Nga Prof. Asoc. Dr. Jordan DACI
Hetimi parlamentar është një ndër mjetet kryesore që Kushtetuta i njeh Kuvendit, si organi më i lartë vendimmarrës dhe mbartës i sovranitetit shtetëror.
Neni 77 i Kushtetutës përcakton, që:
“1. Kuvendi zgjedh nga gjiri i tij komisione të përhershme, si dhe mund të caktojë komisione të posaçme. 2. Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesë të një së katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë. Përfundimet e tyre nuk janë detyruese për gjykatat, por mund t’i njoftohen prokurorisë, e cila i vlerëson sipas procedurës ligjore.
3. Komisionet e hetimit veprojnë sipas procedurës së parashikuar me ligj.” Sipas përcaktimit të këtij neni, në thelb, rezultatet e hetimit mund të shërbejnë si bazë për prokurorinë, e cila i vlerëson sipas procedurës ligjore, ose më saktë mund t’i shërbejnë ndër të tjera që të vendosë kryesisht regjistrimin e një procedimi penal. Nga ana tjetër, nuk ka asnjë ndalesë që gjykata të vlerësojë rishtazi në tërësi këto përfundime, apo t’i marrë ato si përfundimtare në rastet e pamundësisë së administrimit rishtas të tyre për shkaqe që njeh procedura penale. Gjithashtu, vetë ligji nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”, parashikon në pikën 2 të nenit
4. “Rregullat e parashikuara në Kodin e Procedurës Penale për hetimin zbatohen drejtpërdrejt nga komisionet hetimore të Kuvendit, për aq sa ky ligj nuk parashikon ndryshe.” Ndërkohë, përtej formulimeve të këtij ligji, apo nenit 77 të Kushtetutës, e Drejta Kushtetuese “Për proces të rregullt ligjor” (neni 42), dhe një seri të drejtash të tjera themelore të njeriut, gjejnë zbatim ‘per se’ edhe në procedurën hetimore parlamentare.
Madje, kjo gjë bëhet edhe me e qartë, po të mbahet parasysh ndikimi që mund të ketë nga pikëpamja penale, pyetja dhe përgjigjja e një personi të thirrur për të dëshmuar para një Komisioni Hetimor. Në fakt, përmbajtja e ligjit dhe vetë situatat e krijuar së fundi, nxjerrin në pah qartë që ligji ka mungesa dhe gabime mbi statusin e personit që mund të thirret në komision.
Kjo, pasi hetimi parlamentar sikurse çdo hetim tjetër, apo procedurë ligjore, e konfirmuar kjo edhe nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, duhet të respektojë të drejtën për proces të rregullt në lidhje me personat që marrin pjesë. Këto të drejta përfshijnë edhe të drejtën për t’u përfaqësuar me avokat dhe për të mos u përgjigjur personalisht apo për të kërkuar përjashtimin e një gjyqtari, prokurori etj, që për paralelizëm në këtë situatë nënkuptojnë edhe të drejtën për të kërkuar përjashtimin edhe të një anëtari të një komisioni hetimor parlamentar.
Kjo e drejtë, nënkupton rrjedhimisht edhe të drejtën për të refuzuar dhënien e dëshmisë në kushtet që parashikon Kodi i Procedurës Penale. Rrjedhimisht, në situatën që po flasim, kjo nënkupton që bazuar në rregullat e procedurës penale, Komisioni merr atributet e një organi ‘quasi’ gjyqësor dhe iu nënshtrohet të njëjtave rregullave të Kodit të Procedurës Penale jo vetëm për mënyrën e marrjes në pyetje të personave të thirrur, por edhe në lidhje me kërkesat e neneve 15-18 të Kodit të Procedurës Penale.
Në thelb, këto rregulla zbatohen rrjedhimisht edhe ndaj kryetarit, apo anëtarit,të një Komisioni Hetimor, pasi pjesëmarrja në kushtet e parashikuara nga këto nene, jo vetëm që cënon objektivitetin e hetimit që duhet të kryejë komisioni, por bëhen shkak edhe për shkeljen e të drejtave të personave pjesëmarrës në procedurën hetimore parlamentare.
Gjithashtu, situata e krijuar së fundmi me liderin historik të opozitës së sotme parlamentare, z. Berisha, tregon qartazi që hetimi parlamentar duhet të zbatojë rreptësisht ligjin procedural dhe Kushtetutën e RSH dhe nga një shfaqje mediatike të kthehet në një mekanizëm funksional për ushtrimin e kontrollit parlamentar.
Sigurisht, në kuptim të këtyre rregullave, kërkesa e z. Berisha për përjashtimin e kryetarit të Komisionit Parlamentar, ishte e drejtë dhe e mbështetur në ligj, për pasojë Komisioni s’mund të vepronte dhe as të thërriste atë për të dëshmuar nëpërmjet kryetarit ndaj të cilit ishte depozituar më parë kërkesa për përjashtim. Kjo situatë ligjore, duhet të adresohet edhe me një amendim të këtij ligji.
Respektimi i K.Pr.P. dhe i normave të tjera ligjore nga Komisioni është kërkesë thelbësore e ligjshmërisë dhe e procesit të rregullt ligjor, por mund të çojë edhe në shkeljen e rëndë të së drejtave të personave pjesëmarrës, si dhe mund të përbëjë elementë të mjaftueshëm për ekzistencën e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” për shkelësit e rregullave, pasi në thelb shpërdorimi i detyrës sipas Kodit Penal “Shpërdorimi i detyrës nënkupton kryerjen ose moskryerjen me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet.”
Pra është e qartë, që procedimi para Komisioneve Parlamentare mund të çojë në dëmtimin me dashje të interesave të ligjshme të shtetit, të shtetasve etj… Në këto kushte, është momenti që Kuvendi dhe anëtarët e tij të reflektojnë mbi mënyrën sesi duhet të organizohen dhe funksionojnë Komisionet Hetimore, për të mos i shndërruar ato sikurse ka ndodhur gjatë dy dekadave në një farsë mediatike dhe politike.