Nga reformat, tek përplasjet me PD, dekriminalizimi e prishja me Kokëdhimën e Blushin. Kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur gazetarëve në konferencën e fundvitit. Për heqjen e mandatit të Elvis Roshit, Rama nuk preferoi ta komentonte drejtpëdrejt por tha se vendimi ishte i drejtë.
Megjithatë, Rama nguli këmbë se ata deputetë që u është hequr mandati nga vendimi i fundit i KQZ-së nuk janë kriminelë, por subjekt të ligjit të dekriminalizimit.
Ai foli me tone të ashpra për PD-në, që i quan kriminelë, edhe ata që kanë vuajtur një dënim dhe janë rehabilituar pasi e kanë shlyer atë.
Sipas Ramës një gjë të tillë e bënte vetëm regjimi komunist.
“Së pari në dijeninë time, unë jam kryetari i parë që kam bërë listën e deputetëve u kam kërkuar dëshmitë e penalitetit.
Në vitin 2013, i vetmi dokument zyrtar për të provuar pastërtinë e figurës së një personi ishte dëshmia e penalitetit.
Virgjëreshat të cilat më tregojnë mua imoralitetin për këtë pjesë i përçmoj pa hyrë në analizën e pastërtisë së virgjërisë së tyre.
Sipas PD-së ligji duhej se 19 deputetë të PS ishin kriminelë. Kur vjen puna të raporti me politikën flasim për një tjetër gjë. Kush nuk është i kandidueshëm për arsyet e ligjit.
Unë i përkas një gjenerata që u nda nga regjimi i vjetër komunist që quante kriminelë këdo që ishte dënuar edhe për gjënë më të vogël dhe që e kishte mbaruar dënimin.
Unë s’e quaj kriminel deputetin e PD-së që humbi mandatin. Si qenka kriminel ai? E dini që Gjykata Kushtetuese italiane e ka vendosur të drejtën e harresës për të gjithë njerëzit e ndaluar dhe të dënuar në raport me internetin.
Brenda tre vitesh zhduken të gjitha lajmet për krimen e dikujt që vuan dënimin. Ç’është kjo barbari. Ky kriminalizim i vazhdueshëm i politikës është barbar”, tha Rama.
Kryeministri Rama, në konferencën e fundit për këtë vit është pyetur edhe për zgjedhjen e Presidentit të ri.
Ai madje ka ironizuar Presidentin aktual, i cili ka thënë se do të rikandidonte sërish po t’i jepej mundësia.
“Unë e di që zgjedhja e Presidentit këtu nuk është si në Amerikë. Në Amerikë kandidatën shprehin ambicie për të kandiduar apo rikandiduar. Këtu procedura është me ftesë. Grupet i dërgojnë ftesa individëve për të kandiduar dhe pastaj zgjidhet Presidenti”, ka thënë Rama.
Lidhur me një emër konkret, Rama ka thënë se është ende herët, por se në listë ka shumë emra që do të diskutohen me koalicionin qeverisës.
Rama foli sot për treguesit ekonomik, duke thënë se ky vit ishte viti më pozitiv nga ana ekonomike.
Ai tha se janë hapur më shumë se 187 mijë vende të reja pune. Gjithashtu, Rama tha se do të falen kamatvonesat për personat në ndihmë ekonomike, pensionistët dhe ata që kanë qenë të rregullt.
Gjithashtu, Rama vlerësoi se rritja e pagave dhe pensioneve ndodh për herë të parë pa rritje të borxhit publik.
Ekonomia sipas tij pritet të rritet me 3.3 %. Rama iu përgjigj edhe kritikëve, duke thënë se ky vit ka qenë më i miri për investimet e huaja.
“Se na kanë krahasuar me Maqedoninë, ta dini që Maqedonia është më poshtë se ne për investimet e huaja”, ka thënë Rama.
Rama u pyet edhe për vendimin e KQZ-së për heqjen e mandatit të Shkëlqim Selamit, Elvis Roshit dhe Tahirit.
