• Kontakt
Sunday, May 11, 2025
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi POLITIKE

Fjalimi i plotë/ Kokëdhima: Pastrimi i zgjedhjeve kërkon votim elektronik

20:13 : 19/01/2017
në POLITIKE

Koço Kokëdhima, ish-deputeti socialist tha sot se pastrimi i zgjedhjeve kërkon votim elektronik dhe numërim elektronik.

Gjatë bashkëbisedimit me socialistët e Tiranës, ai akuzoi mazhorancën dhe opozitën se kanë krijuar një sistem të rafinuar të vjedhjes dhe manipulimit të zgjedhjeve

Ja fjala e plotë e Kokëdhimës:

Të dashur të rinj e të reja,
Të nderuar miq,
Nënat dhe baballarët tuaj, rinia e atëhershme, inteligjenca dhe qytetarët e këtij vendi e përmbysën diktaturën komuniste sepse aspironin që Shqipëria të bëhej një vend demokratik ku të sundonte liria e tregut dhe e konkurencës, barazia e shanseve dhe mirëqenia, drejtësia dhe meritokracia, një demokraci kushtetuese ku populli sovran do të ishte zot i fateve të veta, një Shqipëri europiane që të pasurohej e fuqizohej çdo vit, një shoqëri që do të respektonte si të shenjta lirinë e fjalës, të drejtat njerëzore e politike të qytetarëve.
Tani, pas 26 vitesh, këto shpresa dhe aspirata nuk u vërtetuan. Ata djem e vajza, ato gra e burra që përmbysën diktaturën tani janë 50 deri 80 e ca vjeçarë. Një pjesë e tyre kanë ndëruar jetë, të tjerë janë thinjur, shumica kanë emigruar dhe pjesa dërmuese e të mbeturve këtu janë të zhgënjyer, të varfër e të palumtur, ndihen të shfrytëzuar, të përdorur, ndihen të shkelur, të mashtruar e të vjedhur.
Kasta sunduese e tranzicionit, vetëm një grusht politikanësh nga të dy krahët dhe një grusht biznesesh të lidhura me ta, janë të lumtur në këtë vend. Shqipëria është bërë parajsa e tyre dhe ferri i popullit. Sot Shqipëria është një vend ekstremisht i varfër, tërësisht i korruptuar, i mbuluar nga trafiqet dhe papunësia.
Zhvillimi i Shqipërisë mbahet peng nga problemet e pazgjidhura në vite. Ekonomia e vendit është në gjendje të mjerë. Pronës publike duket se i është shpallur luftë. Edhe ajo që ka mbetur vidhet e keqmenaxhohet. Në nstitucionet e shtetit ka kaq shumë tutkunë, kusarë e dembelë, zyrtarë arrogantë e të paskrupullt. Gjithë njerëzit e mirë që kanë mbetur në administratë, duken si të leshtë në këtë mjedis dëshpërues që sundon.
Shteti ynë s’di të bëjë asnjë punë tjetër përveç se të marrë borxhe joefektive, të bëjë tendera të manipuluar e të japë koncensione turpëruese për interesat e ekonomisë tonë. Vendi ynë nuk është më tërheqës për investime. Mbi 60 mijë forca të afta emigrojnë çdo vit. Të gjithë të rinjtë janë gati të ikin nga Shqipëria me mundësinë e parë që t’u krijohet. Ky eksod dramatik ka prekur edhe shqiptarët e trevave të tjera në Ballkan.
Çfarë do të ndodhë në 10-20 vitet e ardhshme nëse kjo situatë do të vazhdojë kështu? Shqipëria do mbetet me 1,2 deri 1,4 milionë njerëz, kryesisht me pleq dhe të sëmurë, apo të paaftë e injorantë, padyshim edhe me të korruptuar e kriminelë dhe me një dyzinë me leshko e intrigantë të rregjimit. Do t’i kemi këtu edhe kryetarët e lumtur e të përjetshëm të partive të cilët, do u fanepsen njerëzve edhe në gjumë, do u dalin përpara në çdo çast, jo vetëm sa herë që të hapin televizorët, por edhe kur të hapin frigoriferët!
Me të drejtë na lindin disa pyetje: Pse punët e Shqipërisë shkuan keq në këto vite të këtij tranzicioni? Pse nuk u realizuan ëndrrat dhe aspiratat e prindërve tuaj? Pse ekonomia e Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë ka ecur më mirë se ekonomia e Shqipërisë? A besoni ju se socialistët dhe qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë, mund ta ndryshojnë gjendjen dhe të kthejnë shpresën, punën, pasurinë dhe mirëqenien në këtë vend?
