Provat e gjetura në makinën që Nelgert Pata kishte lënë të parkuar në hotelin ku kishte qëndruar ditët e fundit në Fier kanë “përmbysur” hetimet. Përveç dy armëve të tipit kallashnikov që policia gjeti në “Benz”-in e blinduar, ndodhej edhe një shishe me benzinë. Nisur nga ky fakt, hetuesit kanë prova të forta se Pata, para se të ekzekutohej me breshëri plumbash nga persona ende të paidentifikuar, ka qenë duke përgatitur ndonjë atentat të mundshëm ndaj ndonjërit prej pjesëtarëve të bandës së tij rivale.
Ky dyshim lidhet me faktin se makina që përdorej kohët e fundit nga 34-vjeçari, e cila ishte vjedhur në qytetin e Vlorës, ishte me naftë dhe jo me benzinë. Kështu, Nelgert Pata duket se kishte planifikuar me detaje gjithçka që do të bënte. Për dy armët kallashnikov, dyshohet se njëra do të përdorej nga ai vetë, dhe se shishja me benzinë do të përdorej për djegien e provave.
Burime pranë hetuesve sqaruan më tej për “Gazeta Shqiptare” se tashmë janë duke u verifikuar edhe tabulatet e telefonit të Nelgert Patës për të hedhur më shumë dritë rreth këtij dyshimi. Nga përgjimet ka rezultuar se viktima ka pasur komunikime të vazhdueshme me disa persona, biseda këto të cilat janë duke u verifikuar nga prokurorët e çështjes. Për këtë ngjarje, policia lokale ka pasur 20 persona të shoqëruar, por asnjë të arrestuar. I vetmi person që është vendosur në pranga është Ari (Ilirjan) Alinani, i cili ishte drejtuesi i mjetit ku mbeti i vrarë Pata. 39-vjeçarit nga Delvina iu komunikua masa e arrestit në ambientet e spitalit të Fierit, për shkak se nga plumbat ai mbeti i plagosur lehtë në krahun e djathtë.
Arrestimi
Ari Alinani u arrestua me kërkesë të Prokurorisë së Fierit, i akuzuar për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Ndalimi u bë pasi gjatë dëshmisë së tij, 39-vjeçari ka qenë kontradiktor në faktet që jepte. Edhe pse Alinani pretendonte se nuk e njihte mirë viktimën, përgjimet telefonike kanë vërtetuar të kundërtën. Kjo, pasi Pata rezultonte se ka biseduar vazhdimisht në telefon me Ari Alinanin.
Lidhur me këtë fakt, mësohet se i plagosuri nuk ka dhënë shpjegime, por ka pohuar se nuk njihej shumë mirë me Patën. Por, mbi bazën e tabulateve telefonike, hetuesit kanë prova të forta se të dy këta persona kanë pasur njohje me njëri-tjetrin. Ndërsa, i pyetur në lidhje me mjetin që Alinani ishte duke drejtuar në momentin e krimit, ka treguar se kjo makinë është blerë nga Nelgert Pata që të përdorej nga 39-vjeçari.
Hetimi
Burimet e lartpërmendura sqaruan se janë duke u verifikuar edhe disa hotele të tjera në zonën e Fierit. Kjo për faktin se policia dhe prokuroria kanë dyshime se viktima dhe i plagosuri e kanë kaluar natën në një hotel pranë rrugës Fier–Seman. Po ashtu, dyshimet janë edhe se autorët e krimit janë strehuar në një hotel po në këtë zonë. Mësohet se nga këqyrja e disa kamerave të sigurisë të bizneseve të zonës, është vërejtur se autorët kanë qenë pa maska. Ata janë vërejtur duke nxjerrë krahët nga xhamat e dyerve të para të makinës “Benz” që u gjet e djegur në Zhupan.
Mësohet se dy nga atentatorët kanë qëlluar në drejtim të mjetit ku udhëtonte Pata, e konkretisht shoferi dhe pasagjeri i ulur pas tij. Ndërsa një person tjetër dyshohet të ketë qëlluar jashtë makinës që objektivit të tyre, për shkak se në vendin e ngjarjes u gjet vetëm një gëzhojë.
Ndërkaq, pranë makinës së atentatorëve ndodheshin edhe dy mjete të tjera, të cilat janë duke u verifikuar nëse kanë pasur lidhje me atentatin e ngritur ndaj Patës ose jo. Këto mjete, pas të shtënave janë larguar mes rrugicës së lagjes, ndërkohë që automjeti nga u qëllua me kallashë me silenciatorë ka kaluar drejt Qënasit, Vadhizës, e më pas i është vënë flaka në Zhupan.
Pikërisht në këtë vend, agresorët janë pritur nga një automjet tjetër, duke iu shpëtuar forcave të policisë. Burime konfidenciale të Gazetës thanë se skena e djegies së automjetit tip “Benz” me portabagazh është filmuar me celular nga një fëmijë 13-vjeçar, i cili ishte gjendur rastësisht aty duke luajtur në linjën hekurudhore.
Ndërsa, kur ka shkuar në banesën e tij, videoja është fshirë nga prindërit e tij, nga frika se mos djalit dhe kësaj familjeje mund t’u ndodhte ndonjë gjë. I mituri ka treguar se e ka parë makinën të ecte me shpejtësi dhe të nxirrte tym pas, por nuk ka pasur dijeni se çfarë kishte ndodhur. Nga hetimet paraprake, pista kryesore ku po hetohet është ajo e hakmarrjes, pas konflikteve mes dy grupeve rivale. Por nuk përjashtohet edhe ndonjë hasmëri ndaj Nelgert Patës për çështjen e prostitucionit.