Sondazhi i OSBE-së jep shifra të frikshme mbi pëlqimin e komunizmit dhe figurave të tij. Rikthimi i “hijes” së Enver Hoxhës dhe diktaturës si nostalgji në mendjet e të anketuarve.
Përgjigjet mbi motivin e kthimit pas në kohë vijnë nga dështimi i politikës në 25 vitet e fundit dhe mungesës së informimit rreth diktaturës komuniste. Flasin Dashamir Shehi, Gentjana Sula, Mesila Doda, Paskal Milo dhe Mustafa Nano.
Komunizmi ka rënë si mënyrë qeverisje, por jo në “mendjet” e një pjese të mirë të qytetarëve shqiptarë, dhe herë pas here shfaqet gati në nostalgji për të kaluarën, aq sa 45 % e të anketuarve ndikimin e Enver Hoxhës dhe vetë sistemin diktatorial, e gjykojnë si pozitiv.
Pyetja e madhe që lind është mes dështimit jo të sistemit të demokracisë liberale, por të klasës politike shqiptare dhe zhgënjimit prej saj.
Në sondazhin e realizuar nga OSBE në Shqipëri, disa shifra janë vërtet të frikshme, ku më shumë se gjysma e 1000 personave të anketuar në disa rrethe të vendit, nuk e shohin si problem të shkuarën dhe trashëgiminë komuniste.
Ndikimin e Enver Hoxhës 45 % e konsiderojnë si pozitiv, ndërsa 42 %, negativ. Afër gjysma e të anketuarve mendojnë se komunizmi ishte ide e mirë, por e zbatuar keq.
Ndërkohë 1/3 gjykon se ishte ide e keqe dhe e zbatuar po keq.
Mes personave të pyetur, që kapin shifrën 10 %, ka nga ata që në mendje kanë të “indoktrinuar” fort në të shkuarën, kur pranojnë se komunizmi ishte ide e mirë dhe e zbatuar mirë.
Shifra të tilla të dala më shumë se dy dekada pas përmbysjes përfundimtare të regjimit, politikanë dhe analistë e shohin në këndvështrime të ndryshme, por ajo që bien dakord të gjithë është se ka një zhgënjim të theksuar të popullsisë nga klasa politike në 25 vitet e fundit.
“Së pari, ka një pakënaqësi të përgjithshme, ka keqqeverisje që është faktori bazë dhe këtë nuk kemi se si ta mohojmë” -thotë Dashamir Shehi, i cili kurrsesi nuk lë pas dore edhe atë që e konsideron “një frymë restaurimi revolucionare në një farë mënyre, e cila sa herë vjen e majta në pushtet ka lidhje me këtë punë”.
Ndërsa Mesila Doda, që e sheh me dyshim sondazhin mbi përqindje të lartë të nostalgjikëve të komunizmit, ka një këndvështrim më të prerë në lidhje me atë që e konsideron mungesë informimi mbi pasojat e sistemit diktatorial.
“Nuk i kemi mësuar asgjë të rinjve për të kaluarën dhe së dyti, zhgënjimi i përditshëm vesh me pamje engjëlli edhe djajtë më të këqij” -shprehet ajo.
Në sondazh, interesante janë edhe zonat ku banojnë personat e anketuar.
“Të anketuarit nga rajoni qendror kanë një perspektivë shumë më negative për kontributin e Enver Hoxhës (vetëm 33% u përgjigjën se ai kishte pasur ndikim pozitiv), megjithëse ky rajon ka edhe numrin më të madh të atyre që nuk iu përgjigjën fare kësaj pyetjeje. Të anketuarit nga rajoni jugor/jugperëndimor kanë vlerësimin më pozitiv për Enver Hoxhën, pasi më shumë se gjysma e të anketuarve (55%) në atë rajon deklarojnë se ai ka pasur ndikim pozitiv në historinë e vendit” -thuhet në shpjegimin e hartuesve të sondazhit.