Lidershipi i PS-së e di se Shqipëria është një vend i korruptuar, por, sipas tyre, nuk e kanë fajin njerëzit, por sistemi. Kush e ka ndërtuar dhe kush e mban në këmbë këtë sistemin mëkatar që po korrupton njerëzit tanë?! Ne jemi një vend me demokraci kushtetuese që përpiqemi të ndërtojmë kapitalizmin. Lidershipi i Partisë Socialiste nuk e ka fjalën për sistemin kapitalist në vendet europiane apo në Amerikë, kur i vë gishtin shkaktarit që korrupton administratën e Shqipërisë dhe dëbon investimet e huaja, siç dëbon rininë çdo ditë nga atdheu ynë!!
Ai e ka fjalën për sistemin politik në Shqipëri, që nuk ngjan me sistemin e asnjë vendi demokratik në botë. Në Shqipëri sundon një sistem i përçudnuar e i dështuar, sundon shëmtimi i kapitalizmit, shpërfytyrimi i demokracisë, sundon regjimi i partitokracisë, ose regjimi i kryetarëve të partive! Këtë regjim, këtë sistem restauruan e konsoliduan Berisha e Rama me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008.
Populli shqiptar është i zhveshur nga çdo atribut i ushtrimit të vullnetit të tij përmes votës së drejtpërdrejtë. Populli nuk zgjedh dot presidentin, nuk zgjedh kryeministrin, nuk zgjedh deputetin, këshilltarin e bashkisë, kryetarin e bashkisë; nuk zgjedh gjyqtarët, ndihmësgjyqtarët, prokurorët, asnjë lloj përfaqësuesi, asnjë përfaqësues të vetëm për be. Populli nuk voton dot në referendume lokale dhe as në referendume kombëtare, nuk voton dot në mënyrë të drejtpërdrejtë as ligje, çështje apo qëndrime.
Të gjithë përfaqësuesit i zgjedhin kryetarët e partive. Sa më të paaftë të jenë ministrat dhe zyrtarët, aq më i pashpresë është populli, por aq më të lumtur e më me shkëlqim ndihen kryetarët! Nëse një deputet diskreditohet në qarkun e Vlorës, nuk ndodh asgjë. Ai do bëhet prapë deputet sepse e do kryetari. Kryetari e transferon në Lezhë në zgjedhjet që vijnë. Populli voton, kryetarët zgjedhin! Ky është sistemi i degjeneruar i partitokracisë!
Themeli i demokracisë kushtetuese bazohet te vota e lirë e qytetarëve, te zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ndër të gjitha krimet, më i rëndi është vjedhja, trafikimi dhe manipulimi i votës së popullit, vjedhja dhe ndotja e zgjedhjeve. Saliu e mbolli në Shqipëri kulturën e vjedhjes së zgjedhjeve. Nga manipulimi i zgjedhjeve, nga trafikimi, blerja dhe vjedhja e votave nuk fitojnë socialistët dhe qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë.
Nga manipulimet e zgjedhjeve fiton vetëm kasta sunduese. Një çerek shekulli demokraci dhe këta politikanë nuk i mundësojnë akoma Shqipërisë zgjedhje të lira e të ndershme. Udhëheqësit e majtë, në vend që të distancoheshin prerazi nga kultura e vjedhjes së zgjedhjeve që mbolli Saliu, i vajtën pas atij modeli dhe të dy palët rafinuan një sistem të manipulimit të zgjedhjeve ku populli voton dhe kryetarët numërojnë votat! Ky është sistemi i kalbur i partitokracisë!
Pastrimi i zgjedhjeve kërkon votimin elektronik në qendrat e votimit, numurimin elektronik, administratë zgjedhore jo partiake, lejimin e emigrantëve tanë për të votuar në qendrat e votimit pranë zyrave të konsullatave dhe ambasadave tona, kontrollin e rreptë dhe të plotë mbi financimin e zgjedhjeve dhe një paketë masash ligjore për të kriminalizuar dhe dënuar ashpër çdo shkelje në procesin elektoral, shitjen dhe blerjen e votës, trafikimin, tjetërsimin e devijimin e saj të çdo forme.
E njëjta pamje është në çdo sektor të jetës së vendit, brenda dhe jashtë partive, në institucionet e shtetit dhe në tregun e punës e sipërmarrjes. Nuk bëhet fjalë më për konkurencë të hapur e të ndershme, harrojeni konkurencën perfekte, nuk bëhet më fjalë për meritokraci e shanse të barabarta, nuk flitet më as formalisht për barazi të operatorëve në tregje.
