Diskutimet për ndarjen e fondeve në buxhetin e shtetit përplasën dje, kreun e Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili dhe ministren e Inovacionit, Milena Harito, në Komisionin parlamentar të Ligjeve.
Si pjesë e ish-qeverisë së mëparshme “Berisha”, Vasili i bëri të qartë ministres Harito se, për dixhitalizimin në sistemin shëndetësor apo edhe në sistemin e pasurive të paluajtshme ishin shpenzuar shumë më pak para.
Ministrja Harito tha se në 3 vjet ishin shpenzuar rreth 100 milionë euro për dixhitalizimin, shifër kjo që u vlerësua tejet e lartë nga Vasili. Sipas tij, me aq para mund të ishin ndërtuar shumë rrugë. Por, duket se ministrja dhe deputeti nuk e gjetën gjuhën e përbashkët gjatë diskutimit në komision.
Harito tha se para 2013-ës, qeveria e mëparshme kishte dështuar në projektin e dixhitalizimit të sistemit të pasurive të paluajtshme edhe pse kishte një fond nga Banka Botërore prej 40 milionë eurosh. Kjo shifër u hodh poshtë nga Vasili, duke i thënë se kishte mungesë informacioni.
“Është mirë të jemi korrektë me administratat, edhe ato që ikin, edhe ato që vijnë, sepse sa herë ndërrojnë njëra-tjetrën, është mirë të fajësojmë njëritjetrin për ato që vërtet janë faje, sepse për ato që s’janë faje, pse t’ua themi?!” – tha Vasili.
Debatet e plota mes Petrit Vasilit dhe Milena Haritos
Petrit Vasili: Zonja ministre, ju referuat që 4 vitet e ardhshme do të jetë një projekt i Bankës Botërore që do të jetë 32 milionë euro, u referuan edhe fondet IPA, që ishin në rendin e 28 milionë eurove. Pyetja ime ishte kjo. Unë vetë kam një bindje shumë të qartë që s’është kështu, por për ata që na dëgjojnë duhet sqaruar. Ne presim që të investojmë rreth 60 milionë apo 70 milionë euro, për të cilat ata nuk e kanë të qartë se përse do investohen. Dhe unë mendoj se është vendi për të thënë këtu, se në buxhetin e vitit 2017, cilat janë fushat ku do përdoret saktësisht kjo pjesë fondesh?
Nuk jemi këtu për një bisedë për një buxhet afatmesëm apo për një buxhet disavjeçar. Kjo mund të jetë detyrë e herës tjetër. E, në rast se gjithë këto para, që nuk janë të pakta për shtetin shqiptar, do të shkojnë të gjitha në një drejtim të caktuar, gjëja e parë që na duhej të thoshim ishte: cilët sektorë kërkojnë një sasi të madhe parash, pse e kërkojnë, dhe ndërkohë, si bashkëjetojnë këto para kaq të shumta që investohen në këtë sektor, me para të tjera që janë investuar po aty më parë?
Milena Harito: Shumë e drejtë, zoti Vasili, se në gjërat që thashë unë, u përpoqa të përmbledh një sërë elementësh të reformave për të qenë e qartë për buxhetin konkret të vitit 2017. Është shumë e rëndësishme të kuptojmë diçka, që ngritja e infrastrukturave dixhitale është diçka komplekse dhe kushton para, dhe kështu ka ndodhur në gjithë vendet e botës, kështu ndodh edhe në Shqipëri. Pra, të ngresh një infrastrukturë dixhitale në shekullin 21 është si të ngresh një infrastrukturë rrugore.
Infrastrukturat dixhitale kushtojnë para në mirëmbajtje dhe duhen përmirësuar vazhdimisht. Është kushti që administratat të funksionojnë mirë, shpejt, dhe të bëjnë gjëra që përpara nuk i bënin dot. Pra, këtë e kemi të qartë. Nuk besoj se duhet të kthehemi te lapsi e te letra. Vetëm për të pasur një ide për vlerën e kësaj, në tri vitet e kaluara për infrastrukturën dixhitale janë shpenzuar nga shteti shqiptar, dhe këtë e keni edhe te APP, nga institucionet e ndryshme, jo vetëm institucioni që drejtoj unë, janë investuar nga buxheti rreth 100 milionë euro, nga bashkitë, institucionet qendrore etj. Është hera e parë që fondet IPA jepen në këtë mënyrë.
Na vihen kushtet, plotësohen disa indikatorë, dhe pastaj fondet jepen në buxhet, i administron Ministria e Financave dhe jo institucioni që drejtoj unë. Ne bëjmë disa detyra, dhe Ministria e Financave i shpërndan këto fonde sipas nevojave.
Petrit Vasili: Ju thatë që në 3 vjet janë shpenzuar 100 milionë euro në kushtet e dixhitalizimit. Në bindjen time është një shifër shumë e rëndësishme dhe shumë e lartë.
