Si po hidhen poshtë paratë publike në emër të memorialit të diktaturës?!
Nga Matilda Terpollari
Pak ditë më parë, Kryeministri Edi Rama inauguroi një tjetër vendstrehim antibërthamor në Tiranë. Pasi i vendosi një bunker përsipër, në hyrje të vendstrehimit në mes të Tiranës, ai e modifikoi atë edhe nga ana historike. Në fjalën e hapjes së ekspozitës apo muzeut, apo instalacionit, Kryeministri kërkoi që ne të besonim se; “Ky bunker është praktikisht hyrja në të parin memorial kushtuar kujtimit të viktimave të terrorit komunist”.
Në fakt, edhe ky bunker, ashtu si vendstrehimi Tufinës, i pari në linjën muzeale në përkujtim të viktimave të komunizmit, është një ekspozitë ku përveç emrit të dhomave, asgjë nuk justifikon të parin memorial të diktaturës. Sapo hyn në të, mbi kokë shfaqen fotografitë e viktimave të komunizmit, fotografi të bëra publike këto 26 vjet disa herë. Në një pjesë të muzeut flitet për historinë e Ministrisë së Rendit. Një gjë normale kjo pasi ky objekt, më së shumti, i përket kësaj Ministrie. Kjo gjë tregohet në pjesën më të madhe me fotografi dhe më pak me objekte fizike. Më pas në dhomat e tjera flitet për përgjimet në kohën e diktaturës, për mënyren dhe mjetet me të cilat bëheshin ato. Janë ekspozuar fotografi me cimka, shirita filmi si dhe mënyra se si, sipas këtij muzeu, ushtroheshin torturat në burgjet komuniste. Në krye të dhomës së torturave qëndron dhe një objekt i stërmadh metalik. Befas, teksa ecën si vizitor, një hekurishte shfaqet frikshëm në njërën prej dhomave në bunkerin antibërthamor. Një lloj Frankenshtajni modern! Ndoshta një simbol i tjetërsimit të qenies, i shndërrimit në përbindësh, një mekanikë aparaturash pa shpirt. Por, që është thjesht një kopje e ardhur nga një tjetër vend, një tjetër kulturë. Një grumbull hekurishtesh pa vlerë!
Pas saj nisin dhomat ku vizitorët njihen me emrat e të burgosurve dhe të përndjekurve. Në një stendë janë vendosur dosjet e hetuesisë. Lexohen qartë. Njëra p.sh. ka emrin Abdul Kokoshi, mirëpo nuk është dosja origjinale e tij dhe nuk mund të jetë një zbulim i kohës së shkuar për të. Ato janë të gjitha imitime. Dosje me një karton që shkëlqen, të blera në ndonjë kancelari dhe të shkruara me bojë tushi, ndoshta pak përpara se të hapej ky muze. Pra, nuk kanë asnjë lidhje me origjinalin.
Në kulmin e kësaj mungese origjinaliteti, në dhomën që mban numrin 19 qendron këmisha e një të burgosuri. Ajo është e markës së njohur hollandeze C&A, të vëllezërve “Clemens and August”, e masës ‘medium’, 65% poliestër. Këshillohet të lahet me lavatriçe deri në 69 gradë. Këmisha qëndron aty si një tallje për publikun, i cili ka hyrë në muze të shikojë të parin memorial kushtuar viktimave të terrorrit komunist. Më pas një dhomë me një dritë dhe zhurmë, për të cilën nuk di njeri të na thotë se si është përdorur dhe cili ka qenë funksioni i saj në mjetet e torturës në sistemin komunist. Sidoqoftë, pjesa më e madhe e muzeut i kushtohet përgjimeve. Një gjë, e cila na fut në shumë pikëpyetje. Me një shumë disa qindra-mijëra euro në muajin Shkurt në Tiranë do të hapet pikërisht Muzeu i Përgjigjmeve ose ndryshe “Shtëpia e Gjetheve”, por objektet e saj dhe historia e përgjimeve është zhvendosur në mënyrë të pakuptueshme në bunkerin antibërthamor të Ministrisë së Mbrojtjes. Nëse “Shtëpia me Gjethe”, e cila në kohën e diktaturës ka qenë Shtëpia e Përgjimeve, do të inagurohet në shkurt, pikërisht si një muze i përgjimeve dhe torturave të terrorrit komunist, atëherë përse objektet, filmat, aparatet, cimkat janë marrë që aty dhe janë transferuar në bunkerin e Ministrisë së Mbrojtjes ? Përse sendet janë zhvendosur dhe na tregohen jashtë habitatit në të cilin janë përdorur?