Institucionet e shtetit janë ndarë si parcela dhe çifliqe të partive ku inkubohen vota e trafikohen interesa përmes punësimeve, të drejtave, lejeve, miratimeve, projekteve, buxheteve etj. Për të punuar atje, në çdo nivel e pozicion, që nga roje e deri te titullar i institucionit, të duhet patjetër të sigurosh mbështetjen e një kryetari, të punosh për një kryetar. Ky është regjimi i falimentuar i partitokracisë!
I kemi dëgjuar kryetarët e partive gjatë gjithë tranzicionit të përbetohen se do të luftojnë për drejtësi, progres e mirëqenien e njerëzve. Por kjo nuk ndodhi asnjëherë. Papërgjegjshmëria e tutkunëve të shtetit shkatërroi jo vetëm të sotmen, por edhe të ardhmen e popullit tonë. Ata e goditën rëndë arsimin parauniversitar në këto 25 vite, përmes fiktivitetit në menaxhimin e maturave shtetërore, paaftësinë në ndërtimin e kurrikulave, sharlatanizmit në zgjedhjen e teksteve, mungesës së transparencës dhe pandershmërisë në zgjedhjen e mësuesve, kush meriton ku; përmes cilësisë së ulët të përzgjedhjes së studentëve që u përgatitën në universitetet tona si mësuesit e ardhshëm.
Ata injoruan dhe shpërfillën gjithë ekspertizën e mirë në vend, eleminuan tërësisht debatin e shëndoshë me të gjithë aktorët dhe grupet e interesit në arsim, imponuan me politikën e faktit të kryer zgjidhje e interesa partiake dhe prodhuan njerëz të paaftë për jetën. Shqipëria do t’i vuajë këto pasoja edhe 50 vite të tjera. Pa rolin, protagonizmin dhe ndihmën e qytetarëve të thjeshtë, mësuesve, nxënësve, prindërve dhe socialistëve të bazës, këto çështje nuk mund të zgjidhen.
Ndërtimi i regjimit të partitokracisë, restaurimi i diktaturës qesharake të kryetarëve dhe instalimi i tiranisë së skamjes dhe korrupsionit, ka vënë në rrezik sigurinë, ekzistencën dhe interesat e larta kombëtare të popullit shqiptar!
Kasta sunduese në Shqipëri dhe partitokracia mbajnë njëra-tjetrën. Tregu politik dhe ekonomik është në situatë oligopoli. Mund të ndërrohet populli, por jo kasta. Ajo nuk përtërihet me votë. Kasta nuk çahet! Kasta nuk thyhet. Askush nuk hyn dot në politikë jashtë pëlqimit të kryetarëve. Nuk vlen të shërbesh popullin. Nuk kanë rëndësi programet, idetë, platformat. Rolin e sovranit tani e kanë marrë kryetarët. Kryetarët e manipulojnë sovranin! Ata kanë kurorëzuar veten në vend të sovranit.
Kryetarët shkatërruan institucionin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, instaluan sistemin e partitokracisë, prishën konkurrencën në politikë dhe në ekonomi, shpërbënë standardet, kulturën, institucionet dhe kapacitetet e partive politike dhe i kthyen ato në bashkësi parapolitike, shkatërruan rendin dhe sistemin e vlerave në shoqëri, rrëzuan meritokracinë, e mbushën administratën dhe qeverinë me tutkunë, injorantë e të paaftë, një pjesë e mirë e tyre u dhanë pas ëndrës për t’u pasuruar përmes politikës dhe tradhëtuan interesat e larta të popullit tonë.
Këto janë arsyet kryesore përse dështuan aspiratat e prindërve tuaj në këto 25 vjet.
Partia Socialiste ka një anëtarësi të shkëlqyer, njerëz besnikë e atdhetarë, qytetarë shembullorë dhe familjarë të dhimbsur. Ajo vuan nga mungesa e demokracisë së brendshme, është një parti autokratike. Drejtimi është arbitrar. Në mjedisin e saj sundon bullizmi. Është e mbyllur për debatin, për mendimin ndryshe. Nuk është në gjendje që të përfshijë socialistët e thjeshtë dhe qytetarët në politikëbërje e në mirëqeverisje.
PS nuk funksionon me rregulla, nuk garanton të drejtat statutore të anëtarësisë, nuk ka ekspertizë, nuk prodhon raporte, nuk respekton procedura dhe standarde. Përfaqësuesit emërohen nga lart. Drejtuesit nuk japin llogari dhe nuk kontrollohen në asnjë formë. Ata janë të shkëputur nga baza, e shfrytëzojnë bazën e partisë dhe elektoratin, por nuk e përfaqësojnë dhe nuk e shërbejnë atë.
