“Raportet me vajzat e huaja, kontakti me njerëzit e dyshimtë, shijet për veshjen dhe muzikën perëndimore janë dukuritë më tipike që shfaqen te studentët që studiojnë jashtë shtetit”.
Përtej këtij konstatimi, raporti sekret i Ministrisë së Punëve të Brendshme për Komitetin Qendror të Partisë, në prill të vitit 1959, sjell një pasqyrë të detajuar me emrat e studentëve që kanë manifestuar qëndrime të tilla të stigmatizuara si prirje borgjeze.
Pjesa në vijim e dokumentit me siglën “Tepër sekret” shtjellon rast pas rasti sjelljet negative të të rinjve që studionin në Bullgari, Ceki, Rumani, ishBashkimin Sovjetik, Poloni dhe Berlin, si dhe veçon lidhjet komprometuese të tyre me vajza imorale.
“Me anën e tyre, nënvizohet aty, elementi armik dhe zbulimet e huaja, përveç miqësisë intime, u kanë ofruar të rinjve dhurata të çmuara të ardhura nga Perëndimi për t’i futur në rrjetën e agjenturës antishqiptare”.
Autorët e raportit pohojnë se një numër i konsiderueshëm studentësh ka rënë preh e kësaj “loje” duke u sfiduar nga presioni i “të dashurave”, të cilat, sa konstatonin distancimin e tyre, pretendonin se ishin shtatzëna. Më tej, vërejnë zyrtarët e Sigurimit, këtë material komprometues vajzat e rekrutuara nga shërbimet agjenturore e përdornin si mjet presioni karshi studentëve shqiptarë që të vepronin si të donin ato, ndryshe do t’i denonconin dhe si rrugëdalje u propozonin arratisjen në Perëndim. Po kush ishin të rinjtë që u bënë pjesë e kësaj aventure, si u operua ndaj tyre dhe çfarë parashikonin organet e Sigurimit për ta parandaluar një dukuri të tillë…
BULLGARI
1Mysafer Rrasa, Behar Thani, Shtjefën Kurti, Telemak Lluka dhe Nisi Tako, studentë në Pllovdiv, kanë diskutuar me njëritjetrin se “pse udhëheqësit shqiptarë mbajnë shërbyes dhe pse ekziston Blloku i Udhëheqjes etj.”. Po këta studentë mblidhen dhe dëgjojnë xhaz në radion e Beogradit..
2Myzafer Rrasa paraqitet një nga studentët më të shthurur, ka marrëdhënie me shumë vajza bullgare dhe të huaja, frekuenton lokale me drejtim perëndimor dhe shoqërohet me njerëz gagarelë. Ka shoqëri të ngushtë me një student polak, i cili është aventurier.
3Nisi Tanko dëgjon xhazin dhe shprehet se muzika më moderne është ajo amerikane, ajo do të përhapet edhe në Shqipëri. Ka influencë të theksuar në veshje dhe muzikë perëndimore. Ka shoqëri të ngushtë me një bullgar dhe ai i ka dhënë pllaka muzike dhe revista polake.
4Llukan Ndina, student i vitit të dytë për Agronomi. Është i shthurur në jetë, ka shoqëri me elementë huliganë, ka folur keq për vendin tonë.
5Bardhosh Muço dhe Vasil Kuli kanë thënë se “ne nuk jemi të qartë se çfarë qëndrimi duhet të mbajmë për Bugarinin dhe Molotovin, se ata janë bolshevikë të vjetër etj.”. 6Pandeli Caci, student i vitit të fundit. Nuk është shumë i lidhur me jetën, largohet pa lejen e ambasadës. Është lidhur me një vajzë bullgare, për të cilën thonë se do ta marrë për grua. 7Studentet Liri Xhepa, Fillomilla Grillo dhe Marselina Pollo vishen të ekzagjeruara dhe lyejnë flokët, pinë duhan dhe frekuentojnë lokalet ku ka kërcime perëndimore. Merselina dashuron një bullgar, me të cilin do të martohet.
ÇEKOSLLOVAKI
1Halim Beqiri, më parë ka shfaqur pikëpamje jashtë vijës së partisë. Ka qenë i shthurur në jetë, sidomos pas vajzave. I është hequr vërejtje nga Ministria e Arsimit dhe shkolla, dhe është këshilluar nga ambasada.
2Llazar Bojaxhiu, ka pasur pikëpamje dhe influencë armike, ka lavdëruar jetën e Perëndimit, shumë i dhënë pas qejfeve. Nga e kaluara nuk ka bërë asnjë përmirësim dhe kohët e fundit të njëjtin qëndrim mban.
