Pas vizitës në Uashington dhe Bruksel ku pati takime me zyrtarë të lartë amerikanë e europianë, kryetari i PD Lulzim Basha ka thënë se SHBA dhe BE nuk do të mbështesin më politikisht Shqipërinë me Kryeministrin Edi Rama.
“Për Shqipërinë nuk ka interes dhe nuk ka mbështetje politike. Marrëdhëniet tona me Amerikën janë të pamundura me këtë qeveri dhe këtë kryeministër aventurier e të papërgjegjshëm. Procesi i integrimit europian ka ndalur dhe perspektiva e integrimit është e paqartë”, u shpreh Basha.
Kreu i opozitës e bëri këtë deklaratë nga Elbasani ku ishte i pranishëm në degën e PD në këtë qytet me rastin e 26-vjetorit të krijimit.
Basha bëri thirrje gjithashtu që secili simpatizant e anëtar të propozojë kandidatin e tij për deputet, proces i cili, siç tha Basha do të kalojë në një veting të brendshëm.
“Tani ka vetëm një rrugë, vetëm një zgjidhje. Zgjedhje të lira dhe të ndershme e ndryshim themelor të kursit të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Partia Demokratike në mënyrë vullnetare do të kryejë kontrollin e përfaqësuesve të saj në politikë. Me këtë proces ne do të garantojmë se deputetët demokratë nuk do të jenë të lidhur me krimin, nuk do të jenë të korruptuar, pa integritet”, deklaroi Lulzim Basha.
Fjala e plotë e Lulzim Bashës:
Nga Uashingtoni në Bruksel, nga Berlini në Elbasan, jam kaq i lumtur që stacioni i parë në Shqipëri është mes jush, dhe mirë se ju gjej!
Miqtë e mi, jeta ime politike, siç e dini fare mirë të gjithë ju, është e lidhur pazgjidhshmërisht me Elbasanin. Ka një vend të veçantë Elbasani në jetën time, përjetimet e mia personale dhe politike e më shumë.
Këtu kam bërë miq, kam gjetur miq të mrekullueshëm që më kanë mbështetur dhe më kanë ndihmuar, dhe unë ju jam mirënjohës. Shumicën prej tyre i shoh në këtë sallë. Ata që nuk i shoh në këtë sallë i përshëndes përmes mediave. Dhe u them edhe një herë që jam me fat që kam njohur virtytet, mikëpritjen, miqësinë; vlerat e jashtëzakonshme të qytetit të Elbasanit, të kësaj treve të mrekullueshme.
Edhe si kryetar i Partisë Demokratike ndjej një mirënjohje të thellë ndaj Elbasanit. Elbasani ka qenë përherë shtyllë e PD, në ditë të këqija dhe në ditë te mira. Ndaj dua t’u shpreh mirënjohjen time të gjithë demokratëve të Elbasanit, mbështetësve të PD dhe të gjithë elbasanllinjve që e kanë besuar dhe votuar PD-në vite.
Sot në këtë sallë ndodhen drejtuesit ndër vite të degës, të grupseksioneve, të seksioneve, pushtetit vendor, deputetë e drejtues të Partisë Demokratike.
Më lejoni të përmed emra që shoqërohen në zemrën time, në mendjen time dhe në detyrën time si kryetar i Partisë Demokratike përherë më mirënjohje dhe që nuk mund ti ndaj nga njëri –tjetri, e prapë se prapë veçoj kryetarët e kësaj dege historikisht: Fatmir Manushin, Uran Kostrecin, të ndjerin Agim Hoxha, Ilir Balliu, Pavli Jorgaqi, Luçiano Boçin, dhe drejtuesin aktual Aurel Bylykbashin.
Vëllezër e motra,
Zonja dhe zotërinj,
Sikurse e thashë në fillim, isha në një tur të ngjeshur politik në Amerikë dhe në Europë. U takova me drejtues të lartë në Kongresin Amerikan, me perfaqesues të lartë të adminstratës së Presidentit Donald J.Trump, u takova po kështu me drejtues dhe përfaqesues të lartë të Qeverive Europiane, të Bundestagut Gjerman dhe Qeverisë Gjermane.