Partia Socialiste nuk mund të reformohet nga lart, sepse nuk kanë vullnet drejtuesit e saj. Ajo mund të reformohet vetëm me ligj dhe nga poshtë, me vullnetin, energjinë dhe presionin e socialistëve të bazës dhe qytetarëve të vendit. Lëvizja jonë ka vendosur ta bëjë këtë reformim nga poshtë dhe me ligj.
Sot do t’ju prezantoj nismën ligjore qytetare të ndërmarrë nga lëvizja jonë politike: Unë zgjedh deputetin që dua! Kjo nismë ligjore e socialistëve të bazës dhe qytetarëve të thjeshtë të Shqipërisë do të çojë në parlament ligjin për reformimin dhe demokratizimin e partive politike. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, partitë politike do të shndërrohen nga banda e bashkësi parapolitike që janë sot, në parti politike moderne, me të njëjtat standarde, institucione, procedura, kulturë, aftësi e kapacitete si të gjitha partitë e mira politike në Europë e SHBA.
Kjo do të jetë një ngjarrje historike për Shqipërinë. Miratimi i këtij ligji do t’i japë fund partitokracisë dhe sundimit të kryetarëve! Për ta çuar në parlament këtë ligj nevojiten 20 mijë firma, por ne nuk do të mjaftohemi me kaq. Veprimtarët e lëvizjes tonë do të shkojnë në çdo familje shqiptare, te çdo socialist, në çdo shtëpi, fshat, lagje, rrugë, shesh, qytet, shkollë, ndërmarrje, pranë çdo bujku, blegtori, ushtari, peshkatari, të papuni, të burgosuri etj.
Ne do diskutojmë me gjithë shqiptarët këtu e në emigracion. Do të kërkojmë minimalisht 250 mijë firma, por nuk do jemi të lumtur deri sa të marrim 1,5 milionë nënshkrime. Vetëm qytetarët e Shqipërisë dhe socialistët e bazës, përmes nismës ligjore “Unë zgjedh deputetin që dua” do të krijojnë përfundimisht instrumentat për demokratizimin e partive politike dhe të qeverisjes së Shqipërisë.
Drafti i ri i Ligjit për partitë politike shqiptare sanksionon vendosjen e zgjedhjeve paraprake ose primareve të hapura në të gjitha partitë politike, për zgjedhjet vendore e qendrore. Me këtë ndryshim në ligj, kandidatët për deputetë si në rastin e listave të mbyllura, edhe në rastin e listave të hapura nuk do t’i vendosin më kryetarët, por do t’i zgjedhin socialistët e bazës dhe qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë.
Me këtë ndryshim nuk do ndodhë më që në parlament, në këshillin bashkiak apo në krye të bashkive të shkojnë kriminelë e njerëz që nuk kanë mbështetjen e popullit.
Me këtë ligj, çdo qytetar që plotëson kushtet e ligjit do të mund të konkurojë për këshilltar, kryetar bashkie ose për deputet. Nuk do konkurojnë vetëm miqtë e kryetarit. Tregu i politikës do të hapet për njerëzit e zotë, të ditur, me ide e aftësi dhe punët e popullit e të shtetit do të ndreqen. Këta njerëz të zotë e me ndikim do sjellin në parti shumë anëtarë të rinj, pjesëmarrja në votime do rritet, besimi i qytetarëve te institucionet do përmirësohet.
Në këtë ligj kërkohet që regjistri i anëtarësisë së partive të depozitohet e administrohet nga gjykata e Tiranës. Ky regjistër do të ruhet në formë elektronike dhe do të jetë e disponueshëm. Partitë politike do të jenë të detyruara të përditësojnë listën e anëtarësisë çdo tre muaj. Kështu do të marrë fund periudha kur partia ishte copa letrash fiktive në xhepat e një grushti njerëzish që e kishin marrë peng dhe e përdornin strukturën politike si pronën dhe plaçkën e tyre personale. Kjo listë do ju shërbejë kandidatëve që do bëjnë fushata e do kërkojnë mbështetjen e bazës për çështje të ndryshme.