Ky bunker është i treti në linjën muzeale që Kryeministri Edi Rama po hap në Tiranë në nder të viktimave të komunizmit. Le të kthehemi dy vite më pare, kur kryeministri propagandoi këtë iniciativë si të vetmen serioze pas 26 viteve demokraci në Shqiperi. Dy vite më parë në datën 19 nëntor 2014, ai i çuditi të gjithë me fjalorin që përdori për të përkufizuar muzeun e Bunk’Art 1 ose ndryshe vendstrehimin e Tufinës . Në fjalën e tij, brenda në vendstrehim, ai tha: “Kemi çelur derën e një thesari të kujtesës sonë kolektive. A ka kush mundësi të më thotë, se si është e mundur që kjo ngrehinë të ruhej si mister ?”.
Kryeministri Rama preferoi të përdorte këtë fjalë atraktive për këtë vendstrehim; thesar!. Ai shkoi dhe më tej duke përforcuar ligjëratën e tij me befasinë që pati për këtë “mister”.
Në fjalën e tij të hapjes, Rama akuzoi paraardhësit e tij të pas viteve ‘ 90 për mbajtjen fshehur të bunkerit. Menjëherë pas kësaj deklarate, qindra vizitorë në ditë shkuan të shihnin vendstrehimin e Tufinës në Tiranë, të ndërtuar për t’i bërë ballë shpërthimeve atomike. Ai është një vend të cilin vizitorët nuk e kishin parë më parë. Fortifikimi ka ngjallur kuriozitet, ndoshta për shkak të orendive apo emrave të dhomave në të, ndoshta sepse ai mund të ishte vërtetë i tillë, ndoshta sepse u quajt “thesar”. Por çfarë ka qenë ky vendstrehim dhe a rezultoi ai të ishte sot një thesar?
Le të ndalemi pak këtu. Vendstrehimi kundër armëve atomike në Tufinë, nisi të ndërtohet në vitin 1972 dhe përfundoi 6 vite më vone. Ky fortifikim është një mes dhjetëra të tjerëve, të cilët u ndërtuan pas vitit ‘75 për t’i bërë ballë një sulmi të mundshëm atomik. Në fakt, ky strehim ka qenë destinacioni i Shtabit të Përgjithshëm dhe shërbente për drejtimin e trupave, njësive, për drejtimin e komandave, dhënien e urdhrave dhe udhëzimeve të ndryshme. Po në të njëjtën mënyrë ishin ndërtuar edhe vendkomandat e drejtimit të Shtabeve të Korpuseve e të Brigadave.
Me shpikjen e bombës atomike do të ndryshonte dhe lloji i bunkerizimit në të gjithë botën. Nga bunkeri që Hitleri i dha fund jetës do të kalohej në metoda të tjera të fortifikimit. Fortifikimi antiberthamor kishte nisur edhe në Shqipërinë komuniste. Aq i rëndësishëm u bë fortifikimi, sa në vendet evropiane shtëpitë e banimit e kishin të detyruar një vendstrehim në të cilin të kishte ushqime dhe veshmbathje për tre ditë. Në këtë sistem mbrojtjeje, sigurisht që dhe Shqipëria, e cila ishte pjesë e bllokut komunist, do të realizonte fortifikimet e saj nëntokësore. Pra, në çdo shkollë, kopsht apo poshtë pallateve, sot ekzistojnë ende vendstrehimet. Ato janë me nga dy-tre dhoma dhe tualete. Gjithë bota ishte në një mbrojtje kundër shpërthimeve nukleare.
Por, për Kryeministrin, ky tunel ishte çudia më e madhe që u ishte mbajtur pa të drejtë shqiptarëve si i fshehur. Ja se si e rriti ai retoriken për Bunk’Art nr 1 në fjalën hapëse, dy vjet më pare:
“Ky është një varr i hapur i një kohe të shkuar për të na kujtuar se ende nuk kemi arritur dot të varrosim në paqe tundimin që përmes të shkuarës të marrim peng të ardhmen. Dhe kjo është arsyeja se pse ne do t’i hapim këto varre të kujtesës. Nga këto që janë në formë godinash tek ato që janë në formë tunelesh e tek ato që janë në formë dosjesh”.
Në fakt, Kryeministri gabon duke na çuditur të gjithëve me çudinë e tij. Kur bëhet fjalë për këto tunele kundër një lufte nukleare, kemi të bëjmë me një procedurë shtetërore, më shumë se një procedurë komuniste.
