Përplasja nga një makinë teksa ecnin në rrugë ka rezultuar fatale për dy të moshuar, të cilët kanë humbur jetën në spital.
Viktimat janë Fran Luca, 85 vjeç dhe Kol Gjoni 77 vjeç (të dy banues në Shkodër) të cilët janë përplasur nga një makinë tip “Benz” në aksin Shkodër-Koplik, pasditen e sotme, bëjnë me dije burime zyrtare nga policia. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 17:20 në vendin e njohur si “Shtoj i Ri”.
Pas aksidentit ata u transportuan në spitalin rajonal Shkodër, por aty kanë ndërruar jetë.
Drejtuesi i mjetit, Nimet Bilani, 61 vjeç, është shoqëruar në ambientet e komisariatit të policisë Shkodër. Ai akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.