Ligji i ri kërkon që KQZ të vendosë kufizime të arsyeshme maksimale financiare të cilat përcaktohen rast pas rasti përpara fushatës zgjedhore, për zgjedhjet paraprake, për zgjedhjet vendore dhe për zgjedhjet e përgjithshme. Këto kufizime kanë rëndësi në mënyrë që të garantohet një process i rregullt demokratik zgjedhor, i pandikuar nga shpenzimet jopropocionale nga kandidatë ose parti të ndryshme. Kështu debati elektoral do të përqëndrohet tek idetë dhe projektet. Në zgjedhjet e kaluara, një kandidat për deputet, kur dilte përpara zgjedhësve, ju thoshte: Kam përgatitur këtë fjalimin e gjatë që ka plot ide të mira. Në këtë xhepin tjetër kam nga 50 euro për secilin nga ju. Për të më dhënë votën, doni tju lexoj fjalimin apo dëshironi paratë.
Të dashur motra e vëllezër,
Lëvizja jonë politike është gjithëpërfshirëse, ajo nuk e përçan partinë, nuk e zvogëlon, nuk e dobëson atë, nuk përjashton askënd. Ajo e zmadhon dhe e forcon partinë, gjallëron debatin dhe pasuron mendimin politik, alternativat dhe zgjidhjet për çështjet e mëdha të përmirësimit të ekonomisë dhe jetës së popullit tonë, të sigurisë e interesave të larta kombëtare dhe perspektivave të shqiptarëve në një botë që ndryshon kaq shumë e që bëhet gjithnjë e më e pasigurtë.
Lëvizja jonë do të zhvillohet vetëm brenda Partisë Socialiste. Ne do të bashkëpunojmë me të gjithë edhe me Edi Ramën edhe me drejtuesit e tjerë të partisë, pa asnjë paragjykim e qefmbetje, për të mirën e qytetarëve dhe të socialistëve. Ne do të dimë të ccojmë përpara debatin konstruktiv në parti dhe të ndihmojmë në fitoren e zgjedhjeve të vitit 2017. Unë jam socialist dhe kam punuar e investuar më shumë se kushdo tjetër për fuqizimin dhe suksesin e partisë socialiste. Unë nuk krijoj parti tjetër, nuk shkoj në parti tjetër, nuk shkoj tek LSI, nuk iki nga Partia Socialiste, këtu kam kontributet e mia dhe të familjes time, këtu kam miqtë dhe bashkëpunëtorët politikë për të cilët jam shumë krenar e i lumtur. Kjo lëvizje është vazhdim i punës së madhe që kam bërë për demokratizimin dhe reformimin e partisë.
Lëvizja jonë nuk mund të izolohet. Partia e udheheqjes është përpjekur ta likuidojë këtë lëvizje reformuese. Ajo ka shantazhuar qindra e mijëra socialistë të thjeshtë që mbështesin këtë lëvizje, duke i kërcënuar me pushime e ndëshkime për ta ose për të afërmit e tyre. Askush nuk duhet të trembet që të jetë vetvetja, askush nuk duhet të tërhiqet. Kush ka frikë të thotë e mbrojë pikëpamjet e tij, nuk jeton, është njësoj sikur ka vdekur. Partia Socialiste do të respektojë mendimin ndryshe në parti. Mos u lëkundni nga presioni. Nuk e pushojnë dot të gjithë partinë nga puna. Do ta kuptojnë shumë shpejt që e kanë gabim.
Sot edhe një herë denoncoj me forcë pushimet nga puna të Nertila Selimajt, Ted Nastos, Ardit Xhafajt, Jola Fotos, Thoma Kordhës e Silvana Islamit për arsye bindjesh e idesh politike. Këto janë shkelje të rënda të të drejtave elementare dhe lirive themelore të njeriut. Saliu ka pushkatuar politikisht socialistët në të shkuarën! Kjo nuk është kultura e të majtës. Ne do të sensibilizojmë organizmat që operojnë në botë e në rajon për të shqyrtuar e raportuar çdo rast dhe për të marrë në mbrojtje veprimtarët tanë politikë që shtrëngohen e persekutohen për shkak të bindjeve të tyre politike.
