për dobësimin e aleatit të tij, madje pikërisht në këtë mandat Meta është konsoliduar në dy aspekte. E para: për shkak të korrupsionit të shfrenuar të ministrave të Ramës dhe segmenteve të pushtetit të kontrolluar nga ai, imazhi i Metës si politikan i korruptuar dhe i LSI¬së si formacion korruptues i pushtetit është relativizuar. Tashmë nuk është vetëm Meta dhe LSI¬ja delja e zezë e korrupsionit, por po aq edhe Rama me ministrat e tij. Këtu merita është tërësisht e Ramës.
Së dyti, Meta ka shërbyer si amortizator ndaj arrogancës së theksuar të Ramës, duke iu kundërvënë në jo pak raste kësaj arrogance, gjë që ia ka rritur jo pak vlerën në sytë e publikut të shqetësuar nga sjelljet e pakontrolluara të Ramës si kryeministër. Është pikërisht ky tension i akumuluar që e shpjegon shpërthimin e fundit të armiqësisë mes dy palëve. Por Edi Rama dhe Ilir Meta, nuk e kanë dashur asnjëherë njëri¬tjetrin. Dhe këtë nuk e kanë fshehur as në kohët më të mira të bashkëpunimit politik mes tyre. Si për rastësi, trajektorja e rrugës politike të secilit prej tyre ka qenë e përkundërt:
Ilir Meta si eksponent politik i rëndësishëm PS¬së, që në fillimet e rikrijimit të saj si formacion politik i së majtës shqiptare pati një bashkëjetesë të vështirë me liderin socialist Fatos Nano, u konfliktua me të dhe për të mbijetuar në politikë u detyrua ta fraksiononte të majtën shqiptare përmes krijimit të LSI¬së, operacion që atëherë kishte shumë pak gjasa që t’i siguronte mbijetesën politike. Përkundër gjithë parashikimeve pesimiste për të, Meta ia arriti të kundërtës: e konsolidoi formacionin e vet politik deri në atë pikë sa u bë përcaktues jo vetëm për të majtën, por për gjithë spektrin politik shqiptar, pasi nga koalicionet me të prej më se një dekade varet edhe maxhoranca qeverisëse shqiptare. Edi Rama, pikërisht për shkak të këtij konflikti u pa nga Nano si kundërbalancues, u mor nga jashtë dhe u fut në PS.
Më pas, po për shkak të ndarjes së LSI¬së, Nano e humbi pushtetin dhe Ramës iu dha drejtimi i PS¬së. Gjatë kohës që Rama dhe Meta ishin në opozitë, Rama u përpoq ta asgjësonte kundërshtarin e tij përmes bashkëpunimit me Berishën dhe mosbashkëpunimit me të, operacion që nuk doli me sukses. Në prag të zgjedhjeve elektorale të katër viteve më parë, Rama dhe Meta u pajtuan, shkuan në zgjedhje së bashku, fituan zgjedhjet dhe dukej se më në fund dy armiqtë e vjetër do ta konvertonin armiqësinë në dashuri. Në të vërtetë, Rama nuk hoqi dorë nga projekti i asgjësimit të kundërshtarët të tij, kësaj radhe nga llogoret e të njëjtit pushtet. Dhe katër vjetët e qeverisjes së tyre kanë treguar se martesa qe e palumtur dhe që me sa duket i ka ardhur fundi.
Valët e këtij refuzimi të ndërsjellë janë fashitur herë¬herë nga pragmatizmi politik i momentit, por në thelb marrëdhënia ka mbetur po ajo: urrejtje nga të dyja palët. Burimi i kësaj urrejtjeje, madje shtrihet përtej marrëdhënies personale mes Ramës dhe Metës, ai është i strukturuar në bazën e gjerë të dy partive: PSsë dhe LSI¬së. Nuk është e vështirë të vesh re se socialistët si strukturë elektorale ideologjike nuk ua kanë falur kurrë “tradhtarëve” të LSI¬së shkëputjen e dikurshme nga kampi socialist dhe daljen më vete si formacion politik. Edhe kur, siç u tha më sipër, për shkak të pragmatizmit politik liderët e tyre janë bashkuar në koalicione politike qeverisjeje, baza e njërit apo tjetrit formacion ka mbetur po aq armiqësore ndaj njëratjetrës, madje në disa raste socialistët janë dukshëm më armiqësorë ndaj mbështetësve të LSI¬së sesa ndaj mbështetësve të PDsë, sikundër mbështetësit e LSI¬së janë dukshëm më armiqësorë ndaj mbështetësve të PSsë sesa ndaj atyre të PD¬së.
Tek e fundit, ky repulsion i dyanshëm është krejtësisht i shpjegueshëm më faktin se të dyja forcat politike konkurrojnë njëra me tjetrën për elektoratin e majtë, që do të thotë se në momentin që iluzioni i zhdukjes së njërës apo tjetrës palë merr fund, loja përfundon me armiqësi. Duket se ky është momenti kur të dyja palët i kanë dhënë fund iluzionit të shkrirjes me njëri¬tjetrin, apo të zhdukjes së njëri¬tjetrit, duke ndjekur secila rrugën dhe fatin e vet politik.