Policia shqiptare duket se po e humb luftën në ndalimin e përhapjes së kultivimit të kanabisit, që sipas ekspertëve po çorienton ekonominë dhe politikën dhe që po rrezikon themelet e demokracisë.
Kultivimi i kanabisit është sërish në qendër të vëmendjes në Shqipëri ndërsa pozita dhe qeveria shkëmbejnë debat për këtë çështje.
Opozita e qendrës së djathtë e akuzon qeverinë e qendrës së majtë të Edi Ramës se ka mbyllur sytë ndaj përhapjes së gjerë të kultivimit të kanabisit për të kënaqur njerëzit e përfshirë në “industri” përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të ardhshëm. Zyrtarë të partisë qeverisëse e mohojnë me forcë pretendimin.
Ekspertët, ndërkohë, thonë se kultivimi i drogës po është duke lënë në hije dhe po çorienton ekonominë shqiptare, duke dobësuar bizneset e ligjshme dhe duke korruptuar institucionet shtetërore.
Ata besojnë se nëse qeveria nuk e godet fuqishëm kultivimin e shkallës së gjerë të kanabisit që ka zgjatur prej dy dekadash, kjo mund të trondisë themelet e shoqërisë, ashtu sikurse skema piramidale që prishi ekonominë dhe çoi vendin në kufi të luftës civile në vitin 1997.
Megjithëse Shqipëria ka disa kohë që i ka shpallur luftë kultivimit të kanabisit, korrjet e kanabis sativës – një nga llojet më të zakonshme i përdorur për prodhimin e marijuanës dhe hashashit – vlerësohet të kenë qenë më të shumtat në vite.
Më 8 tetor, policia e shtetit tha në një konferencë të përbashkët me policinë italine nga Guardia di Finanza se 2.5 milionë bimë ishin shkatërruar në të gjithë Shqipërinë këtë vit.
Në vitin 2013, numri i bimëve të shkatërruara besohet të ishte 90,000. Në vitin 2014, shifra ishte 530,000 ndërsa në 2015 shifra shkoi në 780,000.
Pavarësisht numrit në rritje të bimëve të shkatërruara, shumica e drogës ia doli të shkojë në tregjet ndërkombëtare këtë vit. Policia në Greqi dhe në portet italiane kapi kanabisin e prodhuar në Shqipëri thuajse çdo ditë.
Policia shqiptare i tha BIRN se ndërsa ata po përpiqeshin të bënin për të mirën për të shkatërruar bimët e kanabisit, lufta i kishte kushtuar atyre financiarisht.
Gjatë vitit 2016, ata shpenzuan rreth 6 milionë dollarë nga buxheti vjetor për luftën, ndërsa në vitin 2015 kostoja ishte 3 milionë dollarë dhe në vitin 2014 kostoja ishte 2.5 milionë dollarë.
“Në vitin 2016, kostoja e parandalimit dhe luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike ishte rreth 6 milionë dollarë, shpenzuar kryesisht në logjistikë dhe financimin e operacioneve,” tha policia.
Nga ana tjetër, ata thanë se përveç policisë italiane Guardia di Finanza, që kryen fluturime në Shqipëri një herë në vit për të identifikuar fushat e kanabisit – asnjë institucion ndërkombëtar nuk po i ndihmon financiarisht në luftë.
“Gjatë tre viteve të fundit, Ministria e Brendshme dhe qeveria janë përballur me të gjithë luftën. Asnjë organ tjetër lokal apo ndërkombëtar nuk e ka ndihmuar policinë për këtë,” thanë ata.
Ekonomia e bazuar te kultivimi i kanabisit
Neritan Sejamini, një profesor nga Universiteti i Tiranës dhe redaktor në portalin Exit, i tha BIRN se prodhimi i kanabisit në Shqipëri është një industri një-miliard-dollarëshe që sjell fitime marramendëse për atë që përfshihet në të.
“Nuk ka të dhëna të sakta për të vlerësuar përmasat e ekonomisë së kanabisit. Megjithatë, vlera e sasisë së shkatërruar nga policia shqiptare, plus vlera e kanabisit të kapur nga policia italiane, varion nga 2 deri në 6 miliardë dollarë,” tha ai.