Gjyqi në Kushtetuese që rrëzoi mandatin tim të deputetit nuk ishte një betejë ligjore, nuk ishte as një betejë politike mes meje dhe Saliut. Gjyqi im në Kushtetuese ishte vazhdim i luftës së brendshme politike në Partinë Socialiste me duar e me mjete të tjera nga jashtë partisë. Së bashku me vendimin e shkarkimit tim nga Asambleja Kombëtare e 23 dhjetorit të shkuar, këto janë njolla të errëta dhe do mbeten si të tilla për shumë kohë në jetën e Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Partia e udhëheqjes ka për qëllim që të nxjerrë jashtë partisë lëvizjen dhe debatin reformues dhe të izolojë plotësisht përpjekjet e mundimshme në Partinë Socialiste për demokratizimin e saj. Për këtë arsye këto veprime arbitrare e të paprecedenta do t’i nënshtrohen gjykimeve në KGS dhe në Gjykatën e Tiranës me qëllim që kjo kulturë e mbrapshtë drejtimi, t’i lërë vendin solidaritetit të sinqertë dhe punës me përkushtim në parti, për të zgjidhur hallet dhe problemet e qytetarëve.
Janë me mijëra socialistët e qytetarët që i duan këto zhvillime. Ata mbushin sallat e takimeve tona kudo plot e përplot dhe përfshihen energjikisht në debat. I pëlqejnë dhe i mbështesin këto projekte. Keni dëgjuar ndonjë argument kundër ideve të lëvizjes tonë? Asnjë! Zero! Hiç! Të gjithë pranojnë se ato që thotë lëvizja jonë janë të vërteta! Kundërshtarët tanë nuk kanë ç’thonë përveç se të porosisin njerëzit e cekët dhe nevojtarë, ata që janë lehtësisht të shantazhueshëm: Mos shkoni me lëvizjen se nuk është miratuar. Lëvizja nuk është me vijën e partisë, nuk është brenda linjës e të tjera broçkulla e idiotësira si këto. Me pak fjalë ju thonë socialistëve: mos mendoni me kokën tuaj, por mendoni me kokën e kryetarit!
Lëvizja jonë, nga sot e tutje, do të ketë një emër. Ajo do të quhet ZGJIDHJA! 19 janari i vitit 2017 është data zyrtare e krijimit të ZGJIDHJES.
ZGJIDHJA është lëvizja e socialistëve të thjeshtë. Ajo do që në Partinë Socialiste të ketë vend për të gjithë, jo vetëm për udhëheqësit, do që të dëgjohen e respektohen të gjithë, jo vetëm kryetari, do që politikat, reformat dhe koncensionet, programet, vizionet dhe zhvillimet e rëndësishme, çështjet strategjike dhe interesat e larta të diskutohen me transparencë e përgjegjësi serjoze në forumet e partisë, nuk dëshiron që drejtuesit më të lartë të partisë të mos e llogarisin për të gjallë as grupin parlamentar, as kongresin dhe as Asamblenë Kombëtare të cilave ju imponojnë gjithçka pa asnjë informim, diskutim e frymë kolegjialiteti.
ZGJIDHJA do një qeveri serioze me partnerët tanë ndërkombëtarë, jo zyrtarë servilë dhe të papërgjegjshëm. E filluam tranzicionin me çekun e bardhë që do na mundësonte të hanim me lugë të artë, kur aplikuam terapinë e shock-ut dhe rrafshuam çdo gjë nga ekonomia që trashëguam nga komunizmi. Tani po e mbyllim tranzicionin me letrën e bardhë që qeveria jonë u dorëzoi partnerëve ndërkombëtarë për të shpëtuar Shqipërinë, sepse qeveria jonë as nuk i lexoi dhe as nuk mori përgjegjësi për ndryshimet e kushtetutës dhe gërruerjen e sovranitetit të vendit!
ZGJIDHJA kërkon që qeveria të korigjojë politikat dhe aksionet e saj për prishjet dhe shpronësimet për interes të ndërtimit të projekteve publike. Prishjet dhe shpronësimet kanë shkaktuar tragjedi të rënda për mijëra familje të varfëra. Asnjë ndërtim nuk mund të prishet pa u legalizuar e shpronësuar më përpara. Asnjë shpronësim nuk duhet bërë me ccmime qesharake që i nxjerr njerëzit të pastrehë dhe të rënuar.
ZGJIDHJA do një parti që të respekton, jo një parti që të mbyll telefonin, do një parti ku e pyet direkt ministrin për çdo çështje, jo udhëheqësa e ministra që i dëgjon vetëm në mitingje. Do një parti që të jetë afër teje, jo deputetë që të gënjejnë, që të takojnë vetëm në fushata elektorale. Do një qeveri që nuk katapulton në detyrat e ministrave e zyrtarëve të lartë njerëz të pa studiuar, pa karriera të spikatura, njerëz që vinë nga hiçi, që s’kanë bërë asnjë vepër e asnjë punë me vlerë në jetë. Do njerëzit e aftë e të zotë në të gjitha punët e shtetit dhe do që të respektohen ata zyrtarë të shtetit që janë njerëz të mirë, që punojnë me idealizëm, kompetencë e përkushtim në administratën e rrënuar të shtetit.
