NGA PREÇ ZOGAJ
Kush mund ta përmbledhë vetingun me pak fjalë të thjeshta që ta kuptojë edhe një nxënës në klasën e nëntë?
Kjo pyetje u bë një mbrëmje në një studio televizive, shprehje e nevojës për të shpjeguar për publikun e gjerë fjalën e ditës, atë që ngërthen enigmën apo bindjen e një pastrimi vendimtar të tempullit të drejtësisë nga korrupsioni, si parakusht për të vendosur ndëshkueshmërinë ligjore në nivelet e larta të politikës dhe krimit në vend. Të ikin prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar e të kapur.
Të vijnë të pakorruptuarit e të pakapurit. Këta do të guxojnë të çojnë para ligjit qeveritarët e korruptuar dhe të paprekshmit e botës së krimit. Kjo është narrativa e re që ngre peshë pritjen, që ngjall shpresat e njerëzve për ligjshmëri dhe drejtësi, që u premton një kuptim të jetës atyre që kanë besuar dhe besojnë te puna e ndershme.
E gjithë kjo ëndërr e madhe ka marrë sot një emër që nuk ishte dëgjuar në Shqipëri deri para një a dy vjetësh: veting. Tingëllon si vetëtimë e bubullimë bashkë. Vetingu do të na shpëtojë! Mendja e njerëzve është bombarduar e, ndoshta, edhe fiksuar në këtë bindje Vetingu është kushti i vetëm për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, këmbëngul Kryeministri (Në asnjë raport të BE¬së për Shqipërinë nuk e kemi parë të shkruar. Po ku ka kala që nuk e merr vetingu)!
Në propagandën qeveritare, mungesa dhe vonesa e vetingut po rezulton të jetë shkaku kryesor i thuajse të gjitha skandaleve e të këqijave që ndodhin në vend. Pronat janë bërë lëmsh, sepse nuk ka veting. Nuk e kishim ditur, po tani po del se vendi është bërë i pajetueshëm dhe njerëzit ikin nga Shqipëria për këtë shkak. Deri edhe Klement Balili, i shpallur në kërkim ndërkombëtar që në maj të këtij viti, nuk qenka kapur se nuk kemi veting!
Në këtë psikozë, nuk do të ishte habi që mësuesve që po protestojnë për shpërblimin e fundit të vitit apo për pagesat e punës jashtë orarit t’u thuhet “çfarë shpërblimi kërkoni ju kur mirë e dini se vetingu po vonohet”! Një gjë nënkuptohet qartë nga gjithë kjo: Gjëra të tilla nuk do të ndodhin më pasi të kemi vetingun. Çudibërja e tij po troket. A është realiste kjo? A është vërtet vetingu zgjidhja e madhe dhe e bekuar që na ka munguar gjithë këto vite dhe që do na nxjerrë në dritë sapo ta kemi? Apo vetingut po i ngarkohet bashkë me barrën reale që ka, edhe një mal me iluzione?
Siç ka ndodhur edhe me nisma të tjera, që janë paraqitur si metamite të shpëtimit, siç ka qenë, fjala vjen, ligji për heqjen e imunitetit të deputetëve. Për të dhënë një përgjigje, na duhet të shkojmë përsëri te pyetja e bërë me seriozitet apo me ironi në një emision televiziv: kush mund ta përmbledhë vetingun me pak fjalë të thjeshta e të kuptueshme edhe për një nxënës të klasës së nëntë? Po bëj dhe unë një provë. Vetingu është një kontroll i trefishtë që tregon çfarë kanë, kush janë dhe sa dinë secili prej prokurorëve dhe gjyqtarëve. Mbi këtë bazë të dhënash, të apelueshme për vërtetësinë e tyre nga vetë të kontrolluarit, do të dalë se kush duhet të rrijë e kush duhet të ikë. Më thjesht se kaq! Tani le të shtojmë edhe dy hollësi:
E para, vetingu si i tillë është pranuar nga Komisioni i Venecias si një zgjidhje sui geneneris për Shqipërinë, që nuk mund të aplikohet askund si një standard ligjor, por në kushtet e Shqipërisë nuk kishte rrugë tjetër për të atakuar në aulën e drejtësisë nivelin e lartë të korrupsionit dhe pandëshkueshmërinë në vend. Pas “Venecias”, që ka bërë rekomandime shumë të hollësishme se si duhet të zbatohet kjo gjë e padëgjuar dhe e rrezikshme nëse abuzohet me të, vetingun si zgjidhje sui generis e kanë pranuar e votuar me unanimitet të plotë të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë më datë 21 korrik, duke u gdhirë 22 korriku i këtij viti. E dyta, mjerisht, konsensusi për të votuar dispozitat kushtetuese të vetingut, që e bëjnë atë të parrëzueshëm nga asnjë fuqi në botë
