Në vend të përshëndetjes së zakonshme të vitit të ri, kryeministri Edi Rama zgjodhi një tiradë me ndjesa. Ndjesë për këdo që është përballuar me padrejtësitë shtetërore apo ka rënë viktimë e një drejtësie të korruptuar gjatë vitit 2016; ndjesë për viktimat e dhunës në familje, për pensionistin e vetmuar që nuk ka kujt t’i thotë gëzuar, për familjet që jetojnë me ndihmë ekonomike, “të cilave barra e së shkuarës u rëndon sa nuk mund të marrin frymë lirisht sot”;
ndjesë për personat me aftësi të kufizuara, për invalidët, veteranët, ishtë përndjekurit politikë, për të cilët Rama tha se qeveria e tij kishte bërë shumë, po jo aq shumë sa do të donte ai;
ndjesë për forcat e rendit që sipas tij janë ndjerë keq nga balta e opozitës, për bluzat e bardha që gjithashtu janë ndjerë keq nga balta e opozitës, për çdo vajzë e djalë të cilëve sistemi i vjetër i kalcifikuar u ka bllokuar mundësinë e punësimet; ndjesë për gjuhën që përdoret në Kuvend e deri për artistët dhe sportistët, për të cilët tha se qeveria e tij ka bërë më shumë se çdo qeveri tjetër gjatë njëzet vjetëve e megjithatë, sikurse për invalidët, pensionistët, veteranët, mësuesit, policët dhe mjekët, jo aq sa do të dëshironte ai, kryeministri.
Një listë me ndjesa, edhe kur bëhet për modë, pa lidhje, me ç’të të dalë përpara, është gjithnjë më e mirë se një listë me mburrje. Sidomos në një periudhë si kjo e sotmja, kur njerëzit janë të neveritur me “arritjet e mëdha”, që shndrisin dhe konsumohen në një rreth të ngushtë pushtetarësh, biznesmenësh e trafikantësh dhe kur ekonomia reale e Shqipërisë nuk e përligj në asnjë lloj kalkulimi, përveçse përmes korrupsionit dhe krimit në sistem, hendekun e stërmadh midis një pakice që lundron në miliarda dhe një shumice që feston dhe jeton në kufijtë e modestisë apo mbijetesës (Nuk po flas këtu për të varfrit që u gëzohen lëmoshave).
Si kryeministër tipik që qeveris me public relations, thënë ndryshe me propagandë, zoti Rama nuk mund të mos jetë krejt jashtë realitetit të vendit. Ndaj, në vitin e fundit të mandatit e ka parë më të leverdishme të ndryshojë regjistër, t’i drejtohet gjuhës së ndjesës, duke paketuar me kujdes brenda saj mburrjet dhe arritjet që kërkon të shesë. Më mirë kështu: Edhe para qytetarëve shfaqet modest e kokulur, edhe del aty ku duhet të dalë për sa u përket qëllimeve politike që ka. Nuk më shkon mendja se në fjalimin politik të kryeministrit me rastin e vitit të ri, që përkon të jetë vit zgjedhor, mund të ketë një ndjesë të pastër e të çinteresuar, nga ajo për të cilën shkruan filozofi francez Zhak Darrida. Qëllimi politik elektoral është i mirëqenë dhe i paqortueshëm në fjalime të tilla.
Por një fjalim kësisoj do të vlente për të kultivuar një etikë të përgjegjësisë në politikën e lartë vetëm nëse në listën e ndjesave do të mbizotëronin ato që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me minuset, mosarritjet, shmangiet, ngecjet apo dështimet e vetë qeverisë dhe kryeministrit. Qoftë edhe duke përzgjedhur minuset më të vogla. Ajo që bie në sy në listën e zotit Rama është se aty nuk gjen ndonjë subjekt ndjesë që ka lidhje të drejtpërdrejtë me përgjegjësinë e tij. Ndjesa për invalidët, pensionistët, veteranët, ishtë përndjekurit, artistët apo sportistët për të cilët Rama thotë se qeveria e tij ka bërë më shumë sesa është bërë për ta gjatë njëzet vjetëve është tërësisht e pavend dhe tingëllon absurde në mënyrën si është formuluar.