ZGJIDHJA promovon sot projektin: Si e do partinë tënde? Si e do qeverisjen tënde? Në profilin e saj një FB, në kanale të tjera të komunikimit, në bashkëbisedime me çdo socalist, ne do marrim përditë propozimet e anëtarëve se si duan ata ta përmirësojmë Partinë Socialiste, qeverisjen e saj, politikat ekonomike, programet, diplomacinë, shëndetësinë, arsimin etj. Me këto propozime do të plotësojmë programin tonë për debat e zhvillim të cilin në një draft të plotë do e paraqisim në javët e ardhshme.
ZGJIDHJA është lëvizja e të rinjve dhe të rejave socialistë që duan një Shqipëri tjetër, me arsim solid e të besueshëm, me shkolla të investuara e kushte normale, me nivel të lartë shkencor, pedagogjik dhe edukativ, një Shqipëri me shanse për jetën, me besimin te e nesërmja, me mundësi për të qëndruar e jetuar dhe për të përmbushur ëndrat për një jetë të lumtur në atdheun tonë, me mundësi e mbështetje për tu martuar e për të krijuar familje, ku shteti të ndihmojë të rinjtë për të blerë shtëpi apo për të hapur një biznes. Qeveria duhet të punojë për të ndaluar eksodin dhe për ta shtuar popullsinë në vite.
ZGJIDHJA është lëvizja e socialistëve të thjeshtë që kërkojnë t’i jepet fund politikave të braktisjes së fshatit, fermerëve e blegtorëve. Ne kërkojmë që bujqësia të subvencionohet seriozisht e siç ndodh me vendet fqinje dhe jo me shifra qesharake. Buxheti i shtetit duhet të mobilizojë në mbështetje të bujqësisë jo më pak se 150 mln euro në vit nga burimet e veta. Shteti të zbatojë politika të suksesshme në bujqësi, blegtori e peshkim dhe në sigurinë ushqimore të qytetarëve. Shqipëria nuk mund të jetë një vend që importon në sasi të mëdha ushqime. Shqipëria duhet të bëjë eksporte të rëndësishme të prodhimeve të veta ushqimore.
ZGJIDHJA është lëvizja e socialistëve të thjeshtë që kërkojnë nga qeveria e tyre të mos dënohet më për asnjë ditë të vetme asnjë përdorues i kanabisit, që kërkojnë të legalizohet kanabisi farmaceutik, që duan të diskutohet e vendoset pa asnjë paragjykim një plan që i mundëson vendit të përfitojë nga ekonomia botërore e kanabisit; është lëvizja e socialistëve që janë kategorikisht kundër implikimit të funksionarëve të shtetit në prodhimin dhe trafikimin e marijuanës, i cili ishte rrënues për shumë kultivues. Këta bujq, morën borxhe me fajde, kredi e hua për t’u përfshirë në transaksione të rrezikshme e pa asnjë garanci dhe tani shumica e tyre ndihen të rrezikuar e të falimentuar.
ZGJIDHJA është lëvizja e socialistëve dhe qytetarëve të thjeshtë që nuk i duan plehrat dhe mbetjet e huaja në tokën tonë, nuk i duam inceneratorët që do të djegin në Shqipëri, plehrat e valorizuara të Italisë, duan ambjent të pastër, duan t’u qëndrojmë besnikë e luajalë ambjentalistëve të Shqipërisë, duan mbrojtjen e shëndetit të popullit dhe zhvillimin prioritar të turizmit.
ZGJIDHJA do të pranojë në radhët e veta vetëm anëtarë të partisë socialiste. I ftoj socialistët të bëhen pjesë e ZGJIDHJES. Ajo institucionalizon mendimin ndryshe në parti. Çdo qytetar pa parti që dëshiron në bëhet pjesë e zgjidhjes, më parë të regjistrohet në partinë socialiste. Ne nuk e kërkojmë zgjidhjen te elitat politike. Ne e shohim zgjidhjen tek socialistët e thjeshtë, të vuajtur e të pavlerësuar të këtij vendi. Ne jemi zgjidhja! Ju jeni zgjidhja! Unë jam zgjidhja! Po, po! Mos dysho! Ki besim! Në se ti beson, ti vërtet je zgjidhja! Dua ta dëgjoj me zë të lartë nga të gjithë ju: Unë jam zgjidhja! Unë jam Zgjidhja! Ju lumtë! Ju jeni vërtet zgjidhja! Rroftë Shqipëria! Rroftë populli ynë i mrekulluesjëm! Rroftë Partia Socialiste! Rroftë ZGJIDHJA! Faleminderit! Zoti ju bekoftë!

