Blendi Gonxhe, në një status në faqen e tij zyrtare ka publikuar disa foto ku shpreh pakënaqësinë ndaj qytetarëve të cilët jetojnë në rrugën e sapo inaguruar, “Rruga e Kosovarëve”. Ndonëse në këtë rrugë është rritur numri e vendeve të parkimit, qytetarët përsëri parkojnë në trotuar.
“Para 2 muajsh u inaugurua rruga e re e Kosovarëve, çliroi lagjen, hapi plot parkime nga dy krahët e i rriti vlerën tërë zonës – por shikoni se sa lehtë është të zhbësh! Shikoni ku parkojnë edhe pse parkime ka! Hypin e zdrypin në trotuar, shëmtojnë zonën ku banojnë! Shumë afër nis Parku me plot kosha por mbeturinat i hedhin përtokë! Kazanet e mbeturinave janë bosh por mbeturinat shtëpiake i hedhin tek koshat e vegjël që janë për tjetër funksion! Biçikletat i lidhim si gomerë pas pemëve a shtyllave pak metra larg parkimeve bosh! Mbetjet inerte i flakim buzë rrugës e mbi pemët e reja! Pse kjo sjellje me hapësirën e pronën e përbashkët? I qahemi shtetit për çdo gjë por shikoni se çfarë i bëjmë vetvetes! Nuk ka shtet që ja del dot nëse në çdo cep Kapedanët ndyjnë, çjerrin, përshkelin, përmjerin, zhbëjnë, zaptojnë… (Fotot në 1 km vijë ajrore – imagjino më gjerë)”, shkruan Blendi Gonxhe.