3Vasil Konomi dhe Ibrahim Cesma kanë shfaqur qëndrime jo të drejta për artin sovjetik. Vasili vazhdon të mbajë korrespondencë me xhaxhanë e tij në Egjipt, nga i cili ka marrë pare, libra egjiptianë dhe pako të ndryshme. Studentët Piro Milkani, Thoma Thomai, Ramazan Kaponja, Gazmend Tepelena dhe Apostol Adhami, kohët e fundit kanë bërë përmirësim dhe nuk kemi pasur ndonjë të dhënë negative. Nuk do të kihen më në kontroll.
POLONI
1Bashkim Jupi, qysh vitin e kaluar ka shfaqur simpati për shtypin Polak. Në vendin tonë ka thënë ai mungojnë kuadrot për të drejtuar ekonominë etj. Ka pasur të ekzagjeruar veshjen dhe kërcimin e modës së Perëndimit.
2Taxhedin Baholli, ka pasur marrëdhënie me Theodhora P. Megjithëse është këshilluar, ai vazhdon të mbajë korrespodencë me të. Do të kihet parasysh edhe për një kohë qëndrimi i studentëve Xhuvi Pashko, Fatmir Gjergji, Qerim Lloshi, Irfan Mane, Shega Shaplo dhe Agim Gjashta, megjithëse kohët e fundit nuk ka dalë ndonjë gjë negative rreth tyre. Meqenëse kanë bërë përmirësime nga e kaluara, nuk do të kihen më në kontroll studentët Ektor Dalini, Vangjel Lulo, Spiro Boçi dhe Niko Titka.
RUMANI
1Vangjush Kokonezi, ka thënë se BS ndihmon Egjiptin dhe vendet arabe, p.sh., kishte interes edhe me Jugosllavinë, por tani ia preu ndihmat. Në mbledhjet e organizatës së rinisë thotë: “Që ajo duhet të jetë liberale dhe demokratike
2Anthulla Cami, në bisedë me një student jugosllav ka folur keq për fjalimin e Hrushovit në Kongresin XX të PKBS.
3Hazis Manka, është shprehur: “Rumunët e dinin se Stalini do të gabonte, prandaj e vunë me shpatulla pas kodrës etj”.
4Skënder Dishnica, thotë se mallrat rumune janë të dobëta, ndërsa ato franceze dhe italiane janë të mira.
5Vangjel Dalla dhe Dhimitër Koci, dëgjojnë muzikë greke, ata dinë greqisht se janë minoritarë, shoqërohen me grekë dhe marrin revistën “Avinja”.
6Bardhyl Shehu, nuk fle në konvikt, por te një vajzë rumune, të cilën pretendon se do ta marrë në Shqipëri. Është i shthurur, megjithëse është këshilluar, nuk heq dorë.
7Behar Nuhellari, njihet si matrapaz, ka blerë dhe shitur 23 radio, ka blerë një aparat fotografik, një orë franceze dhe ka ndër mend të blejë manjetofon. Dashuron një vajzë rumune dhe i ka falur një orë dore.
8Dhimitër Sauli, ka marrëdhënie me një vajzë greke (emigrante).
9Vangjo Kotelli, Isa Hoti dhe Andon Papa, janë mjaft dobët në mësime, kanë provime të vitit të kaluar.
10Zhaneta S.ka marrëdhënie me një student hungarez, i cili, me sa dihet, nuk ka qëndrim të mirë, ai flet kundër BS dhe vendeve të Demokracive Popullore.
11Koço Rate, ka thëne se Hrushovi kritikoi ashpër Stalinin për kult individi, ndërsa ai vetë po e koncentron pushtetin në duart e tij. Kjo ka dalë nga një burim i organeve tona. Gjithashtu në Rumani do të kihet parasysh qëndrimi i studentëve Hysen Dibra, Jani Konomi, Thanas Piu dhe Paulin Pali, të cilët kanë dëgjuar radiot e Perëndimit, kanë shfaqur mosbesim për shtypin tonë, kanë folur me simpati për filmat perëndimorë etj.
GJERMANE
1Cercis Mingomataj, ka bërë diskutime jo të drejta në lidhje me jetën kulturore në BS dhe vendet e demokracisë popullore, flet me admirim për filmat anglezë. Neve, thotë ai, përvetësojmë gjithçka nga eksperienca sovjetike, pa marrë parasysh sikur kjo të mos jetë e përshtatshme për neve, por çekët nuk veprojnë kështu etj.
