Deputetja e Libra-s, Mimoza Hafizi thotë se ka ndjekur me vëmendje rastin e hedhjes së salcës ndaj ministres së Arsimit Lindita Nikolla.
E ftuar në studion e emisionit “Tonight Ilva Tare”, ajo tha se nuk e komentonte rastin, ndërsa theksoi se kjo kishte ardhur për shkak të arrogancës së qeverisë.
Hafizi: Si ka mundësi që ua mban ndërgjegjja këtë njollë në shpirti, që ju duke cenuar jetën e të tjerëve e mbani në ndërgjegjen tuaj. Si mund të përballoni jehonën e urrejtjes së studentëve, të cilët nuk kanë mundësi të bashkohen në bulevard. Në 6 javë, 7 javë i mbajtën përpara kompjuterëve.
Ndërsa aktivistja, Dalina Fico teksa ka kundërshtuar aktin, duke theksuar se ishte kundër dhunës.
Fico: Nëse do të iki për herë të dytë nga Shqipëria, nuk do të iki për shkak të rrugëve me gropa. Do të ikja për dy gjëra; për mungesën e dashamirësisë ndaj njëri-tjetrit dhe dhunën në komunikim. Në këtë kuadër, nuk kam ushtruar kurrë dhunë. Pastaj kam një problem shumë të rëndë që një vajzë e re të dhunojë një grua ministre.
Mund të diskutojmë deri në fund për politikat që ndjek ministria. Zonja Nikolla është një grua e nderuar, një ish-mësuese e nderuar, një ish-kryetare e minibashkie. Një njeri që nuk ka asnjë lloj agresiviteti. Edhe si feministe jam kundër ngritjes së dorës.
Pedagogu Jani Marka tha se akti ishte i menduar, ndërsa shtoi se ky është akt i Lëvizjes për Universitetin.
Marka: Për mendimin tim nuk duhej përmendur fare emri i Mirelës.
Tare: Mos ia merrni meritën…
Marka: Mirela ka bërë detyrën, nuk ka bërë asnjë akt të jashtëzakonshëm. Ka bërë detyrën si çdo student. Mirela nuk është ndër emrat që kanë goditur me vezë vitin e shkuar Edi Ramën. Ky është një akt i Lëvizjes për Universitetin.
Hafizi: Ka dy mënyra të reaguari, që është ose mënyra e zgjedhjes, ose e protestës. Këta përdorin metodat e veta që është rruga e revoltës popullore që mungon në vendin tonë. Është për t’u respektuar fakti që disa njerëz që nuk duan të jenë në politikë, zhvillojnë protesta.
Marka: E kemi konsideruar si akt politik. Nuk kemi pasur qëllim të sulmojmë zonjën Nikolla. Zot na ruaj!
A janë organizatë e ekstremit të majtë Lëvizja për Universitetin?
Përfaqësuesi i kësaj Lëvizje, pedagogu Jani Marka thotë se ata nuk janë komunistë në kuptimin që shqiptarët kuptojnë.
Hafizi: Më e rëndë njolla në shpirt se në trup
Marka: Ne jemi të majtë. Nuk jemi radikalë. Zt. Rama është i djathtë. PD-ja ka elementë të djathtë, megjithëse shtresat më të varfra të Shqipërisë janë të djathtë. Jemi të majtë jo radikal. Ne kërkojmë arsim publik falas. Kërkojmë që tarifat të ulen.
Hafizi: Fatmirësisht jemi në një shoqëri demokratike dhe secili ka mundësi të eksplorojë format që dëshiron.
Fico: Kemi një problem të rëndë në Shqipëri me empatinë dhe parimin. O do i rrimë parimit o nuk do t’i rrimë parimit. Do të përfundojmë që komunikimi ynë të jetë me vezë dhe me salca dhe domate të prishura. Unë them nuk kemi asnjë përfitim si shoqëri nga zbritja e nivelit të komunikimit. Ne nuk duhet ta hapim këtë derë. Nuk jemi shoqëri racionale.
Hafizi: Meqenëse Delina e paraqet Linditën si njeri shumë të mirë.
Fico: E njeh Linditën, nuk është një grua arrogante.
Hafizi: Lindita u detyrua të bëjë disa veprime, spo themi reforma, që cenojnë jetën e njerëzve. Edhe në qoftë se ajo nuk ka qenë koshiente ia kemi thënë kaq shumë. Në qoftë se do të isha detyruar me forcë nga dikush që të bëja diçka të tillë, sinqerisht salca mbi kokë do të ishte dhuratë mbi mua. Më e rëndë është njolla që të jep plaga nga shkatërrimi i jetës së të tjerëve, se sa njolla në trup.