Një herë ai luante rolin “pozitiv” dhe ai atë “negativ”, herë ndërronin rolet. Ndriçim Xhepa dhe Bujar Lako numërojnë ndoshta 10 role të realizuara së bashku, si partnerë, në teatër dhe në film.
Janë role të rëndësishme, që kërkonin një zbërthim psikologjik si të personazhit, ashtu edhe të partnerit, e kjo ka bërë që ata ta njihnin më mirë njëri-tjetrin. Ndanin të njëjtat shije dhe koncepte për jetën dhe artin e kjo i ulte shpesh së bashku rreth të njëjtës tryezë. Ikja e tij e beftë i ka lënë një shije të hidhur. S’ka kaluar shumë që kur debatonin rreth çmimeve të Festivalit të Teatrit në Korçë, ku ishin të dy anëtarë jurie e Bujar Lako me një seriozitet të jashtëzakonshëm ndiqte çdo shfaqje.
E sot, Ndriçim Xhepës i duhet ta kujtojë mikun e tij si një kohë të largët, që nuk kthehet më pas. Ai përpiqet të përmbledhë mendimet, të kujtojë më të mirat për Bujarin, që nuk ishin pak, edhe pse ai si njeri, si çdonjëri prej nesh kishte ato “veset” e tij, me të cilat shpesh qeshnin, ai, Bujari dhe Bojkeni.
Ndriçim Xhepa tregon për “Panoramën”: Me Bujar Lakon kemi qenë kolegë dhe miq. Si kolegë kemi realizuar së bashku rreth 10 role si partnerë, në teatër dhe në film. Mund të përmend filmat “I paharruari”, në vitin 1984, “Vendimi”, “Telefoni i një mëngjesi, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, ndërsa në teatër kemi luajtur në vepra të autorëve të rëndësishëm botërorë, si “Vdekja e një komisioneri”, “Vdekja e Dantonit”, ku luajmë dy role antagonistësh, “Portreti i Dorian Greit”, ku ai interpretonte rolin e formuluesit të Greit apo “Monserati”, ku ai interpretonte rolin kryesor pozitiv, kurse unë atë negativ.
Pra, ky bashkëpunim na bëri të afërt me njëri-tjetrin, edhe pse kishim dhjetë vjet diferencë në moshë. Kur unë nisa punë në Teatër në vitin ’80, ai tashmë kishte 10 vjet që punonte dhe kishte krijuar një emër të madh. Kishte realizuar disa nga rolet më të rëndësishme të karrierës së tij, edhe pse ishte vetëm 25 apo 28 vjeç.
Mund të kujtoj rolin e Tunxhit tek “Udha e shkronjave”, Halit Beratin te “Gjeneral Gramafoni”, rolin e Sekretarit të parë, Martin Krekës, tek filmi “Përballimi”, që nga ana profesionale është i realizuar apo te “Ballë për Ballë”. Por megjithëse tashmë ai ishte bërë i njohur, u ndjemë të afërt për njëri-tjetrin.
Ndoshta për faktin se ishim rritur të dy në të njëjtat ambiente, në Tiranë, ndanim të njëjtat shije, të njëjtat koncepte për jetën e për zanatin. Shpesh bisedonim me njëri-tjetrin për ato të pakta programe cilësore që mundnim të shikonim me shumë sakrifica në stacionet italiane apo të Beogradit dhe mendimet tona përkonin në gjykime e vlera përcaktuese.
Në larminë e roleve që ka luajtur mund të veçoj 4-5 personazhe, që ai i ka ndërtuar me mjete dhe rifinitura të holla, me një lëvizje psikologjike, realiste, duke krijuar figura të atilla që e bënë aq shumë të vlerësuar dhe të ngulitur në kujtesën e spektatorit. Loja e tij ishte realiste, me shpërthime atje ku duhej dhe me pika shumë emocionuese, si në skenën e fundit të Tunxhit pas vdekjes së Dhaskal Todrit, apo skena e Halit Beratit që luan për fëmijën e vogël.
Lako dhe Pavlina Mani, foto e rralle publikuar nga Teatri Kombetar
Në rolet që ne kemi luajtur së bashku, na ka qëlluar që herë të jemi vëllezër, e shumë herë antagonistë. I tillë është edhe në filmin “Telefoni i një mëngjesi”, ku unë luaj rolin e gazetarit dhe ai të drejtorit, që me të drejtë “sulmohet” prej meje. Por mënyra se si e mbron pozicionin e tij është shumë logjike dhe e vërtetë. Jemi sa antagonistë në misionet tona, aq edhe miq në filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur” të Anagnostit.
Pra, është një larmi rolesh e bashkëpunimi, që më bën të them se e kam njohur me themel Bujarin. Kjo njohje na bënte edhe shumë miq me njëri-tjetrin, larg ambienteve të punës, në tryezë kafeneje apo për një gotë verë, ku ndanim shumë mendime të përbashkëta.
Së fundmi, unë u bëra iniciator që ai të ishte pjesëtar i jurisë së Festivalit të Teatrit në Korçë dhe kujtoj të gjitha ato diskutime që bënim për teatrin. Serioziteti dhe ndershmëria e tij në punë, për të vlerësuar me rigorozitet vlerat e vërteta, ishin mbresëlënëse.
Bujari ishte me të vërtetë tepër serioz në punë. Ai është ndër të rrallët aktorë shqiptarë, nga ata që numërohen me kokrra, që pas viteve ’70, si në film, ashtu edhe në teatër. Avancuan në gjuhën e lojës autoriale. Ishte një ndër ata që i dha një hov bashkëkohor aktrimit në Shqipëri.
Dhe në mënyrë absolute është nga ata aktorë që lë gjurmë dhe në sistemin e aktrimit, jo kushdo mundet ta bëjë këtë. Ai doli mbi të rëndomtën apo mesataren e shumë aktorëve, duke na lënë shijen e një loje të fisme, elegante dhe emocionuese.