2Sejfulla Doci, është njohur dhe shoqërohet shpesh me një vajzë, e cila ka tre vëllezër në Perëndim. I ati i vajzës është doktor dhe rrjedh nga një familje borgjeze. Vajza e ka shtëpinë 15 km larg qytetit dhe ai shpesh i shkon atje. 3Enver Kotorri, studion në qytetin Halle. Është nga Durrësi, kur ishte me pushimet e verës në vitin 1958, nuk i vajti njeri për ta ngushëlluar për mbytjen e të atit (ishdeputet). Mbasi Enveri kthehet në Gjermani, është treguar i mërzitur dhe i ftohtë në shoqëri, është shprehur duke thënë se babai ka qenë i ndershëm dhe s’ka sepse të dyshohet. 4Alini Korcari, ka mbajtur qëndrim të mirë, por është për t’u theksuar se në fund të vitit 1958, një vëlla i saj, Petraq Korcari, nga Elbasani, ka dashur të arratiset dhe mbasi u kap, është dënuar me 10 vjet burg.
5Thimi Petro, studion në qytetin e Freimberg. Ky është njojtur dhe ka krijuar marrëdhënie me një vajzë gjermane, e cila vazhdimisht i ka folur mirë për Perëndimin. Ajo ka pas një vëlla të arratisur në Perëndim, por që është kthyer përsëri. Mbas pak kohe, kjo vajzë i thotë Thimit se do të arratisem në Perëndim së bashku me një shoqe tjetër, ku i tregon kohën dhe vendin e arratisjes, për këtë student nuk njofton njeri.
6Ismail Sulo, u kthye ne Atdhe pasi ishte i shtruar në një sanatorium rreth 300 km larg Berlinit. Në muajin nëntor 1958, kur u kthye studenti Prrenjo Ymeri (edhe ai i shtruar në atë sanatorium), një doktor gjerman shkon në dhomën e Ismailit dhe e pyet pse Prrenjon e kthyen në atdhe pa dëshirën e tij. Pastaj dr. i thotë: “Të thonë ty shko në Perëndim dhe studion atje, a do të shkoje?”. Kur dr. pa se studenti po i kundërshtonte, filloi me agjitacion t’i thoshte se “edhe në Perëndim ndërtohet socializmi, se atje jetohet për bukuri etj. Studenti kur pa se dr. i ishte qepur keq, u largua prej tij duke i thënë se unë jam bir besnik i popullit dhe partisë dhe nuk i tradhtoj kurrë”..
7Zhaneta Nocka, deri tash ka mbajtur qëndrim të mirë. Nga një e dhënë që ne kemi, del se në Greqi ka një xhaxhanë e saj, i cili ka shkuar qysh në vitin 1941. Ai ka marrë vesh se Zhaneta ka shkuar në Gjermani dhe interesohet të mësojë për se ka shkuar dhe flet me dashuri për të.
8Nga studentët e rinj, më të hedhur pas femrave dhe që bredhin vetë janë Hamlet Bezhani dhe Besim Kacaku.
BASHKIMI SOVJETIK
1Vasilika Nika, studente në Leningrad. Kur ka qenë në fshatin e saj Bodrishtë, Dropull, ka folur keq për gjendjen ekonomike në BS. Në BS, ka thënë ajo, fëmija nuk njeh cilin ka babë dhe cilën ka nënë, mbasi fëmijët në moshën 2vjeçare i merr dhe i rrit shteti. Kur erdha, thotë ajo, me aeroplan e bëmë 13 orë, por kur të shkoj, do bëj çmos të shkoj me vapor që të shoh Pirenë, pastaj le të vdes.
2Milto Vako, kur erdhi me pushime verore, gjatë udhëtimit nga Moska në Shqipëri, ka qëndruar një natë në Beograd. Në hotelin ku ka fjetur është takuar me të arratisurin Galip Sojlin (i cili shërbente atje). Në biseda të ndryshme Galipi i ka thënë: “Juve këtu në Beograd duhet të dilni lirisht dhe pa frikë, se nuk është ashtu siç komentohet nga radiot dhe gazetat në Shqipëri, por Jugosllavia mban qëndrim të drejtë etj”.
3Gligor Konomi, nuk mban qëndrim të mirë moral. Ka një të dhënë që ai është njohur me një anglez, i cili është pederast dhe punon si kuzhinier në ambasadën angleze në Moskë. Për të ruajtur pastërtinë e radhëve të studentëve jashtë shtetit dhe me qëllim që puna armiqësore të mos zërë vend në radhët e tyre, kemi organizuar dhe drejtuar agjenturën tonë, të cilën e kemi ngritur në princip objekti; si objekt kemi kontingjentet, institutet etj., por në radhët e disa studentëve, për të cilët kanë lindur dyshime ose bëjnë jetë të shthurur, kemi drejtuar njerëzit tanë. Panorama