Mjekësia e sëmurë dhe Policia e shëndoshë e shtetit
Nga Artur Zheji
Dje kalova një paradite në një spital privat, sepse sa të mundem, spitalit shtetëror kam frikë ti afrohem.
Djali im bëri një ndërhyrje të vogël kirurgjikale te gishti i madh i këmbës. Sepse Patriku ka pasion dhe luan futboll dhe gishti kishte pësuar një dëmtim “serioz”. Erdhi rrotull tim biri një staf mjekësh dhe infermieresh, në një korridor dhe në një dhomës të pastër dhe të mirëmobiluar. Sigurisht bëmë pagesën e kripur që në mëngjes herët, por edhe shërbimi dhe kujdesi që pasoi, ishte po aq i ëmbël dhe i përsosur, sa edhe ishte e kripur pagesa. Aty në një shtrat pranë djalit tim, ishte një fëmijë më i vogël, rrethuar nga kujdesi i trembur dhe plot ankth i prindërve. Vogëlushi, kishte një masë të pakuptueshme në bark, që rritej me shpejtësi dhe duhej hapur, egzaminuar dhe hequr.
Nëna e fëmijës, më njohu dhe më pyeti për ndërhyrjen kirurgjikale të djalit tim. Dhe kur dëgjoji arësyen, tundi kokën edhe e lehtësuar, edhe pak përqeshëse. “Çështje thoi dhe çështje gishti”, ka menduar me vete ajo. Ndërsa halli i tyre ishte shumë më i madh dhe shumë më i panjohur dhe lotët e saj rridhnin rrëke. Ishte sjellë vërdallë nëpër spitalet tona shtetërore dhe i kishin thënë se vogëlushi i saj kishte apendisit dhe duhej operuar menjëherë. Por një parandjenjë e nënës, i kish folur dhe e kish këshilluar se Doktori i Shtetërores, ja fuste kot.
Dhe parandjenja e nënës ishte e drejtë. Në spitalin privat i thanë, pas vizitave të kujdesshme se vetëm apendisit nuk kishte, por bëhej fjalë për një kist, ndërmjet zorrëve dhe organeve të brendshme dhe që duhej operuar me urgjencë.
Patriku im, bënte humor me infermieret dhe qëndroi si burrë, se “operacioni”, operacion është sidoqoftë, edhe kur bëhet fjalë për gishtin e këmbës, ndërkohë që ne e mbulonim me përqafime dhe te puthura dhe na shkëputi në ato çaste, edhe premtimin për një palë këpucë të reja dhe të shtrenjta sporti.
Ndërsa prisnim përfundimin e ndërhyrjes, edhe vogëlushi tjetër, kishte hyrë në sallën e operacionit, por për një ndërhyrje shumë më të vështirë dhe me mjaft të panjohura. Familjarët e shumtë, të ardhur nga rrethet, mbanin me të mira nënën, që hera herës shpërthente në lot dhe ndahej e vetmuar.
U ndjeva edhe mirë edhe keq në ato çaste. U ndjeva mirë që halli im ishte fare i vogël, në krahasim me hallin e saj. U ndjeva keq, për trishtimin dhe ankthin e saj pa kufi, për paratë që kishte shpenzuar, që do të kishin krijuar një “gropë të ndjeshme financiare”, në kushtet që dukshëm ata ishin. Jo të gëzueshme sigurisht. Po e rëndësishme për ata ishte Fëmija dhe shpëtimi i tij.
Për koincidencë, ata dolën nga salla e operacionit, pothuajse në të njejtën kohë, me djalin tim. Dhe mrekullisht na erdhën dy lajme të mira. Patriku kishte dalë mirë dhe skishte dhimbje! Ndërsa Vogëlushi i panjohur, që nuk kishte pasur apendisit aspak, kishte një qese me ujë, krejt e padëmshme dhe pas ndërhyrjes lehtësisht e riparueshme për shëndetin e tij.
Ndërsa ime shoqe përcillte djalin e fashuar, që kishte edhe pak hemoragji, në trafikun kolaps në hyrjen nga autostrada, një postbllok i Policisë së Shtetit, i kishte ndaluar rreptësisht makinën.
Shefi i rreptë antikrim dhe anti terror që merrej me operacionin ndëshkimor të “Gjobave të papaguara”, u kishte bllokuar makinën në mënyrë pedante dhe arrogante, si ta kishte kapur me hashash. Ah, harrova, po të ishte me hashash, ndoshta jo!
Kishin shkuar më kot arësyetimet se ishte një fëmijë 13 vjecar, që kishte dalë nga salla e Operacionit dhe plaga e gishtit rridhte gjak. Polici shef, “i ndershëm dhe i paprekshëm”, nuk kish ngrënë “pykë”, por i kishte zbritur nga makina, gruan dhe djalin tim, në mes të rrugës, duke bllokuar automjetin se skishte paguar gjobat. Duke realizuar kështu me vetmohim dhe ndërgjegje të lartë, vendosjen e një guri themeli në shtet formimin e Shqipërisë.
Dhe ishte bërë edhe disa herë më i zellshëm, kur shoferi i kish thënë se është makina e Artur Zhejit dhe se me të vërtetë, djalin sapo e kishim nxjerrë nga spitali dhe po e çonin në shtëpi. Dhe ishte zbathur dhe me këmbë të fashuar! Dhe se më pas, le të mbanin dokumentat, makinën e çonim vetë në vend grumbullimin e “fajtorëve”. Por Shefi ishte i paepur dhe i pa zemër. Dhe kështu ndodhi, familja ime e gëzuar zbatoi Ligjin, urdhëruar me forcën e unformës së përfaqsuesve të saj.
Kur ma rrëfyen këtë episode, sigurisht që u mërzita jo pak. Por gëzimi i shpëtimit të Vogëlushit dhe fati i tij i madh, që nuk kishte marrë ndonjë thikë qorre në spital të shtetit, ma ledhatoi humorin.
Porse nuk mundem të mos shënoj thashethemin, që pronarët privatë të parkingut të stërmadh të makinave “fajtore” për mospagesë gjobash, ishin farefis me shoferin personal të Ministrit të Brendshëm dhe se aty paguhet 5000 lekë të vjetra në 24 orë.
Uroj të mos jetë e vërtetë, por edhe po ishte, Jeta do të vazhdojë të ketë edhe anët e saja pozitive!