Kryeministri tha se për të dekriminalizimi është fakt që kurse është votuar dhe se ai nuk ka asnjë problem me të.
Rama theksoi se është Lulzim Basha ai që ndryshon vepron dhe ndryshe thotë, sa i përket deklaratave të tij për Tahirin.
Rama iu përgjigj edhe një komentuesi teksa e pyeste nëse ishte me origjinë nga Mirdita. Ai tha se nëna e tij kishte qenë miridtore e zbritur në Vuno shumë vite më parë duke konfirmuar që ka lidhje me Mirditën.
PARTNERITETI ME METEN
“Liderët e partive janë themelorë në mishërimin e duhur, apo hedhjen në erë të një programi apo partneriteti sado strategjik, por thelbi është se Shqipëria ka vuajtur kur kjo forcë ka qenë e ndarë.
Meta mendon se koalicioni me PD ka qenë i suksesshëm. Unë mendoj se ai mandat i PD ka qenë një mandat vuajtje i shqiptarëve, jo për shkak të LSI sigurisht. Në 8 vitet e qeverisjes së PD nuk është bërë ajo që duhet, pasi PD është një force politike që nuk ka raport me shtetin.
I vetmi institucion në PD është Sali Berisha, të tjerat janë relative. Më thoni një reformë reale që ka bërë PD, si reformë shtetformuese. Korrupsion ka edhe sot. Që ky fenomen të tkurret duhet që institucionet të mos e lejojnë.
I pyetur nëse ka patur ndonjë dështim qeveria që ai drejton gjatë këtij viti, kryeministri Rama tha se “Ne nuk kemi dështime. Ne bëjmë gabime, por dështime nuk kemi”.
AZILKËRKUESIT
“Shqiptarët kërkojnë azil, pasi kërkojnë pune. Janë miliona njerëz nga vendet ish-komuniste që spostohen brenda vendeve më të zhvilluara në BE, dhe kërkojnë punë në një treg të hapur. Por shqiptarët nuk e kanë këtë mundësi, dhe kërkojnë azil për të qëndruar aty.
Nga ana tjetër shqiptarët janë të parët për kthime vullnetare në Shqipëri, pas nuk u pranohet azili. Dhe këtë politika Europiane e vlerëson shumë. Në këndvështrimin tim këtu nuk ka asgjë të re. Është një proces natyral i një historie 25-vjeçare, ku ka pasur edhe dallgë më të mëdha.
Nuk i shoh këto si një arsye për të vënë kujën. E refuzoj me përçmim çdo lloj lidhje të këtij procesi me qeverisjen në Shqipëri. Nëse do të kishim votën e emigrantëve, PD do të ishte një PBDNJ e madhe në Parlament. E jo si një PD e vogël që është sot. Nuk ka asnjë rrezik Shqipëria të rikthehen vizat. Nëse Europa do vendosë të kthejë vizat për Shqipërinë, do t’i kthejë edhe për ne”.
PARTNERITETI PUBLIK-PRIVAT
“Buxheti i shtetit ka kontributin e vet. Është e gjitha PPP. Sa më shumë na kritikojnë për këtë, aq më shumë nxitemi që ta çojmë më tutje. PPP ashtu siç e kuptojmë ne, nuk nënkupton asnjëherë kosto të shtuar për qytetarët”, tha Rama.
BLUSHI DHE KOKËDHIMA
As njërin dhe as tjetrin nuk i kam bërë miq si anëtarë partie. I kam pasur miq si individë. Miqësitë e mia nuk më ndikojnë në moskryerjen e detyrës time ashtu siç unë mendoj se duhet ta kryej.
Miq ose jo miq, unë nuk bëj dallime në momentin kur mendoj se cënohet PS apo puna jonë e përbashkët.
Përsa i përket keqardhjes kur hyn në këtë punë ka gjithmonë keqardhje për shumë gjëra, por janë pjesë e punës. Unë i kam marrë parasysh të gjitha.