Lajmi i parë që sjell me vete është i keq:
Shqipëria është sot më e izoluar se kurrë më parë në këto 2 vite, politikisht dhe ekonomikisht. Nuk jemi të izoluar më nga mbyllja e kufijve si dikur, por jemi të izoluar nga mungesa e interesit dhe e bashkëpunimit me ne.
Sot nuk ka asnjë interes për investime të huaja në Shqipëri. Nuk ka asnjë interes për bashkëpunim ekonomik me Shqipërinë. Mbasi të mbarojnë së ndërtuari edhe të vetmet investimet të mëdha që siguroi qeveria jonë, si TAP dhe Devolli, nuk ka më asgjë tjetër.
Për Shqipërinë nuk ka interes dhe mbështetje politike. Marredhëniet tona me Amerikën janë të pamundura me këtë qeveri dhe Kryeministër aventurier e të papërgjegjshëm. Procesi i integrimit në BE ka ndalur, dhe perspektiva e integrimit është e paqartë. Marrëdhëniet me fqinjët janë më të dobëta dhe më shterpe se kurrë më parë që nga koha e komunizmit.
Mjafton të shikoni se si i ka dëmtuar interesat e Kosovës ky kryeministër me dalldisjen e tij romantike me Vuçiç.
Për pak i futi në qorrsokak edhe partitë politike që përfaqësojnë vëllezërit dhe motrat tona në Maqedoni. Por nuk ia doli dhe dua të përfitoj nga rasti këtu, nga kjo sallë, nga Elbasani, nyja kryesore e Korridorit 8-të, t’i uroj shqiptarët e Maqedonisë, partitë politike në Maqedoni për lajmet mbi arritjen e marrëveshjes dhe formimin e qeverisë në Maqedoni. Me arritje të rëndësishme me gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare në të gjithë vendin. Me perfaqesim dinjitoz ne qeverinë e ardhshme Maqedonase si garanci për avancimin e të drejtave legjitime të shqiptarëve.
Bota tashmë e njeh mirë gjendjen e Shqipërisë. Fasadat dhe propaganda shterpë qeveritare nuk e fshehin dot më nga sytë e botës, realitetin e dhimbshëm shqiptar. Bota e di gjendjen tonë dhe është e shqetësuar. Drejtuesit politikë, institucionet dhe mediat amerikane dhe europiane e njohin gjendjen e krimit të organizuar, të drogës, të kriminalizimit të politikës, të korrupsionit total në Shqipëri.
Dhe ata e kanë bërë të qartë: Kështu nuk mund të vazhdohet më! Deri më sot partnerët e huaj na ka ndihmuar shumë, shpesh kanë anashkaluar problemet disa nga problemet tona duke shpresuar se ato janë kalimtare. Por tashmë kemi arritur në një pikë kur partnerët nuk kanë më besim.
Jemi në një pikë kur ata nuk gënjehen më dhe nuk manipulohen më nga propaganda dhe nga gënjeshtrat e atyre që nuk iu skuqet faqja kur mashtrojnë për interesa të tyre.
Këtë ma shprehën qartë si politikanët amerikanë edhe ata europianë.
Tani ka vetëm një rrugë, vetëm një zgjidhje: zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe ndryshim themelor të kursit të Shqipërisë dhe shqiptarëve, një Shqipëri tjetër, demokratike, të shtetit ligjor, një Shqipëri të shqiptarëve, një Shqipëri të qytetarëve, një Shqipëri të njerëzve të lirë.
Sikurse ma bënë të qartë në Uashington, në Bruksel dhe në Berlin: krimi në politikë, korrupsioni total qeveritar, dhe vjedhja e zgjedhjeve janë të patolerueshme, dhe nuk do të tolerohen as nga Amerika dhe as nga Europa.
Qeverisja “Rama” ka qënë eksperimenti më i keq politik që kanë provuar shqiptarët në kurriz që nga rënia e komunizmit.
Edi Rama po shkatërron thelbin e ekonomisë, të shoqërisë dhe të rendit politik të vendit. Modeli i tij është modeli i kapjes së gjithë pushtetit politik, ekonomik dhe mediatik të vendit nga një grup njerëzish, të cilët duan ta mbajnë vendin nën zgjedhën e tyre me çdo kusht.
