Historia më e pazakontë e showbizit shqiptar, pikërisht ajo e kantautorit 53 vjeçar dhe të dashurës së tij 24 vite më të re, Sisi Ujka, ka marrë fund.
Pirro Çako është ndarë nga partnerja e tij pas pesë vitesh lidhje, një lajm ky që u botua nga media pas disa dyshimeve se çifti nuk është parë më në shoqërinë e njëritjetrit në evente, festa apo aktivitete të ndryshme, prej shumë muajsh. S
ipas Blitz.al, çifti ka konfirmuar zërat e ndarjes, edhe pse bëhet fjalë për një marrëdhënie që ka marrë fund para disa muajsh, por që u bë publike këtë fillimvit.Ndërkohë që Pirro, një nga anëtarët e jurisë së spektaklit “Gjeniu i vogël”, prej pak kohësh është distancuar nga muzika, duke u përgatitur për të rimarrë forcat për një rikthim të ri, këtë periudhë ka mbyllur një kapitull të jetës së tij. Edhe pse dy ishtë dashurit nuk kanë dhënë asnjë motiv konkret që i çuan në ndarje (duke preferuar që ta mbajnë për vete arsyen), sipas miqve të përbashkët, një nga shkaqet ishte pasi nuk ranë dakord për sjelljen në jetë të një fëmije.
Sisi ka qenë ajo që kishte shprehur dëshirën në çift për të sjellë në jetë një fëmijë, por që Pirro nuk e ka pranuar, duke qenë i vendosur se pranonte të qëndronte në lidhje, vetëm nëse partnerja kërkonte një marrëdhënie të tillë, pa nevojën për të hedhur hapa të tjerë, siç mund të ishte martesa. Ata prej vitesh bashkëjetonin në shtëpinë e tij në Tiranë te Liqeni Artificial, që i mbeti pas divorcit nga sopranoja Inva Mula, dhe për çudinë e të gjithëve, Sisi, edhe pse shumë e re në moshë, ishte partnerja ideale për Pirron, sa i takon komoditetit që i krijonte në krijimin e hapë sirave që kërkon një artist në bashkëjetesë.
Për ata që i njihnin nga afër, ajo ishte një familjare e dedikuar dhe që e llastonte muzikantin, duke u sjellë si një zonjë e vërtetë shtëpie. Jeta e tyre në çift nuk ishte nga ato të shfrenuarat, me udhëtime të shtrenjta dhe shpenzime të shumta, por një jetë e qetë modeste, larg zhurmës dhe publikut. Kjo ishte çfarë i duhej Pirros, pas daljes nga martesa e gjatë në Paris me Inva Mulën, ku për shumë vite kishte bërë dadon e djalit, Anthony, siç ishte shprehur.
Madje, rikthimi i tij në Shqipëri ishte një rebelim për jetën e zakonshme dhe të mbyllur atje, për t’iu rikthyer muzikës dhe krijimit. Për këtë arsye, vitet e para të rikthimit në Tiranë ishin një boom artistik për Pirron, i cili pati një produktivitet të madh, duke krijuar këngë të shumta për veten dhe të tjerët.
PIRRO & SISI, ÇIFTI QË DËSHMOI SE DASHURIA NUK NJEH MOSHË
Pesë vite më parë, kur “Panorama Plus” zbuloi historinë e dashurisë së Pirro Çakos me studenten 21 vjeçare nga Shkodra nëpërmjet edhe disa fotove të bëra nga paparaci, shumë persona shfaqën mosbesim se si mund të funksionojë një marrëdhënie me diferencë moshe mbi dy dekada. Pirro, babai i një djali tashmë student, në atë kohë, pas disa lidhjeve të dëshuara në Tiranë, gjeti paqen te Sisi, pasi nisi një marrëdhënie serioze me këtë vajzë, që s’kishte aspak lidhje me muzikën. Lidhja u zbulua gjatë publikimit të albumit të tretë të Pirro Çakos me titullin “Ashensor” së bashku me një klip me të njëjtin titull, që vetë Sisi deklaroi se i dedikohej asaj.
Në vargjet e këngës, të shkruara nga vetë Pirro, ai e përshkruante ndjenjën që kishte për partneren kështu: “I verbuar kam ngritur duart, nuk do të ketë një tjetër më në jetën time…” Pas publikimit të këngës bashkë me klipin “Ashensor”, i drejtohej Pirros publikisht në Facebook me dedikimin: “Faleminderit për këto fjalë kaq të bukura, zemër!”, duke njoftuar miqtë e saj se ishte një dhuratë nga Pirro, për lidhjen e tyre që ishte thelluar me bashkëjetesë në shtëpinë e Pirros në Tiranë.
Prej shumë personave kjo histori e një burri të divorcuar me një vajzë që ende s’kishte nisur jetën u pa me skepticizëm edhe për faktin se Sisi nuk ka asnjë lidhje me artin, pasi është diplomuar për Shkenca Politike. Por ajo e dha përgjigjen e saj më 20 nëntor të vitit të parë të lidhjes, kur Pirro kishte ditëlindjen e 48 të. Ajo postoi në Facebook tortën që i kishte përgatitur atij, që ishte një piano mbi të cilën shkruhej: “Pirro, edhe 100 vite plot lumturi për ty, zemra ime!”. Madje, ajo nuk hezitoi më tej me dedikime të tipit: “Faleminderit që ekziston dhe që ma zbukuron çdo ditë, duke më dhuruar vetëm lumturi përkrah teje zemër!” Tashmë që gjithçka ka mbaruar, nuk dihet ende nëse ndarja ka qenë me mirëkuptim, apo ka ndodhur ndonjë konflikt mes tyre që e ka detyruar Sisin të largohet nga shtëpia e Pirros, ku jetonte prej vitesh. /PANORAMA/