Studiuesi dhe kritiku Josif Papagjoni ka studiuar në degën e dramës, në të njëjtin kurs, me aktorin Bujar Lako. Siç ishte e zakonshme të ndodhte, sidomos në një kurs me pak studentë, asokohe kishin marrëdhënie miqësore.
Të gjithë, studentë e pedagog, e kishin pikasur menjëherë talentin e mençurinë e aktorit që do të bëhej Bujar Lako. Këtë bindje të të gjithëve nuk arriti ta zhbëjë as zhurma e madhe që bëri në Institutin e Arteve, dashuria e tij me Mirën, pianisten studente, atë që, pavarësisht gjithçkaje, pak kohë më pas do të bëhej gruaja e tij! Papagjoni ka folur në këtë intervistë për të gjitha rolet që e kthyen Lakon në yllin e kinematografisë shqiptare, nga i pari që e luajti kur ishte ende student e deri atë të kohëve të fundit te “Syri Magjik”, ku mori çmimin më të madh që ka marrë ndonjëherë një aktor shqiptar. Largimi i papritur nga jeta i aktorit Bujar Lako bëri të flasin të paktën miqtë e njerëzit që e njihnin, sepse ai vetë nuk pranoi ta bëjë!
Madje, siç ka treguar edhe i biri, Bojken Lako, nuk ka pranuar të shohë ndonjëherë as filmat e tij! Sot që nuk është më, po e njohim Bujar Lakon pak më shumë, jo vetëm si njeriun që la shenjë në kinematografi, por edhe si njeriun që dikur theu tabutë, iu kundërvu të gjithëve për të mbrojtur hapur dashurinë!
Kur dhe në ç’rrethana jeni njohur me aktorin Bujar Lako?
Me Bujar Lakon, në njëfarë sensi mallëngjyes për mua, kam qenë shok kursi në Institutin e Lartë të Arteve, në degën e dramës, për aktrim. Ai erdhi në vitin e tretë te ne, sepse dy vitet e para i bëri me një kurs tjetër. Pati pastaj një shkëputje të vogël, për një vit e ndërpreu studimin dhe në vitin e tretë iu bashkua kursit tonë me pedagog Kujtim Spahivoglin, që ishte një nga figurat më të mëdha të arteve.
Qysh sa erdhi në kursin tonë, u kuptua menjëherë që Bujari ishte një aktor i mirë. Aktor nga më të mirët e atij kursi. Ne patëm edhe aktorë të tjerë që bënë emër, si Agim Qiriaqi, Fatos Sela, Piro Malaveci, Justina Aliaj etj.
Ju thoni që u dallua menjëherë… si dallohet menjëherë një student aktrimi, pa u provuar ende në shfaqje, që do të bëhet aktor shumë i mirë?
Dallohet, sepse Bujari menjëherë erdhi në stekën e lartë të studentëve. Tiparet e një studenti të mirë dallohen, ndoshta jo që në vitin e parë, por më pas, në vitin e tretë, p.sh., kur fillojnë të punojnë me pjesë të plota. Atëherë studenti gjendet përballë vështrimit të figurës në tonalitetin e saj, nuk e shikon më të copëzuar, siç e shikon në etyde apo në fragmente. Kur fillon e shihet e plotë, kur krijon marrëdhënie edhe me të tjerët… Në këtë moment spikat aftësia e artistit, brenda profilit që ai ka, qoftë në planin psikologjik, qoftë në atë fizik, gjestual, përshtat plastikën me figurën. Bujari nuk ishte aktor i karaktereve, u kuptua menjëherë, ishte aktor i planit psikologjik, e mbante frazën brenda, e bluante në heshtje mendimin, kishte heshtje të bukura.
Ngjante i heshtur e vetmitar edhe në jetë. A ishte që student i tillë?