Çfarë ndjese kërkon kur paske bërë për tre vjet më shumë se në njëzet vjet? Kush të kërkon më shumë?
Është shumë e qartë se fjala ndjesë këtu është përdorur sa për vetëpërkëdhelje, aq edhe për t’i bërë reklamë një legjende sikur për tre vjet qenkan investuar sa për njëzet vjet. Kjo është legjenda e re, që Rama përpiqet ta shtrijë në çdo fushë. Nuk mbështetet as në shifra, as në logjikë. Është njëlloj sikur Berisha të përdorte investimin për Rrugën e Kombit dhe Rrugën e Elbasanit dhe të thoshte se ka investuar për udhëtarët, për turistët, për pensionistët, për makinistët, për sportistët, për artistët, pra për çdo kategori që kalon në këto rrugë, më shumë sesa në njëqind vjetët e shtetit shqiptar dhe pesëqind vjetët e pushtimit otoman! Bilancet nuk bëhen kurrë kështu. Por legjendat që kërkon të përhapë Rama ndaj quhen legjenda: se nuk kanë as bazë faktike, as logjike.
Sidoqoftë të kërkosh ndjesë që ke bërë me shumë për tre vjet sesa kanë bërë të tjerët në njëzet vjet është komike, e pasinqertë. Sikurse është edhe ndjesa për familjet që jetojnë me ndihmë ekonomike, ndjesa për pensionistët e vetmuar,
ndjesa për policët, për bluzat e bardha, për të riun dhe të renë e shkolluar që nuk gjejnë hapësirë punësimi. Në të gjitha këto ndjesa nuk ka asnjë referencë që e çon përgjegjësinë te qeveria dhe kryeministri në fuqi. Unë nuk them se të gjitha përgjegjësitë dhe fajet për gjendjen i takojnë kësaj qeverie, po të mos ndiejë asnjë, kjo është qesharake. Pse i thotë vetes qeveri atëherë?
Kjo e rrëzon në themel, si një hipokrizi, listën e ndjesave. Sepse kur flitet për çështje të pushtetit dhe qeverisjes në veprim, ndjesa është në vetë të parë, është për atë që ti mendon se ke bërë keq, ke bërë gabim apo nuk e ke bërë fare siç e ke premtuar. S’ka ndjesë jashtë vetes tënde. Se nuk je duke folur për historinë këtu, por për aktualitetin.
Vetëm kjo lloj ndjese është premtuese se qeveria mund t’i bëjë më mirë punët në të ardhmen. Ndjesa për gjëra që nuk janë në dorën e saj është retorike. Tipike në këtë rrafsh është e ashtuquajtura ndjesë e kryeministrit për policët dhe bluzat e bardha.
Zoti kryeministër kërkon ndjesë që mbi ta është hedhur baltë nga opozita. Këtu jemi në një anomali mendore që vetëm mendja e sëmurë propagandistike mund ta kombinojë.
Ndjesë për baltën mund të kërkojë e duhet të kërkojë kush ka hedhur baltë. Ku hyn ndjesa e kryeministrit këtu? Nuk hyn askund. Edhe në këtë rast ndjesa e tij është një term në të cilin ai paketon si dinamit akuzat e politike kundër opozitës duke dashur ta vendosë përballë policisë së shtetit në një konfigurim antidemokratik ku policia dhe qeveria janë një, ndërsa opozita përballë është e keqja e vendit! Opozita, në asnjë kohë gjatë njëzet e gjashtë viteve të demokracisë dhe as sot, nuk ka hedhur baltë kundër policisë apo bluzave të bardha.