“Demokracia është diçka që duhet të mbrohet dhe garantohet çdo ditë. Historia ka treguar që e shkuara, nëse ‘harrohet’ dhe nuk analizohet në mënyrën e duhur, tenton të përsëritet” -kujton Gentjana Sula.
Ndërsa historiani dhe politikani Paskal Milo shprehet se: “ky sondazh nuk dëshmon nostalgji për Enver Hoxhën, por zhgënjim e protestë nga qeverisja 26-vjeçare e demokracisë hibride e të papjekur shqiptare”.
Kreu i OSBE-së në vendin tonë Borchardt, ka një gjykim më të ftohtë për rezultatet e sondazhit, duke theksuar se e njëjta situatë është edhe në vendet ish-komuniste.
“Rezultatet kanë qenë të ngjashme edhe në pjesën lindore të Gjermanisë, sa i takon qëndrimit ndaj regjimit të shkuar. Ka njerëz që kanë krijuar një lloj ndjesie, për të cilën kemi shpikur edhe një fjalë të re:‘Ostalgie’, një kombinim i fjalës Osten (lindje) dhe nostalgji. Kjo ndodh në kohëra kur gjërat nuk janë stabilizuar ende plotësisht, dhe ato nuk janë të stabilizuara as në Gjermani dhe as këtu” -shprehet ai.
Më keq këto shifra duhet të tingëllojnë për personazhet kryesorë të politikës nga viti 1991 dhe deri më tani, që në një lloj mënyrë “punuan” që një pjesë e qytetarëve të kujtojnë dhe përkrahin sistemin diktatorial.
Forumi “Mapo” pas publikimit të sondazhit të organizuar nga OSBE kontaktoi me pesë personazhe të politikës dhe medias, duke ngritur pyetjet mbi një “kthim” të komunizmit dhe arsyet që fatkeqësisht ende ka një pjesë jo të papërfillshme njerëzish që kanë nostalgji për sistemin komunist.
Pyetjet që ngrihen lidhen mbi arsyet që i shtyn një pjesë qytetarësh që të gjykojnë pozitivisht mbi Enver Hoxhën dhe sistemin komunist.
Dështimi i klasës politike në 25 vitet e fundit dhe mosinformimi mbi diktaturën konsiderohen dy nga shkaqet e “ringjalljes” së figurave të së shkuarës dhe vetë komunizmit.
Flasin Dashamir Shehi, Gentjana Sula, Mesila Doda, Paskal Milo dhe Mustafa Nano.
Dashamir Shehi: E kaluara nuk do ta tërheqë mbrapsht Shqipërinë
-Së pari, ka një pakënaqësi të përgjithshme, ka keqqeverisje që është faktori bazë dhe këtë nuk kemi se si ta mohojmë. Së dyti, është edhe një frymë restaurimi revolucionare në një farë mënyre, e cila sa herë vjen e majta në pushtet ka lidhje me këtë punë. Mjafton të shohësh sa media ka që ringjallin simpatinë, sa institucione ka që janë të mbushur mos me të vjetrit, me fëmijët e tyre kështu që duket sikur ajo periudhë ka qenë një periudhë normale, për shkak edhe të një fryme të përgjithshme abuzimi që në fund të fundit këto 25 vjet është bërë kaq keq saqë ajo kohë ia vlen të rishikohet dhe të riçmohet. I gjithë ky reflektim bie pastaj tek ai opinion i të pashkolluarve, injorantëve dhe hallexhinjve dhe nga kjo kategori Shqipëria ka me bollëk. Nuk shoh ndonjë gjë të jashtëzakonshme në këtë mes.
