“Pronarët e dyqaneve të vjetra tek Pazari i ri në Tiranë zbuluan sot planin klientelist të Erion Veliajt për të shembur dyqanet monument kulture e për ti kthyer në troje ndërtimi,” njoftoi PD.
Sipas saj, janë vetë pronarët e këtyre dyqaneve, të vetmet që dëshmojnë Pazarin e vjetër, të cilët duan ruajtjen e tyre dhe kanë investuar për ti restauruar sipas një plani të miratuar nga qeveria. Përfaqësuesja dhe një nga pronarët, Merita Bollati u shpreh plani i ri i Bashkisë parashikon prishjen e dyqaneve të vjetra ndërkohë që ata nuk janë vënë fare në dijeni.
“Jemi gjashtë pronarë të objektit pas nesh, me dokumentacion të rregullt pronësie dhe në bazë të një leje ndërtimi të dalë nga qeveria, kemi filluar restaurimin e dyqaneve tona me fondet tona. Gji?thashtu dyqanet tona janë pjesë e monumenteve të kulturës dhe sipas projektit është menduar që këto të kthehen në identitet. Janë të vetme dyqane që dëshmojnë për pazarin e vjetër. Ne jemi pezulluar pa asnjë shkak në momentin final të vënies së tjegullave, pa asnjë shkak ligjor nga ana e Bashkisë Tiranë. Ndërkohë në momentet që flasim kemi dëgjuar që Bashkia kërkon të ndërtojë mbi pronën tonë, pa asnjë ligj, sepse asnjë ligj nuk e parashikon një gjë të tillë të ndërtosh mbi pronën me pronarë. Rikualifikimi i Pazarit të Ri ka filluar që në Tetor të 2016 dhe që nga ajo kohë të gjitha bizneset tona janë ndërprerë dhe ne nuk kemi patur asnjë fitim gjatë gjithë kësaj kohe. Dëmi ekonomik është i jashtëzakonshëm pasi ne kemi investuar goxha që të kthejmë në identitet dyqanet tona sepse ato kanë qenë të vjetra. Ne kemi dëgjuar që tek prona jonë do të ndërtohen magazina për interesa të të tjerëve”, tha Bollati.
Në mbështetje të denoncimeve të pronarëve të vjetër ishin dhe këshilltarët demokratë të cilët shprehën shqetësimin e grabitjes së pronës dhe shkatërrimit të historisë së Tiranës për shkak të interesave të kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj.
“Sot jemi përpara një fakti tjetër të dhimbshëm, tentohet grabitja e pronës , cënohet shenjtëria e pronës private në një republikë parlamentare. Rama nuk ka të ndalur. Sejmeni i tij në bashki është i detyruar të firmosë çfarë i urdhëron shefi i tij politik. Mafia e ndërtimeve po shfaqet kudo sepse Rama dhe Veliaj, janë kapot e kësaj mafieje. Të gjitha provat dhe faktet bëjnë fjalë për tjetërsim të pronës, duke ua dhënë të tretëve për interesa të mafies së pushtetit dhe mafies së ndërtimit. Kjo është e barazvlefshme me statusquonë e diktaturës, të cilën Rama e ka vendosur që ditën e parë që mori pushtetin dhe po e zbaton me konseguenca me sejmenin e tij në bashki. Do i kërkojmë zyrtarisht zotit Veliaj të bëjë transparence. I kërkojmë Ministrisë së Kulturës si institucioni përgjegjës për trashëgiminë kulturore të bëjë publike ato projekte ku i cilëson këto prona si vijim të trashëgimisë dhe identitetit të Pazarit”, tha kreu i këshilltarëve demokrat, Leonard Olli.