Duke pasur një lloj familjariteti me këtë fushë. Unë kam pasur një eksperiencë të drejtpërdrejtë para tre vjetësh, pasi është punuar për të ndërtuar dixhitalizimin e sistemit shëndetësor, besoj një nga sistemet më të mëdha, 14 apo 16 milionë euro, dhe me thënë të drejtën, 100 milionë euro të shpenzuara në 3 vjet është një shifër që të bën të mendohesh se, në këto mundësi ekonomike që kemi, të shpenzosh 100 milionë euro është shumë. 100 milionë janë një shifër shumë e fortë.
Nëse vazhdojmë me këto ritme, ç’gjëra të tjera presim? Se me 100 milionë euro, me 30 milionë të tjera më përpara të prokuruara, shkojnë 130 milionë euro. Unë jam dakord me metaforën tuaj që janë si rrugët e reja, por edhe rrugët kanë një fund. Të kishim 130 milionë euro për të bërë rrugë apo kanale kulluese, do e kishim shpëtuar Shqipërinë nga shumë probleme. Në shumë raste, të matim performancën e punonjësve të dobët nuk ka nevojë për ndonjë dixhitalizim shumë të madh.
Milena Harito: Për të dhënë një ide të përmasave të punës: 100 milionë euro në 3 vjet janë shifra transparente, mund t’i nxjerrë çdokush nga APP-ja. Dhe janë të shpenzuara nga të gjitha institucionet, 60 bashkitë, dhe e gjithë qeveria, që i bie rreth 30 milionë në vit, diçka më shumë, që është shumë pak, shumëshumë pak për të gjithë shtetin. Patjetër që janë shuma të mëdha, por janë të vogla për gjithë nevojat që janë. Nevojat janë 3-4 herë më të mëdha se kaq.
Për t’ju dhënë një ide. Përpara vitit 2013 janë dhënë rreth 40 milionë euro nga Banka Botërore për dixhitalizimin e zyrave të pasurive të paluajtshme, dhe ka qenë një dështim spektakolar për këto 40 milionë euro. Dhe sot, zyrat e pasurive të paluajtshme, nën drejtimin e ministrit Manjani, po e bëjnë këtë gjë vetë me shumë më pak shpenzime, duke marrë në punë një numër njerëzish që hedhin të dhënat, me pak shpenzime softëer-ike. Dhe janë duke realizuar vetë atë që nuk u realizua dot përpara 2013-ës me 40 milionë euro. Kjo është për të vendosur gjërat në balancën e tyre.
Pastaj, se çfarë nevojash ka për dixhitalizim, ato janë të pafundme dhe çdo sistem dixhital kërkon një tarifë mirëmbajtje prej 10 deri 20% në vit, pra, që do të thotë se në 5 vjet është riamortizuar. Dhe kjo është bota dixhitale. Pastaj është zgjedhja jonë, nëse duam botën dixhital
dhe transparencën që ofron ajo, apo nuk duam apo nuk kemi mundësi të investojmë, nuk investojmë.
Petrit Vasili: Sa i takon çështjes së tatimeve, nuk është kështu siç thoni ju. Nuk mund t’ju bëj as fajtore për këtë gjë, sepse kjo është çështje informacioni. Fatkeqësia ime është që kam qenë në tavolinë kur është diskutuar.
Ka qenë shumë më i vogël fondi i Bankës Botërore. Nuk ishte shumë 40 milionë, por ishte shumë më pak. Dhe pikërisht kur qeveria e asaj kohe vendosi të merrte një kredi nga qeveria austriake, një kredi me terma të njëjtë me ato të Bankës Botërore, u gjykua që Banka Botërore të tërhiqej jo për shkak të dështimit, por për shkak se sasia që ajo vinte në dispozicion ishte mjaft e pakët. Dhe u mobilizuan nga qeveria austriake para shumë më të shumta.
Kështu që, e thashë këtë për të qenë korrektë me shifrat, sepse kam qenë në ato tavolina dhe kam dëgjuar. Paratë dhe mënyra se si u qas Banka Botërore ishte edhe nga sasia e parave e ulët, por edhe ekspertiza ishte e dobët. Është mirë të jemi korrektë me administratat, edhe ato që ikin, edhe ato që vijnë.
Është mirë të fajësojmë njëri-tjetrin për ato që vërtet janë faje, sepse për ato që s’janë faje, pse t’ua themi, dhe këtë mund ta verifikoni qetësisht. Ka qenë shumë më e pakët se aq, dhe pikërisht për këtë arsye edhe Banka vendosi të tërhiqej, sepse e kishte të pamundur ta mbështeste programin me aq sasi parash sa qeveria kërkonte. /GazetaShqiptare