Gjatë Luftës së Ftohtë që kishte përfshirë globin, a do të ndërtoheshin tunele antibërthamorë edhe nëse Shqipëria nuk do të ishte një vend komunist? Sigurisht që po. Ky bunker që Kryeministri e serviri si një thesar të zbuluar nga ai, në fakt ishte një fenomen evropian dhe botëror. Në atë kohë, Shqipëria vërtet ishte e izoluar, por ky bunker ishte i vetmi që qendronte brenda kontekstit evropian dhe në sinkron të plotë me dy blloqet e Luftës së Ftohtë. Amerika ka 50 të tilla edhe sot. NATO i ka vendkomandat e saj të gjitha nëntokë. Ndërkohë Kryeministri në retorikën e tij nuk arrinte të besonte, se si ka mundësi që paraardhësit e tij e mbajtën fshehur këtë varr që ai po hapte në nder të viktimave të diktaturës. Ai e vazhdoi fjalimin duke u çuditur edhe më shumë duke deklaruar: “A ka kush mundësi të më thotë se si mundet që kjo ngrehinë të ruhej si mister dhe t’i fshihej publikut si sekret shtetëror ?”
Konteksti i këtij bunkeri në fakt është i vetmi që na lidhi me botën. Pra, zbulimi i një misteri të diktaturës ishte një gënjeshtër dhe paratë që u hodhën për të shkuan dëm. Ai mbetet një përdorim i shëmtuar i së shkuarës diktatoriale dhe aspak një zbulim i saj.
Por, deformimi i varreve të komunizmit nuk mbaron këtu. Po të hyni brenda Bunk’Art 1, në këtë vend që Kryeministri e quajti ‘thesar’, ju do të gjendeni ose jeni gjendur përballë një ekspozite që as ka lidhje më të. Aty, sapo hyni, përballeni me reparte të veçantë ekspozimi të Shqipërisë, nën pushtimin e Italisë fashiste. Një sektor i veçantë i është kushtuar themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare. Edhe rezistenca e Luftës Nacional Çlirimtare zë një vend të rëndësishëm. Akoma një vend më të madh aty zë figura e diktatorit Enver Hoxha. Në dhomën që ka emrin e Enver Hoxhës qëndron një nga librat që flet për sigurinë e pasluftës, “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së Re”, qëndron gazeta “Zëri i Popullit”, fotografia e Hoxhës si ushtarak, si dhe krevati. Fotografitë e ekspozuara për Hoxhën, në shumicën e tyre, i përkasin periudhës të Luftës Nacional Çlirimtare, pikërisht kohës kur kjo luftë kishte nevojë të legjitimohej, pra deri në vitin 1952. Ai paraqitet në muzeun-ekspozitë me veshje ushtarake pasi e mbajti këtë uniformë edhe 8 vite pas luftës. Në bunkerin antibërthamor, ne nuk patëm mundësi të vizitonim një muze të Luftës së Ftohtë. Përveç disa efekteve teknike apo objekteve, siç është dhoma e ndërlidhjes. Vendstrehimi i Tufinës, i quajtur Bunk’Art 1, do të jetë një atraksion turistik, pikërisht si një e shkuar komuniste. Por, a është ky bunker antibërthamor përfaqësues i komunizmit? A është ky një “varr” apo “thesar”, që hapi Kryeministri Rama për tu shkëputur me të kaluarën komuniste? A u shkëput ai vërtet nga ajo? Jo! Me futjen në tunelin antibërthamor të një muzeu të Luftes Nacional Çlirimtare, Kryeministri Edi Rama na ka larguar nga e vërteta dhe e ka ngatërruar publikun edhe më shumë. Ndërsa Kryeministri i ftoi vizitorët të shihnin një muze antibërthamor nuklear, ata në fakt nuk panë atë, por panë një muze të Luftës Nacional Çlirimtare.
Nuk patën mundësi të njiheshin me pjesëmarrjen e Shqipërisë në Luftën e Ftohtë, me paratë që ky vend i vogël përdori për të qenë pjesë e kësaj lufte. Ekspozita u kulmua me dhomën e diktatorit, e cila nuk ishte aty si dëshmi e kohës, pasi nuk kishte ekzistuar në të vërtetë.
Ndaj sot kemi një zinxhir muzeal në të cilin, përveçse janë hedhur shumë para, ështe keqpërdorur historia. Pra, qëllimi i vërtetë është hedhja e parave dhe jo zinxhiri muzeal në kujtim të viktimave të komunizmit. Sot, në njërin bunker hyjmë për të parë komunizmin dhe dalim duke parë një muze të luftës, ndërsa në tjetrin shikojmë të njëjtat gjëra për të cilat do të harxhohen po aq para, të cilat do të hidhen në muajin shkurt në “Shtëpinë e Gjetheve”. E sigurisht, shikojmë dhe këmishën e markës C&A, e cila na serviret si këmisha e një të burgosuri.
Prandaj Kryeministër, për të gjitha këto para publike, ne nuk do ta qepim gojën!