Marrja e patentës për të qarkulluar në rrugë është domosdoshmërish e shoqëruar me procedura mjekësore. Por cilat janë procedurat që duhen ndjekur dhe kur duhet të tregohet kujdes? Më poshtë mund të gjeni përgjigje të plota nga mjekët e kontaktuar nga gazeta “Shëndet+” lidhur me raportin mjekësor të nevojshëm për marrjen e lejes së drejtimit.
Doktoreshë Bruna Shiroka, drejtuese e Qendrës Shëndetësore nr. 3 në Tiranë, shpjegon lidhur me kartelën mjekësore të nevojshme për lejen e drejtimit dhe pse është e nevojshme kjo kartelë.
Doktoreshë, cilat janë procedurat mjekësore që duhet të kryejë një individ për të marrë patentë?
Çdo shtetas mbi 18 vjeç i cili kërkon të pajiset me patentë, duhet të paraqitet në një nga qendrat shëndetësore me dokumentet përkatëse, ku me vete duhet të ketë: një kopje të kartelës shëndetësore dhe dy fotografi. Me këto ai përfiton formularin për patentë të cilin e plotëson pjesërisht tek mjeku i familjes dhe pjesërisht tek mjeku specialist.
Cila është kostoja e formularit me kartë shëndeti dhe cila pa kartë shëndeti?
Formulari ka një pagesë standarde prej 1000 lekësh të reja, si me kartë, ashtu edhe pa kartë shëndeti. Ndërsa vizita tek mjekët specialistë (otojatër dhe okulist) kushton përkatësisht nga 1500 për secilin. Pra, mesatarisht kostoja e patentës shkon 4000 lekë të reja.
Them mesatarisht, sepse për ata që janë të pasiguruar ka dhe një kosto prej 100 lekësh të reja tek mjeku i familjes dhe 500 lekë për grupin e gjakut.
Pse kushtëzohet bërja e kontrollit për sytë dhe veshët?
Bërja e kontrollit nuk kushtëzohet vetëm për sytë dhe veshët. Nëse do të shikoni një formular patente, do të vërehet se një nga kushtet është kartela tek mjeku i familjes. Kartela është ajo e cila ka gjithë historinë e zhvillimit të një personi, që nga lindja e deri në momentin kur ka ardhur për të bërë patentën. Duke nisur që nga sëmundjet psikike, sistemi kardiovaskular, sistemi respirator, sistemi enkodrin, nëse ka trajtim aktual etj, janë të gjitha rubrika të vendosura në formularë, dhe plotësohen me shumë kompetencë dhe përgjegjshmëri nga mjeku i familjes. Rastet me probleme, apo që dyshojmë, ne i kalojmë tek mjekët specialistë. Përsa i përket kontrollit për veshët dhe sytë, duhet çuar patjetër tek një mjek specialist, pasi kërkohen aparatura të veçanta.
Një herë në sa kohë duhet përsëritur ky kontroll?
Sa herë që rinovohet patenta. Deri në moshën 40-vjeçare rinovimi i patentës dhe bashkë me të dhe të gjitha kontrollet bëhen një herë në dhjetë vjet, pas kësaj moshe çdo pesë vjet.
Cila nga këto kushte në rast mosplotësimi e penalizon aplikuesin?
Çdo rubrikë penalizon. E përfiton ose jo patentën, kjo varet nga shkalla e problemit, është një komision i përbërë nga tre specilistë që vendos. Duhet të theksoj se këtu (para komisionit) ne çojmë vetëm rastet që kanë probleme, sepse ato që janë mirë, i mbyll mjeku i familjes.
Pse është e rëndësishme vendosja e grupit të gjakut në patentë?
Ne gjithmonë mendojmë në kohë paqe dhe të mirë, por që duhet menduar dhe në kohëra jo të mira, siç janë rastet e aksidenteve. Le të marrim një shembull: në një aksident me pasoja të rënda ku i aksidentuari ka nevojë urgjent për transfuzion gjaku, por nuk është i vetëdijshëm për të ndihmuar veten (treguar grupin e gjakut që i përket). Në këtë rast na vjen në ndihmë një detaj i vogël. por mjaft i rëndësishëm siç është vendosja e grupit të gjakut në patentë. Kjo është arsyeja e vendosjes së grupit të gjakut në patentë.
Sa e rëndësishme është bërja e këtyre analizave?