Elbasani është një nga rastet më të dukshëm të dështimit të kësaj qeverie. Shikoni autostradën Tiranë -Elbasan. Ne e filluam, ndërtuam tunelin dhe pjesën më të vështirë. Edi Rama duhet vetëm të mbaronte pjesën më të lehtë. Por nuk investoi në të. Investoi në fasada.
Kjo autostradë ndryshon ekonominë dhe çdo gjë në Elbasan, sepse ajo e lidh Elbasanin me ekonominë e Tiranës. Për një qytet të goditur keq nga mungesa e mundësive ekonomike, nga papunësia, autostrada është jetike. Por nuk është ky prioriteti i Ramës. Prioriteti i tij është t’u shërbejë miqve me milionat e qytetarëve.
Në Elbasan është ndërtuar një landfill dhe tani duan të bëjnë edhe inceneratorin. Ky landfill financohet me miliona euro nga buxheti dhe lekët e qytetarët. Ky landifill është ngritur nga klientët e Edi Ramës për të zhvatur paratë publike, jo për të zgjidhur problemin e mbetjeve dhe të ndotjes.
Shikoni qendrën e Elbasanit, dhe shikoni rrugët pak metra nga qendra në çfarë gjendje të mjeruar që janë. Sepse Edi Rama dhe sejdini i tij mendojnë për fasadat, jo për njerëzit. Kjo është arsyeja pse shumica dërrmuese e elbasanllijve nuk mbyllin dot muajin. Mijëra familje pa punë, pa lekë. Pa lekë, pa punë, pa të ardhme. Faturat e energjisë në qiell, nafta, taksat, çmimet në qiell. Por lekë nuk ka. Punë nuk ka.
Nuk ka për njerëzit e thjeshtë. Nuk ka për ata që shtyhen drejt dëshpërimit ekstrem. Nuk ka për nënat dhe baballarët që ulin kokat para fëmijëve.
Por, ka lekë për derrat e pushtetit. Ka miliarda lekë për një grusht pushtetarësh dhe miqtë e tyre hajdutë. Të ngopur e të nginjur me fondet publike të buxhetit të shtetit. Lekët e popullit të varfër i kanë bërë pasuri për veten e tyre.
Sepse pushtetin e kanë vetëm për ti shërbyer vetes. Vetëm për tu pasuruar. Kapardiset Kryeministri mbi varfërinë, mjerimin dhe krizën së solli për një popull të tërë. Kapardiset nëpër ekspozita dhe qejfe dhe udhëtime luksoze me lekët e popullit. Kapardiset nga zyra i rrethuar me piktura dhe luks. I izoluar në botën e tij të luksit sulmon opozitën, sulmon mediat, sulmon gazetarët. Fyen dhe shan me arrogancë hajduti cdo qytetar që e ballafaqon me të vërtetat.
Tani që ka vajtur aty ku s’mban më, i quan qenër edhe ministrat që guxojnë më në fund të pohojnë atë që opozita dhe qytetarët kanë 3 vjet që denoncojnë me zë të lartë: Krimin e veshur me pushtet. Pushtetin e veshur me krim.
Kjo është e vërteta, ky është realiteti dhe ju gjithë këtë e dini mirë.
Lajmi i mirë që vjen nga bota është që vala e ndryshimeve politike po shtrihet kudo dhe do të vijë dhe në Shqipëri. Bota po kalon një tronditje nga themelet, një shkundje, madje disa e quajnë revolucion politik: njerëzit e thjeshtë po rebelohen kundër elitave të korruptuara dhe të shkëputura nga njerëzit dhe hallet e tyre.
Njerëzit kudo po kërkojnë që pushteti të kontrollohet prej tyre dhe të punojë për ta.
Eshtë pikërisht kjo frymë që ka përqafuar edhe Partia Demokratike prej muajsh. Partia Demokratike ka filluar një proces të hapjes, të gjithëpërfshirjes dhe të kalimit të pushtetit nga drejtuesit e lartë tek anëtarët, nga Kryetari tek baza e partisë.
Ky proces do të sigurojë që drejtuesit dhe të zgjedhurit e PD-së të jenë përfaqësues të denjë të anëtarëve të PD, dhe qytetarëve dhe të punojnë për interesin publik dhe jo atë privat.