Po, i tillë ishte që student dhe ashtu vazhdoi të jetë. Përshtatej heshtja e tij me rolet. Nuk e lëshonte fjalën menjëherë, por e mbante pak brenda vetes, si për të dhënë planin e dytë, atë që nuk duket. Atë pjesë të mistershme që psikika ka në vetvete, për t’ia përcjellë publikut. Kjo e bën të butë frazën, e bën dykuptimshme, me dy plane, pra ti zhbirilon në traumën e personazhit, në atë që ai fsheh dhe kjo ishte pjesa më e bukur që kishte Bujari. Kjo, për shembull, u duk në një fragment që ai luajti për “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, por sidomos pastaj, më pas, në një vepër që ne vumë në skenë në vitin e katërt dhe ai luante një rol kryesor, qe një dramë për luftën… Kishte rolin e një oficer të lartë që bënte tortura, por kishte formatin e një oficeri cinik. Drama qe në formë dialogu dhe Bujari e dha bukur cinizmin e këtij oficeri gjerman. Që t’i jap një fund vlerësimit të Bujarit në kohën e Institutit të Arteve, ai spikati menjëherë si aktor psikologjik dhe heroik, pra që mund të ndërtonte figura heronjsh dhe jo heronj butaforikë, por heronj që treteshin brenda dilemave të tyre, brenda planeve të dyta, të fshehura. Kjo e bënte joshëse figurën e Bujar Lakos.
Nga pikëpamja njerëzore, si e njihnin shokët e kursit dikur?
Nga pikëpamja njerëzore ishte një njeri më shumë vetmitar sesa komunikues me të tjerët. I mjaftonte vetvetja… Ishte i dukshëm ky tipar që kur ishte student? Po, po, e kishte ndjenjën e vetëbesimit dhe kjo e distanconte në njëfarë mënyre nga të tjerët. Kishte besim te talenti i tij dhe së dyti kishte edhe miratimin e pedagogëve dhe të të tjerëve, që e thoshin të vërtetën se Bujari është aktor i mirë. Për shembull, ne, në kursin tonë, vinim Agim Qirjaqin të parin dhe pas tij ishte menjëherë Bujari e me radhë…
Cilat role e vërtetuan më pas këtë bindje të pedagogëve?
Qysh kur ishte student, luajti filmin “Në fillim të verës” ku shoku ynë tjetër i kursit, Astrit Çerma, ishte në rolin kryesor, ndërsa Bujari kishte rolin e një të riu antifashist. Që aty u duk se Bujari kishte një profil shumë të përshtatshëm për film. Me sa di unë ky ka qenë edhe filmi i tij i parë. Mbeti në profilin e heroit, në atë të njeriut që ka virtyte, por që në vetvete fsheh pjesën e pathënë, kjo ia zbukuronte interpretimin. Pastaj ai sigurisht nisi, pak nga pak, të marrë frymë dhe të bëhet posaçërisht në kinematografi një nga aktorët yje… Ka 3-4 figura ku shprehet mirë individualiteti krijues e autorial i Bujarit.
Le t’i marrim me radhë…
Më së pari do të vendosja Halit Beratin në filmin “Gjeneral gramafoni” të Viktor Gjikës. Atje, ai jo thjesht te ngjizja e bërja një me instrumentistin, ka një qëndrim shumë dinjitoz ndaj jetës, paçka se jemi në folklor e kemi të bëjmë me njerëz, të cilët në përfytyrimin tonë janë të rakisë e haresë. Bujari e shikon figurën ndryshe!
Sigurisht që kjo është edhe meritë e skenarit, mirëpo edhe Bujari e paraqet Halit Beratin si një njeri që vjen nga frymëmarrja kombëtare. Ka një format kombëtar figura e tij. Kjo vjen falë lojës së aktorit, i cili ka qëndrim të hirshëm ndaj figurës, e rivlerëson, e fut në një format më të madh sesa ajo çka mund të japë figura e një klarinetisti dasmash.
Ka edhe dinjitetin, hirin njerëzor dhe figura del autoritare dhe e bukur, nuk është e nxituar, nuk është nervoze. Ka cilësi që e bëjnë shumë konkrete figurën e tij, ai e mban në formatin psikoheroik, prandaj kjo figurë është e bukur. Përdorimi i klarinetës atje është ngjizur kaq bukur me dhimbjen e melodisë, sa më kujton interpretimin e famshëm të De Niros te “New York, New York”. Është një interpretim i papërsëritshëm në kinemanë tonë.
Figurë tjetër e madhe është e Tunxhit tek “Udha e shkronjave”, ku megjithëse fshatar o një njeri që në mendjen tonë e ravijëzojmë si jo shumë të kulturuar e të përpunuar, por vetë filmi, Bujari, e ruan formatin heroik, psikologjik. Kemi figurën e një fshatari që duket konkurrent i rilindasit, sepse ka një vetëdije që, megjithëse nuk e di se ç’janë ato germa, futet në mënyrë të vetvetishme në madhështinë e sjelljes së këtyre germave dhe në tragjedicitetin e humbjes së Dhaskal Todrit, prandaj e përjeton aq shumë dhe është një roje vigjilente e tij, duke i ditur misionin dhe shenjtërinë e misionit.