-Sigurisht edhe sondazhi vetë në atë mënyrë si është bërë nuk është se tregon realitetin, sepse po t’i thuash një shqiptari sot se kur ishin më të sigurt sot apo dje, ka qenë dje, dhe në fakt jo vetëm shqiptarët por edhe gjermanët, italianët, rusët në rrafshin personal kanë qenë më të sigurt nën diktaturë. Po t’i thuash një fshatari a ishte arsimi më i mirë dje apo sot sigurisht që ishte më i mirë dje, sepse Enver Hoxha ia çonte mësuesin në fshat ndërsa sot situata ndryshon. Mënyra se si impostohet një anketim i kësaj natyre, bën që ta lëvizësh anketimin sipas qejfit të atyre, që e kanë propozuar. Po të më vënë mua që t’i bëj pyetjet nesër, të jeni të sigurt se shumë shqiptarë nuk e duan atë diktator të shëmtuar që fatkeqësisht e patëm. Një faktor tjetër pastaj që është edhe kryesori është se këtu nuk është bërë dekomunistizimi i shoqërisë, sepse të gjitha qeveritë duke filluar nga e jona e para nuk u morën me kurajën e nevojshme, me ndershmërinë për të thënë se sa zullume kishin bërë Enveri dhe kolegët e tij në 45 vjet sepse një pjesë e tyre vinin nga e majta vetë. Një pjesë tjetër pastaj (duke qenë në një vend të vogël) ishin të lidhur me fajtorët dhe më bashkëfajtorët, Dhe për pasojë ky u quajt një fenomen, një plagë që vetë koha do ta mbyllë vetë. Mirëpo koha shpeshherë nuk punon për të mirën, mund të punojë edhe për më të keqen, koha mund të punojë për progresin por mund të punojë edhe për regresin, për reaksionin. Megjithatë unë nuk do të trembesha fare nga e gjitha kjo. Sepse unë mendoj se brenda popullit shqiptar ka shumë forca dhe energji që tentojnë drejt progresit kështu që sado të lodhen, e kaluara nuk do ta tërheqë mbrapsht Shqipërinë.
-Sigurisht e shoh edhe të lidhur me zhvillimet jashtë, por të tjerët i tërheq një lidership që premton në mos tokën e premtuar, një ishull qetësie dhe sigurie. Ndërsa kjo që bëhet këtu, (në Shqipëri) kjo është që të të tërheqë pas një e kaluar. Dhe kjo është diferencë e madhe. Unë madje shpresoj që këtu të dalin ata lider, që të jenë të fortë në një farë mënyre që t’i qartësojnë idetë, të thonë që shoh majtas apo djathtas se çfarë duan të bëjnë të paktën me Shqipërinë dekadat e ardhshme. Kështu që, kjo që po ndodh këtu te ne, nuk ka shumë lidhje me atë që po ndodh në Evropë. Evropa po tenton t’i gjejë një zgjidhje vetes, shpeshherë edhe në mënyrë të gabuar, ndërsa ne nuk po tentojmë për zgjidhje, por po kapemi te një kamerdare e vjetër e shpuar e së kaluarës.
Mesila Doda: Më afër rinisë për t’i mësuar të kaluarën
-Së pari, unë nuk e besoj se ka vërtet një shifër të tillë personash nostalgjik apo të afeksionuar me diktaturën. Gjithsesi, edhe nëse ka një përqindje në popullsinë aktive apo te të rinjtë ka dy kambana alarmi që bien. Së pari, nuk iu kemi mësuar asgjë të rinjve për të kaluarën dhe së dyti, zhgënjimi i përditshëm vesh me pamje engjëlli edhe djajtë më të këqij. Pra sot duhet të jemi më afër të rinjve për t’i mësuar vërtetësisht të kaluarën dhe të sjellim politika zhvillimi e promovimi të vlerave më të mira njerëzore. Klasa politike shqiptare duhet të mbajë një qëndrim të qartë të një ndarjeje morale me të kaluarën, pasi autoritarizmi, arroganca, egërsia e vulgariteti që bart më vete e ja përcjell shqiptarëve, s’është asgjë tjetër veç reminishencë e të djeshmes
Mustafa Nano: Sondazhi më duket shqetësues, por nuk më çudit
-Rezultatet e sondazhit më duken shqetësuese. Dhe bezdisëse. Dhe arsyeja është shumë e thjeshtë: Diktatura komuniste e Enver Hoxhës ka qenë një nga eksperimentet më tragjike që është bërë ndonjëherë me shqiptarët. Dhe kur them këtë nuk kam parasysh vetëm mizorinë, apo varfërinë, apo izolimin, apo luftën e klasave. Kam parasysh më shumë se kaq. Ajo diktaturë ishte nxjerrje e kombit nga binarët e historisë. Dhe të mendosh se kombi shqiptar, për arsye që dihen, edhe pa këtë eksperiment, ishte deri në një farë mase jashtë këtyre binarëve. Prandaj, rezultatet e këtij sondazhi nuk mund të mos më duken shqetësuese. Nuk e kisha menduar që vetëm një çerek shekulli pas përmbysjes së asaj diktature njerëzit do të rikuperonin simpatinë për të.