Kjo qasje e re do të zbatohet fillimisht me përzgjedhjen e listës së kandidatëve demokratë për deputetë. Sikurse e dini të gjithë, për herë të parë në historinë tonë politike anëtarët dhe mbështetësit e PD-së po propozojnë kandidaturat për deputetë.
Unë ju nxis të gjithëve që të identifikoni njerëzit më të aftë, më të denjë mes jush dhe t’i propozoni lirisht në këtë proces.
Kur ky proces të përfundojë, do të nisë kontrolli i brendshëm, vetingu i brendshëm i kandidaturave të propozuara. Partia Demokratike në mënyrë vullnetare do të kryejë vetingun e figurës të përfaqësuesve të vetë politikë.
Me këtë proces ne do të garantojmë që deputetët demokratë nuk do të jenë te lidhur me krimin, nuk do te jene të korruptuar apo pa pa integritet. Ky proces do të mundësojë që ata të jenë të aftë profesionalisht dhe të denjë politikisht për t’u përfaqësuar ju dhe qytetarëve të Shqipërisë dhe Elbasanit.
Por vetingu do të përfshijë dhe të shkuarën e kandidatëve gjatë komunizmit. Mes deputetëve të PD-së nuk do të ketë ish-punonjës të sigurimit të shtetit dhe as funksionarë të gjyqeve politike të diktaturës. Procesi në tërësi do të sigurojë që PD të jetë e hapur. Por mbi të gjitha do të garantojë që karriera në PD sigurohet vetëm përmes fitimit dhe ruajtjes së besimit dhe mbështetjes së anëtarëve dhe qytetarëve, anëtarit dhe qytetarit, jo kryetarit.
Pushteti është i njerëzve, është i anëtarëve dhe Partia Demokratike do të jetë e mbështetur mbi këtë proces. Në të gjithë këto procese historike që ne po përqafojmë duhet të jemi bashkë. Hapja dhe gjithëpërfshirja duhet të na bëjë më të bashkuar dhe më të lidhur, sepse sot ka më shumë arsye për t’ju bashkuar dhe për të qënë pjesë e PD-së.
Shikoni prezantimet e fundit, të përfaqësuesve të denjë të qytetarisë të Elbasanit që janë bashkuar me PD dhe gjej rastin ti përshëndes.
Kush do një parti demokratike, moderne, të denjë do ta gjejë këtë gjë brenda PD-së.
Ajo që ne sigurojmë, është liria e brendshme dhe mundësia për të gjithë që, me meritë dhe kontribut të ketë karrierë dhe të përmbushë aspiratat dhe qëllimet politike brenda PD-së. Padyshim, jo të gjithë do të mund të jenë në të njejtën kohë drejtues të PD-së. Natyrisht që disa persona do të përzgjidhen për kandidatë për deputetë, shumica e demokratëve nuk do të mund të jenë në lista deputetësh. Padyshim, që do ketë njerëz që do mërziten nga kjo gjë. Eshtë e drejta e çdo kujt të shpresojë dhe të dëshirojë të shërbejë edhe si deputet. Fatkeqësisht, është e pamundur që të gjithë të drejtojnë. Por në PD, unë, ne pra, PD, do t’u japë të gjithëve mundësinë ta provojnë, të rinjve dhe të vjetërve, burrave dhe grave, veriorëve dhe jugorëve, të persektuarave, pronarëve, intelektualëve. Të gjithëve do t’u jepet mundesia. Mundësia dhe ndershëmria për të konkuruar është ajo që ofron PD.
Ata që mbështetjen ndaj PD e kushtëzojnë vetëm me futjen në lista deputetësh nuk kanë interesin e PD-së apo të anëtarëve të saj, por kanë vetëm interesin e tyre. Ata që e duan PD-në vetëm kur janë në poste apo në ofiqe, nuk punojnë për PD por vetëm për veten dhe për pasurimin e tyre. Nëse dashuria për PD-në është e lidhur me futjen në lista deputetësh, kjo është dashuri e shtirë. Ndaj kushdo që merr përsipër që të bëjë opozitën e opozitës, nuk i shërben njerëzve dhe kauzës së tyre, por qeverisë dhe kastës së korruptuar që është në fuqi.
Por sot të gjithë demokratët janë të bashkuar, e janë të bashkuar jo vetëm për të mirën e opozitës, për të mirën e PD, por për të mirën e Shqipërisë.