Kështu, figura e Tunxhit merr një dimension kombëtar dhe kjo është meritë e aktorëve jo vetëm të talentuar, por edhe të mençur. Meritë e aktorëve që dinë të fusin qasje psikologjike, veprime, gjeste, pauza, sy… Një pjesë të madhe të refleksionit shpirtëror aktori e jep përmes syrit. Po të shohësh syrin e Bujarit, gjithandej, është një sy i mbushur, nuk është një sy i zbrazët apo i shpejtë. Është një sy që kërkon pauzë, qetësi, zhbirilim e depërtim te tjetri. Gjithë ky rol të frymëzon, aq sa është kthyer në një pjesë të dytë të Dhaskalit. Dhaskali ishte pjesa madhështore e rilindasve tanë që sillte dritën, ky ishte mbrojtësi i dritës, gardiani i bukur. Një figurë tjetër shumë e madhe është te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Anagnosti, në një intervistë më ka thënë se sikur të kishte mundësi ta kthente filmin, 20 minuta do t’i shkurtonte. Ai e sheh në pikëpamjen e ritmit të filmit, por unë nuk mendoj ashtu.
Ne e kemi parë në pjesën e ashtës kombëtare, që ky gjeneral vjen i mbushur e fryrë se do të ndërtojë një mision civilizues e gati përçmues për shqiptarët, të cilët paskan mundur ushtrinë e madhe fashiste, mirëpo ai pak e nga pak përballet me madhështinë e një populli të vogël që nuk e njihte më parë. Kjo madhështi fillon e rrëzon tempullin që kishte ngritur brenda vetes, deri sa më në fund ai bie në një depresion të thellë dhe bëhet pikërisht ky popull i vogël shkas që ai të kuptojë më në fund, me gjithë delirin e madhështisë së vet, karakterin e luftës që ishte bërë. Gjithë transformimin shpirtëror, gjithë krizën që ai pëson, në këto dy skaje, lartë e poshtë, gjithë kjo krizë vjen bukur, sidomos në monologun e fundit kur ai u drejtohet kufomave dhe thotë pse të isha unë gjenerali.
Atje, në atë monolog, por edhe kudo shihet dëshpërimi dhe katastrofa që atij i ndodh. Ky kalim psikologjik nga vetësiguria e madhe, deliri i madhështisë e vetëzotërimi i jashtëzakonshëm në një shkatërrim total, është një kurbë mjaft e vështirë për aktorin për ta lëvizur. Ai ka mundur cak pas caku, skenë pas skene, ta japë deri në skenën finale, duke e parë bjerrjen, zvetënimin e shkatërrimin e tij shpirtëror, çka është meritë e aktorit më shumë se e gjithçkaje tjetër.
Nëse për gjithë këto role të tijat vlerësimin, përveç profesionistëve, e ka bërë publiku, është edhe një film tjetër, ndër të fundit, me të cilin ka marrë një çmim të rëndësishëm në Festivalin e Kajros…
Po, nuk duhet lënë pa përmendur filmi “Syri magjik” i Kujtim Çashkut. Ka fituar një çmim të madh me të si aktori më i mirë, në Festivalin e Kajros. Për fat të keq, ai film nuk është hedhur që ta shohë publiku i gjerë, është mbajtur si pronësi e regjisorit. Nuk është bërë pjesë e vetëdijes së spektatorit, nuk është në imazhin e Bujarit, por është një rol i bukur që ka më shumë energji, ka dramaticitet, por mbetet në shtratin e figurës së Bujarit. Nuk mund të veçohet as roli i Mujo Dermemës, paçka se filmi ka mbivendosje ideologjike të theksuar me atë delirin dhe mburrjen nacionaliste që do përballonim superfuqinë ruse etj. Por po ta shohësh si figurë, ka ndërtuar një figurë të vetëpërmbajtur e dinjitoze, që duket sikur është përfaqësues i atdheut. Po të shohësh vetëm interpretimin, është shumë i hirshëm. Është një figurë e gdhendur, pa shumë lëmime dhe kjo e bën aktorin shumë më të besueshëm, siç është njeriu në jetë.
Ç’marrëdhënie vijuat të keni me të pas studimeve?