përveç deputetëve që e kanë votuar, nuk u pasua me votimin me konsensus edhe të ligjit të vetingut, që është si dega në trungun e pemës¬ le ta themi kështu. Opozita e ankimoi degën (ligjin), duke pretenduar se nuk ka dalë e kulluar nga trungu (dispozitat kushtetuese), por është shartuar me një hile thelbësore, që në analizë të fundit e lë në dorë të qeverisë të vendosë kush duhet të rrijë e kush duhet të ikë nga prokurorët dhe gjyqtarët¬ vlerësimi i PD¬së. Komisioni i Venecias është shprehur për këtë çështje. Gjykata Kushtetuese do të marrë vendim kësaj jave. Nuk bëhet fjalë për të rrëzuar vetingun. Fjala është ose për ta lënë ligjin siç është, ose për të krasitur ndonjë bisk antikushtetues. Punë e Gjykatës! E sigurt dhe e pashmangshme është se vetingu si kontroll se çfarë ke, kush je dhe sa di do të fillojë të zbatohet shumë shpejt. A do të lindë pas kësaj një diell i ri për Shqipërinë? Diçka e rëndësishme do të ndodhë, pa dyshim. Ligji i vetingut do të sjellë një pastrim domethënës të sistemit aktual të drejtësisë dhe do të dekurajojë të ndyjnë duart të rinjtë që do të integrohen në sistem. Garanci për këtë janë partnerët amerikanë dhe europianë të Shqipërisë. Ata e kanë diktuar vetingun si zgjidhje sui generis në të mirë të Shqipërisë. Politikanët tanë e dinë se vetingu i prokurorëve dhe gjyqtarëve nuk është një eksperiment apo qëllim në vetvete, por bëhet për të nxjerrë prokurorë e gjyqtarë të pakapur që do të merren me ta, pra me politikanët dhe të paprekshmit nga bota e krimit. Ata kanë bërë shumë mirë qe e kanë votuar, pavarësisht se çfarë mund të ndodhë nesër me njërin dhe tjetrin. Vetingu në ketë rrafsh është një premisë për të hapur epokën e ndëshkueshmërisë me nivelet e larta dhe veprimit të barabartë të ligjit në Shqipëri. Mjafton kjo për ta mbajtur vetingun në pëllëmbë të dorës, siç thotë populli. Por t’i japim vetingut çfarë i takon vetingut. Të mos i ngarkojmë barrë që nuk i ka. Të mos krijojmë iluzione me të. Të mos e përdorim për të mbuluar dështime dhe spekulime. Së pari, vetingu, edhe pse i rëndësishëm, është vetëm një nga ligjet e paketës së Reformës në Drejtësi. Rezultatet që priten do t’i sjellë paketa e zbatuar si e një e terë dhe jo ligjet veç e veç.
Së dyti, kushdo që mendon se vetingu është të kontrollosh çfarë kanë, kush janë dhe sa dinë gjyqtarët dhe prokurorët, menjëherë do të mendojë se agjencitë e shumta të shtetit dhe qeverisë që merren dhe paguhen për kontrollin e pasurisë, figurës, ligjshmërisë dhe formimit profesional janë një dështim i madh. Në fakt, edhe pse të hallakatur në disa agjenci, ne e kemi vetingun prej vitesh. Vetë qeveria me instrumentet e saj të kontrollit është një institucion kontrolli gjithashtu. Kur gjitha këto zyra ku paguhen qindra e ndoshta edhe mijëra njerëz kanë dështuar në këtë shkallë, çfarë garancie ka që vetingu i përqendruar si ky sui generis nuk do të dështojë? Garancia e re, siç e thashë më lart, është prania e SHBA¬ve dhe partnerëve europianë. Por duhet më shumë se kaq. Partnerët kanë një kufi deri ku mund të veprojnë.
Së treti, ka një mori skandalesh e shkeljesh që nuk kanë asnjë lidhje me mungesën e vetingut, por kanë një autorësi të qartë brenda strukturave të Ekzekutivit. Në lëmshin e pronave kanë dorën dhe rolin e tyre aktiv prefekturat që vazhdojnë me avazin e shkeljeve. Është vetë Kryeministri autori i promovimit të individëve me rekorde kriminale në poste të larta publike. Sa peshë ka fjala e tij kundër korrupsionit dhe krimit në sistemin e drejtësisë, kur vetë ka dhënë e jep shembuj ekstremë të poshtërimit të qeverisjes me trafikantët dhe të korruptuarit që promovon e mban rreth e rrotull? Vetingu ka vlerë, ai do të zgjidhë diçka, por jo gjithçka. Zgjidhjet e mëdha u përkasin qytetarëve. Garancia numër një janë ose nuk janë ata. Kjo nuk është parullë. As vetingu, as Reforma në Drejtësi nuk i zëvendëson dot ata.