Ngjarjet e rënda që nisin në Facebook dhe mjetet e tjera virtuale si kërcënime të vogla, që mbyllen me krime të rënda. 25 denoncime janë regjistruar nga policia në 3 muaj, e përfshijnë shantazhet me video intime e shtrëngim për dhënie pasurie. Roli i familjes, shoqërisë dhe strukturave shtetërore, në jetën virtuale. Flet profesorja sociologe Anisa Subashi dhe psikologia Jorida Rustemi.
Nga Sebi Alla
Një like (pëlqim), në Facebook i kushtoi adoleshentit 17-vjeçar nga Divjaka tre thika në trup.
Teksa A.B, vijon të shërojë plagët në Spitalin e Lushnjës, autori i krimit E.P, ndodhet në dhomat e paraburgimit, për akuzën e tentativës së vrasjes. Të dy kanë mbajtur të njëjtin version para policisë: “U zumë në Facebook, pastaj nisëm të shaheshim dhe kërcënonim njëri-tjetrin, deri sa ndodhi ngjarja”.
A.B është me fat që plagët nuk ishin fatale.
2 muaj më parë në Pogradec sherri në Facebook mes dy adoleshentëve u bë shkak i një vrasjeje.
Breshëria e armës së Fabian Muçollarit rezultoi vdekjeprurëse për Fabio Hilën, i cili vdiq rrugës teksa transportohej në spital.
Edhe shokët e viktimës dhe agresorit ngjarjen e mësuan fillimisht nga komunikimi në Facebook, kur ende nuk kishte dalë në titrat e televizioneve informative, apo portaleve online.
Dhe kjo nuk është një çështje shqiptare.
Ranker.com, rendit në një artikull të paktën 20 krime të lidhura me mediat sociale, mjaft të ngjashme me ato që po ndodhin në Shqipëri.
Me terma si “Vdekje e shkaktuar prej rrjeteve sociale”, japin mbi 5 mijë rezultate.
Titujt janë njësoj: “Një burrë vrau ish-gruan se kjo i kujtoi në Facebook detyrimin e papaguar për fëmijët, një tjetër grua humbi jetën nga i shoqi xheloz pasi kishte ndërruar në “single” (beqare) statusin e saj në Facebook”.
Ndërkohë në Shqipëri policia regjistroi 25 denoncime në 3 muaj që kishin lidhje me rrjetet sociale.
Komunikimi virtual dhe realiteti
Një shoqëri përgjithësisht e dhunshme, që fatkeqësisht në formën e saj më të shpejtë shfaqet te moshat para-adoleshente dhe adoleshentë. Pedagogia e Universitetit Europian të Tiranës Anisa Subashi thotë se duhet t’i rezistojmë ndikimit social, sidomos kur kemi një mbështetje morale.
“Konformizmi është pjesë e ndikimit social dhe është procesi ku individi e ndryshon sjelljen për t’u përshtatur me normat sociale me rregulla ose ide dhe tregon se si duhet të sillen njerëzit në situata të caktuara. Ne mund t’i rezistojmë ndikimit social më mirë kur kemi një mbështetje morale. Por a e kanë adoleshentët mbështetjen morale? Ndër aktivitetet më të zakonshme të fëmijëve të sotëm dhe adoleshentëve është përdorimi i mediave sociale. Çdo website që lejon ndërveprimin shoqëror konsiderohet një media sociale, duke përfshirë rrjetet sociale të tilla si Facebook, Instagram, Snapchat, My Space dhe Twitter, apo faqe me video si YouTube dhe bloge të ndryshme” -thotë Subashi.
Për sociologen, vende të tilla i ofrojnë rinisë së sotme një portal për argëtim dhe komunikim, dhe vitet e fundit janë rritur, por këto faqe nuk ofrojnë vetëm argëtim, shpesh herë kthehen në faktorë të grindjeve midis bashkëmoshatarëve deri në vrasje të adoleshentëve.
Subashi konstaton edhe një anë tjetër të komunikimit social, ku përveç agresivitetit janë një mori problematikash të tjera, që ndikojnë edhe në psikologjinë e përdoruesve adoleshentë të rrjeteve sociale.
“Shumë adoleshentë përballen me problemet e mundshme të mediave sociale si ‘cyberbullizmin’, ‘depresioni i Facebook’, seksizmi online, dhe ekspozimi ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme për moshën” -komenton Subashi.
Sjell në vëmendje një studim të kohëve të fundit që zbulon se 20 % e adoleshentëve kanë dërguar ose postuar fotografi apo video lakuriq të vetes ose të shokëve.
Ky është një problem më vete edhe për policinë, pasi shumë denoncime mbërrijnë në komisariate të ndryshme të vendit për kërcënim dhe kanosje me qëllim dhënien e pasurisë, ndryshe personave do u publikonin foto intime, apo pamje komprometuese në rrjetet sociale.
“Vetëm në tre muajt e fundit në Tiranë janë mbi 25 denoncime të personave të ndryshëm që ankohen se kanë marrë kërcënime në rrjetet sociale. Kryesisht preh e këtyre shantazheve janë vajza të reja, të cilat kërcënohen nga ish-të dashurit ose persona të tjerë se do i nxjerrin foto intime në Facebook. Ndërsa nuk mungojnë as rastet ku të shantazhuarve u kërkohet dhënie pasurie në mënyrë që të mos u publikohen materiale komprometuese” -thotë një burim në Policinë e Tiranës.
Kërcënime të tilla konsiderohen nga psikologët si nisja e momenteve të ankthit të individëve që janë objekt.
Të rriturit kërcënues
Nga kjo “sëmundje” nuk po vuajnë vetëm adoleshentët, apo nxënës të shkollave 9-vjeçare, por edhe të rinj të pjekur.
Një ngjarje e tri muajve më parë në afërsi të “Qytetit të Nxënësve”, ngjante si një tentativë për larje hesapesh mes grupeve rivale, me atentate të mirorganizuara dhe pritë më armë.
Në fund u zbulua se i gjithë ky angazhim për të sulmuar tjetrin, kishte nisur nga disa fyerje në Facebook dhe më pas gjendja degradoi në shpërthim të dhunshëm.
Në lidhje me këtë situatë psikologia Jorida Rustemi, e sheh çështjen si mjaft komplekse, që për të minimizuar ngjarjet negative duhet një grup aktorësh.
“Shkolla duhet të bëjë pjesën e saj, policia gjithashtu dhe i rëndësishëm është policimi në komunitet dhe fëmijët, nuk duhet që ta tolerojnë këtë fenomen”, thotë Rustemi.
Gjithashtu ajo ngre një shqetësim serioz për sa i përket bulizmit në shkolla dhe jo vetëm, që bëhet edhe më shqetësues në përdorimin e komunikimit virtual mes fëmijëve dhe adoleshentëve.
“Kemi bulizmin virtual dhe si i tillë problemi mund të bëhet edhe midis të panjohurish dhe duhet të dimë si ta raportojmë” -komenton Rustemi.
Ndërsa këmbëngul që për të pasur një zbutje të këtij fenomeni nuk duhet të ketë vetëm censurë, por të kulturohet komuniteti dhe roli i familjes, shkollës, apo institucioneve të tjera shtetërore duhet të jetë më i madh.
Ndërsa rrjetet sociale nga mjet komunikimi masiv, në disa raste po kthehen në pikënisjen e humbjes së jetëve njerëzore dhe makthit të shantazhit./Mapo