NGA PREÇ ZOGAJ
Binomi “Tramp dhe Shqipëria” tingëllon paksa komik dhe në hava jo vetëm se imiton zakonin tonë të vjetër të fryrjes folklorike, por edhe sepse nuk ekziston realisht, akoma, një lidhje kësodore midis Presidentit të porsazgjedhur të SHBA-ve, Donald Tramp, dhe Shqipërisë.
Për momentin ma merr mendja se vendi ynë i vogël nuk i ka dalë ende në ekran Presidentit të ri në pamjen e merituar apo në pamjen që do të donim. Besojmë se do t’i dalë pasi të instalohet në Shtëpinë e Bardhë. Si vendi më proamerikan i Europës. Si një prej aleatëve strategjikë të Uashingtonit në këtë pjesë të globit. Por është ndërkaq fakt se Shqipëria politike po përjeton qysh tani, ndoshta si asnjë vend tjetër, efekte të menjëhershme nga fitorja e Trampit. Që mund të shtohen në të ardhmen.
Kam parasysh përfshirjen aktive të Kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në fushatën e zgjedhjeve amerikane, duke bërë deklarata shumë të forta kundër kandidatit që rezultoi fitues, Donald Tramp. Një qëndrim të tillë nuk e kanë mbajtur gjatë vizitave të tyre në SHBA as Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dhe as kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, të cilët kanë folur në mënyrë korrekte, pa marrë anë, për presidencialet atje.
Deklaratat e Ramës në këtë kontekst kanë krijuar kakofoninë tipike të një vendi ku nuk ka sinkronizim të drejtuesve për qëndrime të rëndësishme dhe ku Kryeministri sillet si dikush që ka privatizuar edhe politikën e jashtme. Por kjo nuk është asgjë në krahasim me faullat e tjerë shumë të rëndë të përfshirjes së tij si palë, me titull personal, por me kostumin e Kryeministrit të Shqipërisë, në garën politike më të rëndësishme të botës. Asnjë Kryeministër në Europë dhe në botën e lirë nuk e ka bërë atë që bëri Kryeministri ynë.
Ka pasur aty-këtu shprehje të shqetësimit nga disa kryeministra për disa nga deklaratat e Trampit, por askush nuk ka abuzuar me mikpritjen amerikane për të bërë fushatë në favor të një pale, askush nuk ka shkuar për të folur e për të marrë anë në SHBA, duke shfrytëzuar media të mëdha si CNN dhe media të tjera. Kryeministri ynë, mjerisht, nuk është mjaftuar të shprehë mbështetjen dhe simpatinë e tij për kandidaten Hilari Klinton, çfarë do të ishte disi e tolerueshme, edhe pse ekziston një etikë që u shkëshillon liderëve ta bëjnë këtë në garat elektorale jashtë vendit të tyre, sidomos kur janë mysafirë në ato vende.
Kryeministri ynë ka shkuar shumë më larg: ka sulmuar, siç di ai, me një të folur brutale që shoqërohet edhe me grimasa brutale, rivalin e zonjës Klinton. Duke e bërë me turp besoj këtë të fundit, për aq sa do t’i këtë rënë në vesh impenjimi i çuditshëm i Kryeministrit shqiptar.
Kam dëgjuar shumë njerëz të pyesin: Pse e bëri Rama këtë? Si nuk arriti të përmbahej në veshjen institucionale të Kryeministrit? Sidomos pasi u muar vesh se të famshmet deklarata të Trampit kundër Kosovës ishin përcjellë në një telefon të prishur?
Përgjigjja më e logjikshme është kjo: Rama vuri me vetëdije një bast shumë të madh për vete me zgjedhjet në SHBA. I hodhi në lojë të gjitha.
Pse?
Basti shumë i madh vihet për të fituar shumë, shumë. Kjo ka qenë llogaria. Unë besoj se Rama ka kërkuar vetë pikësëpari të investohet kundër Trampit në mediat e mëdha amerikane. Nuk propozojnë amerikanët gjëra të tilla të pahijshme, pa interes apo me interes të papërfillshëm. Të ndihmojnë t’i realizosh, në rastin më të mirë. Kaq. Ramës i është për t’iu regjistruar një gjest i fortë në favor të Sekretares së Shtetit, duke besuar në fitoren e saj dhe duke ëndërruar momentin kur do të njihej si pjesë e fitores së saj, për të marrë të vetat. Çfarë do të merrte?