-Pyetjes së parë i dhashë përgjigjen se “rezultatet e sondazhit më shqetësojnë”. Por tani në mënyrë disi paradoksale po them se nuk më duken të çuditshme, megjithatë. Unë e kuptoj këtë reagim. Ka njerëz që këtë nostalgji për komunizmin e shpjegojnë me faktin që gjatë 25 viteve të fundit shqiptarëve nuk u është shpjeguar mirë se çfarë ishte komunizmi, që në shkolla nuk është folur për këtë kohë, ose është folur jo në mënyrën e duhur. Por unë mendoj se shpjegimi nuk është ky. E gjitha ka të bëjë me Shqipërinë në të cilën ata janë duke jetuar, me Shqipërinë në të cilën, edhe ata që janë mirë, edhe ata që kanë një punë të mirë, një rrogë të mirë, një biznes të mirë, kanë arsye për të thënë se “këtu nuk jetohet”. Si mund të çuditesh që shqiptarët provojnë simpati për regjimin komunist në një kohë që shumica e shqiptarëve e kanë mendjen veç ta lënë këtë vend? Dhe një pjesë e kanë lënë. E megjithatë – në këtë pikë ata që çuditen e kanë një ngushëllim – ky sondazh nuk do të thotë që shqiptarët, mes kësaj kohe që jetojmë e regjimit komunist, do të zgjidhnin këtë të fundit. Jo, ata nuk do ta zgjidhnin edhe njëherë të dytë komunizmin. Edhe ata që e kanë dashur atë regjim, apo edhe diktatorin vetë, nuk do ishin dakord që komunizmi të kthehej edhe njëherë.
Gentjana Sula: Sondazhi, ka nevojë për më shumë informacion mbi diktaturën
-Shqiptarët e hodhën tej masivisht diktaturën komuniste në vitin ‘90, kur e deshën Shqipërinë si gjithë Europa. Ata nuk humbën asnjë ditë që të çmontonin diktaturën me ligjet e saj famëkeqe që mohonin të drejtat e njeriut, që vrisnin për mendimin ndryshe, që institucionalizonin urrejtjen klasore, që çimentonin aleanca gjeostrategjike në bazë të ideologjisë dhe që përpiqeshin si e si të përjetësonin pushtetin e një klike që mbante peng si në një burg shoqërinë shqiptare. Kështu, standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, shteti i së drejtës dhe integrimi euroatlantik i Shqipërisë u bënë qëllime të përditshme të shoqërisë sonë. Por demokracia është diçka që duhet të mbrohet dhe garantohet çdo ditë. Historia ka treguar që e shkuara, nëse “harrohet” dhe nuk analizohet në mënyrën e duhur tenton të përsëritet. Ka një sërë masash që shoqëria jonë si çdo shoqëri demokratike duhet të marrë dhe që të garantojnë mospërsëritjen e shkeljes masive të të drejtave të njeriut të diktaturës, dhe unë besoj se masat që janë marrë deri tani janë të pjesshme.