Opozita ka denoncuar me emra dhe fakte lidhjet e krimit me qeverinë, ka denoncuar drejtues të policisë të lidhur me narkotrafikantë, sikurse ka denoncuar koncesionet korruptive në shëndetësi. Kjo nuk është baltë mbi uniformat blu apo bluzat e bardha. Kryeministrit në këtë rast thjesht kërkon t’i trajtojë punonjësit e shëndetësisë dhe policisë si mburoja njerëzore për akuzat që i drejtohen atij dhe ministrave të tij. Çështjet e ndjesës dhe faljes, siç e kemi nënvizuar në shkrime të mëparshme, janë të një thellësie dhe delikatese që e përjashton qoftë propagandën e trashë, qoftë “standardin” e sëpatës së druvarit që zbatojnë politikanët e pakulturuar.
Nuk është vendi për t’u zgjatur sot në këtë pikë. Por duhet të ndalemi te një gjë që është thelbësore në “listën e ndjesave” me të cilat u duk sikur befasoi Rama në kapërcyell të vitit të vjetër drejt vitit të ri. Me përjashtim të naivëve dhe militantëve tutkunë që përgjigjen fluturon gomari kur u thua a fluturon gomari, askush tjetër në këtë vend nuk ka besuar në ndonjë çudi të Ramës me shokë, thënë ndryshe në flateritë e tij të Rilindjes.
Votuesit e arsyeshëm socialistë ose pa parti që kanë votuar Ramën kanë dashur një ndryshim të pushtetit në marzhin e ndryshimit që mund të sjellë një qeveri e re në një Shqipëri të hapur ku shumica e politikave janë standarde. Tani, në vitin e fundit të mandatit, Rama e sheh veten në rrjetën e premtimeve të tij dhe kërkon të dalë prej andej me dorë në zemër duke kërkuar ndjesë. Mua më duket se pakkush e ka realisht mendjen te lista e tij e ndjesëzave, që duket janë renditur e ngjeshur ashtu, pa logjikë dhe pa sens shpeshherë, për t’i bërë njerëzit të harrojnë ndjesën që mungon, të vetmen që ky kryeministër ua ka detyrim shqiptarëve: ndjesën për statusin e ri që mori krimi dhe injoranca në qeverinë e tij dhe ortakut të tij, Meta.
Ky është statusi i krimit të ngritur në pushtet, që qeveris dhe bashkëqeveris me qeverinë e ligjshme. Është statusi i diplomave masive false në pushtet dhe administratën e lartë. Është statusi i impaktit politik dhe elektoral të drogës. Krimi ka qenë dhe ka bashkudhëtuar me të gjitha qeveritë. Është përdorur dhe ka përdorur për qëllimet e veta të gjitha qeveritë. Është luftuar fort në periudha të caktuara, për shembull, në vitet 20052007 nga qeveria “Berisha”, por edhe është toleruar në periudha të tjera. Rama është i pari që e bëri krimin pjesë të një skeme politike.
Prandaj sot e gjithë malavita është mbledhur dhe vazhdon të mblidhet rreth tij. Prandaj, me ndonjë përjashtim të rrallë, kur rasti ka hedhur në pranga ndonjë bandit me emër, nuk ka në qeverisjen e Ramës kriminelë dhe bosë të mëdhenj të drogës të arrestuar, çfarë nuk e ka ndaluar as mungesa e vetiungut, as reforma në drejtësi. Bandat dhe banditët që mbajnë nën terror qytete e krahina, dhe që po përgatiten t’u lëshohen si lukuni zgjedhjeve të ardhshme reklamojnë bekimin e tij prej shefi dhe garanti. Në qytetin, lagjen apo fshatin ku banojnë qytetarët shqiptarë i njohin banditët lokalë dhe e dinë se kush i mbron e pse i mbron. Kjo do të ishte e vetmja ndjesë, e vetmja falje, e vetmja mea culpa reale e Edi Ramës. Për një gjë që ka autorësinë e tij, që është prurja, gjurma, shenja e tij (shpresojmë jo trashëgimia e tij) në politikën e këtij vendi. Kjo është e vërteta që edhe kur thuhet si mërmërimë, apo thjesht kur mendohet, ushton më fort se një bubullimë. Mjerisht, Edi Rama nuk ka thënë një fjalë dhe duket se është shumë larg një ndjesë për këtë gangrenë që do ta vrasë plotësisht Shqipërinë nëse Shqipëria nuk e shkul atë.