Nuk kam pasur marrëdhënie miqësore. Kur ishim studentë po, por më pas unë ndoqa kritikën. Jam gëzuar sa herë dëgjoja që ecte përpara. Ka pasur më shumë miqësi me Agim Qirjaqin. Mirëpo me shokët e klasës, edhe kur mbaron kursin, ruan një respekt dhe një dashuri për të gjithë, megjithëse shkëputesh. Unë i shihja nga larg si njerëz të dashur. Aktorët e filmit ishin përgjithësisht gjithë kohës në lëvizje dhe nuk i ndeshje aq shpesh, krijonin marrëdhënie me njëri-tjetrin, sepse kështu ishte normale të ndodhte. Kohët e fundit u takuam më shpesh, pinim kafe, pastaj së fundmi na ka takuar edhe Facebook-u, sepse ju e dini që edhe kur pleqëria afrohet, rritet respekti e nevoja për të folur me të tjerët.
Me këtë që thoni, a duhet të kuptojmë që edhe Bujari ishte “zbutur” pak?
Shiko, ai ishte njeri i mirë, pavarësisht ndonjë tipari të karakterit të tij. Për herë të fundit i kam takuar bashkë me të shoqen në Gjilan, ata kanë pasur edhe një histori të bukur dashurie që në vitet e shkollës.
Si ka qenë historia tyre e dashurisë?
Ka qenë nga më emancipueset për kohën. Gruaja e tij, atëherë studente, ishte pianiste dhe ranë në dashuri që në Institutin e Arteve. Familja e saj vinte nga hierarkia e lartë e pushtetit, ndërsa Bujari ishte nga një familje e thjeshtë, mirëpo dashuria ishte shumë e fortë. Ajo ka bërë një mbrojtje të jashtëzakonshme të dashurisë, bashkë me Bujarin, por më tepër shihej si meritë e saj, sepse familja e saj nuk pranonte. Dhe, ndër të tjera, të vepronte vajza aq hapur, në vitet ’70, nuk ishte pak. U bë një diskutim atëherë, nga ato diskutimet mizerje që bëheshin për të linçuar njerëzit. U mblodh gjithë Instituti i Arteve për të gjykuar e vendosur mbi dashurinë e tyre.
Pse? Çfarë u diskutua konkretisht?
Duhet të godisnim dashurinë e duke anatemuar Bujarin si të përdalë. Mirëpo qëllimi ishte i qartë dhe justifikimi do të gjendej, në mos ky, një tjetër.
Në fakt, a kishte treguar shenja si i tillë?
Absolutisht jo, ishte mjaft i përmbajtur dhe së paku kur ishte student ata ishin të dashuruar dhe e shikonin njëritjetrin në sy, këtë mund ta them me bindje. Kishte marrë fund ajo punë! Donin t’i ndanin për shkaqe biografike. Kuptohet që ndërhyrja ishte e njëanshme, vetëm nga familja e së shoqes, ishte vajza e një njeriu me pozitë. Instituti vetë kishte prirjen ta kthente në shembull e t’i ndante, ndoshta i ndikuar pikërisht nga pozitat e babait të vajzës. Duke i ndarë, donin të tregonin që ky ishte vagabond, por përpjekja dështoi. Të dy e mbrojtjen dashurinë me thonj, haptazi… Ishte një akt emancipues në shoqëri, sepse për herë të parë dashuria mbrohej hapur kundër disa imponimeve e klisheve të kohës. Thuajse në çdo rast, në atë kohë, dashuritë ishin shumë të mbyllura dhe niseshin nga biografitë. Dashuria e tyre theu klishetë e gjithë opinionit, edhe të vetë studentëve të indoktrinuar dhe të të gjithë ekipit pedagogjik që e kritikonte vazhdimisht për ta nxirë, për ta paraqitur si vagabond. Fakti është që ajo dashuri rezistoi…
A u morën masa ndaj rebelimit, se edhe kaq e thjeshtë nuk ishte të rebeloheshe?
U morën masa të lehta, sepse shpëtimi i tyre ishte që ata e mbrojtën hapur dashurinë. Familja e saj e pa që vajza nuk hiqte dorë dhe u tërhoq, mori fund! Pastaj, ndoshta i dhanë edhe shansin! Të ishe aktor filmi, duhet të kishe garanci të mëdha edhe biografike e politike e me radhë… Edhe në teatër Bujari ka qenë i mirë, por nuk ka ndritur njësoj si në film. Bujari punonte me tone poshtë dhe teatri kërkon artikulim më të fortë, por ai luajti figura të bukura edhe atje. /Panorama/