Prindërit e mirë duan që fëmijët e tyre të qëndrojnë larg telasheve, të dalin me rezultate të mira në shkollë dhe të bëjnë gjëra të mëdha kur të rriten. Por edhe pse nuk ka një recetë specifike për të rritur fëmijë të suksesshëm, kërkimet në fushën e psikologjisë kanë veçuar disa faktorë që parashikojnë suksesin. Për habinë e askujt, një pjesë e mirë e këtyre faktorëve vijnë nga prindërit. Ja çfarë kanë të përbashkët të gjithë prindërit e fëmijëve të suksesshëm:
- Fëmijët e tyre bëjnë punë shtëpie
Nëse fëmijët tuaj nuk lajnë pjatat, të hedhin plehrat, apo të lajnë rrobat e tyre, kjo do të thotë që dikush tjetër po i bën për ta, gjë që i bën më përtacë. Mësojini me kulturën e punës, të kontribuojnë për përmirësimin e gjërave. Sipas psikologëve, fëmijët që punojnë, bëhen punonjës më të mirë në të ardhmen, të aftë për të bashkëpunuar në punë në grup, më të ndjeshëm, sepse e dinë mirë çfarë do të thotë të lodhesh-dhe më të aftë për të ndërmarrë iniciativa të vetëm.
- I mësojnë fëmijët të jenë socialë
Studiues nga Universiteti i Pensilvanisë gjurmuan për 20 vjet më shumë se 700 persona, që nga mosha e kopshtit deri sa u bënë 25-vjeç, dhe zbuluan një lidhje shumë të dukshme mes aftësive të tyre sociale në kopsht dhe suksesit si të rritur dy dekada më vonë. Fëmijët e shoqërueshëm, që shkonin më mirë me moshatarët e tyre dhe ndihmonin të tjerët, kuptonin ndjenjat e tyre dhe i zgjidhnin vetë problemet, kishin më shumë gjasa të fitonin të drejtën e shkollës së lartë dhe të kishin një punë me kohë të plotë në moshën 25-vjeçare, ndryshe nga ata më pak të shoqërueshëm. Këta të fundit ishin më të ekspozuar ndaj veseve të këqija. Që në një moshë fare të re, prindërit mund të vendosin nëse fëmija i tyre do të shkojë në kolegj ose në burg, do të vazhdojë një punë ose do të krijojë varësi ndaj ndonjë vesi.
- Prindërit kanë pritshmëri të larta për fëmijët e tyre
Në bazë të të dhënave të mbledhura nga 6600 fëmijë të lindur në vitin 2001, Universiteti i Kalifornisë zbuloi se pritshmëritë që prindërit kanë për fëmijët kanë një ndikim të pabesueshëm tek arritjet e tyre. Prindërit që shihnin universitetin tek e ardhmja e fëmijëve të tyre, i shtynin ata drejt shkollës, pavarësisht të ardhurave. Fëmijët ndjekin pritshmëritë e prindërve.
- Kanë marrëdhënie të shëndetshme njëri me tjetrin
Fëmijët që jetojnë në familje konfliktuale ose prindër të divorcuar, priren të kenë më shumë probleme se ata që jetojnë në familje ku prindërit jetojnë në harmoni. Divorci i prindërve nuk është i vështirë vetëm gjatë fazës që ndodh apo për përshtatjen më pas, por mund të lërë pasoja afatgjata tek fëmijët edhe pas shumë viteve.
- I mësojnë matematikën fëmijëve në një moshë shumë të vogël
Një analizë e 35000 parashkollorëve në Amerikë, Kanada dhe Angli zbuloi se zhvillimi i aftësive në matematikë në një moshë të vogël mund të kthehet në avantazh shumë të madh. Është e rëndësishme që fëmijët t’i kenë njohuritë bazë në matematikë para se të fillojnë shkollën, të dinë numrat, radhën e tyre, si dhe koncepte të tjera që mund t’i mësojnë lehtësisht. Kjo jo vetëm i ndihmon të jenë më të mirë në matematikë në shkollë, por ndihmon edhe në arritjet e tyre në të ardhmen.
- Krijojnë një lidhje me fëmijët
Një studim i vitit 2014, i zhvilluar te mbi 243 njerëz të lindur në varfëri, zbuloi se fëmijët që merrnin më shumë vëmendje dhe dashuri gjatë tre viteve të para të jetës, jo vetëm dilnin më mirë në testet akademike që zhvillonin gjatë fëmijërisë, por kishin marrëdhënie më të shëndetshme dhe arritje më të mëdha në moshën 30-vjecare. Këta prindër i japin siguri fëmijëve të tyre për të ‘eksploruar botën’.
- Janë më pak të stresuar
Pak e rëndësishme është sasia e orëve në ditë që nëna kalon me fëmijën. E rëndësishme është që prindi të mos e transmetojë stresin dhe ndjesitë negative tek fëmija. Ky është factor kyç që ndikon tek e ardhmja e tyre. Fëmijët preken nga emocionet ashtu si nga gripi, prandaj është shumë e rëndësishme t’i transmetoni vetëm gjërat e bukura.
- Vlerësojnë përpjekjet më shumë sesa të shmangin dështimet
Që një fëmijë të rritet i suksesshëm, nuk duhet të ketë frikë të provojë. Përpjekjet e tij mund të dështojnë ose të finalizohen me suksese. Sidoqoftë, e rëndësishme është që prindërit t’i vlerësojnë dhe motivojnë për më tej. Kjo do t’i ndihmojë të rriten në çdo sferë të jetës.
- Nënat punojnë
Sipas një studimi të zhvilluar nga Shkolla e Biznesit të Harvardit, vajzat, mamatë e të cilave ishin në punë me orë të zgjatura, qëndronin më shumë në shkollë. Kjo i ndihmonte që në të ardhmen të siguronin punë në poste drejtuese dhe të fitonin më shumë para- 23% më shumë se vajzat që rriten nga mama shtëpiake.
- Kanë një status social-ekonomik më të lartë
Fatkeqësisht sot një pjesë e mirë e shqiptarëve rriten në varfëri, situatë kjo që limiton ashpër potencialet e tyre. Është zbuluar se sa më të larta të jenë të ardhurat në familje, aq më të larta janë rezultatet e fëmijëve, për rrjedhojë, edhe arritjet e tyre në të ardhmen.