-Përshëndes studimin e IDRA-s si një studim i parë që merret me perceptimet e qytetarëve për të kaluarën tonë diktatoriale 50-vjeçare. Mendoj se gjithsesi ky është i pamjaftueshëm për të nxjerrë konkluzione të plota për këtë fenomen dhe do inkurajoja institucionet akademike dhe studiuesit të fitojnë kohën e humbur e të plotësojë këtë studim të parë. Problemi më i madh që shoh nga leximi i statistikës është që shoqëria ende pas 25 vjetësh është ende e përçarë dhe vuan nga mungesa e të kuptuarit e përmasës së dhunës shtetërore dhe pasojave njerëzore që kjo pati, duke mbajtur ende ngritur një mur në dukje të padukshëm që buron nga lufta klasore e të shkuarës. Qartazi studimi tregon se familjet e persekutuara nga sistemi që përbëjnë rreth 30% të të pyeturve kanë përfytyrim krejt tjetër për komunizmin nga ai që ka pjesa tjetër që nuk e ka përjetuar dhunën drejtpërdrejt. Besoj se gjithsekush ka të drejtën e narrativës së vet që buron nga përvojat personale apo familjare, por një shoqëri solidare duhet të synojë që të ndërtojë një narrativë kolektive ku narrativat e secilit tentojnë të konvergojnë. Mendoj se kjo narrativë kolektive për komunizmin është e pandërtuar. Një arsye tjetër është se diktatura komuniste ka vepruar me një makineri dhune e terrori por edhe propagande shumëvjeçare ku janë përdorur gjerësisht dhe falsifikimi i historisë, manipulimi i opinionit publik, denigrimi i kundërshtarëve të regjimit, gjuha e urrejtjes etj. Qëllimi ishte të hiperbolizoheshin “arritjet” dhe të demonizoheshin kundërshtarët. Për fat të keq një masë e madhe e mjeteve të kësaj propagande famëkeqe si librat, filmat, këngët e idelogjizuara ende sot po ofrohen nëpër medie pa asnjë debat publik apo mundësi për reflektim, falas. Mendoj se këto kanë një rol të madh në pengesën që kemi ne për të ndërtuar narrativën e përbashkët kolektive mbi komunizmin. Si konkluzion, hapja e një dialogu kombëtar për të shkuarën do të bëjë të mundur davaritjen e stigmës, stereotipave, miteve të rremë dhe sqarimin e publikut për të vërtetën.
– Mendoj se në këtë rast studimi shprehu diçka tjetër. Qartazi u shpreh një nevojë e madhe për të pasur më shumë informacion dhe për të reflektuar në nivel individual dhe shoqëror në lidhje me diktaturën komuniste. Kështu studimi tregoi një mbështetje të madhe për Ligjin për Informim mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit (rreth 80%) në të gjitha grupmoshat me rreth 30% të anketuarve që do të aplikojnë për informim në autoritetin e sapokrijuar. Duket që shoqëria është e qartë për boshllëkun në informacion dhe klishetë e mbetura dhe kërkon të evoluojë.
Paskal Milo: Rikthimi i komunizmit? Mendim i tejkaluar
-Më duket mendim i tejkaluar. Shqiptarët kanë përjetuar jo komunizëm por një regjim stalinist si variantin më të deformuar të komunizmit. Për rrjedhojë nuk ka shans që kjo të ndodhë. Edhe ky sondazh nuk dëshmon nostalgji për Enver Hoxhën, por zhgënjim e proteste nga qeverisja 26-vjeçare e demokracisë hibride e të papjekur shqiptare, zhgënjim nga klasa politike që i ka qeverisur dhe dështim i programeve dhe i premtimeve për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa.
-Kjo është shprehje pakënaqësie por jo një lëvizje e strukturuar antiestablishment. Që ajo të transformohet në një lëvizje të ndërgjegjshme politike ka nevojë për një forcë e program të qartë që të përfaqësojë këtë pakënaqësi në rritje. Establishmenti i vjetër politik e pengon me ligjet që ka imponuar çdo shfaqje të faktorëve të rinj politikë./Mapo