Punimet për ndërtimin e parkimit nënktokësor në sheshin Skëndërbej në Tiranë dyshohet se po ndërtohen në shkelje të ligjit.
Gjergj Bojaxhi, kreu i partisë “Sfida për Shqipërinë”, ka depozituar një kallëzim Penal në Prokurori ndaj bashkisë së Tiranës dhe Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit.
Bojaxhi thotë në padinë e tij,se deri tani Bashkia e Tiranës dhe kryetari i saj, Erion Veliaj nuk kanë lëshuar asnjë leje ndërtimi për parkingun, si autoritete përgjegjës për vendimmarrjen lidhur me aplikimet për leje zhvillimi dhe ndërtimin në territorin që administrojnë.
Sipas tij, IMT e Bashkisë së Tiranës ka shkelur ligjin duke mosndërhyrë për të ndërprerë punimet.
“Këta funksionareë, me mosveprime dhe me dashje kanë konsumuar elementë të veprës penale të “shpërdorimit të detyrës… Pozita e funksionarëve të lartpërmendur rëndohet edhe më shumë nga fakti se me mosveprimin e tyre kanë lejuar ardhjen e pasojave të rënda e të pakthyeshme…” thuhet në kallzim.
Në një deklaratë ku sqaron vendimin, Bojaxhi thotë se se gjatë vitit 2015, 619 qytetarë u dënuan për ndertime pa leje duke përfshirë këtu edhe raste për rrethim prone. “Ndërkaq Bashkia ndërton pa leje dhe në shkelje të ligjit në mes të Tiranës. Ku është barazia para ligjit?”.
Sipas Bojaxhi, qytetarët sot qeverisen nga një pushtet që e përdor ligjin si mjet represioni dhe jo si mjet që rrjedh nga një kontratë shoqërore për të krijuar mundësi të barabarta për të gjithë.