PD ka vend për të gjithë dhe është sot e hapur për të gjithë.
Ajo që ne duhet të kuptojmë sot është se përparimi mund të vijë vetëm përmes ndryshimit. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër se si gjërat mund të përmirësohen. Jo vetëm në politikë, por edhe në shoqëri, kudo në biznes, në familje në shoqëri.
Nëse duam që Partia Demokratike të forcohet, të bëhet më përfaqësuese, të afrojë njerëzit më të mirë dhe më të denjë, kjo mund të vijë përmes ndryshimit, përmes hapjes, përmes transparencës, që është bërë kreshendo e aktivitetit tonë politik.
Këtë po bën Partia Demokratike sot. Po ndryshojmë veten tonë sot që nesër të ndryshojmë Shqipërinë. Duke ndryshuar, PD do të bëhet më e forte, do të bëhet më e aftë, më afër njerëzve.
Natyrisht që ndryshimi nuk është i thjeshtë. Ndryshimi has gjithmonë në qëndresë. Por ndryshimi është i domosdoshëm. Ndaj ju kërkoj të gjithëve së bashku që ta përqafojmë bashkë ndryshimin. Bashkë do të fitojmë jo vetëm betejën politike të qershorit, por bashkë do të fitojmë edhe betejën me historinë.
26 vite më parë këtu në Elbasan por edhe në gjithë Shqipërinë, Partia Demokratike solli ndryshimin e madh. Tani Partia Demokratike do të sjellë një tjetër kthesë historike: modernizimin dhe demokratizimin e vendit.
Në këtë sallë ka shumë nga ata që 26 vjet më parë u çuan kundër komunizmit dhe themeluan Partinë Demokratike. Por të gjithë bashkë, kemi kuptuar që ato ditë historike, ato ngjarje historike, ata që lindën atë ditë sot janë 26 vjeçarë. Disa prej tyre janë këtu, ata që në ato ditë ishin fëmijë sot janë 30 e ca vjecarë. Partia Demokratike që ju themeluat atëhere sot duhet të jetë partia e këtyre 20 e ca vjeçarëve dhe e 30 vjeçarëve dhe e të rinjve kudo, të rinjve kudo që janë, të atyre që nuk lindën dhe nuk u rritën në komunizëm. Ata duan një Parti Demorkatike që u përgjigjet aspiratave të tyre, ëndrrave të tyre dhe përqafon vlerat e tyre.
Kjo është Partia Demokratike që duhet të ndërtojmë së bashku: partia themeluesve, e qëndrestarëve, e njerëzve të vlerave, e brezit të fëmijëve të atyre që e themeluan atë. Partia e të ardhmes e cila kujton përherë arritjet historike, por që është e përkushtuar ndaj të ardhmes dhe që e ndërton të ardhmen mbi bazën e aftësive për të përfaqësuar aspiratat e reja të çdo të riu dhe të reje të Elbasanit dhe Shqipërisë.
Parti e vlerave, parti e njerëzve të vlerave dhe virtyteve, që po vërshojne dhe po vijne drejt nesh.
Parti e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Shqiptarët e meritojnë, shqiptarët do të kenë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ky është premtimi ynë, ky është zotimi im.
Koha e ndryshimit po afron përsëri. Ora e ndryshimit për çdo shqiptar dhe çdo shqiptare do të thotë ti japim fund një politike që vendos qeveritarët para qytetarëve. Jo! Të parët do të jenë qytetarët.
PD do ti fitojë zgjedhjet e qershorit.
Dhe do ta çojmë Shqipërinë përpara duke vendosur të parët qytetarët, duke vendosur të parët njerëzit e thjeshtë. Duke vendosur të parët zhvillimin, progresin, ndryshimin që funksionon për çdo familje dhe jo vetëm për një grusht politikanësh.
Do t’ia dalim kësaj sfide, siç ia kemi dalë përherë. Dhe këtu nga Elbasani ka trokitur përherë një orë ndryshimi qe ka shoqëruar çdo shqiptar dhe shqiptare të këtij vendi.
Gëzuar 26 vjetorin!
Zoti e bekoftë Shqipërinë,
Zoti i bekoftë shqiptarët!
Fitore!