Shumë e rëndësishme. Në momentin që ti drejton një automjet, je përgjegjës jo vetëm për jetën tënde, por edhe për jetën e tjetrit, kalimtarit dhe drejtuesit të një automjeti tjetër. Pra, në momentin që ti merr një automjet, nuk je përgjegjës vetëm për veten tënde, por je i detyruar të respektosh dhe vlerësosh jetën dhe shëndetin e gjithçkaje që ekziston përreth teje.
A është e vërtetë që personave me syze nuk iu lejohet të marrin patentë?
Jo, absolutisht. Jo vetëm për sytë, por për çfarëdo lloj sëmundjeje, kjo përcaktohet nga shkalla e vlerësimit që bëjnë mjekët specialistë. Ka një manual që përcakton se deri në çfarë grade është e lejuar për të përdorur automjetin dhe deri në çfarë grade nuk është e lejuar.
Një rast kur ju është dashur t’ia kaloni mjekut specialist?
Sot kisha një rast të një djali me epilepsi. Ishte dignostikuar që në fëmijërinë e hershme me epilepsi, pra kartela kishte dignozën epilepsi. Në fakt, një i sëmurë epilektik në aktivitet trajtohet me substanca që kanë veprim në sistemin nervor dhe për pasojë një epilepsi në aktivitet, një pacient në vlerësimin tim, por edhe të komisionit, nuk mund të marrë formularin e drejtimit të automjetit. Rasti në fjalë kishte qenë një epilepsi kalimtare dhe që prej 15 vjetësh nuk trajtohej më. Ky person edhe pse ka vuajtur dikur nga epilepsia, nuk penalizohet. Arsyeja? Ai nuk përdor më substanca psikoaktive apo substanca të tjera që kanë efekt në sistemin nervor qendror dhe është i aftë për të drejtuar një automjet. Megjithatë, këto raste ne i kalojmë tek mjekët specialistë. Dhe këtu dalim përsëri në faktin që nuk të penalizon sëmundja, por shkalla e sëmundjes dhe niveli i trajtimit aktual.
***
Syzet dhe patenta, ç’duhet të dimë – Dr.Suzana Zhuka, okuliste pranë Poliklinikës së Specialiteteve nr.3 në Tiranë
Doktoreshë, a mund të pajiset me leje drejtimi një person që mban syze?
Absolutisht që po dhe ky kriter ligjor përcaktohet që në patentë, ku veç të tjerash (identiteti, grupi i gjakut) shënohet “I aftë për drejtim automjeti me syze”.
Cilat janë procedurat mjekësore që duhet të kryejë?
Testi i shikimit është testi bazë për mjekun okulist dhe funksionon kështu: Qytetari ulet 5m nga distanca përball tabelës dhe i bëhet testi i shikimit. Nëse rezulton se personi shikon më pak se 50%, atëherë duhet patjetër të korrigjohet me syze. Në momentin që korrigjohet me syze, ne plotësojmë formularin ku, veç shkallës së shikimit, shënojmë dhe numrin e syzeve. Është shumë e rëndësishme që korrigjimi të bëhet 100%.
Po në rastet kur personi shikon vetëm me njërin sy?
Ka raste ku për shkak të patologjive të ndryshme (vrarë/dëmtuar) personi shikon 100% me njërin sy dhe 0% me tjetrin. Atëherë këto raste (edhe invalidët) mund të marrin patentë, por mbi bazën e disa kritereve të tjera ligjore.
E para: këta persona e fitojnë të drejtën e drejtimit të automjetit, por vetëm për përdorim automjeti personal. Kjo do të thotë që nuk kanë të drejtë të punojnë si shoferë.
E dyta: kanë të drejtë të ecin, por vetëm me shpejtësi të kufizuar dhe vetëm brenda për brenda qytetit. Nuk u lejohet të ngasin natën, në errësirë etj. Pra, gjithkush ka të drejtë të ngasë makinë, por në varësi të rastit, duhet t’i nënshtrohen disa rregullave të caktuara ligjore.
***
Dëgjimi dhe patenta, a ka raste ndëshkimore?
Dr.Ylli Kërçani, ORL pranë Poliklinikës së Specialiteteve nr. 1 në Tiranë: “Lidhur me marrjen e patentës dhe vizitën për veshët tek mjeku ORL, duhet të kemi parasysh se para komisionit për vlerësimin e shkallës së dëgjimit kalojnë vetëm ato raste që paraqesin ulje të shprehur dëgjimi.
“Megjithëse tepër të rralla, këto raste korrigjohen me vendosjen e një aparati dëgjimi në vesh. Është e njëjta gjë si me sytë, kur ti vë syze. Ndërsa në rastet kur kemi të bëjmë me dëmtime të thella, përdoret implanti koklear.” /Gazeta Shendeti/