 

Lexo edhe:

Sali Berisha pas votimit: Do kemi një ditë të dytë vere! Ja mesazhi për qytetarët

Denoncimi/ Zyrtarët e bashkisë Kamëz ndalojnë qytetarët jashtë qendrave të votimit

Lajme të lidhura

AKTUALITET

Sali Berisha pas votimit: Do kemi një ditë të dytë vere! Ja mesazhi për qytetarët

10:32 : 11/05/2025
AKTUALITET

Denoncimi/ Zyrtarët e bashkisë Kamëz ndalojnë qytetarët jashtë qendrave të votimit

10:32 : 11/05/2025
AKTUALITET

I shoqëruar nga familja e tij, Berisha voton në shkollën “Kosova” në Tiranë

10:26 : 11/05/2025
AKTUALITET

Zgjedhjet/ Emigrantët kthehen për të votuar, rritet fluksi në doganën e Kakavijës

10:07 : 11/05/2025
AKTUALITET

E paprecedentë në Petrelë/ Disa karta ID të ndryshme, gjenden të hedhura në rrugë

10:05 : 11/05/2025
AKTUALITET

Tom Doshi voton në Tiranë: Me Berishën nuk bëj koalicion, sa i përket PS-së…

09:59 : 11/05/2025
Para

Defekt në avionin ku po udhëtonte kryeministri Edi Rama

TË GJITHA

Sali Berisha pas votimit: Do kemi një ditë të dytë vere! Ja mesazhi për qytetarët

10:32 : 11/05/2025

Denoncimi/ Zyrtarët e bashkisë Kamëz ndalojnë qytetarët jashtë qendrave të votimit

10:32 : 11/05/2025

I shoqëruar nga familja e tij, Berisha voton në shkollën “Kosova” në Tiranë

10:26 : 11/05/2025

Zgjedhjet/ Emigrantët kthehen për të votuar, rritet fluksi në doganën e Kakavijës

10:07 : 11/05/2025

E paprecedentë në Petrelë/ Disa karta ID të ndryshme, gjenden të hedhura në rrugë

10:05 : 11/05/2025

Tom Doshi voton në Tiranë: Me Berishën nuk bëj koalicion, sa i përket PS-së…

09:59 : 11/05/2025

Voton kreu i SPAK-ut, Altin Dumani: Do flasim pas zgjedhjeve!

09:55 : 11/05/2025


RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com