Këtu vijmë tek ajo që mund të kishte ndodhur në Tiranë po të kishte fituar zonja Klinton, suksesin e së cilës e kanë dashur pa dyshim shumë e shumë shqiptarë, por për arsye që nuk kanë të bëjnë fare me bastet dhe kalkulimet politike vetjake të zotit Rama. Duke pasur parasysh bastin e tij shumë të madh, më të madhin që është bërë në shkallë botërore për zgjedhjet në Amerikë, është e arsyeshme të mendohet se me fitoren e zonjës Klinton, zoti Rama do të kishte veshur çizmet, siç e themi në mënyrë metaforike. Kjo besoj se thotë shumëçka. Politikanët tanë të stampës së vjetër e kanë zakon të përdorin aq pak politikë të jashtme që bën vendi ynë për të bërë politikë të brendshme, për t’i zënë hapësirën dhe rrugën kundërshtarit, për t’u vënë shqelmin në fyt kritikëve, për të marrë nën kontroll gjithçka. Në këtë aspekt, Rama, për shumë arsye, është ca më i epshëm se paraardhësit e tij të stampës së vjetër. Në fluturimin e planifikuar në SHBA, menjëherë pas zgjedhjeve, besoj se do të ishte përpjekur e do t’ia kishte dalë të shkëpuste ndonjë foto a selfie me fitimtarët e zgjedhjeve për ta publikuar si foto të ditës, që shqiptarëve t’u lihej të kuptonin, e para:
SHBA e kanë akoma më shumë të tyrin Kryeministrin tonë tani që e panë të rrezikonte për fitoren e Presidentes;
e dyta: falë mbështetjes së pakushtëzuar amerikane do ta kemi në krye edhe për shumë vite të tjera; e treta: le të shkulin flokët Shqupi, mediat e kazanit e gjithë soj e sorollopi i tyre!
Pas kësaj, vendi do të përjetonte një valë të re shumë të fuqishme të revanshit dhe arrogancës tipike të Ramës me shokë, zgjedhjet tashmë të rrezikuara edhe pa këtë zhvillim hipotetik, do të projektoheshin si një formalitet. Rama, sigurisht, nuk do të kishte për këto bekimin e Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit. SHBA nuk tolerojnë në asnjë rrethanë dhe për asnjë arsye prishjen e zgjedhjeve. Sekretarja e Shtetit apo Presidentja eventuale Hilari Klinton nuk ka këtë staturë dhe nuk do të ulej kurrë në batakun e politikës së Tiranës.
Por në Tiranë janë mjeshtër për të abuzuar e manipuluar me mbështetjen amerikane. Sapo SHBA të ndërgjegjësoheshim për abuzimet, të parit që do t’i mbyllej dera e do t’i tregohej vendi do të ishte Edi Rama. Deri atëherë një dëm do të ishte bërë. Të vegjëlve u vjen radha pak vonë për të marrë vëmendjen e të mëdhenjve. Fitorja e Trampit e ka fshirë gjithë këtë skenar. Nëse i rrimë metaforës së përmendur pak më lart, Rama nuk mund t’i veshë çizmet. Ai nuk se ka dështuar thjesht në një parashikim. Ka humbur një bast të madh. Nga vendi ynë i vogël ndoshta ai shkon me mendimin se hapësira e paanë amerikane e ka tretur si një pikë uji ravgimin e tij, se të mos e fitosh bastin nuk do të thotë se ke humbur, duke qenë se të voglit rëndom i regjistrohen shërbimet që reklamon vetë, por jo dëmet që nuk i kujton njeri. E kështu me radhë. Nuk është pa gjë kjo shpresë e të humburit kur ka të bëjë me Amerikën. Dëgjoj njerëz që thonë se Trampi do të hakmerret me Kryeministrin tonë. Nuk besoj. Madje, e përjashtoj. Po të ngatërroheshin njerëzit e mëdhenj e të suksesshëm në xukthat e hakmarrjes, nuk do të mbërrinin kurrë aty ku kanë mbërritur. Kjo nuk do të thotë se nuk është krijuar një problem i madh në rrafshin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Për ne marrëdhëniet me SHBA¬të janë speciale dhe nuk kanë krahasim me asnjë vend tjetër. Si mund të vazhdojmë në këtë nivel, si mund të kemi marrëdhënie shumë të mira kur njeriu që drejton ekzekutivin tonë ka sulmuar e anatemuar më keq se një zgjedhës amerikan i krahut të kundërt njeriun që sot është Presidenti i SHBA?
Ky është një ngërç që nuk mund të vazhdojë. Është problemi ynë, jo i amerikaneve. Do të shohim si do të vazhdojë. Do të shohim efektet e tjera të zgjedhjes së Trampit në lidhje me Reformën në Drejtësi dhe me çështje të tjera madhore të marrëdhënieve dypalëshe. Për momentin, fitorja e Trampit u ka dhënë mundësi njerëzve të lirë të vendit tonë të marrim frymë si të kishim kaluar një rrezik.
Ashtu siç e bëri lojën Kryeministri ynë, zgjedhjet e ardhshme ishin në buzë të greminës. Jo se nuk janë akoma. Por kemi një arsye të shpresojmë për mirë. Kemi arsye të besojmë se sistemi i qëndrueshëm amerikan e korrigjon Presidentin aty ku rrezikohen vijat e kuqe të euroatlantizmit dhe vlerave të Amerikës. Kemi arsye të besojmë gjithashtu se zgjedhja e Trampit, pavarësisht ngjashmërive, ka pangjashmëri substanciale me lëvizjet antisistem apo antieuropiane të ekstremit të djathtë e të majtë në Europë. Edhe pse me një projekt origjinal, Presidenti i ri i SHBAve ka fituar në fund të fundit si kandidat i një partie të madhe, të vjetër e të qëndrueshme të sistemit, siç është Partia Republikane Amerikane.