“Sasia [e drogës] së shkatërruar dhe të sekuestruar është vetëm një pjesë e vogël e prodhimit real dhe ekonomia e paligjshme e drogës konkurron në vëllim me të gjithë ekonominë e ligjshme të vendit,” shtoi Sejamini.
Sejamini beson se duke marrë në konsideratë përfitimet nga industria, ekonomia shqiptare mund të konsiderohet si e orientuar nga kanabisi.
“Një nga parimet kryesore të ekonomisë është që njerëzit i drejtojnë burimet nga janë përfitimet. Në kushtet aktuale, është normale që në vend të investimit në bujqësi, shërbime, arsim dhe kështu me radhë, njerëzit të investojnë në kultivimin e kanabisit, duke e orientuar ekonominë e tyre në këtë drejtim,” thotë Sejamini.
Ekspertët besojnë se industria e kanabisit gjithashtu po dëmton industri të tjera dhe bëjnë thirrje që qeveria ta bëjë luftën ndaj kanabisit një prioritet kombëtar.
Ata duan masa energjike për t’i dhënë fund kultivimit prej dy dekadash të kanabisit, duke thënë se dështimi i qeverisë për të krijuar një ekonomi solide të bazuar te investimi ka kontribuar në këtë situatë.
“Industria po shtrembëron tregun normal të punës,” tha Zef Preçi, drejtori i Qendrës Shqiptare për Kërkim Ekonomik.
Ai thotë se ndërsa disa industri po kanë probleme me gjetjen e punëtorëve ngaqë punëtorët paguhen më mirë duke punuar për ata që prodhojnë kanabis.
“Çmimet e frutave dhe perimeve janë rritur ngaqë bujqësia normale nuk është një prioritet kur ka kanabis përreth,” tha ai.
Preçi pranon se sektori i kanabisit ka sjellë disa përfitime për ekonominë shqiptare, duke gjeneruar vende pune dhe të ardhura për “punonjësit e saj”.
“Një numër i madh fermerësh shpesh merret sezonalisht në punë dhe përgatit bimët për eksport… në këtë mënyrë, kultivimi ka ndikuar “de fakto” pozitivisht në zhvillimin e përgjithshëm të vendit,” tha ai.
Megjithatë, ekspertët thonë se ky nuk është absolutisht modeli ekonomik që Shqipëria duhet të zhvillojë.
Selami Xhepa, zv.rektor i Universitetit Europian të Tiranës tha për BIRN se megjithëse Shqipëria ka norma të larta të varfërisë dhe papunësisë, kanabisi nuk ka qenë kurrë zgjidhja.
“Varfëria dhe papunësia nuk mund të gjejnë zgjidhje në aktivitete të tilla kriminale. Kjo do të trondiste shtyllat e shoqërisë sonë, duke krijuar paralele me shtetet e dështuara të Amerikës Latine apo Azisë,” tha ai.
“Varfëria dhe papunësia janë gjithashtu të pranishme në vendet fqinje si Maqedonia, Kosova, Bosnja, por një epidemi kanabisi nuk është përhapur te asnjë prej tyre ashtu siç ka ndodhur në Shqipëri,” argumenton ai.
Kanabisi kërcënon shtetin
Në raportin më të fundit për Shqipërinë, Komisioni Europian tha se policia dhe prokuroria shqiptare kanë “dështuar të identifikojnë bandat kriminale pas kultivimit dhe trafikimit të drogës dhe se ndjekja penale efikase ndodh rrallë.
“Ka pak progres në shpërbërjen efektive të rrjeteve kriminale”, theksoi raporti.
Komisioni shkroi se në vitin 2017, Shqipëria duhet të tregojë progres të mëtejshëm në krijimin e një një grupi investigimesh proaktive, ndjekjesh penale dhe dënimesh kundër grupeve të organizuara kriminale, përfshirë konfiskimin e aseteve kriminale dhe shkatërrimin me sukses te rrjeteve kriminale”./ BIRN